Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Unë marr komente abuzuese dhe kërcënime të shumta në internet – pse nuk mund t’i ndal ato?

QIKA 2.11.2021

Unë jam raportuesja e parë specialiste e BBC-së mbi dezinformimin dhe çdo ditë marr mesazhe abuzive në media sociale. Shumica janë aq ofenduese saqë nuk mund t’i shpërndaj pa i redaktuar. Arsyeja që i marr këto mesazhe? Raportimi im mbi ndikimin e komploteve dhe lajmeve të rreme në internet. Unë pres që të sfidohem dhe kritikohem – por urrejtja mizogjene e drejtuar ndaj meje është bërë një dukuri shumë e rregullt.

Mesazhet janë të mbushura me fyerje të bazuara në gjini e me referenca për përdhunim, prerje koke dhe akte seksuale. Disa janë një përzierje e teorive të komplotit kinse unë jam e kontrolluar nga zionistët apo kinse unë jam përgjegjëse për përdhunimin e foshnjave.

Nuk jam e vetme – nga politikanet në të gjithë botën, yjet e emisionit Love Island e deri tek mjeket, kam dëgjuar nga gratë që i nënshtrohen të njëjtit lloj të urrejtjes. Një hulumtimi i ri sugjeron se tendenca që gratë kanë më shumë gjasa të marrin këtë lloj abuzimi sesa burrat po përkeqësohet dhe shpesh po kombinohet me racizmin dhe homofobinë.

Doja të kuptoja pse kjo po ndodh, kërcënimin që paraqet dhe pse faqet e mediave sociale, policia dhe qeveria nuk po bëjnë më shumë lidhur me këtë. Kështu, fillova të bëj një film për programin e BBC-së, Panorama.

Ne krijuam një llogari të rreme në pesë platformat më të njohura të mediave sociale për të parë nëse ato po promovojnë urrejtje mizogjiniste ndaj përdoruesve të tillë. Duke përdorur një fotografi të krijuar nga inteligjenca artificiale, ne projektuam përdoruesin tonë të rremë që ishte i ngjashëm me njerëzit që më bënin abuzim online. Përdoruesi ynë ishte aktiv në përmbajtjen e rekomanduar nga platformat e mediave sociale, por nuk shkroi asnjë koment urrejtje.

Si pjesë e programit tonë, Demos kreu një diskutim të thellë e gjithëpërfshirës rreth abuzimit të marrë nga konkurrentët e emisionit Love Island, duke analizuar më shumë se 90,000 postime dhe komente rreth tyre. Ky ndoshta është një vend befasues për të filluar studimin, por emisionet si Love Island shërbejnë pothuajse si një mikrokozmos për shoqërinë, duke lejuar studiuesit të krahasojnë abuzimin drejtuar burrave dhe grave me prejardhje të ndryshme. Popullariteti i tyre gjithashtu gjeneron shumë diskutime në internet.

Përmes kësaj ne zbuluam se llogarisë së përdoruesit tonë iu rekomandua gjithnjë e më shumë përmbajtje kundër grave si nga Facebook ashtu edhe nga Instagram, ku një pjesë e përmbajtjes përfshinte dhunë seksuale. Konkurrentet gra të emisionit u shënjestruan në mënyrë disproporcionale në media sociale, madje shpesh me abuzim të rrënjosur në mizogjininë e racizmin.

Llogari abuzive të paprekura

Kompanitë e mediave sociale thonë se ata e marrin seriozisht urrejtjen ndaj grave në internet si dhe kanë rregulla për të mbrojtur përdoruesit nga abuzimi. Këto rregulla përfshijnë pezullimin, kufizimin apo edhe mbylljen e llogarive që përçojnë urrejtje. Por përvoja ime sugjeron që ata shpesh nuk e bëjnë këtë. I kam raportuar disa nga mesazhet më të këqija që kam marrë ndonjëherë në Facebook – përfshirë këtu edhe kërcënimet për të ardhur në shtëpinë time e për të më përdhunuar. Por muaj më vonë, llogaritë e përdoruesve që dërguan këto mesazhe mbetën në Facebook, së bashku me dhjetëra llogari të tjera në Instagram dhe Twitter që bëjnë të njëjtin abuzim.

Rezulton se përvoja ime është pjesë e një modeli. Hulumtimi i ri për programin e lartpërmendur, i kryer nga Qendra për Luftimin e Urrejtjes Digjitale tregon sesi 97% e 330 llogarive që dërguan komente abuzuese mizogjiniste në Twitter dhe Instagram mbetën në rrjete edhe pasi u raportuan.

Twitter dhe Instagram thonë se ata ndërmarrin veprime kur shkelen rregullat e tyre dhe mbyllja e llogarive nuk është opsioni i vetëm.

Identifikimi i llogarive

Kurioze për atë se kush i posedonte llogaritë që më dërgonin komente abuzuese mua dhe grave tjera, fillova t’i vizitoj profilet e personave në fjalë. Shumica ishin burra dhe banonin në Mbretërinë e Bashkuar. Duke filluar nga etiketimet si ” lopë e çmendur” e deri te kërcënimi se do të më gjejnë dhe do të më sulmojë me dhunë ose seksualisht, llogari të shumta pa pushim më bombardojnë me fyerje të bazuara gjinore.

Rezulton se ata janë njerëz të vërtetë – jo robotë. Njëri nga ta është një tifoz i Spurs, si unë. Një tjetër pëlqen gatimin vegan. Njëri, llogaria e të cilit ishte anonime, madje kishte shpërndarë vendndodhjen e tij duke postuar në Twitter.

Unë i shkrova atyre dhe njëri nga ta, i quajtur Steve, një shofer furgoni në të 60-at e tij, pranoi të fliste me mua në telefon. Mesazhet që ai më kishte dërguar ishin më pak ofenduese sesa shumica e mesazheve që marr – ato të tijat ishin kryesisht fyerje të bazuara në gjini.

Ashtu si shumë mbajtës të llogarive që më dërguan urrejtje, ai është thellësisht i përkushtuar në teoritë e komplotit në internet. Si të tjerët, abuzimi që ai më dërgoi gjithashtu kishte bazë në faktin se unë  isha grua. Në fillim ai më tha se nuk mendonte se mesazhet e tij ishin aq të këqija – por unë i shpjegova se pse ato në fakt ishin të tilla.

“Unë ndoshta kam bërë një gabim. Unë jam një njeri mjaft i drejtë”, tha ai.

Ai vuri në dukje se ai në fakt vetë merr urrejtje në internet nga “njerëzit që besojnë në ngrohjen globale dhe nga ata që besojnë se 11 shtatori ka ndodhur”. Ata njerëz po i përgjigjen teorive të komplotit që Steve poston në media sociale. Unë po shpresoj se kjo mund ta ndihmojë atë të kuptojë se pse urrejtja nuk ishte përgjigja e duhur dhe kur arritëm në fund të bisedës sonë, mendoj se ai filloi ta kuptonte këtë ide.

Biseda jonë më bëri të mendoj për atë se çfarë përdoruesit që dërgojnë urrejtje mund të shohin në rrjetet e tyre sociale. Doja të shihja nëse algoritmet e mediave sociale po promovojnë edhe më shumë mizogjini tek llogari të ngjashme me ato që abuzojnë me gratë në internet. Kështu që unë krijova një personazh të rremë në internet të quajtur Barry në 5 platforma të ndryshme.

Të gjitha kompanitë kryesore të mediave sociale thonë se nuk promovojnë urrejtje në platformat e tyre dhe marrin masa për ta ndaluar atë. Secili prej tyre ka algoritme që të na ofrojnë përmbajtje bazuar në gjërat që kemi postuar, pëlqyer ose shikuar në të kaluarën. Por është e vështirë të dihet se çfarë kompanitë promovojnë për secilin përdorues veç e veç.

“Një nga mënyrat e vetme për ta bërë këtë është të krijosh manualisht një profil dhe të shohësh llojin e përmbajtjes që të sugjeron vetë platforma, në momentin që ju filloni të ndiqni grupe ose faqe të caktuara”, shpjegon ekspertja e mediave sociale Chloe Colliver, e cila më këshilloi për eksperimentin.

Ajo punon për Institutin për Dialog Strategjik, ku shqyrton ekstremizmin dhe dezinformimin në mediat sociale. Ajo ka ndihmuar gazetarë të tjerë edhe më parë dhe më këshillon se si mund t’i krijoj profilet në mënyrë etike dhe reale – duke bërë minimalen e nevojshme për të testuar algoritmet.

Llogaritë e Barry-t bazoheshin në llogari të shumta që më kishin sulmuar online. Ashtu si ato llogari, Barry ishte kryesisht i interesuar në përmbajtje rreth teorive të konspiracionit dhe kundër vaksinës si dhe poashtu ndoqi një sasi të vogël të profileve me përmbajtje kundër grave. Ai gjithashtu postoi disa postime me gjuhë abuzuese në profilin e tij – në mënyrë që algoritmet të dinin që në fillim se ai kishte një llogari që përdorte gjuhë abuzive për gratë. Por ndryshe nga llogaritë reale, ai nuk i dërgoi mesazhe drejtpërdrejt asnjë gruaje.

Gjatë dy javësh, hyja në profil çdo dy ditë dhe ndiqja rekomandimet, postoja në profilet e Barry-t, pëlqeja postime dhe shikoja video.

Pas vetëm një jave, faqet kryesore të rekomanduara për t’u ndjekur në Facebook dhe Instagram ishin pothuajse të gjitha mizogjene. Në fund të eksperimentit, Barry-t iu promovua gjithnjë e më shumë përmbajtje kundër grave. Disa nga këto përmbajtje përfshinin dhunë seksuale, shaka shqetësuese rreth akteve seksuale dhe përmbajtje që falin përdhunimin, ngacmimin dhe dhunën gjinore.

Atij poashtu iu promovuan ideologji ekstreme. Kjo përfshinte lëvizjen incel – një nënkulturë në internet që inkurajon burrat të fajësojnë gratë për problemet në jetën e tyre. Lëvizja eshtë lidhur me disa akte dhune, duke përfshirë këtu të shtënat e fundit në Plymouth.

“Nëse do të ishte një person i vërtetë, [Barry] do ta kishte gjetur veten në një komunitet urrejtës plot me përmbajtje mizogjene shumë shpejt – brenda dy javësh”, thotë Colliver.

Në vend se ta ndalojnë Barry-n të ekspozohet ndaj përmbajtjes kundër grave, Facebook dhe Instagram duket se e kanë promovuar atë tek ai. Në anën tjetër, në TikTok nuk kishte përmbajtje kundër grave ndërsa në Twitter shumë pak. YouTube sugjeroi vetëm disa video të pafavorshme ndaj grave.

Facebook, i cili gjithashtu ka në pronësi Instagramin, thotë se përpiqet të mos rekomandojë përmbajtje që shkel rregullat e tij dhe po përmirëson teknologjinë e tij për të gjetur dhe hequr abuzimin më shpejt. YouTube thotë se ka “politika të rrepta” për urrejtjen dhe heq “shpejt” përmbajtjet që shkelin rregullat e platformës.

Interesi kryesor i Barry ishte fillimisht tek teoritë e konspiracionit dhe prisja që ai të përmbytej me atë lloj përmbajtjeje në fillim. Por kjo nuk ndodhi.

Faqet e mediave sociale janë vënë nën presion në rritje për të mos promovuar informacione mashtruese në lidhje me vaksinat dhe pandeminë. Por pse nuk ka ndodhur kjo me përmbajtjen mizogjene në Facebook dhe Instagram?

“Ata po i shikojnë interesat e tyre duke ushqyer interesin e njerëzve për përmbajtje të tmerrshme, të dhunshme, shpesh mizogjiniste”, thotë Colliver. Gati tre miliardë njerëz në mbarë botën përdorin Facebook – dhe vitin e kaluar platforma fitoi mesatarisht 32 dollarë në të ardhura nga reklamat për çdo përdorues. Sa më gjatë të qëndrojnë njerëzit në platformë, aq më shumë reklama shet dhe aq më shumë para fiton gjigandi i teknologjisë.

Facebook thotë se mbrojtja e komunitetit të tij është “më e rëndësishme se sa maksimizimi i fitimeve”.

Platforma poashtu ka prezantuar disa masa të reja për të trajtuar urrejtjen e seksualizuar që i drejtohet gazetarëve, politikanëve dhe përdoruesve të famshëm.

Dhuna në jetën reale

Unë kam marrë pjesë në një kërkim për agjencinë kulturore të OKB-së, Unesco, e cila shikon ndikimin e urrejtjes në internet. Studiuesja kryesore Julie Posetti dhe ekipi i saj pyetën më shumë se 800 gra, gazetare si unë, për përvojat e tyre me urrejtje në internet.

Më pas ata studiuan disa nga rrëfimet, duke përfshirë timin dhe atë të fitueses së çmimit Nobel për Paqe, Maria Ressa. Ajo është një gazetare hulumtuese nga Filipinet, e cila merr shumë abuzim në internet dhe thotë se vesh një jelek anti-plumb sepse ka frikë se mos e sulmojnë.

“Dhuna në internet është me të vërtetë forma e ri e konfliktit me të cilën gratë përballen ndërkombëtarisht”, më thotë Posetti.

Njëzet përqind e grave që iu përgjigjën sondazhit të OKB-së, në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarët (ICFJ), thanë se tashmë kishin përjetuar sulme në jetën reale, duke përfshirë përndjekjen dhe sulmin fizik.

Unë jam veçanërisht e shqetësuar për disa nga komentet e urrejtjes që marr në internet, duke përfshirë disa nga një burrë që duket se ka një prirje paraprake për ndjekjen e grave. Por unë kam mbetur e frustruar nga përgjigja e policisë. Pas një vale abuzimi në fund të prillit të këtij viti, kam raportuar në polici kërcënimet më serioze, përfshirë edhe dhunën seksuale. Është një vepër penale të dërgosh mesazhe që janë jashtëzakonisht fyese ose të turpshme me qëllim të të shkaktuarit shqetësim.

Fillimisht kontaktova një oficere dhe ndava provat e mia të abuzimit me të – por e mora vesh vetëm disa javë më vonë, kur më tha se po ndërronte ekipin e saj, se çështja ime po kalonte tek një ekip tjetër por nuk kishte asnjë përparim. Unë nuk u kontaktova nga një oficer i ri ndërlidhës deri në korrik – kur u bë e qartë se provat që kisha ndarë fillimisht me policinë, ata i kishin humbur, diçka që ata e pranuan më vonë.

U përpoqa t’i raportoja oficerit të ri një grup tjetër kërcënimesh për përdhunim, kërcënime me vdekje dhe mesazhe abuzive në fund të korrikut. Kur u takuam personalisht në mes të gushtit, oficeri pranoi se ai nuk ishte personi i duhur për të trajtuar çështjen dhe se ajo duhej t’i kalonte një ekipi specialistësh. Akoma më shumë vonesa dhe megjithëse serioziteti i mesazheve u pranua, kishte pak opsione për mbështetjen e viktimave.

Nga fundi i gushtit, isha me oficerin tim të tretë ndërlidhës të policisë – i cili më kërkoi të rishikoja portofolin e provave që tashmë kisha dërguar, duke i ndarë se cilat mesazhe ishin nga Twitter, Instagram dhe Facebook pasi ai nuk ishte i sigurt se si t’i përdorte platformat.

Oficeri im i fundit ndërlidhës ka kërkuar më shumë informacion nga faqet e mediave sociale – por ende nuk ka përparim.

Sipas të dhënave nga disa forca policore, gjatë pesë viteve të fundit numri i njerëzve që raportojnë urrejtje në internet gati është trefishuar. Por gjatë të njëjtës periudhë, ka pasur vetëm një rritje prej 32% në numrin e arrestimeve. Viktimat janë kryesisht gra.

Ngrita shqetësime se njerëzit që më dërgonin keqtrajtim mund të vinin në punën time – por thjesht më thanë të telefonoja 999 nëse ndihesha në rrezik.

Policia Metropolitane thotë se e marrin shumë seriozisht urrejtjen në internet dhe se çështja ime është nën hetim aktiv.

Këshilli Kombëtar i Shefave të Policisë thotë se policia i merr seriozisht të gjitha raportet e komunikimeve me qëllim të keq dhe do t’i hetojë ato, por duhet t’i japë përparësi burimeve të limituara. Ata thotë se mund të ndërmarrin veprime të tjera përveç arrestimeve.

Zgjidhjet?

Draft propozimet nga OKB për t’i bërë kompanitë e mediave sociale të mbrojnë gratë më mirë janë ndarë ekskluzivisht me Panorama-n. Ata po bëjnë thirrje që platformat e mediave sociale të prezantojnë etiketa për llogaritë që kanë pasur histori të dërgimit të abuzimeve mizogjene. Ata duan të shohin më shumë moderatorë njerëzor që marrin vendime për materiale ofenduese si dhe një sistem paralajmërimi të hershëm për përdoruesit kur ata mendojnë se abuzimi online mund të përshkallëzohet në dëm real.

“Ne do të donim që dhuna online me bazë gjinore të trajtohej të paktën aq seriozisht sa u trajtua dezinformimi gjatë pandemisë”, shpjegon Julie Posetti e cila drejtoi kërkimin që nxiti këto rekomandime.

“Unë mendoj se ne duhet ta sfidojmë gjendjen aktuale. Unë nuk mendoj se është në interesin e askujt që gratë abuzohen vazhdimisht, në një mënyrë që burrat nuk e përjetojnë. E sidomos nuk duhet të mendojmë se kështu është mënyra se si gjërat funksionojnë”, thotë Ruth Davidson.

Për gratë e të gjitha moshave – duke përfshirë edhe veten – kjo do të thotë se duhet të refuzojmë ngacmimet që marrim në mediat sociale.

Marianna Spring

E përktheu: Riola Morina

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.bbc.com/news/uk-58924168