Ishte në vitin 2019 kur Debbie Dickinson përjetoi simptomat e saj të para të menopauzës. “Isha në shtëpi dhe u ndjeva shumë e hutuar. Nuk e dija se çfarë po ndodhte në trupin tim, por më pas kisha një moment këndellës dhe kuptova se diçka e madhore po ndodhte”, thotë 55 vjeçarja. Ajo diçka madhore ishte menopauza.
Kjo e shtyu Debbien, e cila jeton në Miami, Florida, të fliste me të afërme gra për këshilla se si të përballen më mirë me simptomat që ndodhin para dhe kur menstruacionet e një gruaje ndalojnë. Kjo zakonisht ndodh rreth moshës 51 vjeçare.
Çfarë është menopauza dhe cilat janë shenjat?
Ndërkohë, Debbie filloi të provonte shumë mënyra për të menaxhuar simptomat me metoda në kushte shtëpiake, duke përfshirë hapjen e frigoriferit dhe qëndrimin përballë tij. Pavarësisht se mori udhëzime të dobishme, ajo thotë se ndihej e papërgatitur për këtë fazë të jetës së saj.
“Ka shumë pak edukim rreth menopauzës. Kjo ndodhë për shkak të stigmës dhe diskriminimit në bazë të moshës, kur në fakt menopauza është krejt e natyrshme”, thotë ajo. Pasi përjetoi përsëri simptomat në makinën e saj po atë vit, Debbie-t i erdhi ideja për një pajisje portative që mund t’i freskonte gratë gjatë procesit.
Si një ish-ekzekutive e Johnson & Johnson, ajo kishte kontakte të shumta në këtë sektor. Ajo ishte në gjendje të mblidhte 1.5 milionë dollarë për investime, me të cilat ajo punoi me një ekip inxhinierësh, shkencëtarësh dhe mjekësh për të prodhuar një byzylyk dhe një aplikacion të lidhur me të, të quajtur Thermaband.
Byzylyku mundësohet nga softueri i inteligjencës artificiale që monitoron temperaturën e përdoruesit/es dhe kur detekton temperaturë të lartë, ai ofron një ndjesi freskimi. Ai gjithashtu mund të ofrojë edhe ngrohje, nëse kërkohet nga përdoruesi/ja.
Byzylyku gjithashtu gjurmon presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës, me të gjitha të dhënat e shfaqura në aplikacion. Debbie bashkë me vajzën e saj Markea që po ndihmon gjithashtu për të udhëhequr kompaninë, këtë vit do lansojnë Thermaband.
Pas shumë viteve me injorancës së përhapur, tani ka më shumë ndërgjegjësim për menopauzën. Në Mbretërinë e Bashkuar kjo është mundësuar nga aktivistë të profilit të lartë si prezantuesja televizive Davina McCall, e cila prezantoi një shfaqje në Channel Four mbi këtë temë në vitin 2021. Ndërkohë, deputetja konservatore Caroline Nokes ka udhëhequr një fushatë për gratë që kalojnë në menopauzë që të marrin pushim nga puna. Megjithatë, në janar qeveria e Mbretërisë së Bashkuar hodhi poshtë një propozim të tillë.
Ndërsa gratë që mendojnë se vuajnë nga simptomat e menopauzës duhet që në radhë të parë të takohen me mjekun e tyre, mbulimi i shtuar që po merr çështja po çon në një numër në rritje të firmave të teknologjisë që hyjnë në këtë sektor. Këto kompani, shpesh të udhëhequra nga gratë, po prezantojnë produkte të reja që ofrojnë ndihmë dhe mbështetje.
Monika Scott, 46 vjeçare, menaxhere operacionale në një firmë pronash, ka përdorur aplikacionin e shëndetit dixhital Peppy, i cili përfshin mbështetje për gratë që kalojnë në menopauzë. “Një problem i madh për mua është pagjumësia, gjë që është frustruese. Zgjohesha duke u ndjerë e lodhur dhe e mërzitur. Gjithashtu përjetoj lëkurë të thatë dhe menstruacione të rënda. Motra ime ka pasur të vështirë menopauzën dhe kështu kur pashë Peppy-n, mendova t’ia hidhja një sy”, thotë londinezja.
Aplikacioni u mundëson përdoruesve që të kenë biseda dhe konsultime direkte me një ekspert të menopauzës, të regjistrohen në kurse, të kenë qasje në video informuese dhe të marrin pjesë në evente të ndryshme.
Mjekja e përgjithshme dhe ekspertja e menopauzës, Dr. Philipa Kay beson se shumica e teknologjisë që po krijohet po ndihmon në fuqizimin e grave. “Përderisa informacioni është i saktë dhe i verifikuar, atëherë këto mjete janë të mrekullueshme. “Informacioni është fuqi. Aplikacionet që gjurmojnë simptomat mund të jenë të dobishme pasi njerëzit nuk janë gjithmonë të vetëdijshëm për të gjitha simptomat e mundshme”, thotë ajo.
“Por ne duhet të jemi të kujdesshëm, pasi diskutimi i menopauzës tani është në modë dhe njerëzit kanë fituar para nga shëndeti i grave për një kohë të gjatë. Nëse njerëzit duan të dinë se a po marrin fakte të verifikuara, ata duhet të bazohen edhe te faqja e internetit e institutit shtetëror të shëndetësisë.
Andrea Berchowitz, bashkëthemeluese e një aplikacioni tjetër për menopauzën në Mbretërinë e Bashkuar – Stella, thotë se ajo vuri re një boshllëk në “tregun” e menopauzës kur ajo filloi të interesohej për shëndetin e grave. “Teknika në shëndetin e grave është ende e përqendruar kryesisht në fertilitetin dhe gjurmimin e ciklit menstrual”, thotë ajo.
Stella ofron plane të personalizuara trajtimi, të kombinuara me udhëzime javore për të adresuar simptoma specifike dhe për të ndihmuar në lehtësimin e bisedave rreth terapisë hormonale. “Mbështetja e përshtatur është posaçërisht e nevojshme sepse gratë kanë simptoma të ndryshme. Dikush mund të ketë vështirësi për të fjetur, një tjetër mund të ketë nevojë për një qasje të ndryshme nëse ka humor të ulët e kështu me radhë”, shton ajo. Stella e cila u lansua në vitin 2021, po fokusohet në krijimin e partneriteteve me kompani në mënyrë që ato të ofrojnë aplikacionin e saj si pjesë e politikës së tyre të burimeve njerëzore.
“Aplikacioni është për të gjithë, por ne jemi të fokusuar në vendet e punës. Gratë nuk duhet të paguajnë për këtë mbështetje, ne po vërejmë se vendet e punës duan të ofrojnë mbështetje”, thotë Andrea.
Kompanitë e regjistruara deri më tani përfshijnë markën e veshjeve Barbour dhe Betterspace & Heka, të cilat janë faqet e internetit që lejojnë firmat t’i ofrojnë stafit të tyre burime për shëndetin dhe mirëqenien.
Andrea shton se Stella tani po kërkon të rrisë nivelit e softuerit të inteligjencës artificiale që fuqizon aplikacionin e saj, në mënyrë që të vendosë më mirë çfarë kombinimi trajtimesh mund të funksionojnë për simptoma specifike.
Fillesat e teknologjisë si këto vijnë pasi një numër në rritje i kompanive dhe organizatave të mëdha në Mbretërinë e Bashkuar kanë prezantuar politikat e menopauzës viteve të fundit. Për shembull, Royal Mail dhe rrjeti i marketeve Tesco ofrojnë trajnime për menopauzën dhe kjo e fundit vitin e kaluar ndryshoi uniformën e saj duke e përdorur tashmë një pëlhurë më të hollë për të ndihmuar me ethet dhe temperaturën si simptoma.
Në Miami, Debbie thotë se byzylyku po bën një ndryshim për të mirë në jetën e saj. “Ai zbut parehatinë dhe i bën simptomat më të shkurta dhe më pak intensive. Është thjeshtë një përvojë më e rehatshme”, shton ajo.
Suzanne Bearne
E përktheu: Nora Suhodolli
Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.bbc.com/news/business-64899189?fbclid=IwAR3EfFAcB9jdeSjaAfDTfnPtOxJdQn18h51EskSjnyVZpzQ3wUMuiV7Cgzo