Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Pabarazia gjinore në shekullin e 21-të: Si e shpjegon sociologjia?

QIKA 17.11.2025

Pabarazia gjinore në shekullin e 21-të: Si e shpjegon sociologjia?

Pavarësisht përparimit në arsim, punësim dhe pjesëmarrje politike, pabarazia gjinore vazhdon të jetë një nga problemet e vazhdueshme shoqërore të shekullit 21. Nga pagat e deri te ndarjet e punëve të kujdesit në familje, nga portretizimi mediatik te përfaqësimi global, pabarazia gjinore vazhdon të ekzistojë dukshëm. Sociologjia, si studim sistematik i shoqërisë dhe sjelljes njerëzore, ofron mjete të vlefshme për të kuptuar, analizuar dhe adresuar këtë çështje. Sociologjia argumenton se pabarazia gjinore nuk është pashmangshmëri biologjike, por fenomen i konstruktuar nga shoqëria e i rrënjosur thellë në marrëdhëniet e pushtetit, normat kulturore dhe strukturat institucionale.

Ky artikull e shqyrton pabarazinë gjinore përmes një këndvështrimi sociologjik, duke theksuar evolucionin, format dhe perspektivat teorike që shpjegojnë vazhdimësinë e saj. Gjithashtu shqyrton se si globalizimi, teknologjia dhe ndërthurshmëria kanë riformësuar marrëdhëniet gjinore në shekullin e 21-të dhe cilat sfida vazhdojnë të ekzistojnë në arritjen e drejtësisë gjinore.

Të kuptuarit e gjinisë dhe pabarazisë gjinore

Gjiniai referohet roleve, sjelljeve, dhe atributeve që një shoqëri i konsideron të përshtatshme për burrat dhe gratë. Ndryshe nga seksi, i cili përcaktohet biologjikisht, gjinia është konstrukt shoqëror që ndryshon me kalimin e kohës dhe nëpër kultura të ndryshme. Prandaj, pabarazia gjinore lind nga shpërndarja e pabarabartë e pushtetit, burimeve dhe mundësive midis burrave dhe grave, dhe gjithnjë e më shumë midis identiteteve të ndryshme gjinore.

Sociologjikisht, pabarazia gjinore shfaqet në shumë fusha – arsim, punësim, politikë, familje dhe kulturë. Pabarazia gjinore kufizon potencialin e individëve dhe riprodhon sisteme të dominimit dhe nënshtrimit. Vlen të theksohet se pabarazia gjinore nuk është e izoluar, ajo ndërthuret me klasën, racën, etninë dhe fenë ashtu që krijojnë hierarki komplekse të privilegjit dhe shtypjes.

Konteksti historik: nga patriarkati te revolucionet feministe

Pabarazia gjinore ka rrënjë të thella historike në sistemet shoqërore patriarkale, ku burrat tradicionalisht kanë mbajtur autoritetin në familje, politikë dhe ekonomi. Për shekuj me radhë, gratë kanë qenë të përjashtuara nga arsimi, e drejta e pronës dhe pjesëmarrja politike. Sociologia Sylvia Walby e përcakton patriarkatin si “një sistem strukturash dhe praktikash shoqërore në të cilin burrat dominojnë, shtypin dhe shfrytëzojnë gratë”.

Lëvizjet feministe të shekujve 19-të dhe 20-të e sfiduan këtë rend. Vala e parë e feminizmit luftoi për të drejtën e votës së grave dhe të drejtat ligjore; vala e dytë (vitet 1960-1980) u përqendrua në barazinë në vendin e punës, arsim, dhe familje; vala e tretë e zgjeroi diskursin për të përfshirë racën, seksualitetin dhe identitetin. Në shekullin e 21-të, feminizmi ka hyrë në një valë të katërt, duke theksuar aktivizmin dixhital, feminizmin e ndërthurur dhe solidaritetin global.

Pavarësisht progresit, parimet patriarkale vazhdojnë të formësojnë shoqëritë në mbarë botën. Institucionet moderne, duke përfshirë korporatat, median dhe madje edhe qeveritë, shpesh riprodhojnë paragjykime gjinore nën maskën e neutralitetit ose meritokracisë.

Teoritë sociologjike që shpjegojnë pabarazinë gjinore

Sociologjia ofron korniza të shumta teorike për të kuptuar pabarazinë gjinore. Çdo teori thekson dimensione të ndryshme të problemit – strukturën, kulturën, pushtetin dhe agjencinë.

1. Perspektiva Funksionaliste

Nga pikëpamja funksionaliste, rolet gjinore shërbejnë për qëllime të rëndësishme shoqërore. Funksionalistët e hershëm si Talcott Parsons argumentojnë se burrat dhe gratë kryejnë role plotësuese thelbësore për stabilitetin shoqëror – burrat si mbajtës të familjes dhe gratë si kujdestare. Megjithatë, sociologët bashkëkohorë e kritikojnë këtë pikëpamje për justifikimin e pabarazisë dhe injorimin e ndikimit kufizues të roleve të ngurta gjinore. Në shoqëritë moderne, funksionalizmi ndihmon në shpjegimin se si normat gjinore transmetohen përmes institucioneve si familja, shkolla dhe media, por dështojnë  në adresimin e nevojës për barazi gjinore.

2. Teoria e Konfliktit

E rrënjosur në idetë e Karl Marksit, teoria e konfliktit e sheh pabarazinë gjinore si rezultat të luftërave për pushtet midis burrave dhe grave. Ashtu si kapitalizmi krijon pabarazi klasore, patriarkati krijon pabarazi gjinore. Teoricienët feministë të konfliktit argumentojnë se burrat, si grupi dominues, kontrollojnë burimet dhe institucionet për të ruajtur privilegjet e tyre. Hendeku gjinor i pagave, barriera e padukshme dhe ndarja e pabarabartë e punëve të shtëpisë shihen si mjete shtypjeje që përforcojnë dominimin mashkullor.

3. Ndërveprimi simbolik

Kjo perspektivë, e zhvilluar nga George Herbert Mead dheErving Goffman, përqendrohet në mënyrën se si gjinia ndërtohet dhe realizohet përmes ndërveprimeve të përditshme. Gjinia nuk është ajo që dikush “është”, por ajo që dikush “bën”. Për shembull, mënyra se si njerëzit vishen, flasin ose sillen pasqyron pritjet shoqërore të maskulinitetit dhe feminitetit. Këto ndërveprime përforcojnë stereotipet, duke e bërë pabarazinë të duket edhe e natyrshme edhe e pashmangshme. Në shekullin e 21-të, mediat sociale e kanë zmadhuar këtë aspekt performativ të gjinisë, duke ndikuar në formimin e identiteteve dhe normave shoqërore.

4. Teoritë feministe

Sociologjia feministe trajton drejtpërdrejt pabarazinë gjinore si një problem strukturor dhe kulturor. Variantet kryesore përfshijnë:

Feminizmin Liberal: Mbështet qasjen e barabartë në arsim, punësim dhe të drejta ligjore brenda sistemeve ekzistuese.

Feminizmin Radikal: Përqendrohet në çrrënjosjen e patriarkatit dhe dominimit mashkullor në të gjitha format, duke përfshirë familjen dhe seksualitetin.

Feminizmin Marksist/Socialist: Lidh shtypjen gjinore me shfrytëzimin kapitalist.

Feminizmin i Ndërthurur: I prezantuar nga Kimberlé Crenshaw, thekson se si gjinia bashkëdyzohet me racën, klasën dhe seksualitetin, duke krijuar shtresa të shumëfishta diskriminimi.

Çdo perspektivë feministe pasuron kuptimin tonë se si funksionon pushteti në nivele të ndryshme të shoqërisë.

Format e pabarazisë gjinore në shekullin e 21-të

Pavarësisht ndërgjegjësimit global, pabarazia gjinore vazhdon të ekizstojë në forma të ndryshme:

1. Pabarazia ekonomike

Gratë ende fitojnë më pak se burrat në nivel global. Sipas Forumit Ekonomik Botëror (2024), hendeku global i pagave ndërmjet gjinive është rreth 20%. Gratë janë të mbipërfaqësuara në punë me paga të ulëta, joformale dhe me gjysëm orar. Fenomeni i “tavanit prej xhami” pengon gratë që të ngjiten në pozita të larta, derisa fenomeni i njohur si “dyshemeja ngjitëse” i mban ato të kufizuara në punë me paga të ulëta. Përveç kësaj, punët e papaguara të shtëpis edhe  kujdesit – kryesisht të kryera nga gratë – mbeten të nënvlerësuara ekonomikisht.

2. Pabarazitë në fushën e arsimit

Ndërsa hendeqet gjinore në arsimin fillor janë pakësuar, pabarazitë vazhdojnë të jenë të pranishme në arsimin e lartë dhe fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë). Në vendet në zhvillim, martesa e hershme, tabutë kulturore dhe varfëria pengojnë shumë vajza të vazhdojnë shkollimin. Ndërkohë, në ekonomitë e avancuara, “kurrikula e fshehur”- një sërë mësimesh “të cilat mësohen por nuk synohet të mësohen hapurazi” në shkollë dhe paragjykimet gjinore vazhdojnë të dekurajojnë gratë të ndjekin karrierat në fushat teknike ose të orientuara drejt lidershipit.

3. Nën-përfaqësimi politik

Gratë zënë vetëm rreth 26% të vendeve parlamentare në mbarë botën. Sistemet politike patriarkale, mungesa e mbështetjes financiare dhe stereotipet gjinore pengojnë pjesëmarrjen e grave. Edhe kur gratë arrijnë pozitat e pushtetit, shpesh përballen me seksizëm, ngacmime dhe përpjekje për fshirjen e tyre në pozitë të pushtetit.

 4. Dhuna dhe ngacmimet

Dhuna me bazë gjinore mbetet krizë globale. Nga abuzimi në familje te ngacmimet në vendin e punës dhe ngacmimet online, gratë dhe pakicat gjinore përballen me dëmtime fizike dhe psikologjike të rrënjosura në strukturat patriarkale të pushtetit. Lëvizja #MeToo (#Edhe unë) ekspozoi prevalencën e ngacmimit seksual në vendet e punës, duke dëshmuar se sa të normalizuara janë bërë sjelljet e tilla.

5. Mediat dhe përfaqësimi kulturor

Mediat e komunikimit masiv vazhdojnë të përforcojënë stereotipet gjinore përmes përfaqësimit të pabarabartë, objektivizimit dhe hiperseksualizimit të grave. Dominimi mashkullor në prodhimin mediatik gjithashtu formëson mënyrën se si ndërtohen narrativat rreth gjinisë. Mediat sociale, megjithëse ofrojnë platforma për aktivizëm feminist, kanë krijuar gjithashtu arena të reja për ngacmime online.

Globalizimi dhe gjinia në shekullin e 21-të

Globalizimi ka sjellë si progres ashtu edhe sfida të reja për barazinë gjinore. Nga njëra anë, ka lehtësuar pjesëmarrjen e grave në ekonominë globale, ka përhapur idetë feministe dhe ka krijuar bashkëpunime ndërkombëtare për avancimin e të drejtave të grave. Nga ana tjetër, globalizimi gjithashtu ka përforcuar hierarkitë gjinore në tregun e punës – për shembull, përmes shfrytëzimit të punës së lirë (që paguhet shumë më pak) të grave në fabrikat e tekstilit, punëve të shtëpisë dhe ekonomitë e kujdesit në vendet në zhvillim.

Feminizmi transnacional thekson se ndërsa shoqëritë perëndimore kremtojnë fuqizimin individual, gratë në Jugun Global vazhdojnë të përballen me pabarazi strukturore të formuara nga trashëgimia koloniale dhe kapitalizmi global. Rrjedhimisht, pabarazia gjinore duhet të kuptohet jo vetëm brenda kufijve kombëtarë, por si një sistem global pushteti. 

Ndërthurja: përtej gjinisë

Sociologia Patricia Hill Collins dhe studiuesja ligjore Kimberlé Crenshawprezantuan ndërthurjen (intersectionality)  për të shpjeguar se si gjinia ndërvepron me racën, klasën, kastën dhe seksualitetin. Për shembull, një grua e varfër  në Indi përballet me shtypje të shumëfishta që ndryshojnë nga ato të një gruaje të klasës së lartë. Në mënyrë të ngjashme, individët LGBTIQ+ përjetojnë diskriminim si nga sistemet patriarkale ashtu edhe brenda vetë lëvizjeve gjinore.

Ndërthurja zhvendos kështu fokusin nga “gruaja universale” në përvojat e ndryshme të përjetuara. Në shekullin e 21-të, sociologët theksojnë se politikat duhet t’i njohin ndërthurshmërinë e pabarazive për të qenë vërtetë efektive.

Teknologjia, mediat sociale dhe feminizmi digjital

Revolucioni digjital ka riformësuar peisazhin gjinor. Platformat online kanë fuqizuar zërat e grave dhe kanë mundësuar fushata globale si #MeToo (#Edhe unë), #HeForShe (#Ai për ajo) dhe #TimesUp (#Koha mbaroi). Komunitetet feministe tani mobilizohen përtej kufijve, duke sfiduar seksizmin dhe duke promovuar solidaritetin.

Megjithatë, hapësira digjitale riprodhon paragjykime gjinore – nga diskriminimi me bazë në algoritëm deri te abuzimi online ndaj aktivisteve gra. “Ndarja digjitale” do të thotë që gratë, veçanërisht në vendet e  zhvilluara, kanë më pak qasje në teknologji, duke kufizuar pjesëmarrjen e tyre në ekonominë digjitale.

Sociologjikisht, kjo pasqyron se si strukturat e vjetra të pushtetit përshtaten me mjediset e reja teknologjike, duke e bërë shkrim-leximin digjital dhe përfshirjen një domosdëshmëri për barazinë gjinore.

Pabarazia gjinore në Indi: Një vështrim sociologjik

India paraqet një pamje komplekse të pabarazisë gjinore – të rrënjosur në patriarkat, klasa, religjion dhe pabarazitë ekonomike. Pavarësisht mbrojtjeve ligjore dhe ndërgjegjësimit në rritje, sfidat vazhdojnë:

Çekuilibri në raportin gjinor për shkak të vrasjes së fetuseve femërore.

Pjesëmarrja e ulët e grave në punë, veçanërisht në zonat rurale.

Normat kulturore që kufizojnë lëvizshmërinë dhe autonominë e grave.

Dhuna me bazë gjinore, duke përfshirë vdekjet për shkak të prikës dhe vrasjet për nder.

Sociologet si Leela Dube dhe Patricia Uberoi kanë theksuar se si sistemet e farefisnisë, hierarkitë e klasave shoqërore dhe ideologjitë kulturore përforcojnë patriarkatin në Indi. Megjithatë, ka pasur edhe përparim – gratë kanë fituar qasje në arsim, përfaqësim politik përmes një sistemi të vetëqeverisjes lokale për zonat rurale në Indi i njohur me emrin “panchayati raj” (qeverisja lokale në fshatra), si dhe reformave ligjore që mbështesin barazinë.

Qasjet sociologjike për uljen e pabarazisë gjinore

Sociologjia jo vetëm që shpjegon pabarazinë, por ofron edhe njohuri për ndryshim. Qasjet kryesore përfshijnë:

Reformën Arsimore: Promovimi i kurrikulave të ndjeshme ndaj gjinisë dhe bashkë-arsimit që sfidojnë stereotipet.

Ndërhyrjet Politike: zbatim i nismës për diversitet, transparencës në paga dhe politikave për lejen prindërore.

Lëvizjet e Fuqizimit: Mbështetja e organizatave të grave në nivel bazë dhe trajnimi për lidership.

Ndryshimi Kulturor: Adresimi i paragjykimeve gjinore në media, religjion dhe struktura familjare.

Hartimi i Politikave Ndërthurrëse: Njohja e ndërlidhjes së kastës, klasës dhe gjinisë në hartimin e politikave.

Ndryshimi shoqëror kërkon si reforma strukturore ashtu edhe ndryshime në vetëdijen kulturore.

Pabarazia gjinore në shekullin e 21-të mbetet një nga sfidat më urgjente sociologjike të njerëzimit. Ndërsa është bërë përparim në të drejtat ligjore, arsim dhe ndërgjegjësim global, vazhdimësia e normave patriarkale dhe strukturave të pabarabarta të pushtetit vazhdon të formësojë marrëdhëniet gjinore në mbarë botën.

Sociologjia zbulon se pabarazia gjinore nuk është thjesht një çështje paragjykimesh individuale por një sistem thellësisht i institucionalizuar që ndikon në çdo aspekt të jetës – nga familja dhe ekonomia te politika dhe kultura. Shekulli i 21-të kërkon një qasje transformuese – një qasje që kombinon ndërgjegjësimin ndërsektorial, aktivizmin digjital dhe bashkëpunimin global.

Barazia e vërtetë do të shfaqet vetëm kur shoqëritë të shkojnë përtej reformave simbolike dhe të adresojnë shkaqet rrënjësore të pushtetit gjinor. Siç na mëson sociologjia, ndryshimi i strukturave shoqërore fillon me ndryshimin e vetëdijes shoqërore – dhe ky është revolucioni i vërtetë i kohës sonë.

HS Special Desk

Përktheu: Anita Mazrekaj

Shkrimin origjinal e gjeni këtu.