Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Game of Thrones dhe teoria e feminizmit në Marrëdhënie Ndërkombëtare

Aurel Haxhiu 10.3.2021

Meqë, gjinia dhe patriarkati janë çdo kund, ato formësojnë edhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare (këtu e tutje MN), prandaj kjo bën që Feminizmi të jetë qasje e re në politikën ndërkombëtare. Analiza e feminizmit fillon me gjininë dhe bën përpjekje për të vënë në pah se maskuliniteti dhe feminiteti janë mënyra sesi kategorizohet dhe organizohet bota, madje edhe në marrëdhënie mes shteteve dhe organizatave ndërkombëtare. Kjo qasje relativisht e re në MN, tregon se marrëdhëniet ndërshtetërore veprojnë në hierarki, të cilat institucionalizojnë pabarazinë gjinore. Ku gjinia[1] në thelb paraqet diskursin e fuqisë dhe dominimit midis dy konstruksioneve kryesore shoqërore: burrave dhe grave. Ky është një koncept që krijon dhe ruan patriarkatin si një sistem ku gratë janë të varura nga burrat, të paktën kështu argumentojnë feministët për MN.

Shumë studiues shpjegojnë teorinë feministe të MN me një citat: “Feminizmi bën analizimin e MN përmes pikëpamjeve gjinore”. Ky studim, përmes pikëpamjeve gjinore të politikës ndërkombëtare filloi në vitin 1998, pas pranimit të faktit se gjinia është përcaktuese e koncepteve të MN-së siç janë paqja, lufta, të drejtat e njeriut, shoqëria civile, diplomacia dhe marrëdhëniet ekonomike globale. Më tej, feministët filluan të studiojnë marrëdhëniet ndërkombëtare në mënyra të ndryshme për të shpjeguar lidhjet, shkakun dhe efektet e hierarkisë gjinore edhe në marrëdhëniet  ndërshtetërore. Këto, janë baza themelore e feminizmit në MN, megjithëse ekzistojnë një larmi pikëpamjesh dhe kuptimesh rreth politikës ndërkombëtare brenda studiuesve feministë. Dallimi më i famshëm i këtyre qëndrimeve është midis: 1) feminizmit (standpoint feminism); dhe 2) feminizmit radikal[2].

Teoria e feminizmit është një koncept që shpjegon politikën ndërkombëtare si shkencë shoqërore ku gratë përjashtohen. Përfaqësuesja kryesore e kësaj teorie është studiuesja J. Ann Tickner. Ky këndvështrim në MN eksploron institucionet kryesore, format dhe normat e politikave ndërkombëtare që krijuan mekanizma për të përjashtuar gratë nga politika botërore. Ndërsa, feminizmi radikal, shpjegon se politika shtet në shtet nuk mund të ekzistojë pa ndihmën e grave, por, problemi është që puna e grave nuk bëhet publike, prandaj asnjë kontribut nuk u atribuohet atyre. Ky shpjegim përpiqet të vë në pah faktin se aktivitetet kryesore shoqërore të diplomatëve ishin të organizuara nga gratë si bashkëshorte të tyre. Një teoriciente që përfaqëson këtë fushë është Cynthia Enloe.

Feminizmi Vs teoritë e tjera të MN – një perspektivë nga Game of Thrones

Feminizmi si qasje është e re në shpjegimin e MN, siç u përmend më herët. Megjithatë edhe pse është një teori e re, ajo përdorë institucionet që janë përcaktuar tashmë nga teoritë më të njohura të MN, duke qenë ato: realizmi, liberalizmi dhe konstruktivizmi. Prandaj, është e sigurt të argumentohet se feminizmi ndërlidhet me disa pjesë të këtyre teorive, përderisa edhe sfidon thellësisht disa prej këtyre qasjeve. Për të bërë këto krahasime, së pari duhet të sqarohet sesi teoritë e tjera i shohin dhe i kuptojnë MN, prandaj është e rëndësishme të përmbledhim shkurt secilën nga to.

Realizmi si teori shpjegon politikat ndërkombëtare përmes aktorit kryesor: shtetit. Realizmi argumenton se shtetet janë të interesuara në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë, prandaj, në raste të kërcënimeve kjo qasje pranon se për ruajtjen e fuqisë shtetërore përdoret lufta si mekanizëm. Në anën tjetër, feminizmi fillon duke kritikuar Realizmin, për pikëpamjen e tij të centralizuar të politikës ndërkombëtare, duke njohur vetëm shtetet si akterët kryesorë dhe të vetëm të MN. Kur realistët përdorin citate si “shtetet ekzistojnë për të mbrojtur interesin kombëtar”, feministët pyesin se “kush përcakton interesin kombëtar të shtetit brenda vendit?”, dhe “A përfshihen gratë në përcaktimin e politikave të jashtme?”. Për të kuptuar më mirë dallimet, mund të marrim një shembull paralel nga prespektiva e dy adhuruesve të Game of Thrones (këtu e tutje GoT), që argumentojnë se cila Shtëpi (House) është më e rëndësishmja në zhvillimin e serisë. Në këtë debat fansi realist do të thoshte që GoT është një bashkëveprim i akteve dhe skenave që janë ndërtuar mbi Shtëpitë si kategoritë kryesore, ndërsa nga ana tjetër do të kishim fansin Feminist që do të argumentonte se GoT nuk është ndërtuar vetëm në marrëdhëniet e Shtëpive, por, është i ndërtuar edhe mbi  individët që kanë rol kryesor në dramat që zhvillohen. Për më tepër, tifozi feminist do të zhvillonte të kuptuarit mbi serialin, duke u munduar të jap përgjigje në pyetjen nëse marrëdhëniet midis Shtëpive kryesore do të ishin të ndryshme nëse më shumë gra do të ishin udhëheqëse mbretërish.

Në kontrast me Realizmin, Liberalizmi pranon që shtetet kanë një rol në MN, por thekson më shumë rolin e individit në krahasim me rolin e shtetit. Ashtu si Realizmi edhe Liberalizmi i sheh politikat botërore si një konkurim shtetesh që dëshirojnë të kenë pushtet mbi të tjerët në interes të kombit të tyre. Pra, Liberalizmi i shpjegon MN si një luftë për të gjetur një konsensus botëror, me mekanizma të tillë si arsimi dhe institucionet ndërkombëtare të cilat promovojnë ekonominë dhe interesin e individit. Nga kjo qasje, dikush mund të argumentojë se Feminizmi nuk duket se është i ndryshëm nga Liberalizmi, pasi që të dy këto teori argumentojnë rëndësinë dhe rolin e individit në MN. Sidoqoftë edhe pse Feminizmi si teori është më afër Liberalizmit, këto dy teori kanë ndryshime dhe mosmarrëveshje me njëra tjetrën. Kur Liberalizmi argumenton interesin ekonomik dhe tarifat e tregtisë, është Feminizmi ai që shpjegon pabarazitë ekonomike që ndikojnë kryesisht tek gratë në mënyrë jo proporcionale. Feminizmi argumenton se struktura kapitaliste është një strukturë patriarkale dhe se ajo margjinalizon pjesëmarrjen dhe kontributin e grave në ekonomi, pasi që shumica e punës së tyre reflektohet në mjedise të ekonomisë jo-formale, të paligjshme ose të papaguar, që nuk përfshihen në vlerësimet ekonomike.[3] Rrjedhimisht, në mënyrë që t’i shpjegojmë këto ndryshime nga prespektiva e GoT, është e rëndësishme që të ofrohen disa njohuri rreth mekanizmave ekonomikë nga seriali, të cilat do të viheshin në pah nga fansat liberal, nëse edhe ata do të inkuadroheshin në debatin e sipërpërmendur në mes te realistëve dhe feministëve.  Adhuruesi liberal, do të pranonte që ka Mbretëri dhe Shtëpi që janë të rëndësishme, por do të theksonte se udhëheqësit përpiqen të gjejnë një konsensus dhe të qeverisin në paqe, për ç’arsye kanë krijuar edhe Fronin e Hekurt[4] (Iron Throne) dhe mekanizma të tillë si Banka e Hekurt[5] e Braavos[6] (Bravos Iron Bank). Siç mund ta dimë tashmë, realisti do kundërshtonte duke thënë se në GoT nuk kishte paqe të vërtetë dhe se i gjithë seriali karakterizohej nga luftëra të vazhdueshme midis Shtëpive dhe Mbretërive për Fronin e Hekurt. Admiruesi feminist do të argumentonte se Froni i Hekurt dhe mekanizmat e tillë si Banka e Hekurt e Braavos nuk ishin mbështetëse të grave udhëheqëse. Përkundrazi, sipas pikëpajmes feministe, këto mekanizma gjatë dramës kishin shërbyer vetëm për të margjinalizuar udhëheqëset si Daenerys Targaryen.[7]  Tutje, një feminist do kontribuonte në debat, duke sjellur shembuj të qeverisjes së House Stark[8] nga Lady Stark,[9] apo edhe House Tyrell,[10] të cilat nën udhëheqjen e grave të shumtën e herave nuk e pranuan luftën si mjet. Përkundrazi, feministi do theksonte se gratë udhëheqëse në GoT përdornin mekanizma të tjerë për ndërtimin e paqes përmes martesave, si formë e bashkëpunimit afatgjatë në mes të Mbretërive.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, Konstruktivizmi si ide shpjegon MN, duke tentuar të shpjegojw botën si një konstrukt shoqëror. Konstruktivistët argumentojnë më shumë për vetë natyrën e realitetit dhe diturisë. Për më tepër, edhe në mes të Konstruktivizmit dhe Feminizmit ka ngjashmëri në qasjen ndaj MN. Sepse, feministët argumentojnë që gjinia është një konstrukt shoqëror e jo një identitet biologjik siç edhe konstruktivistët kuptojnë MN si një strukturë identiteti. Për të kuptuar më shumë nga kjo, kemi shembullin e famshëm të Alexander Wendt, që pohon se 500 armë bërthamore britanike kanë qenë më pak kërcënuese për Shtetet e Bashkuara sesa 5 armë bërthamore të Koresë së Veriut. Wendt thekson se ky kërcënim nuk është shkaktuar nga vetë armët bërthamore, por nga ajo që bota i jep kuptim kësaj strukture materiale. Pra, ajo që pohon konstruktivizmi është se MN ka identitete të caktuara, dhe ato shfaqen si konstrukte të krijuara me kalimin e kohës që kanë të bëjnë me përceptimin e realitetit. Kjo drejton konstruktivistët në besimin se normat, e fuqia e identitetit dhe vetë identiteti janë faktorët kryesorë të realitetit, botës dhe politikës botërore. Sidoqoftë, Feminizmi dhe Konstruktivizmi kanë dallime në një farë mase, edhe pse që të dy teoritë e shohin realitetin përmes thjerrëzave të teorive postkoloniale. Feminizmi përcakton politikën botërore përmes dy koncepteve kryesore si pushteti dhe gjinia, kurse gjithçka tjetër e sheh si një manifestim të këtyre ideve në formën e politikës botërore, shteteve dhe marrëdhënieve të institucioneve ndërkombëtare. Ky nuk është rasti me Konstruktivizmin, pasi që kjo rrymë kupton dhe shpjegon fuqinë më shumë si një element të jashtëm sesa një element konstruktiv. Për ta shpjeguar këtë më qartë, sërish mund të kthehemi tek dialogu i imagjinuar mes adhuruesve të serisë GoT, por tani me një ndryshim të vogël ku edhe një akter tjetër i është bashkuar diskutimit, duke qenë ky fansi konstruktivist. Ai argumenton se marrëdhëniet midis Shtëpive në vetvete janë ndërtuar me kalimin e kohës si konstrukt i fuqishëm që prodhon aleanca në mes tyre dhe krijon besime e perceptime rreth mbretit të ardhshëm e të ligjshëm të fronit të 7 Mbretërive[11] (7 Kingdoms). Të kuptuarit e GoT përmes pikëpamjes së Konstruktivistit, do të nënkuptonte se dikush ia atribuon vlerën e serialit  mjeshtërisë sw ndërtimit të së kaluarës, historisë dhe marrëdhënieve në mes të Shtëpive e personazheve. Rrjedhimisht, pyetja tipike e një Konstruktivisti do të ishte se pse pas rebelimit dhe disfatës së Mbretit të Çmendur[12] (Mad King), Edward Stark[13] udhëheqësi i Familjes Stark do të pranonte të bënte Robert Baratheon Mbretin e ardhshëm të 7 Mbretërive, kur ishte e qartë se ai nuk kishte karakterin, mençurinë dhe njohuritë për të udhëhequr? Ose nga ana tjetër pse Robert Baratheon[14] pasi mposhti Mbretin e Çmendur, do të urdhëronte një vrasës për pasardhësit e Targaryens,[15] kur nuk ishin një kërcënim për mbretërinë e tij? Këto dy koncepte për një konstruktivist do të ishin prova se rreziku, politika, drejtësia përcaktohen jo nga vetë personazhet, por nga idetë dhe besimet të cilat i rrethojnë ata, duke i bërë të veprojnë në përputhje me ato norma.

Për fund, nëse do të imagjinonit një dialog të tillë që ndodh nga këto pikëpamje është e rëndësishme të kuptoni se secila prej këtyre teorive shpjegon marrëdhëniet dhe fenomenet shoqërore duke filluar nga një perspektivë e caktuar. Rrjedhimisht, në këtë dialog nuk ka vend për absolutizma se çka është e drejtë dhe e gabuar, por ka hapësirë për koncepte dhe pikëpamje nga të cilat mund të shpjegohet bota, për të avancuar njohuritë për MN. Prandaj, feminizmi si teori ka të drejtë të thotë që gjinia është kudo, por kjo nuk e bën të saktë aksiomën se gjinia është gjithçka.

Shkruajnë: Aurel Haxhiu dhe Aurora Mullatahiri

Pikëpamjet e autorit dhe autores nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e QIKA


[1] “Gjinia” nuk është një sinonim për termin “seks”, ose term që përcakton dallimet biologjike midis burrave dhe grave, përkundrazi i referohet ndërtimit kompleks shoqëror të identitetit të burrave dhe grave … [dhe] sjelljet … e tyre karshi njëri tjetrit. Tricia Ruiz. (). Feminist Theory and International Relations: The Feminist Challenge to Realism and Liberalism, faqe 1, marrë nga: https://www.csustan.edu/sites/default/files/honors/documents/journals/soundings/Ruiz.pdf

[2] Po aty

[3] Po aty, faqe 5

[4] Froni i Hekurt ishte sinonim i monarkisë që sundon 7 Mbretëritë dhe autoritetit të monarkisë.

[5]  Banka e Hekurit është banka kryesore e Braavos. Është një nga bankat më të pasura të botës në GoT, dhe shpesh u jep hua politikanëv dhe vet Mbretit të 7 Mbretërive.

[6] Braavos është njëri nga qytetet më të pasura dhe më të fuqishme në Essos.

[7]  Daenerys Stormborn e Shtëpisë Targaryen, është Mbretëresha e Andals dhe të Burrave të Parë (First Men), Mbrojtëse e 7 Mbretërive, Nëna e Dragonjëve, Khaleesi e Great Grass Sea, e padjegshme, thyesja e zinxhirëve të skllavërisë. Ajo ka qenë trashëgimtare e ligjshme e Fronit të Hekurt.

[8]  Shtëpia Stark është Mbretëri, e cila mbretëron në veri në Winterfell.

[9]  Lady Stark është Catelyne Stark bashkëshortja e Eddward Stark, dhe është këshilltarja dhe drejtuesja e Winterfell pas vdekjes së burrit të saj.

[10] ShtëpiaTyrell of Highgarden është një nga Shtëpitë e Mëdha të 7 Mbretërive ku politika bëhet kryesisht nga gratë.

[11] 7 Mbretëritë, ashtu siç qëndruan pas bashkimit nga Aegon dhe para Rebelimit të Robertit, përbehen nga: The North; The Vale; The Iron Islands; The Riverlands; The Crownlands; The Stormlands; The Westerlands; The Reach; dhe Dorne.

[12]  Mbreti Aerys II Targaryen u quajt “Mbreti i Çmendur”. Ai ishte anëtar i ShtëpisëTargaryen që drejtoi 7 Mbretëritë nga Froni i Hekurt.

[13]  Eddard Stark, është udhëheqësi i Shtëpiseë Stark, Lord i Winterfell dhe Gardiani i Veriut. Ai është një mik i ngushtë i mbretit Robert I Baratheon, mbret i Fronit të Hekurt.

[14]  Mbreti Robert I Baratheon ishte sundues i 7Mbretërive, zyrtarisht i njohur si Robert i Shtëpisë Baratheon që ishte udhëheqësi i forcave të rebelimit kundër sundimit të Mbretit Aerys II Targaryen

[15] Viserys dhe Daenerys, janë pasardhësit e fundit nga Shtëpia Targaryen.

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë

Pse kaq pak burra punojnë si mësimdhënës në nivelin parashkollor?

16.1.2024

Rolet gjinore janë të ushtruara sistematikisht në shoqëri, duke e shtrirë pushtetin përmes stereotip

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren Kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për n

Punë n’punë e punë n’shpi

8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që

Pse vajzat nuk po zgjedhin shkollat profesionale?

6.12.2023

Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drej

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nëpër prokuroritë e Kosovës

31.10.2023

Për të arritur një shoqëri të lirë nga dhuna në familje, është thelbësore që Kosova të vazhdojë përp