Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Gratë artiste fitojnë më pak dhe shpesh punojnë pa pagesë

QIKA 14.4.2022

Rachel Joanis, dizajnere grafike dhe ilustruese e pavarur, e kishte të vështirë të vlerësonte punën e saj, veçanërisht pas fillimit të karrierës së saj pasi kishte diplomuar në 2015.

“Në mënyrë të natyrshme i shitja lirë punimet e mia”, tha artistja që jeton në Toronto. “Punoja me orë të tëra për projekte të ndryshme dhe në fund paguhesha shumë pak.”

Një takim i rastësishëm përmes Instagramit ndryshoi gjërat për Joanis. Një nga ndjekësit e saj, themeluese e një kompanie të PR-it në qytetin e Nju Jorkut, porositi punime të saj dhe ua prezantoi kompanive të tjera që po kërkonin ilustrues.

“Kur më referonte te klientët, ajo më thoshte: ‘Ky projekt duhet ta ketë këtë çmim’, shpjegon Joanis. Tarifat që sugjeronte mentorja e saj shpeshherë ishin dyfishi i shumës që Joanis mendonte tu jepte në fillim.

E nënçmuar dhe e nënvlerësuar

Në industritë krijuese, gratë artiste shpesh e nënçmojnë punën e tyre. Kjo është diçka që Nuria Madrenas, ilustruese e pavarur, e ka hasur në punën e saj të përditshme në marketing dhe komunikim.

“Po shikoja çmimet e ilustruesve në Toronto për një klient,” tha Madrenas. “Një artiste më caktoi një çmim prej 200 dollarësh për një ngjarje live që do të zgjaste tre orë. Ndërsa, një artist burrë më caktoi një çmim prej 2000 dollarësh.” Ajo thotë se artistët ishin të krahasueshëm në përvojë dhe stil.

Takime të tilla e shtynë Madrenas të themelonte Tacit, një galeri online për gratë artiste. “Kjo ide erdhi nga pabarazia midis grave dhe burrave në botën e artit,” tha ajo.

Një analizë e vitit 2021 mbi diferencat e çmimeve për artistët burra dhe gra zbuloi se veprat e artit të prodhuara nga artistet gra përbëjnë më pak se 4% të shitjeve në ankandet e artit. Të dhënat nga National Endowment of the Arts në SHBA tregojnë se gratë artiste të shquara, drejtore arti, animatore dhe gratë fotografe fitojnë 0,74 dollarë për çdo dollar që fitojnë burrat artistë vizualë dhe fotografë.

Kur artistë të rinj i bashkohen Tacit, Madrenas shpesh i udhëzon ata se si t’i japin çmimin e duhur artit të tyre, që zakonisht nënkupton rritjen e vlerës së tyre.

“Çfarëdo çmimi që një artiste mund të ketë në kokën e saj, unë gjithmonë e rekomandoj ta dyfishojë atë,” pohoi ajo.

Madrenas beson se gratë artiste që nënvlerësojnë veten po u bëjnë “dëm kolegeve tjera artiste, të cilat ndihen sikur nuk mund ta vlerësojnë veten sipas asaj që besojnë se vlejnë”. Çmimi i saktë është ajo që i ndihmon gratë të krijojnë një karrierë të gjatë dhe të qëndrueshme nga arti i tyre, u shpreh ajo.

Bërja e ‘punës së padukshme të papaguar’

Duke njohur pabarazinë që ekziston midis artistëve burra dhe gra, Annie Briard punoi orë të panumërta vullnetare në fillimet e karrierës së saj si anëtare e bordit, organizatore e festivalit të artit dhe si drejtuese e një reviste arti që botohej në dy gjuhë.

“Ishte shumë e qartë se kishte më pak vend për gratë artiste në botën e artit, veçanërisht brenda seksionit të artit mediatik,” thotë Briard, fotografe, artiste e mediave dixhitale dhe instruktore në Universitetin e Artit dhe Dizajnit Emily Carr të Vankuverit. Puna në komunitet ishte një mënyrë për tu dalluar nga të tjerët – diçka për të cilën ajo pohon se burrat nuk janë aq të detyruar ta bëjnë, ose nuk kanë nevojë ta bëjnë aq shpesh për të pasur sukses.

Briard thotë se vendet e bordit janë “të mbushura në masë të madhe me artiste gra” në organizatat e artit ku ajo është e përfshirë. “Ka shumë punë të padukshme dhe të papaguara që përmbushen nga gratë brenda artit.”

Pas gjashtë vitesh punë në komunitet duke zhvilluar projektet e saj si fotografe, Briard tërhoqi vëmendjen e një galeristi në Galerinë Joyce Yahouda në Montreal, ku ajo filloi karrierën e saj artistike.

“Nuk e di nëse do të kisha arritur të mbërrija në atë pikë, nëse nuk do të kisha bërë gjithë këtë punën tjetër në shërbim të artistëve të tjerë”, tha ajo.

Barrierat historike gjinore në profesionin e artit janë disa nga arsyet pse kjo mospërputhje ekziston ende. Por ka vend për shpresë. Briard thotë se galeritë kërkojnë të kenë diversitet gjithnjë e më shumë sa i përket artistëve që përfaqësojnë, njëlloj edhe muzetë.

Në Bienalen e Venecias 2019, 53% e artistëve që morën pjesë në ekspozitën globale të artit ishin gra, krahasuar me 33% në 2015. Një studim i vitit 2018 i demografisë së muzeut të artit në SHBA i realizuar nga Fondacioni Andrew W. Mellon zbuloi se 61% e stafit të muzeut ishin gra. Megjithatë, pozicionin më të lartë drejtues në një muze zakonisht e ka një burrë.

Përdorimi i dollarëve për të nxitur ndryshimin

Ndryshimi i mënyrës sesi vlerësohet arti nga gratë dhe sa fitojnë gratë artiste në krahasim me burrat, nuk është diçka e vogël. “Bota e artit është një pasqyrë shumë e ekzagjeruar e shoqërisë,” shprehet Briard. Ajo beson se duhet të adresohen çështjet kryesore shoqërore në mënyrë që të mbyllen boshllëqet gjinore në art.

Por ka gjëra që adhuruesit e artit mund të bëjnë për të ndihmuar. Kur blini vepra arti, pavarësisht sa i madh apo i vogël është buxheti juaj, “përdorni dollarët tuaj për të ndihmuar lidhur me llojet e praktikave që dëshironi të mbështesni dhe çfarë dëshironi të shihni më shumë”, sugjeron Briard. Tregoni mbështetjen tuaj duke marrë pjesë në shfaqje, galeri dhe organizata që shfaqin artin e grave.

“[Organizatat] po monitorojnë nga afër numrat: sa njerëz vijnë, sa njerëz bashkëpunojnë” thotë ajo. Lansimi i veprave të artistëve në zhvillim në Instagram apo platforma të tjera të mediave sociale është gjithashtu një akt i vlefshëm. “Është falas, e lehtë për t’u bërë dhe ka më shumë ndikim sesa mendojnë njerëzit.”

Së fundmi, nëse shihni një galeri ose muze që i mungon përfaqësimi i grave, tregojuni atyre se kjo gjë ju shqetëson.

“Dërgojuni një email ose shkruani në librin e tyre të komenteve,” tha Briard. “Thjesht pyetini: ‘Hej, pse nuk kishte gra artiste në atë shfaqje?’”

Andrea Yu

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theglobeandmail.com/business/article-gendered-pricing-gap-keeps-women-artists-earning-less-and-putting-in/