Alb Eng
Për QIKA 1≠1

“Unë po ecja, ai më vinte prapa” – ngacmimi seksual dhe raportimi

Adelina Berisha 25.10.2023

“Unë po ecja, ai më vinte prapa, dikur filloi të më thotë fjalë të pista e ofenduese, ndihesha e frikësuar, por nuk e kam raportuar rastin, nuk e dija se ku duhet e as nuk e dija se kush ishte”.

Janë të shpeshta rastet kur dëgjojmë deklarata të tilla nga vajzat e gratë në Kosovë. Në rrugë, në oborr të shkollës, gjatë orës së mësimit, në punë, gjatë pritjes në radhë për vizitë mjekësore, ditën në mes të rrugës, natën në lagjen ku janë rritur e në secilën hapësirë publike e private.

Ngacmimi seksual është në përgjithësi keqpërdorim i pushtetit dhe kontrollit. Mos raportimi i tij ndërlidhet me frikën që përjeton viktima por edhe me mungesën e një infrastrukture ligjore adekuate që dënon ngacmimin seksual. Statistikisht gratë dhe vajzat janë më shumë më shpesh viktima të ngacmimit seksual. 

Megjithatë, hulumtime të ndryshme na tregojnë se vetëm një numër i vogël i përjetimeve të ngacmimit seksual përfundojnë të trajtuara nga institucionet vendore. Hulumtimi i Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngacmimi seksual në Kosovë” ka gjetur se janë rreth 64.1% e grave që kanë përjetuar ngacmim seksual gjatë tërë jetës së tyre, ndërsa vetëm 4.1% e të anketuarave që kishin përjetuar ngacmim seksual e kishin raportuar atë tek institucionet kompetente.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, ngacmimin seksual e definon si “cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues”. Megjithatë, tek në vitin 2019 ngacmimi seksual u definua si vepër penale në Kodin Penal vendor. Por duket se është bërë pak punë në rritjen e vetëdijes së vajzave e grave, djemve e burrave që ky definicion të kuptohet e aq më pak të rritet vetëdija se ngacmimi seksual përbën një vepër penale të dënueshme me gjobë e deri në 5 vite burgim.

QIKA përmes platformës data.qika.org ka mbledhur të dhëna nga Policia e Kosovës për të parë se sa është raportuar ngacmimi seksual. Të dhënat janë mbledhur që nga viti 2019 deri në fund të vitit 2022. Databaza poashtu ka ndarë të dhënat sipas rajoneve ku është raportuar ngacmimi seksual.

Në total janë vetëm 231 raste të ngacmimeve seksuale të raportuara brenda një periudhe tri vjeçare, ndërsa nëse këto të dhëna i ndajmë sipas rajoneve vërehet se Prishtina prinë me 102 raste të ngacmimeve seksuale të raportuara ndërsa vetëm 13 raste janë raportuar në rajonin e Pejës.

Kushtetuta e Kosovës në nenin 11 ka të integruar Konventën për Eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj gruas e cila ngacmimin seksual e definon si ““Sjellje e padëshirueshme seksuale siç është kontakti fizik dhe afrimi, vërejtjet me ngjyresa seksuale, shfaqja e pornografisë dhe kërkesave seksuale, qoftë me fjalë apo me veprime”, po kjo Konventë bën thirrje për parandalim të çdo forme të diskriminimit ndaj grave me theks të veçantë në luftimin e ngacmimit seksual si një prej formave më të shprehura të diskriminimit në baza gjinore. Ndërsa, po në Kushtetutën e Kosovës, që nga viti 2020 është integruar Konventa për Eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit) e cila poashtu e njeh ngacmimin seksual si formë e dhunës me baza gjinore.

Përveç Kodit Penal, Ngacmimi Seksual është i definuar edhe në disa ligje civile, siç është Ligji Kundër Diskriminimit i cili si sanksion sheh dënimin me gjobë në rast të ngacmimit seksual, Ligji për Barazi Gjinore e sanksionon ngacmuesin seksual me gjobë prej 300 deri në 900 euro, Ligji i Punës i cili dënon ngacmimin seksual me gjobë në vlerë prej 100 deri në 10 000 mijë euro, ndërsa Ligji për Rendin dhe Qetësinë Publike parasheh gjobë në vlerë prej 30 deri në 500 euro në rastet kur dikush në vend publik përdor fjalë ofenduese, me qëllim që të provokoj prishjen e rendit dhe qetësisë publike.

Megjithatë, raportimi i ulët i ngacmimit seksual mbetet shqetësues.

Sfidat që përjetojnë gratë kur raportojnë ngacmimin seksual janë të ndryshme. Gratë duhen të gjejnë prova e dëshmi për ta vërtetuar se ato kanë përjetuar ngacmim seksual, apo ka raste kur viktimat duhet të ballafaqohen me ngacmuesin, gjë që shkakton frikë dhe pasiguri tek ato. Cilësimi i veprës penale është parë poashtu problematik në rastet e ngacmimit seksual, pasi që shpesh zyrtarët policor e kanë cilësuar si një vepër tjetër të ndërlidhur më integritetin seksual, e kjo ka mundur të ndikoj që edhe paditë por edhe hetimet të kenë mangësi.

Një faktor që ka mundur të ndikoj në numrin e ulët të raportimeve të ngacmimit seksual është edhe perceptimi i gabuar rreth ngacmimeve seksuale. I njëjti hulumtim i RrGK kishte gjetur se “74% e kosovarëve besojnë se gratë u shkaktojnë vetë probleme vetes, duke u veshur dhe sjellë në mënyrë provokative”. Poashtu, është gjetur se rreth 40.5% e kosovarëve besojnë se “të rejave u pëlqen të ngacmohen seksualisht”.

Vetëdija e ulët mbi format e ngacmimit seksual dhe njohuritë mbi kornizën ligjore e ndërlidhur me kulturën e “fajësimit të viktimës” ka ndikuar që vajzat dhe gratë të hezitojnë ta raportojnë ngacmimin seksual.

Fatkeqësisht, edhe në përmasa globale, ngacmimi seksual vazhdon të mbetet sfidues. Një hulumtim i realizuar në vitin 2015 tregon se në Bashkimin Evropian 55% e grave kanë përjetuar ngacmim seksual gjatë jetës së tyre, ndërsa 81% e grave në ShBA kanë përjetuar ndonjë formë të ngacmimit seksual.

Ishte lëvizja #MeToo ajo që e solli në sferën publike globale këtë realitet me të cilin po ballafaqoheshin gratë dhe vajzat gjithandej botës. Edhe pse filloi si një fushatë për të alarmuar mbi ngacmimet seksuale që po ndodhnin në Hollivud, shumë shpejtë lëvizjes ju bashkuan gratë e vajzat nga e gjithë bota. Miliona gra ndanë përjetimet e tyre të ngacmimit seksual, dhe për disa vite flitej për ngacmimin seksual, si në botë, ashtu edhe në Kosovë. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi që të rritet numri i grave dhe vajzave që e raportojnë ngacmimin seksual.

Ngacmimi seksual është shkelje e të drejtave të njeriut dhe formë e abuzimit me pushtetin. Prandaj, duhet një angazhim gjithë sketorial për ta adresuar atë. Kjo mund të arrihet vetëm më një angazhim të qeverisë, institucioneve edukative, sektorit privat e shoqërisë civile, me fokus në forcimin e mekanizmave të raportimit e zbatimit të kornizës ligjore, transformimit të normave gjinore dhe krijimit të një ambienti ku viktimat e ngacmimit seksual ndihen të mbështetur/a.

________________________

Ky shkrim është realizuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “JUST REACT”. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, Group for Legal and Political Studies dhe Community Development Fund – CDF.

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë

Pse kaq pak burra punojnë si mësimdhënës në nivelin parashkollor?

16.1.2024

Rolet gjinore janë të ushtruara sistematikisht në shoqëri, duke e shtrirë pushtetin përmes stereotip

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren Kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për n

Punë n’punë e punë n’shpi

8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që

Pse vajzat nuk po zgjedhin shkollat profesionale?

6.12.2023

Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drej

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nëpër prokuroritë e Kosovës

31.10.2023

Për të arritur një shoqëri të lirë nga dhuna në familje, është thelbësore që Kosova të vazhdojë përp