Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Puna e papaguar në Evropë: Cilat vende kanë hendekun më të madh gjinor?

QIKA 11.2.2026

Puna e papaguar është një aspekt i rëndësishëm i pabarazisë gjinore në Evropë, ku gratë mesatarisht kalojnë dy orë më shumë në ditë duke u angazhuar në të, krahasuar me burrat. Hendeku gjinor ndryshon sipas rajoneve, dhe formësohet kryesisht nga stereotipet dhe normat gjinore.

Pabarazia gjinore në ekonomi është e dukshme nëpër gjithë Evropën. Ajo shfaqet në shumë fusha, duke përfshirë punësimin, pjesëmarrjen në tregun e punës, dhe pagat. Një nga faktorët kryesorë që e thellon këtë hendek është puna e papaguar. Në vendet e OECD-së (Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), gratë kryejnë pothuajse dyfishin e punës së papaguar krahasuar me burrat çdo ditë.

Në 23 vende evropiane, gratë bëjnë mesatarisht 86% më shumë punë të papaguar sesa burrat – pothuajse dyfishin. Më konkretisht, gratë shpenzojnë 262 minuta në ditë duke kryer punë të papaguar, ndërsa burrat 141 minuta. Kjo nënkupton një hendek prej 121 minutash, apo dy orë çdo ditë.

Hendeku i punës së papaguar midis grave dhe burrave ndryshon ndjeshëm nga një vend evropian në tjetrin. Cilat vende kanë hendekun më të madh e cilat më të vogël? Çka qëndron prapa punës së papaguar? Dhe pse ky hendek është veçanërisht i madh në disa vende?

Hendeku është më i ultë në Suedi ndërsa më i lartë në Turqi

Në mesin e 23 vendeve evropiane, hendeku i punës së papaguar mes grave dhe burrave varion nga 29% në Suedi deri në 349% në Turqi.

Në Suedi, gratë shpenzojnë 220 minuta në ditë duke kryer punë të papaguar, krahasuar me 171 minuta të burrave – një dallim prej 49 minutash. Gratë në Suedi gjithashtu regjistrojnë kohën më të ulët të punës së papaguar ndër të gjitha vendet në listë.

Vendet nordike kryesojnë në uljen e hendekut midis grave dhe burrave

Tre vendet e tjera nordike pasojnë Suedinë me hendekun më të ulët të punës së papaguar: Danimarka (31%), Norvegjia (35%) dhe Finlanda (50%).

Pas Turqisë, ku gratë bëjnë 3.5 herë (349%) më shumë punë të papaguar se burrat, hendeqet më të larta shfaqen në Evropën Jugore: Portugali (242%), Greqi (173%) dhe Itali (134%). Edhe Spanja renditet lart, në vendin e shtatë, me një hendek prej 98%, që do të thotë se gratë kryejnë pothuajse dyfishin e punës së papaguar të kujdesit krahasuar me burrat.

Raporti i OECD-së “Barazia gjinore në një botë që po ndryshon” thekson se “puna e papaguar është pengesë për punësimin e grave në punë me pagesë për disa gra, duke i mbajtur kështu ato jashtë tregut të punës”.

Nuk është rastësi që Turqia ka shkallën më të ulët të pjesëmarrjes në tregun e punës në vitin 2024, me vetëm 37%, krahasuar me mesataren e BE-së prej 53%, sipas OECD-së. Italia pason me 42%, ndërsa Greqia renditet e katërta me 45%. Këto vende raportojnë gjithashtu hendekët më të lartë gjinorë në punën e papaguar.

Përgjegjësitë e kujdesit dhe normat shoqërore

Dorothea Schimdt-Klau, drejtuese e degës së punësimit, tregut së punës dhe degës rinore në ILO në Gjenevë, shpjegoi për Euronews Business arsyet pse Turqia dhe renditen më lart në Evropë për përqindjen e personave që janë të gatshëm të punojnë, por nuk kërkojnë punë.

“Përgjëgjesitë e kujdesit dhe normat sociale janë dy fakorë të tjerë që luajnë rol, specifikisht në Turqi,” tha ajo.

“Mungesa e qasjes në shërbime të përballueshme të kujdesit për fëmijët dhe për të moshuarit, së bashku me qëndrimet sociale rreth roleve të grave, e zvogëlojnë aftësinë e grave për t’u angazhuar në kërkim aktiv të punës.” Si rezultat, tha ajo, norma e pjesëmarrjes së grave në këto vende janë ndër më të ulëtat në vendet e OECD-së.

Nga pesë ekonomitë më të mëdha të Evropës, Italia dhe Spanja kanë paraqitjen më dobët, ndërsa Gjermania ka hendekun më të vogël me 61%, e pasuar nga Franca me 66% dhe Mbretëria e Bashkuar me 78%.

Në 3 vende gratë kryejnë më shumë se 5 orë punë të papaguar

Në Portugali (328 minuta), Itali (306 minuta) dhe Turqi (305 minuta), gratë kryejnë më shumë se pesë orë punë të papaguar.

Edhe në Suedi, që ka kohën më të ulët të punës së papaguar, kjo shifër tejkalon 3.5 orë. Franca renditet e dyta, ku gratë shpenzojnë 224 minuta në ditë duke kryer punë të papaguar.

Burrat në Turqi bëjnë më së paku punë të kujdesit: vetëm 68 minuta.

Nuk është për t’u habitur që burrat shpenzojnë më së paku kohë për punë të papaguar në tre vendet me hendekun më të madh. Turqia është një rast i veçantë, ku burrat i kushtojnë vetëm 68 minuta në ditë punës së papaguar, e ndjekur nga Greqia me 95 minuta dhe Portugalia me 96 minuta.

Shumica e punës së papaguar përbëhet nga punët e përditshme e shtëpisë

Në çdo vend, si për gratë ashtu edhe për burrat, punët e përditshme të shtëpisë përbëjnë pjesën më të madhe të punës së papaguar. Në disa vende, ato zënë më shumë se 70% të kohës së përditshme që konsiderohet punë e papaguar. Kujdesi për anëtarët e familjes dhe blerjet vijnë pas tyre, dhe së bashku këto tre kategori përfaqësojnë rreth 90% të gjithë punës së papaguar, sipas OECD-së.

Në Portugali, për shembull, gratë shpenzojnë 253 nga 328 minutat e tyre të përditshme të punës së papaguar për punët e shtëpisë, apo rreth 77%. Në Francë kjo përqindje bie në 70%, dhe në Danimarkë në 60%.

Si të zvogëlohet hendeku gjinor?

OECD-ja thekson rolin e normave dhe stereotipeve në krijimin e pabarazive, duke vënë në dukje se këto mësohen që në moshë të re. Raporti u bën thirrje vendeve dhe Komisionit Evropian të ndërmarrin masa më të forta për të zvogëluar hendekun gjinor në punët e papaguara. Disa nga rekomandimet kryesore janë:

– Nxitja e ndarjes së barabartë të përgjegjësive të kujdesit dhe punëve të shtëpisë mes grave dhe burrave, përfshirë sfidimin e stereotipeve dhe normave gjinore (përmes fushatave ndërgjegjësuese, materialeve edukative, etj.).

– Ofrimi i të drejtës për pushim të paguar si për nënat, ashtu edhe për baballarët.

– Zgjerimi i qasjes së barabartë në punën hibride dhe atë në distancë, duke investuar në infrastrukturë digjitale dhe trajnime.

– Investimi në arsim dhe kujdes cilësor, të përballueshëm dhe të qasshëm për fëmijërinë e hershme, si dhe në shërbime të kujdesit jashtë orarit të shkollës.

– Përmirësimi i pagave, cilësisë së punës dhe formalizimit në profesionet e kujdesit të dominuara nga gratë, duke inkurajuar gjithashtu burrat të hyjnë në profesionet e lidhura me kujdesin.

Servet Yanatma

Përktheu: Erjona Thaqi

Artikullin origjinal e gjeni këtu.