Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Dhuna obstetrike: abuzimi gjatë lindjes është i përhapur dhe hapi i parë për ta luftuar atë është emërtimi i tij

QIKA 19.11.2024

Gjatë lindjes së fëmijës, gratë shpesh i nënshtrohen trajtimeve shumë të ashpra – përfshirë poshtërimin verbal, praktikave invazive, medikamenteve të panevojshme, dhunën fizike dhe mohimin e qasjes në trajtim dhe lehtësim të dhimbjes – dhe të gjitha këto janë shumë të zakonshme para, gjatë dhe pas lindjes, si në Evropë ashtu edhe në mbarë globin. Kjo poashtu, mund të përfshijë mungesën e pëlqimit të informuar gjatë kryerjes së prerjeve cezariane, epiziotomisë, induksionit dhe kontrollimit të vaginës, si dhe ofendimet verbale e shprehjet diskriminuese.

Shkelja e të drejtave të njeriut në këtë kontekst quhet dhunë obstetrike.

Shumë nga këto praktika janë rrënjosur thellë në profesionet mjekësore nga individët si mamitë, mjekët apo infermierët. Prandaj shumë individë që kanë profesione mjekësore e kundërshtojnë termin “dhunë obstetrike”, veçanërisht për shkak të përdorimit të fjalës “dhunë”, meqë kjo nënkupton “qëllimin për të shkaktuar dëm”. Madje, përfaqësues nga tre institucione të mëdha profesionale evropiane këtë vit patën nënshkruar një dokument, përmes së cilit kritikuan përdorimin e këtij termi.

Ne, bashkë me shumë njerëz të tjerë nuk pajtohemi, meqë akti është i dhunshëm pavarësisht nga qëllimi dhe vetëm duke i vënë emër dhe përcaktuar dhunën obstetrike mund t’i fuqizojmë pacientët dhe profesionistët për t’i dhënë fund.

Shkalla e pranueshmërisë së termit vërtetohet nga studimi ynë, i mbështetur nga Komisioni Evropian, të cilin e kemi realizuar dhe prezantuar në  Seminarin Vjetor të Barazisë Gjinore në nëntor 2023. Raporti ynë ishte hartuar mbi të dhënat e detajuara të raporteve të vendeve që janë trajtuar si raste të studimit, si Franca, Holanda, Sllovakia dhe Spanja.

Qëllimi ynë është që të luftojmë kundërshtimet ndaj përdorimit të termit ‘dhunë obstetrike’. Ky term përveçse i përshtatshëm, është edhe i dobishëm për të theksuar, parandaluar dhe çrrënjosur keqtrajtimin dhe abuzimin gjatë procesit të lindjes, si dhe barazvlerëson nevojat dhe dëshirat e pacientëve në të njëjtin nivel me ato të profesionistëve shëndetësorë.

Pse ‘dhuna obstetrike’ është termi i duhur?

Aktualisht, dhuna obstetrike është pikë e ndjeshme për profesionistët shëndetësorë, kryesisht sepse trajton elemente të praktikave të tyre, të cilat nuk janë vënë në dyshim më parë.

Megjithatë, shumica e organizatave të grave dhe atyre për të drejtat gjatë lindjes e kanë adoptuar lehtësisht termin pikërisht sepse i njëjti u krijua dhe u përdor nga vetë gratë në deklaratat dhe shkëmbimet e përvojave të tyre – fillimisht në Amerikën Latine dhe më pas në mbarë botën.

Sot, termi dhunë obstetrike përdoret jo vetëm në literaturën shkencore ndërkombëtare për kujdesin abuziv dhe mosrespektues gjatë lindjes, por edhe në dokumentet zyrtare të Këshillit të Evropës dhe organizatave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara.

Njihet dhe përdoret gjithashtu nga shoqata të ndryshme gjinekologjike dhe obstetrike dhe institucione qeveritare të kujdesit shëndetësor, duke përfshirë Haut Conseil à l’Égalité entre les femmes et les hommes dhe qeverinë katalonase në Spanjë. Këto organizata e paraqesin dhunën obstetrike si një formë specifike të dhunës me bazë gjinore.

Derisa thjesht emërtimi i këtij keqtrajtimi dhe abuzimi nuk do ta zhdukë atë, koncepti i dhunës obstetrike çon peshë të madhe në nivel personal, social dhe politik, si për studiuesit, pacientët dhe për profesionistët e shëndetësisë. Ai i inkurajon pacientët që të njohin dhe sfidojnë në mënyrë legjitime këtë përvojë jonormale ose traumatike.

Dhuna obstetrike ofron gjithashtu mundësinë për të vënë në pikëpyetje dhe rrjedhimisht përmirësimin e kushteve në të cilat shtatzënia dhe lindja e fëmijëve trajtohen dhe menaxhohen për prindërit e ardhshëm, në dobi të profesionistëve shëndetësorë dhe të shoqërisë në përgjithësi.

Dhuna obstetrike të njihet si dhunë me bazë gjinore

Termi dhunë obstetrike na lejon të përshtatim përvojat e pacientëve brenda kornizës ekzistuese të dhunës me bazë gjinore dhe racore, dhe ta lidhim atë me historinë e gjinekologjisë dhe obstetrikës së dominuar nga burrat.

Dhuna me bazë gjinore përkufizohet nga Parlamenti Evropian si “dhuna e drejtuar kundër një personi për shkak të gjinisë së atij personi ose dhuna që prek personat e një gjinie të caktuar në mënyrë disproporcionale”. Qasja e përcaktimit të dhunës obstetrike si një formë e dhunës me bazë gjinore është miratuar tashmë në udhëzime dhe punë shkencore, si dhe në ligjet në Amerikën Latine (Venezuela në 2007, Argjentinë në 2009, Uruguai në 2017) dhe Evropë (Katalonia në 2020).

Si formë e dhunës me bazë gjinore, dhuna obstetrike nuk është ekskluzivisht e qëllimshme dhe as nuk ndodh gjithmonë ndërmjet individëve. Ajo është strukturore dhe ndërsektoriale, që do të thotë se detyrimi dhe abuzimi mund të jenë indirekt, anonim e të padukshëm, të prodhuara nga shteti dhe institucionet e tij ose nga normat shoqërore. Ai është i rrënjosur në kontekste komplekse politike, sociale, kulturore dhe mjekësore, që do të thotë se kushtet e punës, presioni financiar, hierarkitë profesionale dhe edukimi shëndetësor mund ta inkurajojnë ose mundësojnë atë.

Dhuna obstetrike gjithashtu përjetëson modele dominimi që janë përbrendësuara nga popullsia e përgjithshme, duke përfshirë profesionistët shëndetësorë. Ky paragjykim i nënkuptuar është eksploruar në literaturën shkencore, kryesisht sa i takon çështjeve të racës dhe gjinisë.

Gjykimet dhe zakonet janë sigurisht të vështira për t’u vënë në pikëpyetje dhe për tu korrigjuar, por kjo nuk mund të jetë justifikim për të injoruar këtë formë të dhunës, për të injoruar fjalët e përdorura nga ata që lindin dhe vuajnë pasojat e saj, dhe për të mos bërë gjithçka që është e mundur për të reduktuar këtë dhunë, krahas shumë masa të tjera, duke e emërtuar atë.

Të ndalemi tek debati i vërtetë

Duhet të theksojmë se ka pak debat lidhur me atë se a ndodh mosrespektimi, abuzimi apo keqtrajtimi gjatë lindjes – anipse të gjitha këto janë të dokumentuara mirë.

Megjithatë, terminologjia është ende subjekt debati dhe dhuna obstetrike është termi i përshtatshëm sepse thekson aspektet strukturore dhe institucionale të kësaj lloj dhune. Është një problem sistemik që ka nevojë për zgjidhje sistemike – këto veprime dhe sjellje individuale duhet të interpretohen dhe zgjidhen si pjesë e dinamikave më të gjera, më komplekse që i mundësojnë, inkurajojnë dhe përjetësojnë ato.

Kjo nuk do të thotë që individët nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Përkundrazi, sygjeron se ato veprime janë shpesh produkt i një sistemi, i cili duhet të zbërthehet në rrënjët e tij më të thella.

Prandaj ka ardhur koha për t’i dhënë fund debatit mbi terminologjinë. Sot, më shumë se kurrë, termi dhunë obstetrike mbështetet në nivele shkencore, sociale, politike dhe, gjithnjë e më shumë, edhe mjekësore. Debati i vërtetë – pra dialogu mes njerëzve që lindin dhe profesionistëve shëndetësorë që përcjellin çdo ditë shtatzënitë dhe lindjet – është tashmë shumë më përpara se ai terminologjik.

Patrizia Quattrocchi, Clémence Schantz, Rodante van der Waal, Stella Villarmea, Virginie Rozée

E përktheu: Blenda Asllani

Shkrimin origjinal mund ta gjeni këtu.