Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Ri-brendimi ‘feminist’ i Victoria’s Secret është po aq i hollë sa një tangë prej poliesteri

QIKA 13.8.2021

Kompania e të brendshmeve është duke iu bashkuar grupit së Fuqizimit të Grave. Ndoshta jam cinike, por kjo gjë më duket e dëshpëruar.

Si duket, dikush po bën një ndryshim! Pas disa viteve të rënda me rënie të shitjeve, rritje kritikash dhe një skandal me Jeffrey Epstein, Victoria’s Secret ka vendosur se është koha për një ri-brendim drastik. Kompania e të brendshmeve po iu bashkohet grupit të Fuqizimit të Grave dhe është zotuar se do të bëhet “avokuesi kryesor në botë për gratë”. Nuk e di për koleget e mia gra, por unë jam e lumtur se një kompani e dështuar e të brendshmeve më në fund do të marrë përsipër një punë kaq të rëndësishme avokimi.

Pra, si do të bëhet Victoria’s Secret “avokuesi kryesor botëror për gratë?” Epo, kompania ka filluar duke i lënë anash një grup grash dhe duke i zëvendësuar ato me gra të tjera më të rëndësishme. Mirupafshim Engjëjt e Victoria’s Secret! Përshëndetje, VS Kolektive. Kompania ka zëvendësuar modelet e saj me veshje të pakta dhe proporcione marramendëse me shtatë ambasadore të cilat i përshkruan si “gra të arritura që ndajnë një pasion të përbashkët për të nxitur ndryshime pozitive”. Këto përfshijnë futbollisten amerikane Megan Rapinoe, modelen transgjinore Valentina Sampaio dhe modelen dhe refugjaten e Sudanit të Jugut Adut Akech.

Pa ofenduar asnjërën nga gratë e talentuara në VS Kolektive (unë nuk fajësoj asnjë prej tyre për marrjen e një page), por ky ri-brendim duket aq i hollë sa një tangë prej poliesteri. Siç kanë vërejtur një numër njerëzish, Victoria’s Secret ende nuk e ka zgjeruar gamën e masave të kufizuara, edhe pse zyrtari i saj i marketingut ka thënë se “po drejtohet nga” masa më të mëdha qe do të përdoren eventualisht. Ndoshta jam cinike, por drejtimi i ri i kësaj kompanie me tingëllon si thirrje e dëshpëruar – dhe një nevojë për të pastruar veten nga lidhjet me Epstein – në vend të përvetësimit të vërtetë të gjithëpërfshirjes. Pranimi i realitetit se bota ka ndryshuar në mënyrë drastike gjatë dy dekadave të fundit gjithashtu është i vonshëm.

Më mirë vonë se kurrë, sigurisht. Përderisa unë nuk blej ri-brendimin e Victoria’s Secret, është gjithmonë mirë të shohësh kompani të mëdha që po u drejtohen reklamave më gjithëpërfshirëse. Të them të drejtën, Victoria’s Secret ka premtuar që do ta përshtatë marketingun e ri me menaxhment të ri. Bordi i saj i riformuar do të përbëhet nga shtatë drejtorë, gjashtë prej të cilëve do të jenë gra. Sigurisht, nëse këto gra do të kenë vetëm pozita simbolike apo me të vërtetë do të kenë rëndësi në drejtimin e kësaj kompanie ende mbetet për t’u parë.

Përfundimisht, a e dini se cila është gjëja më e mirë në lidhje me riformimin e Victoria’s Secret? Fakti që Megan Rapinoe është një fytyrë e re e firmës e cila po çmend tërësisht disa burra të krahut të djathtë. Prezantuesi i podkasteve djathtiste Jesse Kelly, pati një shpërthim në Twitter rreth punësimit të Rapinoe dhe u shpreh se: “Askush nuk i pëlqen feministët. Askush. Edhe feministët e tjerë i urrejnë feministët. Ata janë njerëzit më pak tërheqës në planet.” Na vjen keq, Kelly, por kompanitë botërore nuk pajtohen.

Gjithsesi, unë me të vërtetë shpresoj që Kelly dhe miqtë e tij të bëjnë atë që konservatorët bëjnë më së miri dhe të organizojnë një bojkot krejtësisht të krisur. Do të dëshiroja të shihja konservatorët e djathtë tek djegin sutjenat për t’ua treguar vendin feministëve.

A i çliroi OBSH-ja seksistët?

Organizata Botërore e Shëndetit do të donte që të gjitha gratë në moshë riprodhuese ta lënë pijen. OBSH përmes Draftit të Planit Global të Veprimit për Alkoolin u bëri thirrje qeverive që t’i kushtojnë “vëmendjen e duhur” “parandalimit të pirjes së alkoolit tek gratë shtatzëna dhe gratë në moshë riprodhuese”. Po pse të ndalemi këtu, eh? Pse mos ta bëjmë të paligjshme për të gjitha gratë në moshë riprodhuese që të ngasin biçikleta ose të ngasin makina në rast se një aksident do të rrezikonte aftësitë e tyre riprodhuese?

Ja çfarë unë mendoj se duhet t’i kushtojmë vërtetë vëmendje: fakti që edukimi për shëndet publik duket që më shumë ka të bëjë me policimin e trupave të grave sesa çdo gjë tjetër. Konsumimi problematik i alkoolit është duke u rritur tek gratë – shumë prej të cilave nuk po e përdorin alkoolin për kënaqësi por për t’u ballafaquar me probleme – por kjo nuk mund të zgjidhet me udhëzime paternaliste që i trajtojnë gratë si mitra që ecin.

Atletet olimpike gra të Britanisë më në fund po marrin sytjena të mira

(Por jo nga Victoria’s Secret.) “Ka shumë risi në veshjet e përgjithshme sportive, por kjo risi nuk ka kaluar me të vërtetë në sytjenat sportive për gratë deri më tani”, vuri në dukje rremtarja e ekipit GB Vicky Thornley. “Unë mendoj se është vërtet inkurajuese që ata kanë filluar të mendojnë për gratë në atë mënyrë në sport, dhe jo vetëm duke na trajtuar si burra të vegjël.”

Skocia duhet të kërkojë falje për birësimin e detyruar

Është vlerësuar se 60,000 nëna skoceze u detyruan të japin fëmijën e tyre për birësim midis viteve 1950 dhe 1980 sepse nuk ishin të martuara. Në vitin 2013, Qeveria Australiane ofroi faljen e parë Qeveritare në botë për birësimin e detyruar, megjithatë Skocia nuk ka ofruar kurrë një falje zyrtare. Anëtarët e qeverisë së Skocisë debatuan për çështjen këtë javë mes kërkesave në rritje për kërkim falje.

Gratë që refuzojnë të shërbejnë në FMI

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (FMI) kanë bërë shumë lobim përmes grave së voni. Një numër ushtaresh gra atraktive të FMI kanë marrë vëmendje pasi postuan “foto tërheqëse” të çuditshme në TikTok në mënyrë që të përforcojnë imazhin ndërkombëtar të Izraelit. Përhapja e propagandës nacionaliste nuk është feminizëm. E dini si duket feminizmi i vërtetë? Duket si Atalya Ben-Abba, një grua e re trime izraelite që refuzoi të shërbente në ushtrinë izraelite (dhe shkoi në burg për këtë arsye) për shkak të trajtimit të palestinezëve nga Izraeli. Intervista e saj me Haaretz ia vlen të lexohet. Dhe nëse nuk e keni dëgjuar historinë e një superfanse të Taylor Swift që u bë virale me postime në Twitter nga burgu për refuzimin e saj për t’u bashkuar me FMI-në, atëherë ju lutem zbulojeni këtu.

Java në penis-arkatin

Siç e dinë të gjithë, gara miliardere në hapësirë ka të bëjë me inovacionin dhe kufijtë e rinj dhe shkencën. Absolutisht nuk ka të bëjë për disa burra me ego masive që po marrin pjesë në një betejë egosh ndër-galaktike. Megjithatë, është e vështirë të mos vërehet fakti që raketa me të cilën Jeff Bezos po udhëton në hapësirë duket jashtëzakonisht falike. Udhëheqësit e programit të Australia Today patjetër e kanë vënë re dhe kaluan një segment të tërë lajmesh duke qeshur me raketën masive të Bezos.

Arwa Mahdawi

E përktheu: Zana Bahtiri

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theguardian.com/commentisfree/2021/jun/19/victorias-secret-feminist-empowerment