Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Historikisht mjekësia ka lënë pas dore gratë

QIKA 16.3.2022

Libri i ri “Unwell Women” nga Elinor Cleghorn, flet për diagnozat e gabuara që i ishin dhënë nga mjekët burra dhe e përdorë këtë si pikënisje alarmuese që mjekët e tjerë të mësojnë nga këto gabime.

Hipokrati, themeluesi i mjekësisë moderne, besonte se gratë udhëhiqeshin nga mitrat e tyre. “Babai” i gjinekologjisë moderne, James Marion Sims, në mes të viteve 1800 eksperimentoi te gratë e zeza skllave pa anestezion, i bindur se ato ndienin më pak dhimbje sesa gratë e bardha. (Statuja e tij qëndroi në Parkun Qendror të New York City për më shumë se një shekull, deri kur u hoq në 2018). Mjekët pohonin se nëse gratë votonin, kjo gjë do tu shkaktonte dëm trupave të tyre dhe mendjes së tyre të zbehur.

Historia e mjekësisë është aq shoqërore dhe kulturore sa edhe shkencore dhe dominimi nga burrat është çimentuar në themelet e saj. Autoria Elinor Cleghorn, e cila kaloi vitin e kaluar duke studiuar  historinë e marrëdhënieve të grave me mjekësinë, e befasuar ajo shprehi se “sa e vetëdijshme dhe tinëzare ishte mjekësia”, gjithashtu duke shtuar se “teoritë biologjike në lidhje me trupat e grave u përdorën për të përforcuar dhe mbështetur idetë stagnuese shoqërore mbi gratë.”

Libri i ri i Cleghorn “Unwell Women”, numëron një mori mënyrash në të cilat trupat dhe mendjet e grave janë keqkuptuar dhe keq-diagnostikuar gjatë historisë. Nga mitra e përhumbur e Greqisë së lashtë (ideja që një mitër e përhumbur shkaktoi shumë sëmundje të grave) dhe sprovat e shtrigave në Evropën mesjetare, përmes agimit të histerisë, deri tek mitet moderne rreth menstruacioneve, ajo vë në dukje trajtimin e pabesueshëm dhe të tmerrshëm që u është bërë dhe vazhdon tu bëhet grave për mijëvjeçarë në emër të ilaçeve.

Cleghorn, ish-studiuese e Oksfordit që kishte specializuar në kulturë dhe histori feministe, ndërton me përpikmëri një kornizë për të evidentuar se si dhe pse bota mjekësore patriarkale ka qenë kaq e dëmshme për gratë, veçanërisht për gratë shërbëtore dhe gratë e zeza. Libri “Unwell Women” tregon sesi heqja e të drejtës mbi trashëgiminë dhe diskriminimi vazhdon edhe sot, duke vazhduar në nënpërfaqësimin e grave në mjekësi, idetë mbizotëruese se dhimbja e grave është psikologjike ose emocionale dhe një sistem joadekuat, në disa raste armiqësor që ka më shumë të ngjarë t’u ofrojë grave antidepresantë dhe qetësues sesa referimi për diagnostikim të mëtejshëm dhe kujdes më të thelluar.

Cleghorn u frymëzua për të shkruar librin pas përvojës së saj të anashkalimit nga mjekët për vite me radhë para se të diagnostikohej përfundimisht me lupus sistemik, një sëmundje e vështirë për tu përcaktuar që është nëntë herë më e përhapur në mesin e grave sesa te burrat. “Unë po përpiqesha të arrija të kuptoja pse askush nga mjekët nuk mund të më shpjegonte shumë për të. Ata më tregonin se çfarë po ndodhte në trupin tim, por nuk dinin të më tregonin pse u diagnostikova me të ose pse unë si grua jam më e ndjeshme ndaj saj. Fillova të hulumtoj historinë e mjekësisë dhe në studime të rasteve gjeta gra që ndiheshin njësoj apo ngjashëm si unë.” 

Këto “gra fisnike” e shtynë Cleghorn për të mësuar më shumë rreth sëmundjeve të tjera kronike, të pashërueshme që prekin më shumë gratë sesa burrat. Një sëmundje e tillë është endometrioza, e cila prek një në 10 gra në nivel global dhe kërkon mesatarisht nga shtatë deri në nëntë vjet për tu diagnostikuar. Megjithëse u emërua në vitet 1920, të gjitha misteret e saj diagnostike mbeten të tilla edhe sot, vëren Cleghorn. “Endometrioza u përshkrua nga një mjek në vitet ’20 si një enigmë e etiologjisë dhe ne ende nuk e dimë se çfarë e shkakton atë. Gjurmimi i mungesës së progresit mbi 100 vjet ishte një shembull i vërtetë se sa pak progres kemi bërë. Doja të kthehesha në kohë dhe të kuptoja pse ende qëndrojnë kaq shumë pikëpyetje rreth këtyre kushteve dhe nga vijnë këto boshllëqe, padrejtësi dhe diskriminime. ”

Përgjatë gjithë librit, Cleghorn përqendrohet në efektet komplekse të racës, qasjes dhe privilegjit mbi gjininë. “Në Mbretërinë e Bashkuar, ne jemi përballur me dështimet tona për shëndetin e grave të zeza, aziatike dhe me etni të ndryshme, të cilat përjetojnë pabarazi shumë më të mëdha shëndetësore sesa gratë e bardha, veçanërisht në fushën e shëndetit riprodhues”, thotë ajo. Por ajo është e tronditur nga përgjigjja “shumë të vonshme” e qeverisë. “Është indinjuese dhe tronditëse që nuk ka më shumë para, strategji, fonde, hulumtime dhe prioritizim urgjent të çështjeve të tilla si vdekshmëria amtare e grave të zeza,” shton Cleghorn.

Të ecësh paralelisht me historinë e zhgënjimit dhe padrejtësisë është një histori alternative fuqizuese e rezistencës dhe kontributeve të dobishme të grave. Ajo citon mjeken pioniere amerikane Mary Putnam Jacobi, e cila në vitet 1870 kundërshtoi idenë se gratë kërkonin pushim gjatë menstruacioneve. “Mjekët burra në atë kohë po përdornin vetëm anekdota dhe hamendësime, por Putnam Jacobi përdori njohuri subjektive nga gratë për t’i hedhur poshtë me të madhe. Ekziston një radikalizëm i qetë në përdorimin e njohurive të grave për veten e tyre për të ndryshuar kulturën e pabarazisë mjekësore “.

Në këtë pjesë Cleghorn vendos shpresën për të ardhmen, me një kapitull përmbyllës të titulluar “Believe Us” (Na besoni). Gratë janë menduar prej kohësh si rrëfyese jo të besueshme të trupit të tyre. Megjithatë mjekësia moderne tani i lejon gratë të edukojnë veten e tyre për trupat e tyre (një luks i ndaluar për shekuj) dhe u ka ofruar grave mundësinë për t’u bashkuar me komunitetin mjekësor, Cleghorn beson se të kuptuarit e shëndetit të grave mbetet një e lënë anash.

Por fillimi i një zgjidhjeje është i lehtë, thotë ajo. “Prioritzimi i zërave të grave është me të vërtetë i rëndësishëm. Nuk mendoj se e gjithë kjo është një komplot i madh patriarkal, paragjykimi i nënkuptuar, i pandërgjegjshëm është kaq i ngulitur, madje edhe në vendosjen e ndërveprimit mjek-pacient. Kur më jepet mundësia për të folur lirshëm, pa u ndjerë e nxituar apo e gjykuar ndihem sikur kam pasur kujdes më të mirë. “

Strategjia e fundit e qeverisë britanike mbi shëndetin grave, në të cilin kërkohen prova nga gratë në lidhje me trajtimin e tyre nga sistemi i kujdesit shëndetësor është inovative, thotë ajo.

“Ndoshta kjo është hera e parë në histori që përdoren përvojat dhe zërat subjektiv të grave. Kjo është mënyrë e mirë për të filluar sepse gratë nuk janë lapidarë” thotë Cleghorn.

Cleghorn shpreson që libri i saj të ndihmojë këdo që ka pasur përvoja të vështira ose të dhimbshme shëndetësore “të ndihet e vlefshme dhe e vlerësuar, sepse kjo mund të jetë sa izoluese, aq edhe demoralizuese dhe dehumanizuese. Por të kesh një sëmundje është gjithashtu domethënëse në kuptimin që je pjesë e këtij prodhimi të njohurive shumë të rëndësishme. Shpresoj që lexuesit t’a gjejnë veten në këtë histori dhe shpresoj se tani mund të fillojmë ndryshimin “.

Lisa Wong Macabasco

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theguardian.com/books/2021/jun/08/unwell-women-elinor-cleghorn-book?fbclid=IwAR1_ekPgu2FowNr5eUiP2Kx0qOWBF8hkb9quZ8S_m0lKNXCl484F2–INTc