Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Roli thelbësor i grave në përballjen me ndryshimet klimatike

QIKA 8.10.2024

Lidhja mes ndryshimeve klimatike dhe të drejtave të grave për disa mund të duket e çuditshme. Por për Zandile Gumede, kryetarja e parë grua e Durban, (Afrika e Jugut), ato janë të lidhura në mënyrë të pandashme. Ajo u zgjodh kryetare vitin e kaluar pjesërisht me premtimin për të adresuar problemet mjedisore në rajon. Angazhimi i më shumë grave në këtë përpjekje është thelbësor për gjetjen e zgjidhjeve, tha ajo.

Zonja Gumede, 55 vjeçe, e njeh mirë llojin e aktivizmit politik që po inkurajon. Ajo u rrit në epokën e aparteidit racor të Afrikës së Jugut dhe u bashkua në radhët e Kongresit Kombëtar Afrikan të Nelson Mandelës.

Gratë janë më të cenuara ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike dhe kanë më pak gjasa të arsimohen në drejtime shkencore ose të përfaqësohen në komitetet që marrin vendime për qëndrueshmërinë mjedisore, tha ajo. Pra, ndër nisma të tjera, qeveria e saj po bashkëpunon me universitetet për të siguruar që më shumë gra të arsimohen në drejtime shkencore.

Durban, një nga qytetet më të mëdha në Afrikën e Jugut, si edhe pjesa tjetër e vendit, po përballet me një nga thatësirat më të rënda në historinë e tij. Rritja e urbanizimit dhe industrializimit, ndotja nga kamionët që hyjnë dhe dalin nga porti i qytetit, më i madhi në vend dhe rrugët ujore të kontaminuara vetëm po përkeqësojnë krizën mjedisore në rritje.

“Ndryshimet klimatike janë çështje e përditshme për ne dhe gratë duhet të jenë pjesë përbërëse e gjithçkaje”, tha ajo.

Meqenëse moti i prek të gjithë, ideja se gratë janë më të ndjeshme ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike, veçanërisht në vendet në zhvillim, disave mund t’i duket e çuditshme. Por janë gratë ato që kanë më shumë gjasa të grumbullojnë ujin për pije, ushqimin, drutë për ngrohje dhe sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të vitit 2009, për këto arsye ato mbajnë barrën më të rëndë të motit ekstrem, i cili zhduk burimet ujore dhe degradon tokën. Njëkohësisht gratë përbëjnë një pjesë të madhe të forcës punëtore bujqësore në shumë vende në zhvillim.

Hulumtimet gjithashtu kanë treguar se kur burimet janë të pakta, gratë shpesh u japin prioritet në ushqim burrave dhe djemve të tyre, teksa mohojnë veten dhe vajzat e tyre. Ngjashëm, kur ndotja e ajrit shkakton rritje të sëmundjeve si astma – që tashmë po ndodh në Durban bazuar në zonjën Gumede – zakonisht është nëna ajo që qëndron në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët e sëmurë, duke reduktuar produktivitetin dhe zhvillimin e karrierës së saj.

“Disa vite më parë, ndryshimet klimatike konsideroheshin si neutrale ndaj gjinisë. Por kur bëmë një analizë gjinore, termi “neutrale ndaj gjinisë” doli të nënkuptoj në të vërtetë “injorante ndaj gjinisë”, tha Naoko Ishii, shefi ekzekutiv i organizatës jofitimprurëse, Fondi Global i Mjedisit.

Si shenjë që tashmë po rritet vetëdijesimi mbi lidhjen midis të drejtave të grave dhe ndryshimeve klimatike, muajin e kaluar, u mbajt konferenca e parë C40 Women4Climate në Manhattan, duke sjellë së bashku kryetare nga e gjithë bota. C40 Cities është një organizatë ombrellë që përfaqëson më shumë se 90 qytete që punojnë në trajtimin e ndryshimeve klimatike; Michael R. Bloomberg, ish-kryetar i bashkisë së Neë York-ut, është president i bordit të saj.

Për Patricia de Lille, kryetare e Cape Toën, efektet e ndryshimeve klimatike përbëjnë një urgjencë urbane.

“Në qytetin tim na kanë mbetur edhe 120 ditë me ujë të pijshëm. Neve na duhet të luftojmë ndryshimet klimatike çdo ditë”, tha ajo. Qyteti, ndër iniciativat e tjera, planifikon të bëhet i pari në Afrikë që përdor autobusët elektrikë për sistemin e transportit publik dhe synon të instalojë më shumë se 100,000 ngrohës diellorë të ujit në çatitë e shtëpive brenda tre viteve.

“Kriza ka sjellë edhe disa mundësi. Gjatë dy viteve, ne kemi trajnuar 4,000 të rinj në rregullimin e sistemeve hidraulike”, shtoi ajo. Në një shkallë më të gjerë, ajo shpreson që deri në vitin 2020 gati 20 përqind e energjisë në qytetin e saj do të vijë nga burime të rinovueshme.

Qeveritë e qyteteve/bashkive janë më të shkathëta se ato shtetërore dhe federale dhe mund të marrin vendime më shpejt për të ofruar zgjidhje kreative mjedisore – të tilla si kufizimi i disa rrugëve në qendër të qytetit ku tani lejohen vetëm këmbësorët, siç është bërë së fundmi në Paris dhe Neë York City.

“Qytetet prodhojnë 70 përqind të gazeve serrë. Kryetarët e komunave janë shumë pragmatikë, ne jemi njerëz shumë konkret. Në qeveri, ndonjëherë jeni larg realitetit, por ne jemi afër gjithçkaje dhe kjo është një përparësi”, tha Anne Hidalgo, kryetarja e bashkisë së Parisit dhe kryetare e C40.

“Qytetet janë po ashtu më në gjendje të lidhin ambientalizmin me aktivizmin qytetar”, tha Helen Fernández, kryebashkiake e Karakasit në Venezuelë. “Gratë marrin iniciativa dhe janë në vijën e parë të frontit. Por përderisa janë më aktive në nivel lokal ato shpesh lihen pas kur çështjet kalojnë tek nivelet qendrore”, shtoi ajo.

“Kompanitë private, veçanërisht ato që punësojnë një numër të madh grash, kanë gjithashtu përgjegjësi për të trajtuar ndikimin e ndryshimeve klimatike”, tha Alexandra Palt, shefe e qëndrueshmërisë për L’Oréal, kompania më e madhe në botë e fushës së estetikës dhe një nga partnerët themelues të Ëomen4Climate. “Unë nuk mendoj se ndryshimet klimatike po bëhen çështje gjinore. Por mendoj se gjinia duhet të merret parasysh për t’iu përgjigjur atyre në mënyrën më efektive”, tha znj. Palt.

Për shembull, L’Oréal përdor më shumë se 1,000 ton gjalpë shea çdo vit në produktet e saj. Në Burkina Faso-n e goditur nga varfëria, gratë mbledhin arrat e pemës afrikane shea dhe bëjnë pjesën më të madhe të përpunimit për të prodhuar gjalpin. Kjo përfshin përdorimin e sasive të mëdha të druve të zjarrit për të zier arrën, gjë që kontribuon në shpyllëzim. L’Oréal është pjesë e një përpjekjeje për të instaluar soba gatimi që përdorin 50 përqind më pak dru zjarri se ato tradicionalet.

“Dhjetë vjet më parë, theksi ishte tek krijimi i të ardhurave për gratë dhe tek ndihmesa e tyre për të zhvilluar modele ekonomike. Tani ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Bëhet fjalë për mbijetesën e tyre”, tha znj. Palt.

Në Shtetet e Bashkuara, Jess Morales Rocketto, aktiviste e shquar e komunitetit, vuri në dukje shembullin e 9-vjeçares Amariyanna Copeny (Mari) ose siç njihet ndryshe “Zonjushës së Vogël Flint.” Aktivizmi i saj në internet ndihmoi të bindte Presidentin Barack Obama të vizitonte qytetin Flint në Michigan vitin e kaluar për të trajtuar krizën e ujit. Mari mori pjesë në Marshin e Grave në janar dhe ka vazhduar të jetë e zëshme mbi ndotjen e ujit të pijshëm.

“Zonjusha e Vogël Flint është udhëheqëse në çështjen klimatike”, tha znj. Morales Rocketto, e cila mori pjesë në konferencën C40.

Lidhja midis ndryshimeve klimatike dhe gjinisë ka të bëjë gjithashtu me sigurimin që gratë të luajnë rol vendimtar në përcaktimin e agjendës ndërkombëtare mbi këto ndryshime.

Për shembull, me Marrëveshjen historike të Parisit për ndryshimet klimatike, e cila hyri në fuqi vitin e kaluar, gratë “kishin një rol shumë të rëndësishëm në proces”, tha znj. Hidalgo. “Kur burrat dhe gratë punojnë së bashku dhe sjellin përvoja shumë të ndryshme, atëherë fitohet një rezultat i mirë. Atëherë gjërat bëhen më të hapura sesa kur burrat punojnë vetëm”, shtoi ajo.

Por siç tha zonja de Lille: “Nënshkrimi i Marrëveshjes së Parisit ishte pjesa e lehtë. Ajo që vijon është zbatimi, zbatimi, zbatimi. Pas Marrëveshjes së Parisit, u ktheva në qytetin tim dhe u sigurova që çdo departament të jetë i mbushur me konsiderata ndaj ndryshimeve klimatike.”

Atmosfera politike tani është ndryshe– të paktën në Shtetet e Bashkuara – prej kohës kur u nënshkrua marrëveshja. Presidenti Trump e ka kundërshtuar atë dhe i ka quajtur ndryshimet klimatike “mashtrime”.

Kundërshtimi i tij mund të mos e bëjë të lehtë gjetjen e zgjidhjeve, por “në një farë mënyre është e parëndësishme ajo çka bën një administratë apo një udhëheqës”, tha Eleanor Blomstrom, bashkëdrejtoreshë e Organizatës për Mjedisin dhe Zhvillimin e Grave. “Unë nuk mendoj se një administratë duhet të ndryshojë mënyrën se si ne trajtojmë një çështje kaq urgjente”, shtoi ajo.

Për zonjën Hidalgo, “fjalët e Presidentit Trump nuk janë të mjaftueshme për të ndaluar këtë proces. Të jesh skeptik sot do të thotë të mohosh realitetin. Ne jemi brezi i fundit që mund të veprojmë për të shpëtuar planetin.”

Përktheu: Riola Morina

Shkrimin origjinal mund ta gjeni këtu

___________________________________________________________

Ky artikull mbështetet nga qeveria gjermane dhe zbatohet përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2024 – “Skema e Mbështetjes së Shoqërisë Civile (CSS)” organizuar nga Zyra e Presidentës së Republikës së Kosovës. Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit. Ato nuk synojnë të pasqyrojnë opinionet apo pikëpamjet e GIZ-it dhe Zyrës së Presidentës së Republikës së Kosovës.