Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Asnjë vend në botë nuk ofron barazi për gratë në tregun e punës

QIKA 15.5.2025

Sipas një raporti të ri të Bankës Botërore, asnjë vend në botë nuk u ofron grave mundësi të barabarta me burrat në tregun e punës. Raporti poashtu tregon se hendeku gjinor global është shumë më i madh sesa mendohej më parë. Mbyllja e këtij hendeku do të mund ta rriste Prodhimin e Brendshëm Bruto global me mbi 20%.

Për herë të parë, Banka Botërore ka analizuar ndikimin e politikave për kujdesin ndaj fëmijëve dhe sigurinë në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës në 190 vende. Raporti ka zbuluar se kur merren parasysh këta dy faktorë, gratë përfitojnë mesatarisht vetëm 64% të mbrojtjes ligjore që u garantohet burrave – një rënie e dukshme nga vlerësimi i mëparshëm prej 77%.

Autorja e raportit, Tea Trumbic theksoi se kujdesi ndaj fëmijëve dhe çështjet e sigurisë ndikojnë në mënyrë të veçantë në aftësinë e grave për të punuar. Dhuna mund t’i pengojë fizikisht të shkojnë në punë, ndërsa kostoja e kujdesit për fëmijët mund ta bëjë të pamundur angazhimin e tyre profesional.

Edicioni i dhjetë i raportit Gratë, Biznesi dhe Ligji, i publikuar të hënën, vlerëson për herë të parë edhe hendekun midis legjislacionit dhe politikave që vendosen për zbatimin e tij. Ai zbuloi se vendet, mesatarisht kanë krijuar më pak se 40% të sistemeve të nevojshme për një zbatim të plotë të ligjeve. Ndërsa 95 vende kanë miratuar ligje për barazi në pagesë, vetëm 35 prej tyre kanë ndërmarrë masa për të siguruar që hendeku i pagave të trajtohet në praktikë. Në shkallë globale, gratë fitojnë vetëm 77 cent për çdo dollar që fiton një burrë.

Sipas studimit, shumë vende të Afrikës Sub-Sahariane kanë bërë përparim të shpejtë në reformat ligjore gjatë viteve të fundit, por ato kanë edhe hendekun më të madh midis legjislacionit dhe zbatimit.

Togo ka numrin më të madh të ligjeve në Afrikën Sub-Sahariane që u japin grave 77% të të drejtave ligjore që gëzojnë burrat, por ka vendosur struktura për të zbatuar vetëm një të katërtën e tyre.

“Kemi parë një përpjekje të vazhdueshme për reforma nga disa vende afrikane … këtë vit raporti vë në dukje veçanërisht Togon dhe Sierra Leonen, që kanë bërë ndryshime të mëdha gjatë tre viteve të fundit”, tha Trumbic. “Por kornizat mbështetëse mungojnë në masë të madhe. Prandaj hendeku në zbatim është edhe më i madh në vendet që kanë reformuar kohët e fundit, sepse ato kanë ngritur standardet në ligje, por nuk kanë mekanizmat e nevojshëm për t’i zbatuar ato”, shtoi ajo.

Adresimi i mungesës së kujdesit për fëmijët menjëherë do të çonte në një rritje prej 1% të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore. Raporti thekson se më pak se gjysma e vendeve ofrojnë mbështetje financiare apo lehtësime tatimore për prindërit e fëmijëve të vegjël dhe më pak se një e treta kanë vendosur standarde cilësore për shërbimet e kujdesit ndaj fëmijëve që do t’u garantonin prindërve sigurinë e fëmijëve të tyre.

Në 81 vende, përfitimet pensionale të grave nuk marrin parasysh periudhat e mungesës nga puna për shkak të kujdesit ndaj fëmijëve.

Raporti  i mbështetur ndër të tjera, nga Fondacioni Bill & Melinda Gates, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), si dhe Fondacioni William dhe Flora Hewlett –  evidenton se ndonëse 151 vende kanë ligje kundër ngacmimit seksual në vendin e punës, vetëm 40 prej tyre kanë ligje që mbulojnë abuzimin në hapësirat publike apo në transportin publik, që do të thotë se gratë nuk janë të mbrojtura gjatë rrugës për në punë.

“Në të gjithë botën, ligjet dhe praktikat diskriminuese i pengojnë gratë të punojnë apo të nisin biznese në mënyrë të barabartë me burrat”, tha Indermit Gill, kryeekonomist i Grupit të Bankës Botërore. “Mbyllja e këtij hendeku do të mund ta rriste Prodhimin e Brendshëm Bruto global me më shumë se 20% – duke dyfishuar në thelb shkallën globale të rritjes gjatë dekadës së ardhshme – por reformat janë ngadalësuar pothuajse deri në stagnim”, shtoi ai.

Kaamil Ahmed

E përktheu: Riola Morina

Artikullin origjinal e gjeni këtu.

____________

Përkthimi i këtij artikulli është mbështetur nga Ambasada Holandeze përmes projektit “Fuqizimi i Grave në Treg të Punës”, i cili zbatohet nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe QIKA.