Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Motërzimi si mjet kundër shtypjes në rrëfenjën e Margaret Atwood

Riola Morina 25.7.2023

“The Handmaid’s Tale” (Rrëfenja e Shërbëtores) shkruar nga Margaret Atwood është një roman distopian që zhvillohet në të ardhmen e afërt ku një regjim totalitar i njohur si Gilead ka zëvendësuar qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Tregimi i romanit ndjek Offred-in, një Shërbëtore të cilës i është marrë identiteti, të drejtat dhe autonomia riprodhuese. Shërbëtoret si lloji i saj ekzistojnë vetëm me qëllimin për të lindur fëmijë për klasën në pushtet dhe jetët e tyre janë të mbushura me shtypje, mbikëqyrje dhe frikë të vazhdueshme.

Shoqëria në Gilead portretizohet si një shoqëri e zymtë ku gratë janë të shtypura dhe pa të drejta mbi jetët e trupat e tyre. Në këtë regjim totalitar, motërzimi dhe solidariteti qëndrojnë si elemente vendimtare për mbijetesën dhe rezistencën. Në jetën reale, motërzimi ka rëndësi jetike në luftën kundër shtypjes. Përballë padrejtësive sistematike, motërzimi siguron një rrjet mbështetës që amplifikon zërat, njeh përvojat dhe nxit forcën kolektive. Nëpërmjet solidaritetit, gratë me prapavijë, identitet dhe sfida të ndryshme kanë mundësinë të bashkohen, duke pranuar kështu se çlirimi i tyre individual është i ndërlidhur me atë kolektiv. Megjithatë, ky shkrim tenton të eksplorojë ndikimin e mungesës së motërzimit dhe solidaritetit në roman, duke shqyrtuar se si kjo mungesë kufizon fuqizimin e personazheve gra për të sfiduar sistemin shtypës.

Edhe pse ngjarjet e romanit janë të vendosura në një të ardhme fiktive, disa aspekte të tij i ngjajnë kontekstit historik të të drejtave të grave në kohën kur u botua romani. Kjo periudhë kohore (1985), u karakterizua nga Feminizmi i Valës së Dytë dhe premisat e tij të bashkimit kundër një “shtypësi të përbashkët”, i cili më vonë u kontestua nga premisat e ndërthurjes të sjellë gjatë Valës së Tretë. Teoricienja feministe bell hooks në shkrimet e saja gjatë këtyre viteve thotë se “në vitet e fundit disa feministe duket se mendojnë se uniteti midis grave është i pamundur duke pasur parasysh dallimet e tyre. Por, braktisja e idesë së motërzimit dobëson dhe zvogëlon lëvizjen feministe. Solidariteti forcon luftën e rezistencës. Nuk mund të ketë lëvizje feministe me bazë masive për t’i dhënë fund shtypjes seksiste pa një front të përbashkët.”

Megjithatë, Grace Li në analizën e saj mbi romanin argumenton se nivelet ekstreme të patriarkatit të Gilead-it shkatërrojnë lidhjet tashmë të brishta mes grave, gjë që e bën motërzimin gati të pamundur. Ngjashëm, Blaire Palmer pohon se edhe pse marrëdhëniet ndërpersonale midis Offred, Serena Joy dhe Ofglen reflektojnë mundësinë për solidaritet midis grave të Gilead-it, ndarja e grave midis klasave e bën të vështirë arritjen e solidaritetit.

Motërzimet jetëshkurtra në “The Handmaid’s Tale” në roman sfidohen nga shumë faktorë të jashtëm. Një nga këta faktorë është pengesa hapësinore. Pjesa më e madhe e ngjarjes në roman zhvillohet në Qendrën e Kuqe, vendi ku trajnohen Shërbëtoret. Kjo hapësirë mund të shihet si simbol i shtypjes por edhe i solidaritetit. Pavarësisht mbikëqyrjes së rreptë, Shërbëtoret gjejnë mënyra për të komunikuar fshehurazi, duke përçuar mesazhe ose duke shkëmbyer shikime për të përcjellë solidaritet. Këto veprime të fshehta në Qendrën e Kuqe i ndihmojnë ato të ruajnë lidhjet mes vete.

Pavarësisht pamundësisë për të përdorur emrat dhe historitë e tyre të vërteta, Shërbëtoret gjejnë mënyra alternative të komunikimit: “Mësuam të pëshpëritnim pothuajse pa zë… Mësuam të mbulonim buzët… Në këtë mënyrë shkëmbenim emrat, nga shtrati në shtrat: Alma, Janine, Dolores, Moira, June”. Këto ndërveprime luajnë një rol thelbësor në ruajtjen e ndjenjave të tyre të vetëidentifikimit. Megjithatë, lidhjet që ato përpiqen të krijojnë tendosen dhe thyhen sa më gjatë që ato qëndrojnë në Qendrën e Kuqe. Rreziqet e ndërmarra për t’u siguruar që të vërtetat e tyre do të njihen dhe përcillen tregojnë për rëndësinë e vetë-identifikimit që Shërbëtoret mbajnë përpara se t’i nënshtrohen shtypjes. Këto ndërveprime paraqesin herën e vetme në roman kur Offred përdor emrin e saj të vërtetë (June). Është moment domethënës, sidomos në kuptimin që emri i saj i vërtetë përmendet vetëm në kontekstin e shkëmbimit të historive mes grave. Offred referohet si Offred për pjesën tjetër të romanit, pasi June mund të ekzistojë vetëm brenda këtyre hapësirave të përbashkëta të Qendrës së Kuqe. Megjithatë, romani nuk jep një përfundim të qartë për Qendrën e Kuqe, kështu duke lënë fatin e saj të hapur për interpretim.

Një faktor tjetër sfidues është ndarja ndërmjet klasave. Në një shoqëri të tillë si Gilead-i, ku më shumë se si njerëz, këto gra trajtohen si mjete prodhimi, motërzimi është pothuajse i pamundur. Kur një miqësi mes Offred dhe Serena Joy fillon, ajo rikthen dinamikën e personazheve të romanit dhe jep një lloj shprese për formimin e një sistemi mbështetës. Para Gilead-it, Offred u rrit në një familje feministe dhe merrte pjesë në protesta, ndërsa Serena Joy mbante pikëpamje tmerrësisht konservatore mbi riprodhimin. Pavarësisht kësaj, të dyja ndanin një të kaluar të ngjashme. Takimi i tyre gjatë një prej drekave në roman ndez shenjat e para të miqësisë.

“A e mban mend ndokush emrin e asaj kafenesë në Boylston?…Ishte e jashtëzakonshme. Ushqimi ishte i mrekullueshëm dhe kishte në meny një omlet fantastik me patate”, pyet Offred. “Magnolia’s”, përgjigjet Serena Joy. “Aty përgatisnin petullat më të shijshme me arra. Kush e di, ndoshta kemi qenë aty në të njëjtën kohë”, shton ajo.

Megjithatë, pozitat e tyre të pabarabarta në shoqëri përbëjnë një pengesë në aleancën e tyre. Serena Joy është gruaja e komandantit të cilit i shërben Offred dhe ajo poashtu qëndron në një klasë shoqërore më të lartë se Offred. Kjo tregon se regjimi i Gilead-it i distancon këto dy gra nëpërmjet mjeteve të ndarjes. Një shembull i çekuilibrit të fuqisë midis këtyre personazheve është kur Serena duhet t’i japë leje Offred-it për të hyrë në shtëpi nga dera e përparme. Ky veprim i thjeshtë krijon një cenueshmëri në pozicionin e Offred. Gilead-i përdor gjithashtu mjetet e ndarjes duke i vënë Shërbëtoret dhe gratë në pozita të tilla që krijojnë mundësinë që ato të urrejnë njëra-tjetrën. Sistemi i nënave surrogate në Gilead nënkupton që Komandantët kryejnë marrëdhënie seksuale me Shërbëtoret, në këtë rast bashkëshorti i Serena Joy kryen marrëdhënie me Offred-in. Kjo i ndan qartë dy gratë. “Serena ka filluar të qajë. Unë e dëgjoj atë qartazi dhe kjo nuk është hera e parë. Ajo gjithmonë e bën këtë, natën e marrëdhënies”. E qara e Serenës është simbolikë e zemërimit që ajo ndjen ndaj burrit të saj që kryen marrëdhënie me një grua tjetër dhe njëkohësisht urrejtjen që Gilead-i po i krijon asaj ndaj Offredit. Kjo urrejtje e shkaktuar nga pabarazia mund të shihet edhe tek gratë brenda së njëjtës klasë, si p.sh. nga marrëdhënia e Offred-it dhe Ofglen-it. Në mendjen e saj, Offred kupton se Ofglen-it i është dhënë detyra që ta shoqërojë atë në treg çdo ditë në mënyrë që t’i shërbejë rolit si spiune të njëra-tjetrës.

Së fundi, mizogjinia e përbrendësuar shërben si një faktor që paraqet gjithashtu një sfidë të rëndësishme për motërzimin dhe solidaritetin në roman. Një nga këto personazhe me sjellje mizogjene të përbrendësuar është Lydia, e cila është një figurë e shquar brenda Gilead-it dhe luan një rol të rëndësishëm në indoktrinimin dhe trajnimin e Shërbëtoreve. Pavarësisht se është grua, Lydia përqafon rolin e saj si zbatuese e ideologjisë së Gilead-it dhe aktivisht merr pjesë në nënshtrimin e grave të tjera. Fjalimet dhe mësimet e saj demonstrojnë një mizogjini të përbrendshme të rrënjosur thellë, pasi ajo mbështet besimin se gratë duhet të pranojnë rolet e tyre të caktuara dhe të jenë bashkëpunëtore në shtypjen e tyre. Me praninë e këtyre lloj personazheve, romani sugjeron se nën një sistem shtypës, gratë kanë tendenca të përvetësojnë besimet dhe sjelljet e imponuara mbi to. Sjelle të cilat eventualisht mund të shuajnë dëshirën për unitet kundër një shtypësi të përbashkët.

Edhe pse gratë e Gilead-it bëjnë çmos për t’i rezistuar shtypjes që ushtrohet ndaj tyre duke krijuar marrëdhënie shoqërore me gra të tjera, fare në fund kjo aspiratë dështon. Dështon formimi i një rezistence kolektive, kryesisht për shkak të ndarjeve të qarta të pushtetit mes tyre dhe mizogjinisë së përbrendësuar.

Pra, përpos si një paralajmërim se si do dukej një botë ku gratë nuk kanë fuqi dhe autoritet mbi trupat e tyre, “The Handmaid’s Tale” shërben edhe si udhëzues për rrugën e grave deri te formimi i motërzimit dhe rrjeteve të solidaritetit.

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë

Pse kaq pak burra punojnë si mësimdhënës në nivelin parashkollor?

16.1.2024

Rolet gjinore janë të ushtruara sistematikisht në shoqëri, duke e shtrirë pushtetin përmes stereotip

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren Kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për n

Punë n’punë e punë n’shpi

8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që

Pse vajzat nuk po zgjedhin shkollat profesionale?

6.12.2023

Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drej

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nëpër prokuroritë e Kosovës

31.10.2023

Për të arritur një shoqëri të lirë nga dhuna në familje, është thelbësore që Kosova të vazhdojë përp