Shumë njerëz e kanë ndjerë presionin për të qenë “mjaftueshëm burrë” apo “mjaftueshëm grua” në sytë e të tjerëve. Dhe hulumtimet kanë treguar se ky presion mund të ketë pasoja personale dhe shoqërore.
Kur burrat ndiejnë se maskuliniteti i tyre vihet në pikëpyetje, ata mund të reagojnë me agresion dhe sjellje të tjera të dëmshme. Kur gratë dalin jashtë feminitetit stereotip apo edhe vetëm mendojnë ta bëjnë këtë, shpesh përballen me reagime negative.
Si hulumtues që analizojmë se si stereotipet dhe normat gjinore ndikojnë tek njerëzit në mënyra shpesh të papritura, ne u pyetëm për proceset përmes të cilave fëmijët ndihen nën presion për t’u përshtatur me normat gjinore stereotipike. Kur fillon kjo dhe si mund të shfaqet?
Në një studim të publikuar së fundmi, të cilin e realizuam me kolegun tonë Andrei Cimpian, zbuluam se kur fëmijët e perceptojnë se ndjenja e tyre për të qenë një anëtar “normal” apo “i duhur” i grupit të tyre gjinor është e kërcënuar, ata ndihen të shtyrë të përshtaten me rolet gjinore stereotipike në mënyra të ndryshme, me pasoja afatgjata.
“Pyetjet për vajza dhe pyetjet për djem”
Duke u bazuar në hulumtimet mbi të rriturit, vendosëm se mënyra më e mirë për të vlerësuar motivimin e fëmijëve për t’u përshtatur me normat gjinore ishte të sfidonim statusin e tyre si një anëtar “tipik” i grupit të tyre gjinor.
Për ta bërë këtë, u kërkuam 147 fëmijëve të moshës 5 deri në 10 vjeç në New York City të luanin dy lojëra: “Loja e pyetjeve për vajza” dhe “Loja e pyetjeve për djem”. Secila përfshinte pyetje të vështira njohurish rreth temave që konsiderohen stereotipikisht gjinore, si për shembull: “Cila nga këto lule është lulëkuqja?” (Loja e pyetjeve për vajza) dhe “Cili nga këto ekipe futbolli ishte kampioni i vitit 2016?” (Loja e pyetjeve për djem).
Ne i ndamë rastësisht fëmijët për të marrë reagime që sugjeronin se performanca e tyre ishte ose tipike për gjininë e tyre, ose jotipike për të. Kjo e fundit ishte mënyra jonë për të krijuar një lloj kërcënimi ndaj konformitetit të tyre gjinor. Për shembull, një djalë në këtë kusht merrte reagime se kishte shkëlqyer në lojën e pyetjeve për vajza, por kishte dështuar në Lojën e pyetjeve për djem.
Më pas, vlerësuam se si reagonin ndaj këtij reagimi. A do ta ndante djali arritjen e tij publikisht apo do ta fshihte në një “Libër fituesish të lojës së pyetjeve për vajza”? A do ta mbante me krenari një sticker “Fitues i lojës së pyetjeve për vajza”, apo do të preferonte ta ndërronte? A do të shqetësohej për atë që do të mendonin bashkëmoshatarët e tij?
Reagimi ndaj kërcënimeve të konformitetit gjinor
Gjetëm tre mënyra të dallueshme se si fëmijët reagonin ndaj kërcënimeve ndaj konformitetit të tyre gjinor.
Së pari, vajzat dhe djemtë e të gjitha moshave shqetësoheshin më shumë nëse nuk përshtaten me grupin e tyre gjinor. Kjo do të thotë se ata parashikonin më shumë refuzim nga bashkëmoshatarët dhe raportonin vetëvlerësim më të ulët.
Së dyti, disa fëmijë përpiqeshin në mënyrë aktive të tregonin se i përkisnin grupit të tyre gjinor. Vajzat më të reja e theksonin më shumë feminitetin e tyre, ndërsa djemtë më të rritur e theksonin më shumë maskulinitetin. Për shembull, djemtë më të rritur na thoshin se u pëlqenin më shumë figurat e aksionit sesa kukullat, ose se donin të riprovonin lojën e pyetjeve për djem në vend të asaj për vajza.
Kjo përputhet me hulumtimet e mëparshme që tregojnë se shumë vajza të reja janë të përfshira në “kulturën e princeshave” dhe janë veçanërisht të motivuara për të dëshmuar feminitetin e tyre, megjithëse kjo bie kur ato fillojnë të rriten. Në të kundërt, djemtë më të rritur mësojnë gjithnjë e më shumë se maskuliniteti është një status social i brishtë, që fitohet me vështirësi dhe duhet të dëshmohet vazhdimisht.
Së treti, djemtë e të gjitha moshave shmangnin të dukeshin jotipikë për grupin e tyre gjinor, duke u distancuar aktivisht nga çdo gjë që lidhet me feminitetin. Gjithsesi, nuk vumë re që vajzat të distancoheshin nga elemente të maskulinitetit në të njëjtën mënyrë.
Ky reagim pasqyron një standard të dyfishtë kulturor në SHBA: vajzat shpesh inkurajohen të jenë atletike, të sigurta në vetvete ose të sillen si “tomboy”, ndërsa djemtë nuk kanë një ekuivalent të pranueshëm shoqërisht në drejtimin e kundërt. Nuk ekziston një version i padëmshëm i “tomboy” për djemtë. Fjala më e afërt është “sissy”, e cila zakonisht nuk konsiderohet si kompliment.
Ndërtimi i identiteteve gjinore të sigurta
Gjetjet tona tregojnë se pikënisja e konformitetit gjinor në moshë të rritur, përfshirë disa nga shprehjet më të dëmshme, si agresiviteti i disa burrave dhe ankthi i disa grave për të ndjekur karriera në fusha të dominuara nga burrat, nisë herët në moshë.
Djemtë që në moshën 5-vjeçare e kuptojnë se feminiteti është diçka që duhet shmangur. Në fëmijërinë e mesme, rreth moshës 7 vjeç, ata duket se e kuptojnë se maskuliniteti është një status që duhet të dëshmohet dhe mbrohet në mënyrë aktive, një mendësi që mund të shfaqet si agresion, dhunë seksuale dhe hezitim për të kërkuar ndihmë në moshë të rritur.
Për vajzat, gjetjet tona sugjerojnë se ato janë të motivuara të dëshmojnë feminitetin stereotip në moshë më të re, por kjo prirje mund të zbehet me kalimin e kohës. Kjo mund të ndodhë sepse vajzat ndonjëherë inkurajohen të ndjekin arritje në fusha tradicionalisht “maskuline”, si sporti dhe STEM-i. Ose ato mund të kuptojnë se maskuliniteti u jep burrave dhe djemve më shumë sukses në këto fusha, prandaj përpiqen të largohen nga feminiteti dhe të afrohen me maskulinitetin.
Megjithatë, është e mundur që vajzat në kontekste të tjera të përballen me më shumë presion për të shfaqur feminitet dhe për të shmangur maskulinitetin, pra për t’u përfshirë në stereotipe gjinore, në mënyra që studimi ynë nuk arriti t’i kapë. Po ashtu, nuk është e qartë pse reagimet e vajzave ndaj kërcënimeve të perceptuara ndaj konformitetit gjinor mund të dobësohen me moshën, duke pasur parasysh se gratë e rritura ndikohen ende nga këto presione. Qëllimi ynë në të ardhmen është të testojmë më tej se si zhvillohet konformiteti gjinor në kontekste më të ndryshme gjeografike dhe kulturore, si dhe te fëmijë me identitete gjinore më të larmishme.
Në përgjithësi, besojmë se fëmijëria e mesme mund të përbëjë një periudhë kyçe për ndërhyrje. Programet që i ndihmojnë fëmijët, sidomos djemtë, të ndërtojnë identitete të sigurta që nuk varen nga performimi i gjinisë, mund t’i ndihmojnë ata të kenë një marrëdhënie më të shëndetshme me normat gjinore. Në këtë mënyrë, fëmijët mund të jenë më pak të cenueshëm ndaj reagimeve të dëmshme ndaj kërcënimeve të perceptuara ndaj konformitetit të tyre gjinor gjatë jetës.
Megjithatë, ajo që është e qartë është se fëmijët nuk i vëzhgojnë thjesht normat gjinore, ata i përvetësojnë ato, i mbrojnë në mënyrë aktive dhe fillojnë ta bëjnë këtë më herët sesa mendohet.
Adam Stanaland & Andrea Vial
Përktheu: Anita Vllahiu
Artikullin origjinal e gjeni këtu