Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Ndërprerja e ndihmave humanitare duhet të kritikohet si dhunë me bazë gjinore

QIKA 8.4.2024

Britania ka ndërprerë ndihmat ndërkombëtare për të disatën herë që nga viti 2020, si rezultat i të cilave mirëqenia e grave në mbarë botën është prekur ndjeshëm. Ndërprerja që ndodhi në vitin 2021 në Fondin e Popullsisë së OKB-së – UNFPA, është shembull konkret. Nëse fondet prej 130 milionë funtash (rreth 164 milionë dollarë) do të jipeshin, do të mund të parandaloheshin vdekjet e një çerek milioni fëmijëve dhe nënave, 14 milionë shtatzëni të padëshiruara dhe 4 milionë aborte të pasigurta.

Ky është një nga shembujt e shumtë që dëshmojnë ndikimin e thellë dhe shpesh joproporcional që ka ndërprerja e ndihmave humanitare tek gratë. Organizatat humanitare dhe aktivistët/et vërejnë ndikimin që kanë reduktimet e financimit qysh prej momentit kur shpallen. Megjithatë, Britania e Madhe nuk e ka marrë parasysh këtë fakt. Ajo po vazhdon të reduktojë ndihmën humanitare, ani pse nevoja mbetet ende e madhe.

Rasti i fundit i kësaj trashëgimie të zymtë të ndërprerjes së ndihmës është vendimi i qeverisë britanike për ndërprerjen e financimit të UNRWA, agjencisë së Kombeve të Bashkuara që ofron ndihmë për popullin palestinez. Ky vendim u morr pas pretendimeve izraelite se disa anëtarë të stafit të UNRWA morën pjesë në sulmin e Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Ndonëse UNRWA ndërpreu menjëherë kontratat e të akuzuarve, 18 vende të botës reduktuan financimin prej 440 milionë dollarësh. Në mesin e katastrofës humanitare në Gaza, ku rreth 29.000 njerëz janë vrarë dhe 85% e popullsisë është zhvendosur, Britania ka vendosur që të ndërprejë ndihmën për shpëtim prej rreth 71 milionë funtash (afërsisht 89 milionë dollarë).

Sipas zëvendësdrejtorit të UNRWA deri në fund të marsit operacionet në mungesë të financimit do të detyrohen të mbyllen.

Këto ndërprerje të fondeve janë shembull i qartë i dhunës strukturore, në të cilën vendimet institucionale lidhur me financimin rezultojnë në pamundësimin e plotësimit të nevojave themelore për një grup njerëzish. Është mizori e llojit të vet, mënyra se si këto ndërprerje kanë kontribuar në degradimin e infrastrukturës së Palestinës, e cila veçse ishte në rrënim e sipër.

87% e popullsisë së Gazës aktualisht varet nga mbështetja e UNRWA-s. Popullsia palestineze po ndëshkohet për shkak të vendimeve të vetëm disa njerëzve. Raportet që dalin nga Gaza dëshmojnë kufirin e mbijetesës në të cilin gjenden palestinezët, veçanërisht për gratë.

Doctors Without Borders ndau historinë tronditëse të një gruaje të cilën nuk e pranuan në spital pasi të gjitha sallat e lindjes ishin plot. Ajo përfundoi duke lindur në një banjë publike të ftohtë në Rafah. Edhe më dëshpëruese e bën fakti që kjo situatë nuk është e pazakontë.

Shumë objekte shëndetësore janë shkatërruar dhe gratë shtatzëna po lindin kudo që po munden, duke përfshirë strehimoret dhe tendat. Për gratë që kanë fatin të kenë qasje në kujdesin mjekësor, dhomat e operacioneve të destinuara për 3 prerje cezariane në ditë, tani po realizojnë mbi 20 operacione të tilla.

Abortet janë rritur për 300 %, dhe shumica prej tyre raportohen si të parandalueshme. Për shkak të mungesës së ushqimit dhe ujit, nënat kanë vështirësi të ushqejnë fëmijët me gji, teksa rreziqet nga kequshqyerja dhe vdekja e foshnjave mbeten shumë të larta.

Kufizimet e kujdesit shëndetësor nuk prekin vetëm gratë shtatzëna. Produktet menstruale janë të paqasshme dhe gratë janë shtyrë drejt zgjidhjeve josanitare, si përdorimi i shiritave të tendave. Mungesa e ujit të pastër, rreziku nga infeksionet dhe komplikimet, bëjnë që pasojat shëndetësore të jenë edhe më të rënda.

Kjo është situata me një UNRWA të financuar që bën gjithçka që mundet për të siguruar ushqim, ujë dhe furnizime mjekësore për sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Të paktën 158 punonjës janë vrarë në konflikt, megjithatë UNRWA nuk e ka braktisur misionin e saj. Është Britania që po braktis popullin e Gazës.

Britania vazhdimisht e ka konsideruar veten lidere të barazisë gjinore. Strategjia e saj Ndërkombëtare për Gratë dhe Vajzat 2023 thekson angazhimin për të vepruar për dhe me gratë dhe vajzat e prekura nga krizat dhe tronditjet, duke përfshirë konfliktin, shëndetin global, ndryshimet klimatike, dhunën, pasigurinë ushqimore dhe kequshqyerjen, dhe krizat humanitare, si dhe angazhimin për të mbrojtur dhe shmangur dëmtimin e paqëllimshëm.

Por këto ndërprerje të fondeve për UNRWA, së bashku me refuzimin për të bërë thirrje për armëpushim dërgojnë mesazh të qartë lidhur me prioritetet e vërteta të Britanisë, ku politika e tejkalon imperativin e të drejtave të njeriut. Për shkak të këtyre prioriteteve, gjithë popullsia e Gazës, sidomos gratë do të vuajnë. Ndihma është element përbërës i angazhimit për barazinë gjinore, ndaj është koha që Britania të ndryshoj diskursin dhe të rikthej ndihmën humanitare, madje edhe të rrit financimin për UNRWA-në.

Shpërfillja aktuale ndaj mirëqenies së disa prej popullsive më të cenueshme në botë duhet të jetë alarm zgjimi për qeverinë që të riorganizojë veprimet e saj me të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore. Jeta e një popullate të tërë varet prej saj.

Marissa Conway

E përktheu: Blenda Asllani

Shkrimin origjinal mund t’a gjeni në: https://www.passblue.com/2024/02/19/aid-cuts-are-not-criticized-as-violence-against-women-but-they-should-be/