Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Është koha t’i japim fund varfërisë menstruale njëherë e përgjithmonë

QIKA 27.5.2021

Pandemia COVID-19 ka shkatërruar jetën tonë dhe na ka detyruar të vërejmë çështje sistematike me të cilat përballen njerëzit e margjinalizuar. Veçanërisht gratë kanë mbajtur barrën më të madhe të shumë ndryshimeve që na solli ky vit. Nga gratë shkencëtare që përballen me pengesa shtesë në karrierën e tyre deri te gratë e të gjitha klasave dhe industrive që u pushuan nga puna, ose u larguan vullnetarisht nga puna për tu marrë me punët e kujdesit, pandemia vetëm sa i ka përkeqësuar barrierat ekzistuese sistematike. Në krye të sfidave shtesë që të gjithë janë përballur për shkak të pandemisë, gratë tashmë ishin duke u përballur me hendekun në pagë, një ndërrim të dytë në punë, duke u ngarkuar me barrën e borxhit studentor dhe taksën rozë.

Taksa rozë i referohet parave shtesë që gratë paguajnë për shërbime të caktuara, të tilla si pastrimi kimik, apo rritja e çmimeve të produkteve që tregtohen sipas gjinisë. Disa ekspertë përfshijnë gjithashtu taksat për produktet e higjienës, të tilla si peceta sanitare, tamponë, gota menstruale dhe të brendshme menstruale. Deri tani, 35 shtete lejojnë taksa mbi këto produkte. Shtetet mund ti bëjnë produktet e higjienës për gratë më të qasshme duke eliminuar taksat e shitjes, por kjo nuk është e tëra. 

Nëse Skocia mund ta bëjë këtë, mund ta bëjmë edhe ne:

Në janar 2019, pak para se të shfaqej pandemia, Reuters raportoi se gati dy të tretat e grave të klasës punëtore si dhe ato të varfëra në SHBA nuk mund të përballonin financiarisht peceta, tamponë apo produkte të tjera menstruale. Në pamundësi të përdorimit të mjeteve të duhura, gratë raportuan se përdorin gjëra të tilla si peshqir letre, lecka, apo pelena në mënyrë që të menaxhonin më mirë menstruacionet. Me të gjitha vështirësitë financiare që kanë hasur gratë këtë vit, më në fund është koha për të zhdukur varfërinë menstruale menjëherë. Shtetet në të gjithë SHBA-në kanë fuqinë për ta bërë këtë ndryshim dhe madje marrin shembull vendet e tjera për të strukturuar përpjekjet e tyre. 

Më 24 nëntor, Skocia u bë vendi i parë në botë që i bëri të gjitha produktet menstruale falas. Monica Lennon, anëtare e Parlamentit Skocez, ka punuar për të miratuar këtë projektligj që nga 2016, dhe kjo ndodhi në kohën e duhur për të ndihmuar gratë skoceze të kalojnë një vit tjetër të pasigurisë ekonomike që mund të pengojë ato të blejnë produktet menstruale që u nevojiten çdo muaj. 

Menstruacionet ende konsiderohen si turp. Sipas një studimi të vitit 2016 nga Clue ka mbi 5000 eufemizma për menstruacionet në të gjithë botën. Gratë janë mësuar të fshehin menstruacionet, të kenë turp për produktet e tyre dhe të vazhdojnë të kryejnë punët e përditshme edhe kur kanë dhimbje. Në disa kultura gratë konsiderohen si “të ndyra” gjatë menstruacioneve të tyre dhe mungesa e qasjes në produktet adekuate mund të përkeqësoj më tej stigmën pasi që është e vështirë të jesh e pastër dhe të menaxhosh menstruacionet.  

Ligji i Skocisë për Produktet Menstruale Falas (furnizim falas) shpjegon se është e rëndësishme ti jepet fund varfërisë menstruale në mënyrë që të gjithë ata që kanë menstruacione të kenë dinjitet. Ligji lejon 32 Këshillet e Skocisë të vendosin se si ata do të zbatojnë ligjin e sapo-miratuar në nivel lokal. 

Me rritjen e varfërisë, rritet edhe varfëria menstruale: 

Sipas një studimi të Universitetit të Kolumbisë, 8 milionë njerëz u bënë më të varfër si rezultat i rënies ekonomike nga pandemia COVID-19. Megjithëse ekonomia ishte pak më e fortë në 2019, të pastrehët ishin ende çështje kryesore në qytete të të gjitha madhësive në të gjithë SHBA-në. Për Qendrën Lerner të Universitetit të Sirakuzës për Promovimin e Shëndetit Publik, strehimoret për të pastrehët kanë qenë pika kritike gjatë COVID-19 për shkak të numrit të lartë të njerëzve, hapësirave të përbashkëta dhe mungesës së pajisjeve mbrojtëse personale. Deri në 12 milionë amerikanë mund të përfundojnë të pastrehë nëse nuk sigurohen moratoriumet e dëbimit, pezullimet e qirasë apo ndihma të tjera. 

Studentët, të pastrehët dhe komuniteti transgjinorë u përballën me qasje të pabarabartë në produktet menstruale para pandemisë, pasi kostoja e produkteve të menstruacioneve ishte ngarkesë për financat e tyre. Kjo është përkeqësuar edhe më tepër gjatë pandemisë. Moratoriumi i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) mbi dëbimet është vetëm një masë e përkohshme për të parandaluar që të tjerët të mbeten të pastrehë, por e cila skadon me 31 dhjetor. Ndikimi i COVID-19 në financa do të ndihet për vitet e ardhshme edhe për ata të cilët janë në gjendje të sigurojnë një çati mbi kokën e tyre. 

Meqenëse më në fund filluan diskutimet stimuluese, është koha që SHBA të adresojë ndryshimet sistematike që mund të ndihmojnë gratë të rikuperohen nga pandemia COVID-19 dhe të jetojnë një jetë të dinjitetshme. Megjithëse, varfëria menstruale ka qenë një problem për vite me radhë, ka ardhur koha për ti dhënë fund sfidave me të cilat përballen gratë, si dhe për tu siguruar që të gjitha gratë të kenë qasje në produktet që u nevojiten për ciklin e tyre menstrual pa shtuar presionin financiar, stigmën dhe turpin. 

Ingrid Cruz

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.businessinsider.com/time-to-end-period-poverty-once-for-all-womens-health-2020-12