Gjithçka është e kodifikuar në bazë të nevojave të burrave – madje edhe të brendshmet tona, praktika seksuale e amësia.
Në parim, unë refuzoj të flas keq për një grua tjetër, edhe nëse më ka ofenduar në formë të patolerueshme. Ndjehem e detyruar të pozicionohem në këtë mënyrë sepse jam e vetëdijshme për situatat nëpër të cilat kalojnë: e shoh te vetja, e shoh tek të tjerat, dhe e di që nuk ka asnjë grua që për ta përfunduar ditën nuk i është dashur të kaloj nëpër situata të lodhshme e të mërzitshme. Të varfra apo të pasura, të shkolluara e të pashkolluara, të bukura e të shëmtuara, të famshme e të panjohura, të martuara apo beqare, të punësuara apo të papunësuara, me fëmijë ose pa fëmijë, rebele apo të dëgjueshme, që të gjitha vlerësohemi nga një botë që sado që pretendojmë që është e jona, është e helmuar në rrënjë nga dominimi i burrave për shekuj të tërë.
Gratë jetojnë në mes të kontradiktave të përhershme e me punë të paqëndrueshme. Gjithçka, vërtetë gjithçka, është e rregulluar sipas nevojave të burrave – madje edhe të brendshmet tona, praktikat seksuale, dhe amësia. Ne duhet të jemi gra sipas roleve dhe mënyrave që i bëjnë burrat të lumtur. Mirëpo gjithashtu ne duhet të ballafaqohemi me ta, të garojmë kundër tyre në vende publike, t’i paraqesim më të mirë sesa që janë dhe sigurisht të kujdesemi që mos t’i ofendojmë.
Një grua e re të cilën e pëlqej shumë më tha: është gjithmonë problem me burra dhe jam mësuar të mos e “teproj”. Donte të thoshte se i është dashur ta mësoj veten që të mos jetë tepër e bukur, tepër inteligjente, tepër e kujdesshme, tepër e pavarur, tepër zemërgjerë, tepër agresive, apo tepër e sjellshme. Kjo ‘TEPËR’ e një gruaje është shkaktare e veprimeve të dhunshme të burrave dhe përveç kësaj, shkakton armiqësi me gratë e tjera të cilat çdo ditë janë të obliguara të luftojnë njëra tjetrën për troshat që kanë mbetur nga burrat. Kurse, ‘TEPËR’ e burrave shpie drejt një admirimi të përgjithshëm dhe fuqizimi të pozitës së tyre. Pasojë e kësaj nuk është vetëm fakti që e mbytë fuqinë e grave, por edhe që për hatër të paqes dhe qetësisë, ne ia zëmë frymën vetvetes. Edhe sot, pas një shekulli me feminizëm nuk mund të jemi tërësisht vetvetja, nuk i përkasim vetvetes.
Defektet, mizoritë, krimet, virtytet, kënaqësitë, si dhe gjuha jonë janë të gdhendura në hierarkinë e burrave, ato dënohen ose lavdërohen me kriteret që nuk na përkasin prandaj edhe na stërlodhin. Është një rrethanë e tillë në të cilën është e lehtë të jesh e urryer nga të tjerët e edhe nga vetja. Të tregojmë se kush jemi drejt një përpjekjeje për autonomi, kërkon të kemi vëmendje të pamëshirshme për vetveten.
Prandaj ndihem e afërt me të gjitha gratë, dhe ndonjëherë për një arsye, ndonjëherë për arsye tjetër, e shoh vetën tek më të mirat dhe tek më të këqijat.
A është e mundur, më pyesin njerëzit, që nuk e njeh as edhe një BITCH? I njoh disa, padyshim: në letërsi ka shumë, njësoj edhe në jetën e përditshme. Por, kur i konsideroj të gjitha rrethanat, prap se prap unë jam në anën e tyre.
Elena Ferrante
E përktheu: Njomza Tmava
Tekstin origjinal mund ta gjeni në: