Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Pse gratë janë më të rraskapitura se burrat?

QIKA 19.10.2021

Kur Jia – një konsulente me bazë në Manhattan, lexoi librin më të shitur të Sheryl Sandberg Lean In në 2014, ajo vendosi të ndiqte këshillat e paraqitura në të.

“Unë sapo kisha mbaruar një shkollë biznesi në Ivy League, isha shumë ambicioze dhe më pëlqente ideja e mbështetjes”, thotë Jia, mbiemri i së cilës po fshihet për të mbrojtur reputacionin e saj profesional. “Mësimi i vetë-promovimit tingëllonte shumë fuqizues dhe isha 100% gati për të vërtetuar se isha gruaja që mund t’i kisha të gjitha: të isha një grua me karrierë të fuqishme dhe një nënë e shkëlqyer”, shtoi ajo.

Por sot, 38-vjeçarja flet me një ton tjetër. Për vite me radhë, ajo thotë se ndihet sikur është anashkaluar për avancimet dhe rritjen e pagave në punë për shkak të gjinisë së saj, veçanërisht pasi u bë nënë në vitin 2018. Që atëherë, ajo ka marrë pjesën më të madhe të përgjegjësive të kujdesit për fëmijët sepse burri i saj, i cili është një bankier, ka pasur tendencë të udhëtojë më shpesh për punë. Kjo, shton ajo, i ka dhënë asaj një reputacion të gabuar në mesin e kolegëve dhe menaxherëve të saj – shumica e të cilëve janë burra – për shkak se dukej sikur nuk kishte ambicie profesionale.

Pastaj kur goditi Covid-19, ishte sikur të gjithë faktorët që tashmë e pengonin atë u mbingarkuan. Kur kujdesi ditor i vajzës së saj u mbyll në mars të vitit 2020, Jia u bë kujdestarja e paracaktuar ndërsa përpiqej të qëndronte në rrjedha të punës. “Isha jashtëzakonisht e pamotivuar sepse ndjeva se po kaloja të gjitha orët e ditës duke u përpjekur të mos bie nga një shirit vrapi. Por në të njëjtën kohë, ndjeva se po më besohej gjithnjë e më pak për të qenë në gjendje të bëja një punë të mirë. Unë ndieja që karriera ime po më kalonte para syve dhe nuk mund të bëja asgjë për ta ndaluar këtë”, shpjegon ajo.

Në fillim të vitit 2021, terapistja e Jia i tha asaj se vuante nga rraskapitja. Jia thotë se ajo kurrë më parë nuk kishte luftuar me shëndetin e saj mendor. “Por tani unë thjesht po përpiqem ta kaloj javën dhe njëkohësisht të qëndroj e shëndoshë”, thotë ajo.

Historia e Jia është simptomatike e një çekuilibri të rrënjosur thellë në shoqëri të cilin pandemia e ka theksuar dhe përkeqësuar. Për arsye të shumta, gratë, veçanërisht nënat, më shumë se burrat kanë gjasa të menaxhojnë një grup përgjegjësish më komplekse në baza ditore – një kombinim shpesh i paparashikueshëm i punëve të shtëpisë të papaguara dhe punës profesionale të paguar.

Megjithëse forca mendore e kërkuar për zotërimin e këtij akti balancues ka qenë e dukshme për dekada, Covid-19 ka lëshuar një dritë të theksuar mbi problemin. Statistikat tregojnë se stresi dhe lodhja po prekin më shumë gratë sesa burrat dhe veçanërisht më shumë nënat që punojnë sesa baballarët. Kjo mund të ketë ndikime të shumta në botën e punës pas pandemisë, duke e bërë të rëndësishme që shoqëria të gjejë mënyra për të zvogëluar këtë çekuilibër.

Kërkesa të pabarabarta

Të dhënat e fundit që shikojnë posaçërisht mbi rraskapitjen e grave janë shqetësuese. Sipas një sondazhi nga LinkedIn, nga gati 5,000 amerikanë, 74% e grave thanë se ishin shumë ose disi të stresuara për arsye të lidhura me punën, krahasuar me vetëm 61% të të anketuarve burra.

Një analizë tjetër nga konsulenca A Great Place to Work zbuloi se nënat në punë me pagesë kanë 23% më shumë gjasa të përjetojnë rraskapitje sesa baballarët. Rreth 2.35 milion nëna që punojnë në SHBA

kanë vuajtur nga rraskapitja që nga fillimi i pandemisë, veçanërisht për shkak të kërkesave të pabarabarta të shtëpisë dhe punës.

Ekspertët në përgjithësi pajtohen se nuk ka një arsye të vetme që gratë të rraskapiten, por ata e pranojnë gjerësisht se mënyra e ndërthurjes së strukturave shoqërore dhe normave gjinore luan një rol të rëndësishëm. Pabarazitë në vendin e punës, për shembull, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me rolet tradicionale gjinore.

Në SHBA, gratë ende fitojnë një mesatare prej rreth 82 cent për çdo dollar të fituar nga një burrë dhe hendeku në shumë vende në Evropë është i ngjashëm. Firma e Jia-s nuk publikon të dhënat për hendekun gjinor të pagave, por ajo beson se janë të rëndësishme. Për më tepër, ajo mendon se shumë nga bashkëmoshatarët e saj burra fitojnë më shumë se ajo, diçka që i shkakton asaj stres.

“Ideja që mund të paguhem më pak është jashtëzakonisht zhgënjyese, por gjithashtu nuk dua të bëhem e padurueshme duke kërkuar më shumë para kur unë tashmë po i tejkaloj kufijtë duke i kërkuar kompanisë sime të ma përshtatë orarin në mënyrë që të kujdesem për vajzën time. Është një betejë e brendshme e vazhdueshme”, thotë ajo.

Hulumtimi bën lidhje në mes të të ardhurave më të ulëta me nivelet më të larta të stresit dhe shëndetit më të keq mendor në përgjithësi. Por disa studime kanë treguar gjithashtu më konkretisht se rastet e rraskapitjes tek gratë janë më të mëdha për shkak të dallimeve në kushtet e punës dhe ndikimit të gjinisë në progres.

Në vitin 2018, studiuesit nga Universiteti i Montrealit publikuan një studim që gjurmonte 2,026 punonjës gjatë katër viteve. Akademikët arritën në përfundimin se gratë ishin më të prekura nga rraskapitja sesa burrat, sepse gratë kishin më pak gjasa të promovoheshin sesa burrat dhe për këtë arsye më kishin më shumë gjasa të ishin në pozita me më pak autoritet, gjë që mund të çojë në rritjen e stresit dhe zhgënjimit. Studiuesit gjithashtu zbuluan se gratë kishin më shumë gjasa të kryesonin familje me një prind, të përjetonin probleme të lidhura me fëmijët, të investonin kohë në detyrat e shtëpisë dhe të kishin vetëbesim më të ulët – të gjithë këto faktorë që mund të përkeqësojnë rraskapitjen.

Nancy Beauregard, një profesore në Universitetin e Montrealit dhe një nga autoret e studimit, tha se duke reflektuar mbi punën e saj në vitin 2018 është e qartë se Covid-19 ka përforcuar pabarazitë dhe mosbalancimet ekzistuese që ekipi i saj demonstroi përmes hulumtimit të tyre. “Për sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm të kapitalit njerëzor të fuqisë punëtore, ne nuk po shkojmë në një drejtim të mirë”, shtoi ajo.

Një katalizator pandemik

Brian Kropp, shefi i hulumtimeve për burime njerëzore në Gartner, një firmë kërkimore dhe këshilluese globale me seli në Connecticut, SHBA, pajtohet se përderisa shumë nga faktorët që nxisin rraskapitjen e grave ishin në lojë para pandemisë, Covid-19 veçanërisht i përkeqësoi disa prej tyre pasi na detyroi të rishikojmë në mënyrë dramatike rutinat tona të jetesës dhe punës.

Strukturat që mbështesin jetën e prindërve dhe kujdestarëve u mbyllën dhe në shumicën e rasteve, kjo barrë e tepërt ra mbi gratë. Një studim i kryer nga Universiteti i Harvardit vlerësoi përgjigjet e sondazhit nga 30,000 individë në të gjithë botën dhe zbuloi se gratë – veçanërisht nënat -kishin kaluar shumë më tepër kohë në punët e shtëpisë dhe kujdesin e fëmijëve gjatë Covid-19 sesa para pandemisë dhe se kjo

ishte e lidhur drejtpërdrejt me mirëqenien më të ulët. Shumë gra tashmë ishin vendosur si kujdestare të paracaktuara brenda familjeve të tyre dhe pandemia fshiu sistemet mbështetëse që më parë i kishin lejuar të balanconin punën e paguar dhe punën në shtëpi.

Kjo është pikërisht ajo që Sara përjetoi në mars të vitit 2020 kur shkollat në të gjithë Nju Jorkun u mbyllën për herë të parë. “Fillimisht mesazhi ishte se shkollat do të qëndronin të mbyllura deri në fund të prillit, kështu që ky ishte objektivi im: ‘Të mbërrij në atë pikë dhe pastaj gjithçka do jetë mirë’,” thotë 40-vjeçarja. Tani, më shumë se 18 muaj në pandemi, dy djemtë e saj, të moshës 6 dhe 9 vjeç, sapo po njoftohen me mësimin fizik dhe jeta e Sarës ka ndryshuar në mënyrë dramatike.

Në prill të vitit 2020, për herë të parë ajo filloi të vuante nga ankthi. Presionet e shkollimit të fëmijëve të saj në shtëpi përderisa punonte si drejtuese marketingu për një kompani të madhe teknologjike, e pushtuan atë. Ajo nuk mund të flinte, shqetësohej vazhdimisht dhe ndihej në depresion. Më e keqja nga të gjitha, është se ajo ndjehej sikur se çdo gjë që bënte ishte joadekuate sepse nuk kishte kohë të mjaftueshme për të bërë asgjë siç duhej.

Gjashtë muaj pas pandemisë, ishte e qartë se diçka duhej të ndryshonte. Burri i Sarës, një avokat, po fitonte shumë më tepër se ajo dhe kjo kishte ndodhur që kur u martuan në vitin 2008. Kështu në gusht të vitit 2020, çifti së bashku vendosën që Sara do të linte punën e saj për t’u bërë nënë dhe të qëndronte në shtëpi. “Para kësaj, kurrë nuk e dija vërtet se çfarë do të thoshte të rraskapitesh. Tani e di sigurt, pa asnjë fije dyshimi”, tha ajo.

Përvoja e Sarës është simbolizim i një tendence shumë më të gjerë. Në shtator të vitit të kaluar, pikërisht kur pandemia po merrte ritmin, më shumë se 860,000 gra u larguan nga fuqia punëtore amerikane, krahasuar me pak më shumë se 200,000 burra. Një studim zbuloi se numri i nënave që kishin lënë fuqinë punëtore amerikane midis shkurtit dhe shtatorit të vitit të kaluar ishte 900,000 dhe numri i baballarëve ishte 300,000.

Përderisa gratë humbën jetën shoqërore gjatë izolimit – faktor i cili mund të kenë qenë mjet emocional dhe fizik për shkaktimin e stresit – është e qartë se orteku i papritur i përgjegjësive shtëpiake shtesë i lodhi shumë ato gra që tashmë po merreshin me punë në shtëpi dhe me punë profesionale.

Me çfarë kostoje?

Një nga shqetësimet më të mëdha të ekspertëve është se shëndeti i dobët mendor tek gratë në vendin e punës mund të dekurajojë brezat e ardhshëm për vendosjen e synimeve ambicioze profesionale, veçanërisht nëse duan të krijojnë një familje. Kjo mund të përkeqësojë pabarazitë gjinore që tashmë ekzistojnë për sa i përket pagës dhe moshës në tregun e punës.

Të dhënat tregojnë se ky është me të vërtetë një shqetësim legjitim; statistikat e mbledhura nga CNBC dhe kompania e sondazheve SurveyMonkey në fillim të këtij viti treguan se numri i grave që e përshkruajnë veten si “shumë ambicioze” në aspektin e karrierës së tyre ka rënë ndjeshëm gjatë pandemisë. Të dhënat nga Byroja e Regjistrimit të SHBA tregojnë se gjatë 12 javëve të para të pandemisë, përqindja e nënave midis moshës 25 dhe 44 vjeç që nuk punojnë për shkak të çështjeve të kujdesit ndaj fëmijëve të lidhura me Covid-19 u rrit me 4.8% krahasuar me asnjë rritje për burrat në të njëjtën grupmoshë.

Po kështu, ka shqetësime se si mënyrat e reja të punës, si ato hibride, mund të ndikojnë në barazinë gjinore në vendin e punës. Hulumtimet tregojnë se gratë më shumë se burrat kanë të ngjarë të punojnë nga shtëpia në një botë pas pandemisë, por ka dëshmi se njerëzit që punojnë nga shtëpia kanë më pak gjasa të promovohen sesa ata që kanë më shumë takime me menaxherët. “Gratë po thonë se po punojnë po aq shumë dhe po bëjnë po aq shumë sa të tjerët, por për shkak se po punojnë nga shtëpia, kanë më pak të ngjarë të promovohen. Kjo është jashtëzakonisht demotivuese”, thotë Kropp.

Dean Nicholson, kryesuesi i terapisë për të rritur në klinikën e sjelljes në Londër The Soke, sugjeron që perceptimet për barazinë mund të ndikojnë në pjesëmarrjen e grave në vendin e punës. “Kur ekuilibri i drejtësisë është i prishur kundër nesh në vendin e punës, atëherë ai gjithmonë do të çojë në ndjenja negative, jo vetëm ndaj organizatës, por në mënyrën se si ndihemi për veten dhe vlerën e kontributit tonë, si dhe ku ne jemi të pozicionuar në një hierarki vlerash”, thotë ai.

“Për të parandaluar një eksod të talenteve gra, organizatat duhet të vlerësojnë që praktikat e vjetra të vendeve të punës nuk janë më të përshtatshme. Menaxherët duhet të rimendojnë rrënjësisht se si kompanitë duhet të strukturohen në mënyrë që të promovojnë drejtësinë dhe barazinë e mundësive. Kjo do të thotë të krijosh barazi dhe mundësi të barabarta për promovim, si dhe krijimin e një kulture transparence ku të gjithë – nënat, baballarët dhe punonjësit që nuk janë prindër – ndihen të vlerësuar dhe mund të arrijnë potencialin e tyre profesional, duke akomoduar gjithashtu ato që po ndodhin në shtëpi”, shton Kropp.

Steve Hatfield, kryesues i së Ardhmes Globale të Punës për Deloitte, vëren se nënat, veçanërisht ato në role udhëheqëse të larta, janë modele jashtëzakonisht të rëndësishme. “Efekti i valëzuar i asaj që ato shihet se po përjetojnë tani, ka potencialin të jetë vërtet i thellë për punonjëset më të reja dhe kështu u takon organizatave të vërtetojnë se ato mund të përshtaten dhe të plotësojnë nevojat e të gjithë punonjësve”, thotë ai.

Hephzi Pemberton, themeluese e Grupit të Barazisë, një konsulencë me qendër në Londër që fokusohet në përfshirjen dhe diversitetin në industrinë e financave dhe teknologjisë, thekson nevojën që menaxherët të trajnohen zyrtarisht dhe të kuptojnë se iniciativa për të krijuar një vend pune të përshtatshëm duhet të vijë nga punëdhënësi dhe jo nga punëmarrësi. “Kjo është absolutisht kritike për të shmangur rrezikun e rraskapitjes”, thotë ajo.

Por Jia, e cila thotë se tani është në prag të lënies së punës, këmbëngul se ndryshime të dukshme duhet të ndodhin në shtëpi, si dhe në vendin e punës. “Ajo që është bërë shumë e qartë për mua përmes pandemisë është se ne të gjithë kemi një rol për të luajtur në kuptimin e çekuilibrave që krijohen kur rolet stereotipike gjinore respektohen verbërisht. Po, sigurisht që ndonjëherë ka kuptim që një grua të jetë kujdestarja e paracaktuar ose të bëjë një hap prapa nga puna e paguar, por ne duhet të vlerësojmë me çfarë kostoje ta bëjmë këtë. Ky është viti 2021. Ndonjëherë pyes veten nëse jemi në vitet 1950”, thotë ajo.

Josie Cox

E përktheu: Riola Morina

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.bbc.com/worklife/article/20210928-why-women-are-more-burned-out-than-men