Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Thyerjet që s’i sheh askush

Rreze Abdullahu 1.12.2025

Në verën e vitit 2020 lindi Liro. Lindi në korrikun plandosës nga të nxehtit, por jo vetëm, lindi në izolimin total të lëvizjes dhe frikës nga pandemia. Nuk isha njeriu i vetëm që i ishin krijuar ndjesi lufte, kur çdo ditë prisje lajmet e mbrëmjes me një lloj angështie për të marrë vesh për numrin e të vdekurve, apo  për të dëgjuar me zë lajme tmerruese si “vdiq një grua shtatzënë nga covidi”. Kjo situatë stresuese ishte shndërruar në normalitet, dhe si rezultat mendja kërkonte dozën ditore të emocioneve që njihte, pavarësisht se ishin të dhimbshme. Lajmet për humbjen e jetëve të njerëzve ishin bërë të njohura dhe truri preferonte të rikthehej atje për tu ndier normal, në zonën e rreme komfore.

Çanta ime e maternitetit ishte e mbushur me dezinfektantë dhe faculeta shtesë, me të cilat orë e çast  fshija shtratin dhe gjërat që më duhej të prekja. E mbaj mend një grua që e kishin futur në dhomë me mua; spitali po mbushej nga gra që duhej të lindnin, dhe unë duhej ta ndaja hapësirën me dikë, sado që ky fakt më fuste frikën dhe më bënte t’i shihja të gjithë si armiq.

Ajo po bëhej gati për të lindur fëmijën e tretë dhe nuk ishte aspak nervoze si unë, madje më dha një këshillë që kur të shkoja në tualet të bëja kujdes mos e nxirrja beben jashtë. Në vendin ku unë jetoja, sigurisht se flitej për shtatzëninë e grave, dhe lindjet e fëmijëve, por flitej si gjëja më normale në botë, që të gjitha gratë e mësonin natyrshëm. Përvojat e grave nënvlerësohen, deri në atë pikë sa çdo lindje konsiderohet njësoj, por edhe deri në një ekstrem të tillë, sa për gratë më shpesh thuhet se ato “pollin”, se sa lindin. Gjatë shtatzënisë dhe pak para lindjes bëja kërkime për teknika që do të ma lehtësonin procesin e lindjes dhe hyrjen në rolin e mëmësisë, por edhe përpiqesha të gjeja qendra, apo grupe që ofronin ndarjen dhe shkëmbimin e përvojave, trajnimin profesional për lindje, dhe informimin dhe edukimim për hapat e parë të mëmësisë. Sa më shumë që më afrohej koha e lindjes, aq më shumë doja të kthehesha mbrapa, dhe meqë një gjë e tillë është e pamundur, unë u fokusova tek vetëedukimi për procesin e lindjes, mëmësinë, dhe gjithçka që vinte bashkë me lindjen e fëmijës së parë.

Sidoqoftë, unë ia dola që të kisha një lindje të mbarë falë përgatitjes dhe trajnimit që i kisha bërë vetes, por edhe udhëzimeve të qarta të doktoreshës që asistoi lindjen time; jo vetëm udhëzimet, por shtrëngimin e duarve dhe premtimin se unë dhe bebja do t’ia dilnim, nuk do të vdisnim. Ne ia dolëm, por mëngjesi më trishtoi pafund kur mora vesh se foshnja e gruas që rrinim bashkë në dhomë vdiq, nuk kishte rrahje zemre. Nuk e kam harruar asnjëherë, dhe në çdo datëlindje të Liros kujtohem për të.

Kur pas disa muajve që linda Liron fillova punën, nuk mundesha ta flakë tutje mërzinë e vazhdueshme dhe fajin që ndjeja, derisa nisa të mendoja se roli dhe detyra ime kryesore në jetë ishte të qenit nënë. Në vendin e punës të gjithë më trajtonin me brishtësi. Isha nënë gjidhënëse, dhe Liro ishte vetëm tre muajsh. Drejtori i institucionit ku unë punoja më krijonte hapësira që të shkoja në shtëpi, ta ushqeja të voglin dhe të kthehesha përsëri. Por unë isha e trembur, e hutuar, konfuze, e mërzitur dhe e humbur. Saherë e lija të voglin, e puthja dhe përqafoja sikur të ishte hera e fundit. I merrja erë dhe mezi ndahesha. Netët i  kisha të gjata, dhe ditët edhe më shumë. Fytyra e tij më vizatohej kudo dhe zëri i tij më ndiqte kudo. Më vinte sikur po qante, sikur kishte temperaturë, dhe më kapte panika e zija çantën nga dora dhe ikja nga puna, pa llogaritur përgjegjësinë që kërkohej nga unë. Si mund të mbaja përgjegjësi tjera kur kisha të voglin vetëm tre muajsh në shtëpi?!  Ndjenjat po më rëndonin dhe, e vetme, po e kisha të vështirë të rritesha në rolin tim si nënë.

Muajt dhe vitet që pasuan, u përshkuan me eksperiencat më të vështira të jetës sime. Sapo isha bërë nënë, sapo isha martuar dhe sapo kisha lënë punën në kryeqytet dhe isha kthyer në qytetin e lindjes, të cilin për shtëpi se ndjeva kurrë. Po luftoja me veten si mos më keq, me konfliktin për t’u përshtatur aty ku s’përkisja dhe as nuk do të përkisja kurrë. Liro qante vazhdimisht, dhe kjo mua ma thellonte ndjenjën e tëhuajtjes. Ndihesha e shkëputur nga vetja ime dhe nuk po e kuptoja më se kush isha, çfarë doja dhe çfarë po bëja aty ku isha. Sa më shumë që tentoja të futesha brenda roleve që kisha marrë, aq më shumë tërhiqesha, sepse është e dhimbshme se si diçka kaq e natyrshme si shoqëria, rrethi, të bëjnë të ndihesh sikur po tërheq këmbët rëndshëm nëpër baltë dhe s’do të dalësh kurrë prej andej. Ndjenja e tëhuajtjes më pëshpëriste vazhdimisht se nuk do të mund ta përmbushja si duhet rolin e nënës.

Nuk isha e vetmja që ndihesha sikur kisha humbur, dhe këmbët s’më shtyenin para. Por ishte një rrugë, në të cilën do të duhej të hyja, nën angështinë e përjetimit dhe detyrës së re, por që duhej ta bëja, sadoqë askush s’po ma lehtësonte si proces, vetëm po ma vështirësonte dhe po më bënin të ndihesha e pavlerë, e luajtur mendsh dhe në dhimbje të mëdha psikosomatike, të cilat më janë dashur vite për t’i zbutur. Sepse, kjo është e vetmja mënyrë që ne trajtohemi kur nuk i përshtatemi pritshmërive dhe fatit tonë të paracaktuar, pa fjalë dhe pa zë.

Në rrjete sociale po takoja dhe po bisedoja me njerëz që nuk i kisha takuar kurrë në jetën time, por qe më jepnin shumë ngrohtësi, duke ndarë përvojat e tyre më mua, duke më përqafuar nga atje larg dhe duke më bërë të kuptoja se të tjerët nuk duhet ta diktojnë fatin tënd dhe të fëmijës, dhe se duhet të mësonim të filtronim njerëzit që ishin në gjendje të hapnin dritare të reja kur ndjejmë se po na zihet fryma, përmes të cilave do të hynte dielli, dhe ata të cilët na ngulfasin përditë e më tepër. Njerëzit po më mësonin ta doja veten dhe të ndieja dhembshuri për të, në çastet kur unë veten time e kisha mbështetur për muri.

Krisitn Neff, në romanin e saj “Fierce Self Compaassion”, trajtonte pikërisht konceptin e dhembshurisë ndaj vetes, hapësirën për të trajtuar veten me mirësi, për të kuptuar që jemi pjesë e përvojave të ndryshme njerëzore, dhe që vuajtja në anën tjetër duhet të na shërbejë për të vendosur kufij, të mbrojmë veten nga situata që na dëmtojnë, të veprojmë për të përmbushur nevojat tona dhe të ndryshojmë ato gjëra që ne mendojmë se nuk janë në rregull. Të themi MJAFT!

Edhe unë, edhe të gjitha ne që jemi rritur në kulturën vetë sakrifikuese, e kemi të vështirë ta gjejmë ekuilibrin për të trajtuar veten me mirësi, sepse ekzistojnë pritshmëri shoqërore që e kufizojnë individualitetin dhe nevojat tona për veten, e kufizojnë shprehjen e zemërimit si gra, autonominë tonë si gra dhe nuk e duan fuqinë tonë për ta rimarrë vetën nga situatat e izolimit. E duan “normalen”, dhe normalja është kur ti sapo ke lindur, të dish të bësh një kek të mirë dhe të servosh kafen turke ashtusiç e kanë shijen të tjerët.

 Sigurisht, ka njerëz që gjithçka e kanë më kollaj, por ata janë njerëz “normal”, dhe unë ende përpiqem ta luftoj ndjenjën e mungesës së këtij normaliteti, duke fajësuar veten për “si s’munda të jem normal njëherë në jetë”.

Betejat e thella psikike të individëve në shoqërinë tonë gjithmonë perceptohen me mungesën e të qenit normal, dhe ndikimi i tyre është i pashmangshëm në jetën tonë të përditshme, dhe sigurisht se mungesa e trajtimit të sfidave me shëndetin mendor veç çon në izolim më të madh, dhe vështirësi në funksionimin e përditshëm, siç ndodhi edhe me mua. Ta sqarojmë, se asgjë nga këto nuk do të thotë mungesë e dashurisë për fëmijën!

Më duhet ta pranoj që asokohe nuk isha e mirëinformuar për izolimin social që mund të përjetoja pas lindjes, dhe vite më pas, për mërzinë e vazhdueshme që ndieja dhe që s’mund ta çliroja asnjëherë barrën e rëndë që më kishte rënë mbi supe; thjeshtë ndonjëherë ndieja se bëja mirë edhe të mos ekzistoja fare. Në anën tjetër isha e vetëdijshme për variacione gjykimi që lidheshin me ndjesitë e mija dhe efektet e tij në socializim, stigmatizimin, dhe realitetin që po shembej para meje. Po humbja të gjithë dhe gjithçka, shoqërinë dhe ëndrrat, por meqë çdo grua të afërme që kisha biseduar me të deri më tani, përvojat e tilla I konsideronte normale dhe si “detyrë e nënës”, mua s’më mbeti asgjë tjetër, përvec për 5 vite me radhë, të shikoja, të akumuloja zemërimin, të përpiqesha të përshtatesha, të vdisja përditë nga brenda dhe në fund, të bërtisja që të çlirohesha. MËSOVA TË THOJA MJAFT!

Duke e parë historinë time dhe pezullimin e çdo aktiviteti të mundshëm që mua ma mbante gjallë identitetin, dëgjova një intervistë të Rudina Xhungas, të cilën e kam pasur shumë qejf që nga klasa e shtatë, kur lexova librin e saj “Sikur Anna…”, dhe kuptova se shkrirja e identitetit ndodhë tek të gjitha gratë njësoj. Vetja humbet formë dhe shpërbëhet. Mëmësia shkatërron autonominë, dhe i ndërlikon marrëdhëniet me çdo komponent të përfshirë në jetën tënde. Në atë intervistë, ajo shfaqte dorëzimin e saj përballë moshës dhe detyrave të reja që sillnin rolet  gjinore, si nënë, si bashkëshorte, si bijë, por vetëm si shkrimtare jo. Kishte hequr dorë nga shkrimi, sepse të shkruarit ishte diçka që kërkonte guxim, dhe me kalimin e kohës gratë e humbin guximin, sepse shoqëria i frikëson. Ajo sikur fliste nga zemra e dhimbjes, dhe ngjante me gruan e pakënaqur që me zor ka tejkaluar vorbullën e transformimit, për ta zhvendosur vëmendjen tek kaosi, tek konflikti mes pritjeve të shoqërisë dhe realitetit të brishtë. Kisha shumë nevojë të dëgjoja histori të të tjerëve, si mënyrë për të rindërtuar kuptim, dhe t’i krijoja vetes lehtësi kur shikoja se si përvojat tona mund të rrëfehen edhe përmes të tjerëve. Më clironte! Sigurisht se si koncepte I kisha gjetur në librat e Rachel Cusk, pak kohë pas lindjes kur po tentoja të rigjeja veten.

Durimi dhe dashuria e njerëzve me të cilët isha shumë e afërt në atë kohë më ndihmuan ta tejkaloj atë periudhë të vështirë të jetës sime, edhe pse problemet me izolimin vazhduan. Andaj vazhdova të kërkoja libra dhe artikuj ku të tjerë si unë ndanin hallet, problemet dhe sfidat e tyre të ngjashme. Për të shmangur izolimin, e kisha zënë veten me punë: punoja gjatë dhe në dy ndërrime. Në të parin kryesisht këshilloja se si t’u jepnin fëmijëve më shumë dashuri, ndërsa në të dytin kërkoja simptoma që i kundërshtonin çrregullimet neurorozhvillimore te fëmijët. Pa harruar se, sa herë kisha mundësi, lexoja edhe për përvojat e njerëzve në këtë drejtim, veçanërisht ato të grave të reja, që më dukeshin se mishëroheshin me të miat.

Në Kosovë nuk ekzistojnë as qendra, as shërbime që flasin për problemin e izolimit të grave; madje këto përpjekje nuk janë as të pakta, dhe fatkeqësisht evitohen, duke mos lënë mundësi për të ndryshuar gjendjen dhe për t’u përgjigjur nevojave të grave, pa dallim statusi. Por, ka një pikë, që vetëm ato që janë me fat takohen, bisedat me bashkëmendimtare, dhe ndarjet e përvojave aty ku kuptohesh i japin një dimension të ri këtij problemi. Në fund krejt, gjeta një term që shpjegonte problemet e shumë grave, e që quhej “MEDIKALIZIMI I MËMËSISË”, si një thirrje për ta studiuar dhe analizuar në të ardhmen, dhe zhvendosur thelbin e problemit tek kultura patriarkale që i vret gratë përditë, sesa tek antidepresantët që kurojnë jonormalitetin e grave.

_________________________________________________________________________________________________________

Ky artikull është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e QIKA dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF-së, SDC-së, apo Suedisë.

Çka thonë programet politike për drejtësinë gjinore?

21.1.2025

Programet politike që po prezantohen dhe retorika e vazhdueshme e partive politike përpara zgjedhjev

Luftojmë shtypjen gjinore edhe përmes filmit në klasë

18.3.2024

Në kohën e sotme, sfidat për të tërhequr dhe mbajtur vëmendjen e nxënësve brenda mjedisit mësimor ja

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë

Pse kaq pak burra punojnë si mësimdhënës në nivelin parashkollor?

16.1.2024

Rolet gjinore janë të ushtruara sistematikisht në shoqëri, duke e shtrirë pushtetin përmes stereotip

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për n

Punë n’punë e punë n’shpi

8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që