Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Gratë e padukshme

QIKA 1.11.2022

Gratë rome, ashkalike dhe egjiptiane janë ndër grupet më të cenueshme në shoqërinë tonë dhe historikisht janë trajtuar si qytetare të dorës së fundit. Ato përballen çdo ditë me përbuzje, armiqësi dhe diskriminim shoqëror e institucional. Ky hulumtim i realizuar nga QIKA shqyrton natyrën ndërsektoriale të sfidave me të cilat përballen gratë e këtyre komuniteteve dhe vë në pah faktin se ato janë veçanërisht të prekura nga varfëria dhe përjashtimi, sepse përballen me diskriminim në nivele të shumëfishta; edhe si gra, edhe si anëtare të një komuniteti të margjinalizuar etnik. Për më tepër, tradita e martesave të hershme rrit rrezikun e tyre për të përjetuar varfërinë, përjashtimin social dhe dhunën me bazë gjinore, si dhe minon mundësitë e shkollimit, punësimit e pavarësimit.

“Tregtia do të më përshtatej më së shumti si profesion, sepse gjatë fëmijërisë i ndihmoja nënës sime me shitjen e qumështit dhe djathit, të cilin ajo e bënte vetë nga dhentë dhe lopët që i kishim”, thotë Maja Paqanki, një 67-vjeçare egjiptiane nga Gjakova, teksa fliste për dëshirën e saj të madhe për shkollim.

Kjo ëndërr nuk iu realizua asnjëherë, meqenëse babai i saj nuk e lejoi që të shkollohej. Kështu Maja nuk kishte shkuar në shkollë as edhe një ditë. Në moshën 15-vjeçare ajo kishte filluar të punonte në tjerrtore të fabrikës “Emin Duraku”, vend ku punonin edhe shumë të reja e të rinj të Gjakovës.

Kur Maja mbushi 18 vjet, vendosi të shpërngulej për të punuar në Gjermani, ku qëndronte te tezja e vet dhe punonte si mirëmbajtëse në një kompani private. “Në fillim ishte e vështirë, pasi nuk dija shkrim dhe lexim as në gjuhën shqipe e lëre më në gjuhën gjermane, por kisha ndihmën e tezes sime, e cila punonte bashkë me mua”, shpjegon Maja.

Disa vite pas, nëna e Majas ishte sëmurë rëndë dhe ajo u detyrua të kthehej në Kosovë për t’u kujdesur për të. Pas një kohe ballafaqimi me sëmundje, nëna e saj ndërroi jetë dhe kështu barra e punëve të shtëpisë dhe përkujdesja për familjen i kaloi e gjitha Majës.

“Unë si fëmija i parë, mora vendimin më të madh të jetës sime; të mos martohem dhe t’ia përkushtoj gjithë jetën time babait dhe vëllezërve e motrave të mia që ishin më të vegjël”, thotë ajo duke shpjeguar se përkundër këtyre përgjegjësive, iu kthye përsëri punës në fabrikë për shkak se të ardhurat që babai i saj i siguronte nga bagëtia nuk ishin të mjaftueshme për të jetuar.

Maja tregon se si vendimet që mori asokohe, nuk rezultuan në mënyrën më të mirë. Vëllezërit e motrat e Majas u martuan, e kjo mbeti e vetme me vëllain e vogël në shtëpinë që babai ia kishte lënë trashëgimi asaj. “Shumë pak kohë pasi më vdiq babai, më erdhi një letër në shtëpi dhe unë meqë nuk dija të lexoja, letrën ia tregova vëllait tim të vogël. Kur ai e lexoi e më tregoi se për çka bëhej fjalë, gjithçka ndryshoi. Vëllai i madh më kishte paditur për pronën që kisha trashëguar nga babai”, thotë Maja me një ton zhgënjyes. Përkundër të gjitha sakrificave dhe vështirësive, sot Maja lufton për të drejtën e saj në pronë, edhe pse vëllezërit e motrat e tjera konsiderojnë se prona u takon vëllezërve.

Përvojat e Majas, njëjtë si të shumicës së grave të komuniteteve pakicë, demonstrojnë rrugë psiko-sociale dhe strukturore, nëpërmjet të cilave racizmi dhe diskriminimi ndikojnë në mohimin e të drejtave themelore të tyre si qytetare të vendit.

Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët jetojnë në zona të ndryshme të Kosovës dhe japin kontribut thelbësor në shoqëri me traditat dhe kulturat e tyre. Këto komunitete janë të shpërndara në 24 komuna të ndryshme, me një prani më të madhe në komunat si Ferizaj, Fushë Kosova, Gjakova, Peja dhe Prizreni.

Të dhënat e fundit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, tregojnë se në Kosovë jetojnë 8,824 romë, 15,436 ashkalinj dhe 11,524 egjiptianë. Kështu, romët përbëjnë 0.51% të popullsisë në Kosovë, ashkalinjtë 0.89% dhe egjiptianët 0.66%. Sidoqoftë, konsiderohet se këto shifra nuk paraqesin numrin e saktë demografik të komuniteteve pakicë, si pasojë e mosregjistrimit civil të të gjithë pjesëtarëve të komuniteteve, mosregjistrimit të vdekjeve dhe lëvizjet e popullatës në lidhje me migracion dhe riatdhesim.

Në opinionin e përgjithshëm mbi atë se si funksionojnë komunitetet e margjinalizuara, zakonisht fajësohen vetë komunitetet për gjendjen e tyre. Kjo tendencë për fajësim, dërgon në segregim shoqëror dhe shtypje të mëtejshme të këtyre grupeve.

Diskriminimi, analfabetizmi, papunësia dhe mungesa e sigurisë sociale kanë bërë që shumica e anëtarëve të këtyre komuniteteve të jetojnë në margjina të shoqërisë. Zakonisht familjet rome, ashkalike dhe egjiptiane nuk gëzojnë as shërbimet elementare publike. Lagjet ku janë të lokalizuara këto komunitete përgjithësisht kanë infrastrukturë të dobët përfshirë këtu rrugët, pastërtinë e ndriçimin. Për shkak të kushteve të rënduara ekonomike, një numër i konsiderueshëm i tyre jetojnë në shtëpi të improvizuara që shpesh nuk i plotësojnë as kushtet bazike për jetesë. Kur flasim për gratë rome, diskriminimi bëhet i shumëfishtë dhe më i egër.

Varfëri e dhunë

Elma Fetahu, një grua 43-vjeçare e komunitetit rom, jeton bashkë me burrin dhe gjashtë fëmijët në një barakë njëdhomëshe, e cila nuk ka as dritare në Lagjen Brekoc në Gjakovë.

Ajo ishte martuar në moshën 15-vjeçare dhe kishte lindur dy fëmijë. Për shkak të problemeve brenda familjes, Elma u detyrua të ndahet nga bashkëshorti e fëmijët dhe të shkojë të jetojë te prindërit e saj. 

“Unë u ktheva në shtëpinë e prindërve. Ishin momente shumë të vështira për mua, sepse po lija pas dy fëmijë të vegjël, të cilët i braktisa pa dëshirën time. Aq shumë vuajta, saqë me ditë të tëra nuk dilja nga dhoma e vetëm qaja”, tregon Elma.

Ajo tregon se më pas u punësua si mirëmbajtëse në spital, sepse ishte e detyruar të fitonte para, por edhe të kalonte pak kohë jashtë shtëpisë.

“Ngadalë po mësohesha me fatin që kisha, dhe për ta hequr mendjen nga gjërat që më kishin ndodhur vendosa të punoja dhe të kujdesesha për veten time, sepse kohët e fundit aq shumë e kisha lënë veten pas, saqë kur shihesha në pasqyrë, nuk e njihja veten”, thotë Elma.

Në moshën 25-vjeçare, ajo u martua për herën e dytë dhe u bë nënë përsëri.

“Tani unë punoj në një restorant, laj enët. Bashkëshorti im punon ende si mirëmbajtës në varreza. Me ato pak të holla që fitojmë mundohemi t’ua plotësojmë fëmijëve tanë kushtet, por strehimi është ende problem i madh për ne”, thotë Elma.

Nazmije Hasani, një 20-vjeçare rome që jeton në Lagjen 028 në Fushë Kosovë, tregon dëshirën që kishte për të punuar si frizere, por që pasi u martua e re dhe lindi fëmijë nuk kishte mundësi të ndiqte ndonjë shkollim apo kurs profesioni. Fëmijën e parë e kishte lindur kur ishte vetëm 13 vjet, ndërsa tani ka edhe katër fëmijë të tjerë.

“Kam shkuar një herë në qendrën për punë sociale për të kërkuar punë, pastruese ose çkado që ka nevojë, por më kanë thënë që s’po kërkojnë punëtore dhe më kanë larguar jashtë. Pastaj i kam thënë burrit që kam vendosë mos me dalë për të kërkuar punë, sepse vetëm po më largojnë e po më ofendojnë”, tregon Nazmija.

Për shkak të papunësisë së lartë, një pjesë e grave në lagjet e këtyre komuniteteve në Fushë Kosovë detyrohen që të mbledhin mbeturina të riciklueshme si kanoçe, najlon, letër e plastikë për të fituar pak para, sa për të blerë ushqimin e ditës. Sulltane Berisha një grua rome që jeton në këtë lagje thotë se del çdo ditë për të mbledhur mbeturina në kontejnerë, për shkak se nuk ka arritur të gjejë një punë tjetër. “Kur kam shkuar për të kërkuar punë, më kanë thanë që s’ka punë për neve. Për rome s’ka punë”, tregon Sulltanja.

Punën e njëjtë e bën edhe Makfire Ilazi, 40-vjeçare.

Shumica e grumbulluesve të skrapit punojnë me orë të gjata e pa doreza e mjeta të tjera mbrojtëse. Ecjet e gjata, bartja e peshave të rënda dhe qëndrimi me orë afër kontejnerëve rrezikon direkt shëndetin e këtyre grave. Në anën tjetër, fitimi nga kjo punë është shumë i vogël. Zakonisht për punën e gjithë ditës fitojnë jo më shumë se pesë euro në ditë, që në fakt nuk mbulon as shpenzimet bazike të familjeve të tyre për një ditë.

Jeta e rënduar e me probleme mbijetese, shpesh është burim i dhunës brenda familjes. Sipas të dhënave që ka siguruar QIKA nga Policia e Kosovës, përgjatë viteve 2015-2021 janë raportuar 241 raste të dhunës në familje nga komuniteti rom, 239 nga komuniteti ashkali dhe 160 nga ai egjiptian. Më të prekurat nga dhuna në familje janë vajzat dhe gratë.

Sipas të dhënave të MICS për vitin 2020, 57.1% e grave nga komunitetet rom, egjiptian dhe ashkali besojnë se burri është i justifikuar të rrahë gruan e tij. Në pyetjet se kur arsyetohet dhuna, 30.3% e grave kanë menduar se dhuna është e arsyeshme nëse gratë dalin pa i treguar burrit; 48.6% e tyre kanë arsyetuar dhunën nëse ato i neglizhojnë fëmijët; 30.5% nëse gratë debatojnë me burrat; 26.9% nëse gratë refuzojnë të kryejnë marrëdhënie seksuale me ta, dhe 13.7% nëse gruaja djeg ushqimin e përgatitur për darkë.

Qasja e kufizuar në shërbime shëndetësore

Grupet e margjinalizuara dhe grupet e pakicave etnike qasjen në shërbimet shëndetësore e kanë dukshëm më të vështirë. Kjo ndodh për shkak të kushteve të pafavorshme ekonomike, mungesës së informatave, mungesës së politikave që ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës etj.

Sipas të dhënave të raportit të Strategjisë për Përfshirjen e Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Shoqërinë Kosovare 2017-2021, pengesat kryesore për shfrytëzimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor janë kryesisht ato financiare, largësia nga objektet e kujdesit shëndetësor, si dhe kohët e gjata të pritjes. Kështu, 79.5% e pjesëtarëve të komuniteteve pakicë shpesh nuk e vizitojnë mjekun për shkak të pamundësisë për të paguar ilaçet apo trajtimin, 48.8% prej tyre nuk kanë vizituar mjekun për shkak të largësisë, 54.5% për shkak të mungesës së transportit, ndërsa 49.6% e të anketuarve kanë pohuar se kanë anashkaluar vizitat te mjeku për shkak të kohës së gjatë të pritjes.

Vajzat dhe gratë e komuniteteve pakicë janë më të cenuara kur flasim për shëndetin riprodhues, për shkak të varfërisë ekstreme, mungesës së ujit dhe materialeve higjienike.

Stigma që gratë hasin në përgjithësi kur diskutohet shëndeti riprodhues, koncepti se ato duhet të kontrollohen te gjinekologu vetëm kur kanë probleme, racizmi sistematik që i përndjek nëpër dhomat e spitaleve janë disa prej arsyeve që kanë rënduar shëndetin e tyre riprodhues.

“Rrethanat kanë qenë të tilla, ka qenë një grua që na ka ndihmuar me lindë në shtëpi, deri në atë moment se kam ditë as a është djalë a çikë. Madje edhe kur kam abortuar, nuk e kam vizituar mjekun se nuk kam pasur probleme”, thotë Fatime Krasniqi, një grua 59-vjeçare, nga komuniteti egjiptian.

Ndërsa, bashkëthemeluesja e organizatës “The Ideas Partnership”, Elizabeth Gowing, tregon eksperiencën se si kur ka shoqëruar gratë rome në spital për kontrolle gjinekologjike, ato janë diskriminuar dhe nuk janë trajtuar dinjitetshëm. “Shumë herë kam shkuar bashkë me gratë që kanë dashtë me vendosë spirale te mjeku, dhe në njërin prej rasteve mjeku i ka thënë një gruaje se është shumë e papastër për me i vendosë spiralen, ose në rastet e tjera mjeku ka ndarë me mua informata gjinekologjike mbi shëndetin e grave, gjë që shkelë konfidencialitetin”, tregon Gowing.

Kujdesi para dhe pas lindjes është i rëndësishëm, por fatkeqësisht shumë prej grave të intervistuara pohuan se nuk kishin bërë vizita te gjinekologu. Disa prej tyre edhe procesin e lindjes e kishin kryer në shtëpi pa ndihmën e profesionistëve shëndetësorë.

“Pas lindjes së vajzës së vogël, e cila ka 6 vjeç nuk jam vizituar më te gjinekologu”, tregon Safete Hasanaj.

Edhe pse 94,.% e romeve, 99.0% e ashkalikeve dhe 98.1% e egjiptianeve janë kontrolluar së paku një herë nga stafi i kualifikuar mjekësor para lindjes, përqindja e vizitave rrallohet dukshëm përgjatë shtatzënisë, ku në muajin 4-5 të shtatzënisë janë vizituar nga stafi mjekësor vetëm 8.1% e grave rome, 6.2% e ashkalikeve dhe 9.8% e egjiptianeve. Përqindja e vizitave përgjatë muajit të 6-7 të shtatzënisë varion prej 8.4% te romet, 0.0% te ashkaliket dhe 1.3% te egjiptianet. Ndërsa vizitat mungojnë dukshëm mbi muajin e tetë të shtatzënisë, ku të dhënat tregojnë se vetëm 1.3% e egjiptianeve dhe 0.9% e ashkalikeve janë vizituar te mjeku pas muajit të tetë të shtatzënisë. Sa i përket kontrollit pas lindjes, 29.2% e grave të këtyre komuniteteve vizitohen pas javës së parë pas lindjes, ndërsa 63.1% nuk vizitohen asnjëherë pas lindjes.

Mungesa e përfshirjes në planifikim familjar dhe përdorimit të kontraceptivëve, ka shkaktuar shpesh shtatzëni të padëshiruara, numër të madh të fëmijëve dhe aborte te gratë e komuniteteve.

“Nuk përdori masa mbrojtëse sepse nuk kemi kushte, andaj ruhem vetë për mos me mbetë shtatzënë”, tregon Nazmije Hasani. Kjo nuk është një situatë unike vetëm për Nazmijen, njëjtë shprehen edhe gratë e tjera, të cilat thonë se vetëm kur kanë shkuar për të lindur kanë vizituar gjinekologun, ndërsa shumica shprehnin se nuk e dinin se çfarë janë kontraceptivët ose se nuk kanë mundësi t’i blejnë ato.

Përdorimi i kontraceptivëve dallon si për nga përkatësia etnike dhe niveli i arsimit, ashtu edhe statusi martesor. Sipas të dhënave të ASK-së i publikuar në vitin 2014, shkalla e prevalencës së përdorimit të kontraceptivëve tregon një trend në rënie (nga 15% në vitin 2009 në 14% në vitin 2013). Nevoja e paplotësuar për planifikim familjar është 9% për gratë në përgjithësi dhe 18% për gratë rome, ashkalike dhe egjiptiane.

Sipas studimit thuhet se 37.9% e vajzave dhe grave që janë të martuara ose në bashkëjetesë nuk kanë përdorur asnjë metodë kontraceptive, me ç’rast përqindja është më e lartë te zona rurale (39.7%), ndërsa zona urbane (36.4%). Metoda më e shprehur kundër shtatzënisë është ajo tradicionale, pra tërheqje me 49.4%, ndërsa metoda të tjera përdoren dukshëm më pak, ndër to spiralja (3.1%), pilulat (2.3%), kondom për vajza (0.3%) dhe kondom për djem (2.9%).

Ndër të tjera, gratë rome, ashkalike dhe egjiptiane shpesh janë pre e martesave të hershme, ku 12% prej tyre martohen para moshës 15-vjeçare, ndërsa 43% prej tyre janë të martuara ose bashkëjetojnë me partnerët e tyre në moshën 18-vjeçare. Martesat e hershme mund të vijnë edhe si pasojë e mungesës së arsimimit dhe përfshirjes së vajzave e grave të komuniteteve pakicë në tregun e punës. Shpeshherë martesat imponohen nga familja dhe rrethi familjar, ku i detyrojnë vajzat e tyre të martohen në momentin kur ato hyjnë në fazën e adoleshencës.

Minushe Derrin, egjiptiane, tani 57-vjeçare, për shkak të kushteve të vështira ekonomike e detyruan në moshën 16-vjeçare të martohet pa dëshirën e saj. Ajo flet për mënyrën se si rezistonte ndaj këtij vendimi, meqenëse e konsideronte veten ende fëmijë.

“Pasi kisha përfunduar klasën e tetë, doja shumë të shkollohesha, e konsideroja veten akoma fëmijë, kur nëna më tregoi që do të më martonte. Unë me ato mend fëmije që kisha, dola me vrap në oborrin e shtëpisë dhe fillova të luaja me baltë, u bëra pis duke shpresuar që nëna do të hiqte dorë dhe nuk do të më martonte, e do ta kuptonte se unë isha akoma fëmijë dhe nuk isha e gatshme për martesë. Por ishte e kotë, nëna nuk hoqi dorë dhe 1 muaj më vonë u bëra nuse për dikë që nuk e njihja fare e as emrin nuk ia dija,” shpjegon ajo.

Edhe Safete Hasanaj, grua rome nga Gjakova, thotë se martesa e hershme ishte një imponim për të, për shkak të rrethanave në të cilat jetonte.

“Pas një fëmijërie të vështirë, ku nëna më kishte vdekur kur unë isha njëvjeçare dhe babai na braktisi, ne qëndruam së bashku me motra dhe vëllezër, ku ata u kujdesën për mua. Kur të gjithë këta u martuan, babai vendosi të më pranonte në shtëpinë e tij. Me gjithë gëzimin tim, unë e kuptova që ai kishte qëllime të tjera. Ai donte të më martonte, dhe të përfitonte para nga familja që do të martohesha, dhe unë meqë nuk kisha zgjidhje tjetër, sepse po bëhesha barrë për vëllanë, pranova të martohesha me qëllim që se paku të isha e sigurt në strehimin e bashkëshortit”, tregon ajo.

Si rezultat i numrit të madh të fëmijëve dhe kushteve të rënda ekonomike, prindërit (më shpesh baballarët) ua imponojnë vajzave të tyre martesën. E në anën tjetër, vajzat në mungesë të pronës, shkollimit e punësimit, detyrohen t’u nënshtrohen këtyre marrëveshjeve mizogjene dhe patriarkale. Andaj si formë të parandalimit, shumë aktivistë të fushës e shohin ngritjen e vetëdijes mbi pasojat negative të martesave të tilla.

“Çdoherë kur mbajmë diskutime mbi martesat e hershme dhe dëmet që sjellin ato, mundohemi që në diskutim t’i përfshijmë të gjithë anëtaret e familjes, jo vetëm vajzat”, thotë Xhulieta Devolli nga Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkalike dhe Egjiptiane të Kosovës.

Sa i përket qasjes në shërbime shëndetësore për vajzat dhe gratë e komuniteteve pakicë, Aida Morina nga Ministria e Shëndetësisë tha se kjo ministri ka realizuar vizita tek komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian por jo specifikisht me fokus tek gratë e këtyre komuniteteve.

“Megjithatë, duke qenë që prej më shumë se një vit në Kosovë zhvillohet fushata e vaksinimit kundër COVID-19, gratë e këtyre komuniteteve kanë qenë në mesin e grupeve të targetuara. Gjithashtu, në bashkëpunim me komunat, gratë e këtyre komuniteteve, janë pjesë e vizitave mjekësore në shtëpi, ku zakonisht punohet në këshillimin e tyre për çështjet e mbrojtjes shëndetësore dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme”, thotë Morina në përgjigjen për QIKA.

Larg bankave shkollore

Në të gjithë Kosovën, diskriminimi dhe sistemet shkollore jogjithëpërfshirëse sistematikisht i privojnë fëmijët e komuniteteve pakicë nga e drejta e tyre për arsim. Sipas të dhënave nga MICS të vitit 2020, 15% e fëmijëve romë, egjiptianë e ashkalinj janë jashtë sistemit arsimor në nivelin fillor dhe të mesëm të ulët. Në anën tjetër, në nivelin e mesëm të lartë, kjo shifër arrin në 21%. Edhe ata që bëjnë regjistrimin e shkollës, ka të ngjarë të braktisin para përfundimit të shkollimit bazë për shkak të racizmit në shkolla dhe përgatitjes së dobët të shkollave për të plotësuar nevojat e tyre. Shumë fëmijë romë gjurmohen në shkolla speciale dhe klasa për fëmijët me aftësi të kufizuara thjesht për shkak të dallimeve të tyre gjuhësore. Kështu ka boshllëqe të mëdha të barazisë në cilësinë e arsimit të marrë nga fëmijët e komuniteteve të margjinalizuara dhe bashkëmoshatarët e tyre shumicë.

Ky fenomen përbën vetëm njërin prej dimensioneve të diskriminimit me të cilin vajzat nga komunitetet rom, egjiptian e ashkali përballen gjatë gjithë ciklit të tyre jetësor. Boshllëqet arsimore të komuniteteve pakicë kanë gjithashtu një dimension të rëndësishëm gjinor. Përqindja e vajzave nga komunitetet pakicë që regjistrohen në shkollën fillore është vetëm 82.6%, krahasuar me 98.4% për vajzat e komunitetit shumicë.

Këto shifra bëhen edhe më shqetësuese kur flasim për nivelin e shkollimit të mesëm të lartë. Përqindja e vajzave që vijojnë shkollën e mesme të lartë në komunitetin shumicë është 90.4%, ndërsa për vajzat nga komunitet pakicë bie në 30.9%.

Kjo rënie drastike na lë të kuptojmë se shpeshherë problematika e pjesëmarrjes së ulët nuk qëndron krejtësisht te mosregjistrimi, por edhe te mosvazhdimësia e ndjekjes së mësimit, me një fjalë – braktisja. Si çdo problem tjetër shoqëror, edhe braktisja e shkollës nga vajzat e komuniteteve pakicë nuk vjen si pasojë e një faktori të vetëm, por më tepër si një kombinim i tyre; martesat e hershme, diskriminimi me bazë racore e fetare, gjendjet e pafavorshme financiare e shëndetësore – janë vetëm disa nga to.

Shumë vajza nga këto komunitete jetojnë në familje me kushte varfërie që krijojnë pengesa për qasjen e tyre në arsim. Me të ardhura të kufizuara familjare, shumë familje nuk mund të përballojnë kostot përkatëse të ndjekjes së shkollës për fëmijët e tyre e në veçanti për vajzat. Në shumë prej këtyre familjeve është bërë gjithnjë e më e zakonshme që vajzat të braktisin shkollimin për të ndihmuar në aktivitetet ekonomike të familjes.

“Varfëria është një faktor në martesat e hershme, sepse prindërit i martojnë vajzat vetëm për me e largu një konsumator nga ekonomia e tyre familjare. Shumë shpesh prindërit më kanë thënë se nuk kanë luksin për ta dërguar vajzën e tyre në shkollë për shkak se kur dalin gjatë ditës për të kërkuar lëmoshë krijojnë një burim të të ardhurave, ndërsa kur ato vijojnë mësimin kjo nuk ndodh”, tregon Elizabeth Gowing përderisa shpjegon ndërlidhjen e faktorit të varfërisë me diskriminimin e shumëfishtë që përballojnë vajzat nga komunitetet pakicë.

Ofrimi i kujdesit ndaj familjarëve tjerë luan po ashtu rol të rëndësishëm në kuptimin e fenomenit të braktisjes së shkollës. Qysh në mosha të hershme, vajzave shoqëria ua krijon aluzionin se roli i tyre jetësor shpeshherë, për të mos thënë gjithmonë, do të jetë i vendosur brenda mureve të shtëpisë me barrën e kujdesit dhe punëve të papaguara.

“Pesë vite kam ndjekur mësimin, por pastaj e braktisa për shkak se prindërit kanë punuar, kështu mua më është dashur të kujdesem për vëllezërit dhe motrat, si më e madhja nga fëmijët”, tregon Hatiqe Krasniqi nga Fushë Kosova. Ngjashëm me Hatiqen, edhe Elma pohon se mësimin e ndoqi vetëm deri në klasën e katërt, kur nëna, e cila punonte, e detyroi ta ndërpriste shkollimin me arsyen se Elma duhej të kujdesej për punët e shtëpisë, përgatitjen e ushqimit dhe larjen e rrobave.

“Shpesh gjatë orëve të mësimit nuk isha fare e koncentruar, sepse mendjen e kisha në shtëpi se çfarë duhet të bëj, mos kam harruar ndonjë gjë për të bërë, a janë larë rrobat mirë e gjëra të tjera që ishin shumë ngarkesë për mua si fëmijë”, shpjegon ajo derisa përshkruan ato katër vjet në shkollë.

Elizabeth Gowing, e cila punoi për 13 vjet me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, tregon se përgjatë punës së saj është angazhuar shumë që t’ua mundësojë fëmijëve që të vazhdojnë shkollimin dhe përmes organizatës “The Ideas Partnership” u ka ndihmuar në regjistrim, mirëpo ajo shpreh se ishte mjaft sfiduese për vajzat që të vazhdojnë shkollimin si pasojë e martesave të hershme.

“Në vitin 2011 kemi regjistruar 62 fëmijë (9 deri 14 vjet) në shkolla. Pas dy vjetësh, prej atyre që kanë braktisur shkollën shumica kanë qenë vajza, të cilat u përballën me martesa të hershme”, shpjegon ajo.

Në shumë raste, janë prindërit ata që inkurajojnë vajzat e tyre të martohen kur janë ende fëmijë, me shpresën se martesa do të lehtësojë barrën financiare të familjes. Në anën tjetër efekti i martesave të hershme në gërshetim me mungesën e sigurisë në hapësira publike, shpesh çon në izolim social të vajzave. Sipas hulumtimit të MICS, mbi 52% e grave të moshës 15-49 vjeç nga këto komunitete ndihen të pasigurta gjatë ecjes vetëm, në lagjet e tyre pas muzgut. Ky izolim cenon shkollimin dhe avancimin e tyre profesional.

“Martesat e hershme nuk janë sfidë vetëm për vajzat. Në të njëjtën kohë edhe djemtë martohen në mosha të reja, por dallimi qëndron te fakti se djemtë nuk detyrohen ta vendosin jetën e tyre publike anash, ndërsa vajzat po”, thotë Elizabeth.

Shumë fëmijë romë, ashkalinj dhe egjiptianë po ashtu përballen me sfida të mëdha në shkollë për shkak se gjuha e mësimit nuk është në gjuhën e tyre amtare. Një disavantazh tjetër i konsiderueshëm në krahasim me fëmijët e tjerë është fakti se nxënësit nga komunitetet pakicë duhet të mësojnë në një shkollë që është e zhytur në kulturën e shumicës. Kjo mund të bëjë shkollën të përjetohet si një mjedis i huaj dhe shpesh armiqësor. Religjioni është po ashtu pjesë e këtij fenomeni, ku shpesh përdoret si shkas për diskriminim. Këtë më së miri e tregon përmes eksperiencës së saj, 20vjeçarja Nazmije Hasani, të cilës iu mohua e drejta e ndjekjes së mësimit në shkollën “Selman Riza” në Fushë Kosovë.

“Unë kam qenë e mbuluar, andaj nuk më kanë lejuar të regjistrohem në shkollë. Prej dëshirës së madhe për të vijuar mësimin, unë e hoqa mbulesën. Por prapëseprapë nuk më lejuan”, thotë ajo duke theksuar se prindërit nuk ishin ata që e penguan, por refuzimet e njëpasnjëshme nga udhëheqësia e shkollës.

Në anën tjetër, pjesëmarrjet e ulëta arsimore të vajzave në mesin e komuniteteve pakicë mund t’u atribuohen në një masë të madhe institucioneve të cilësisë së dobët ose joekzistente, të cilat do të duhej t’i ofronin mbështetje për zhvillimin, kujdesin dhe edukimin e tyre. “Shpeshherë ka hezitim prej institucioneve për ta krijuar një mënyrë për me i regjistru fëmijët prej komuniteteve pakicë në shkollë”, thotë Elizabeth Gowing.

QIKA ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në lidhje me çështjen e braktisjes së shkollave nga komunitetet pakicë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Nuk ka dyshim se arsimimi i vajzave është një parakusht për luftimin e varfërisë dhe pabarazisë. Arsimi fuqizon dhe transformon gratë. Kjo u mundëson atyre të thyejnë ciklin tradicional të përjashtimit që i mban në shtëpi dhe të shkëputura nga jeta publike.

Ekziston një nevojë e qartë për një ndërgjegjësim më të madh gjinor si në politikëbërje, ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve publike për gratë dhe përgjithësisht komunitetet pakicë, në mënyrë që të adresohet pozicioni margjinal që shumë vajza dhe gra rome vazhdojnë të kenë si brenda komuniteteve, ashtu edhe në shoqërinë e gjerë.

Është shumë me rëndësi që të inkurajohet angazhimi qytetar i këtyre grave, në mënyrë që ato të zhvillojnë zërin e tyre politik. Duke mësuar për padrejtësitë historike dhe strukturore, ato do të fuqizohen për t’u përballur me situata të padrejtësisë në nivel publik dhe privat.

Regjistrimi civil është thelbësor për sigurimin e të drejtave të njeriut

Regjistrimi i qytetarëve në regjistrat civil është parakusht për posedimin dhe shfrytëzimin e të drejtave të njeriut. Identiteti ligjor përcillet përmes certifikatës së lindjes, e cila është e domosdoshme që një individ të ketë qasje në asete shtetërore dhe t’i ofrohet siguria e mirëfilltë. Andaj, regjistrimi është hapi i parë ku sigurohet që individët të njihen para ligjit, përmes të cilit të drejtat e tyre mbrohen dhe garantohen me çdo kusht.

Regjistrimi dhe certifikata e lindjes janë gjithashtu dëshmi ligjore sa i përket vendit të lindjes së një personi dhe lidhjeve familjare të tij dhe rrjedhimisht janë të nevojshme për t’u pajisur me pasaportë. Në moshë të rritur, certifikata e lindjes mund të jetë e nevojshme për të përfituar nga ndihma sociale, ose për të gjetur vende pune, për të blerë ose për të trashëguar pronë dhe për të votuar.

Regjistrimi i lindjeve në Kosovë aktualisht rregullohet nga Ligji për Regjistrat e Gjendjes Civile dhe Ligji për Familjen. Certifikata e lindjes kërkohet për të pasur qasje në kujdes shëndetësor, arsim dhe punësim, mirëqenie sociale dhe pensione, regjistrim të pasurisë dhe një sërë shërbimesh të tjera. Të gjitha lindjet që kryhen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në spitalin kryesor dhe në ato rajonale të Kosovës mund të regjistrohen pa pagesë brenda ndërtesave të spitalit.

Përgjatë intervistimit të grave nga komunitete pakicë, shumica prej tyre tregonin se lindjet e tyre, ose disa prej lindjeve të tyre, i kanë bërë në shtëpi, megjithatë, të gjitha ato lindje qëndronin në rregull sa i përket identitetit ligjor. Ndërsa kur janë pyetur se a njihnin persona në rrethin e tyre që nuk janë të regjistruar në regjistrat civil dhe nuk posedojnë dokumentacione, shumë prej tyre shprehnin se njihnin dikë që nuk është i regjistruar.

“Është një rast në lagjen tonë, ku prindërit kanë braktisur fëmijën e tyre dhe tani përkujdeset gjyshja për të. Si pasojë, fëmija nuk është i regjistruar dhe gjyshja nuk mundet ta regjistrojë pasi prindërit nuk janë lajmëruar më”, thotë Hatiqe Krasniqi.

Mosregjistrimi civil i pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është një pengesë e madhe për ta dhe gjithashtu kontribuon edhe më shumë në diskriminimin që e përjetojnë çdo ditë. Sipas Ligjit për Skemat e Ndihmave Sociale, për t’u kualifikuar për ndihmë sociale, të gjithë anëtarët e familjes aplikuese duhet të jenë të pajisur me dokumente të Kosovës. Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta për numrin e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve që nuk janë të regjistruar, sipas vlerësimeve nga studimi i vitit 2015 vlerësohet se rreth 600 pjesëtarë nuk janë të regjistruar, ndërsa studimi i ASK-së ka gjetur se 20% e fëmijëve nuk posedojnë certifikatë të lindjes. Arsyet për mosregjistrim janë të ndryshme, duke përfshirë procedurat për rastet kur fëmijët nuk lindin në spital, varfëria dhe analfabetizmi, mungesa e regjistrimeve nëpër gjenerata, mungesa e vetëdijesimit për obligimin për regjistrim dhe të drejtat/ përfitimet nga regjistrimi, si dhe jetesa në banesa joformale. Mungesa e informacionit për procedurat për regjistrim duket të jetë një tjetër arsye për mosregjistrimin e fëmijëve, ngase 40% e kujdestarëve të fëmijëve të paregjistruar kanë theksuar se nuk janë në dijeni për procedurat e regjistrimit të fëmijëve të porsalindur.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk u është përgjigjur pyetjeve që ka dërguar QIKA lidhur me këtë çështje.

Rreziku nga mosregjistrimi civil varion në forma të ndryshme duke filluar nga qasja në shëndet deri te rreziku për trafikim. Regjistrimi i lindjes, dhe veçanërisht certifikata e lindjes, është pasaportë e përjetshme për njohjen e të drejtave, e cila mund të jetë e nevojshme, ndër të tjera, për të votuar, për t’u martuar ose për të siguruar një punësim formal. Gjithashtu regjistrimi është i nevojshëm për të marrë patentë për vozitje, për të hapur llogari bankare, për të pasur qasje në pension dhe për të regjistruar pasardhësit. Është gjithashtu me rëndësi jetike për sigurimin e të drejtave të trashëgimisë dhe pronës, veçanërisht për gratë.

Regjistrimi luan gjithashtu rol jetik në mbrojtjen e fëmijëve nga eksploatimi në punë. Organizata Ndërkombëtare e Punës vlerëson se në botë më shumë se 168 milionë fëmijë janë të ekspozuar në punë eksploatuese, nga të cilët 85 milionë janë në punë të rrezikshme ose punë që ka të ngjarë të dëmtojë shëndetin dhe sigurinë e tyre dhe që duhet të ndalohet për këdo nën moshën 18 vjeç. Ndërsa legjislacioni që përcakton moshën minimale ligjore për punësim është i rëndësishëm, ai do të ketë pak efekt nëse mjetet për të vërtetuar moshën e fëmijës nuk janë të disponueshme. Si i tillë, regjistrimi i lindjes dhe disponueshmëria e një certifikate lindjeje janë parakusht për parandalimin dhe eliminimin efektiv të punës së fëmijëve, duke përfshirë edhe format e saj më të këqija.

Regjistrimi i lindjes mund të kontribuojë gjithashtu në eliminimin dhe parandalimin e praktikës së martesës së hershme dhe të detyruar. Komiteti për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave dhe organet e tjera kërkojnë nga shtetet të regjistrojnë lindjet dhe martesat si një mjet për të lehtësuar monitorimin e moshës së martesës dhe për të mbështetur zbatimin efektiv të ligjeve për moshën minimale të martesës.

Fëmijët që nuk janë regjistruar janë veçanërisht të cenuar ndaj trafikimit dhe birësimit të paligjshëm dhe shitjes së tyre. Padukshmëria ligjore e fëmijëve të paregjistruar e bën më të mundshëm që zhdukja dhe shfrytëzimi i tyre të kalojë pa u vënë re nga autoritetet. Ky është veçanërisht rasti kur trafikimi ndodh përtej kufijve ndërkombëtarë; nuk ka asnjë provë për ekzistencën e fëmijës, kështu që autoritetet kombëtare nuk kanë se si të ndjekin çështjen.

Gjithashtu, kur ata nuk regjistrohen, blerja dhe shitja e tyre e paligjshme për birësim ndërshtetëror bëhet e mundur përmes falsifikimit të dokumenteve dhe prodhimit të certifikatave false të lindjes. Fëmijët, lindjet e të cilëve nuk janë regjistruar janë veçanërisht në shënjestër. Në raportin e Asamblesë së Përgjithshme (UNHCR, 2014) mbi shitjen, prostitucionin dhe pornografinë e fëmijëve, deklarohet se fëmijët, lindja e të cilëve ishte regjistruar kishin më pak gjasa të shiteshin ose të birësoheshin në mënyrë të paligjshme, sepse posedonin prova që kishin prindër dhe mbroheshin me ligj.

Shkruajnë Riola Morina dhe Medinë Dauti