Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Pse kaq pak burra lexojnë libra të shkruara nga gratë?

QIKA 12.7.2021

Pavarësisht nëse është Austen apo Atwood, fitueset e çmimeve Brontës apo Booker, të dhënat tregojnë se burrat hezitojnë të lexojnë libra të shkruara nga gratë dhe kjo ka implikime në botën reale.

Rreshti në krye të kësaj pjese lexon MA Sieghart, jo Mary Ann. Pse? Sepse me të vërtetë dua që edhe burrat ta lexojnë. Autoret gra ndër shekuj, që nga motrat Brontë deri tek George Eliot e JK Rowling, janë ndjerë të detyruara të fshehin gjininë e tyre në mënyrë që të bindin burrat dhe djemtë të lexojnë librat e tyre. Po në këtë kohë? A është me të vërtetë ende e nevojshme? Fatkeqësisht përgjigja është po.

Kur shkrova librin tim The Authority Gap, i cili analizon pse gratë ende merren më pak seriozisht se burrat, unë autorizova Nielsen Book Research për të gjetur saktësisht kush dhe çka po lexonte. Doja të dija nëse autoret gra nuk konsideroheshin më pak autoritare se burrat, por edhe nëse ato po lexoheshin nga burrat në radhë të parë. Rezultatet konfirmuan dyshimin tim se burrat as nuk hapnin një libër të shkruar nga një grua.

Ndër 10 autoret gra librat e të cilave janë më të shiturat (përfshirë këtu Jane Austen dhe Margaret Atwood, si dhe Danielle Steel dhe Jojo Moyes), vetëm 19% e lexuesve të tyre janë burra, ndërsa 81% janë gra. Por për 10 autorët burra librat e të cilëve janë më të shitur (përfshirë këtu Charles Dickens dhe JRR Tolkien, si dhe Lee Child dhe Stephen King), ndarja është shumë më e barabartë: 55% burra dhe 45% gra.

Me fjalë të tjera, gratë janë të përgatitura të lexojnë libra nga autorë burra, por shumë më pak burra janë të përgatitur të lexojnë libra nga gratë. Shkrimtarja e zhanrit triller LJ Ross, e cila renditet në top dhjetëshe, kishte lexueshmërinë më të madhe nga burrat, pasi që ka përdorur inicialet e saj, kështu që është e mundur që burrat të mendojnë se ajo ishte një nga ata. Çfarë na tregon kjo rreth ngurrimit të burrave për tu dhënë autoritet të barabartë intelektual, artistik e kulturor grave dhe burrave?

Margaret Atwood, shkrimtare e cila duhet të jetë në raftet e librave të kujtdo që ka interes për zhanrin e trillimeve letrare, ka vetëm 21% lexueshmëri nga burrat. Julian Barnes dhe Yann Martel, shkrimtarë burra, njëherit fitues të çmimit Booker kanë gati dy herë më shumë lexueshmëri (39% dhe 40%). Kjo nuk është për shkak që gratë janë më pak të mira në shkrimin e trillimeve letrare. Ndër pesë romanet letrare më të shitura në vitin 2017 ishin nga gratë, si dhe nëntë nga dhjetë më të mirët. Dhe kjo nuk është për shkak që burrave nuk iu pëlqen të lexojnë libra të shkruara nga gratë, në fakt ata i preferojnë ato. Vlerësimi mesatar që burrat i japin librave që shkruhen nga gratë është 3.9 nga 5, ndërsa për librat që shkruhen nga burrat është 3.8

Sa i përket zhanrit që nuk është trillim, i cili lexohet nga burrat pak më shumë se nga gratë, modeli është i ngjashëm edhe pse jo aq i habitshëm. Burrat ende lexojnë më shumë shkrimtarë burra sesa gra, por mospërputhja nuk është aq e madhe sepse gratë e bëjnë të njëjtën gjë në favor të autoreve gra. Por ekziston një ndryshim. Gratë kanë 65% më shumë gjasa të lexojnë një libër që nuk është i zhanrit trillim nga autorët e seksit të kundërt sesa burrat. E gjithë kjo sugjeron se burrat me apo pa vetëdije nuk u japin autoritet shkrimtareve gra sa u japin shkrimtarëve burra. Ose kanë një supozim dembel se librat e grave nuk përputhen me shijen e tyre ende pa i lexuar ata.

Pse është e rëndësishme kjo? Si fillim, ngushton përvojat e burrave në botë. “E di këtë për një kohë të gjatë, që burrat nuk janë të interesuar të lexojnë literaturën tonë”, më tha Bernardine Evaristo, fituese e çmimit Booker, në një intervistë për The Authority Gap. “Literatura jonë është një nga mënyrat me të cilat ne hulumtojmë narrativën, idetë tona, zhvillojmë intelektin dhe imagjinatën tonë. Nëse shkruajmë për histori të grave do të flasim për përvoja të tyre. Ne gjithashtu flasim për përvojat e burrave nga këndvështrimi i grave. Dhe nëse ata nuk janë të interesuar, mendoj se është jashtëzakonisht shqetësuese.”

Nëse burrat nuk lexojnë libra nga gratë dhe për gratë, ata do të dështojnë të kuptojnë psikikën tonë dhe përvojën tonë të të jetuarit. Ata do të vazhdojnë ta shohin botën përmes një lente pothuajse tërësisht burrërore, të paracaktuar nga përvoja e burrave. Ky fokus i ngushtë do të ndikojë në marrëdhëniet tona me ta si kolegë, si miq dhe si partnerë. Por, gjithashtu varfëron edhe shkrimtaret gra, vepra e të cilave konsiderohet më shumë si produkt i komoditetit sesa si e zakonshme nëse lexohet kryesisht vetëm nga gra të tjera. Ato do të kenë më pak respekt, më pak status dhe më pak para.

Romancierja Kamila Shamsie ka marrë pjesë si juri në një numër panelesh për çmime dhe ka dëshmuar saktësisht këtë asimetri. “Gratë në juri po paraqesin libra nga burra dhe gra”, më tha ajo. “Dhe burrat në juri kryesisht po paraqesin libra nga burra të tjerë.”

Dolly Alderton është një shkrimtare mjaft e suksesshme, memoari i saj Everything I Know about Love fitoi Çmimin Kombëtar të Librit 2018 për autobiografinë më të mirë. Megjithatë, të paktën në Britani nuk kishte pothuajse asnjë interes nga burrat. Çdo gazetar i gazetës dhe revistës i dërguar për të intervistuar atë ishte grua dhe siç më tha ajo “ishte perceptuar dhe pritur si diçka që i përket vetëm grave. Megjithatë, përvoja e gruas është një interes i përbashkët universal.”

Megjithatë, kur ajo shkoi në një turne publicistik në Danimarkë ishte krejt ndryshe. Ajo i tha gazetarit që ishte dërguar për ta intervistuar atë se ai ishte i pari burrë gazetar që e kishte intervistuar. “Ai nuk mund të besonte sa e çuditshme ishte kjo. Ai ishte rreth të njëzetave dhe tha se ai dhe miqtë e tij lexonin memoare apo libra të zhanrit trillim të shkruara nga gratë po aq sa ato nga burrat.” Gjërat mund të jenë ndryshe. Dhe është një problem shumë i lehtë për tu rregulluar nga burrat. E tëra çfarë duhet të bëjnë është të kërkojnë në mënyrë aktive libra të shkruara nga gratë.

Nëse burrat janë skeptikë se gratë do të shkruajnë për tema që u intereson atyre, ata mund të lexojnë Pat Barker mbi luftën e parë botërore, ose Hilary Mantel mbi makinacionet e gjykatës së Henry VIII. Sapo të mësohen, mund të zbulojnë se këto shndërrohen në histori njerëzore dhe mund tu pëlqejnë.

Burrat mund të fitojnë shumë nga zgjerimi i mendjes dhe shijes së tyre. Vetëm pse një libër shkruhet nga një grua apo është për gratë nuk do të thotë se nuk u ofron asgjë atyre. Iu hap sytë atyre se si është të jetosh si grua në botë, si dhe ua ofron hapin e parë për të mësuar mbi ndjeshmërinë. Poashtu mund t’iu ndihmojë për të shpërthyer flluskën në të cilën kanë jetuar pa dashje, për të krijuar hapësirë për mendime dhe njohuri të reja. A nuk është kjo ajo çka synoni arti?

MA Sieghart

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në:  https://www.theguardian.com/books/2021/jul/09/why-do-so-few-men-read-books-by-women