Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Gratë që po udhëheqin luftën kundër ndryshimeve klimatike në Kosovë

Uran Haxha 16.1.2025

Përballë ndikimeve të ndryshimeve klimatike në Kosovë, disa gra kanë dalë në krye të betejës për një të ardhme më të qëndrueshme dhe për mjedis më të pastër. Me punën e tyre në energjinë e ripërtëritshme, mbrojtjen e natyrës dhe ripyllëzimin e kodrave dhe fushave, këto gra janë duke ndihmuar në ndryshimin e perceptimeve duke treguar se gjithsecili mund të bëjë një ndryshim të madh. Ato janë bërë shembuj frymëzimi duke treguar fuqinë e përkushtimit dhe të inovacionit për të ndalur degradimin e mjedisit dhe për të edukuar brezat e ardhshëm.

Vera e vitit 2024 do të mbahet mend gjatë për ditët e njëpasnjëshme që temperaturat i mbanin tek 40 e më shumë gradë Celsius. Ngjashëm thuhej edhe për verën e vitit 2023, por mbamendja zgjati vetëm një vit. Kështu vit pas viti, verat po bëhen më të nxehta, më të thata dhe më të rrezikshme për njerëzit. Megjithëse qytetarët, disa edhe me ndihmën e Qeverisë së Kosovës, kanë instaluar kondicionerët në shtëpitë e tyre, një pjesë e ekosistemit sikur flora dhe fauna mbetet në mëshirën e klimës.

Por, qarku se prej kujt vjen energjia elektrike që ne flladisnim ambientet e brendshme, është një nga shkaktarët kryesorë për këto ndryshime. Pikërisht ndryshimet që edhe dimrat po i bëjnë jo si dikur të ftohtë e me borë, por në rastin më të ngjashëm me dimër, po i bëjnë vetëm të ftohtë dhe pa borë.

Kosova është një nga ekonomitë më të varura nga burimet fosile dhe kalimi në burime të ripërtëritshme të  energjisë është i ngadaltë, ngaqë ende sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, pjesa dërmuese e energjisë vjen nga qymyri. Kjo situatë e bën të domosdoshme një angazhim të fortë nga të gjithë sektorët e shoqërisë për të përshpejtuar kalimin në burime energjie të pastra dhe për të mbrojtur ekosistemet që janë të kërcënuara nga zhvillimi i paplanifikuar dhe i dëmshëm.

Në këtë kontekst, disa gra kosovare janë duke udhëhequr një revolucion herë të heshtur e herë shumë të vështirë, por të fuqishëm, në përpjekjet për të zvogëluar ndikimin e ndryshimeve klimatike. Hapat e tyre sa janë inovativë në punë, janë edhe të guximshëm për një të ardhme më të gjelbër dhe më të qëndrueshme. Përmes iniciativave që variojnë nga instalimi i energjisë solare, mbrojtja e mjedisit dhe ripyllëzimi i kodrave dhe fushave, këto gra janë duke ndihmuar në ndryshimin e perceptimeve duke treguar se gjithsecili mund të bëjë një ndryshim të madh.

Njëra prej këtyre grave është Gentiana Alija Shala, një grua që ka vendosur të sfidojë normat e industrisë dhe të udhëheqë një kompani për dizajnimin dhe instalimin e paneleve solare në një sektor që është ende mjaft i dominuar nga burrat. Ajo po e ndihmon Kosovën në zhvillimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme dhe po kontribuon në ndihmën për arritjen e qëllimeve për uljen e ndotjes.
Po ashtu, Egzona Shala-Kadiu, udhëheqëse e organizatës jo-qeveritare “Eco Z”, është angazhuar në mbrojtjen e ekosistemeve dhe parqeve nacionale të Kosovës, duke bërë që investimet kapitale të cilat kanë efekte negative në mjedis të vihen në pikëpyetje.

Në anën tjetër, Indira Kallatozi ka ndërtuar një karrierë të fortë në fushën e ripyllëzimit, duke përdorur teknologji inovative si dronët për të hedhur toptha druri për të rivendosur pyjet që janë dëmtuar gjatë viteve. Ajo udhëheq organizatën “Sustainability Leadership Kosova”, një organizatë që angazhon rininë dhe bizneset për një të ardhme më të pastër dhe më të qëndrueshme.

Fushatat mjedisore të suksesshme po drejtohen nga gratë

Në 25 korrikun e 2023, kur termometri shënonte 45 gradë Celsius, Egzona Shala-Kadiu u gjend në mes të një turme të shqetësuar në Klinë, e rrethuar nga banorë që luftonin për të mbrojtur shtëpitë dhe komunitetin e tyre nga një fabrikë çimentoje, që ata do t’i ndotte çdo ditë edhe me zhurmë dhe me rrezik për burimet e ujit. Mes shumë tjerëve që flisnin me terme shkencore, Egzona Shala Kadiu vendosi që të fliste me gjuhën që ata e kuptojnë, që ata e ndjenjë.

“Pse me marrë dikush prej zyrës për shtëpinë time. Nëse dojnë ata, le te marrin fabrikën edhe ta çojnë të shtëpia e vet dhe ta provojnë nëse edhe për ata është e mirë në atë aspekt. Edhe tekefundit çka ka Gjermania më shumë se Klina”, ju kishte folur ajo një mase të madhe të qytetarëve, që realisht ishin mërgimtarë.

Egzona, e cila sot udhëheq organizatën mjedisore Eco-Z, e përshkruan atë moment si një nga më të rëndësishmit në karrierën e saj si aktiviste. Por kjo nuk ishte hera e parë që ajo kishte luftuar për të mbrojtur natyrën dhe të drejtat e komuniteteve. Rruga e saj drejt aktivizmit filloi shumë më herët, duke u ndërtuar mbi një lidhje të thellë me mjedisin që nisi që nga fëmijëria. Ajo kujton me humor se nëna e saj ishte shtatzënë me të gjatë studimeve në biologji, ndërkaq që bënë shaka se ndoshta ka mësuar për ekologjinë që para se të lindte.

Foto: Egzona Shala-Kadiu

Në vitet e para të Eco-Z, sfidat ishin të pafundme. Ishte një kohë kur fjala “mjedis” ngjallte pak interes, dhe “ndryshimet klimatike” tingëllonin si një term i largët për shumicën. Donatorët nuk e kishin si objektiv në thirrjet e tyre, por temat mjedisore ajo me organizatën e saj i përfshinin në projekte të kulturës e rinisë, apo edhe tek ato të parandalimit të ekstremizmit dhe radikalizmit, duke tentuar që gjithkund të gjenin një vegzë.

Viti 2016 krahasuar me sot, për Egzonën ka shumë ndryshim në perceptimin e temës së ndryshimeve klimatike. Ajo ishte në krye të shumë fushatave për mbrojtjen e mjedisit, por që godisnin bizneset.

“E kjo është më e keqja, sepse ti je kundër një investitori. Kjo në zhvillimin e Kosovës, investitori u pa si pare për njerëzit, dhe natyrën e kanë të fundit në mendje. Mirëpo, kur afektohen njerëzit, ndryshon situata”, rrëfen ajo lidhjen me komunitetin.

Një mësim që e ndihmoi shumë Egzonën ishte rëndësia e qasjes së drejtpërdrejtë dhe sinqeritetit në komunikim. Një trajnim në Japoni nga JICA e mësoi se mënyra më e mirë për të fituar besimin e komunitetit ishte të fliste me zemër, duke dëgjuar me vëmendje shqetësimet e tyre dhe duke ofruar zgjidhje të arritshme. Kjo strategji i ndihmoi Eco-Z të ndërtojë një reputacion të fortë në terren, duke u bërë zëri kryesor kundër ndotjes dhe abuzimeve mjedisore.

Një nga luftërat më të mëdha të Eco-Z ka qenë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura. Vet fakti që ato janë të shpallur parqe kombëtare do të thotë se nuk duhet të ndërtohet asgjë, e le më hidrocentrale. “Sharr National Park, NO DAMS” shkruante në një faqe mali të Brezovicës ku Eco Z i kishin shtrirë shkronjat për të alarmuar se parku nacional po preket nga abuzimi me ujin e rrjedhës aty, por gjatë asaj kohe ata kishin marrë një lajm të madh.

“Avokimi është shumë i paparashikueshëm. Kurrë nuk e din se kur vjen një zhvillim për të cilin ti avokon. Ne duke i shtri shkronjat në Brezovicë, na ka ardh lajmi që është anulu pëlqimi për hidrocentrale”, tregon ajo, teksa qeshet, por që ngulmon se hidrocentralet janë diçka që është më e keqja që i ka ndodhur vendit tonë.

Egzona paralajmëron se dëmet e shkaktuara nga këto projekte janë të parikuperueshme dhe do të ndikojnë për dekada me pasoja si përmbytjet dhe shkatërrimi i ekosistemeve. Aktivizmi i saj ka rezultuar me fitore të rëndësishme, si anulimi i lejeve në disa zona, por ajo e di se lufta nuk ka mbaruar. Së fundi ajo dhe bashkëpunëtorët e saj kanë dorëzuar ankesë në Komunitetin e Energjisë në Vjenë kundër katër hidrocentraleve në Parkun Kombëtar “Sharri”. Kosova është pjesë e këtij Komuniteti që nga viti 2005, ndërsa organizatat kanë kërkuar hetim mbi mënyrën e ndërtimit dhe të funksionimit të këtyre hidrocentraleve.

E gjithë bota njeh Greta Thunberg, vajza suedeze që u bë sinonim i luftës për të ndalur aktivitetet që ndikojnë në ndryshime klimatike. Ajo mobilizoi një pjesë të madhe të botës. Duke e kthyer në kontekstin e Kosovës, Egzona thotë se gratë janë shtylla kryesore në këtë luftë, jo vetëm për edukimin e brezave të rinj, por edhe për vendosmërinë që tregojnë në terren.

“Komuniteti e ka njëfarë bindje që mundesh me punu më shumë me gruan. Mundem me thënë nëse një grua është në krye të një fushatë, puna në terren ka me qenë më e suksesshme”, thotë ajo, që sa herë merr rrugën për takim me komunitet vesh çizme e veshje terreni, “sepse ata të duan sikur veten, jo me shku me ju mbajt ligjërata koti”.

Pyllëzimi me dron, një ëndërr e realizuar me shumë punë

Indira Kartallozi, një emër që ndoshta shumë njerëz nuk e njohin ende në Kosovë, është një forcë e pashtershme në përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të rigjeneruar natyrën në vendlindjen e saj. Pavarësisht se ka kaluar më shumë se tri dekada në Angli, ajo ka vendosur të kthehet dhe të kontribuojë në një kauzë që i flet zemrës dhe fëmijërisë së saj: ruajtja e natyrës dhe krijimi i një të ardhmeje të qëndrueshme për Kosovën.

Indira është rritur në Kapeshnicë, një lagje e bukur e Pejës, ku natyra ishte pjesë e pandashme e jetës së saj. Teksa qeshet, tregon se si fëmijë, bashkë me vëllanë e saj, humbiste nëpër mal duke ndjekur dhitë e fqinjëve.

Foto: Indira Kartallozi

“Prindërit na mësonin gjithmonë të respektonim natyrën, ta lëmë ashtu siç e gjetëm”, thotë ajo. Kjo dashuri e hershme për natyrën, megjithëse atëherë pa njohuritë për ndryshimet klimatike, e ka ndjekur gjatë gjithë jetës.

Puna e saj në fushën e të drejtave të njeriut dhe përkushtimi për refugjatët dhe komunitetet e margjinalizuara në Angli e kanë ndihmuar të kuptojë lidhjen e ngushtë mes ndryshimeve klimatike dhe migrimit të njerëzve.

“Ndryshimet klimatike zhvendosin më shumë njerëz sesa luftërat”, thotë ajo, që kur kishte ikur nga Kosova, ishte ndjerë sikur e dështuar duke lënë mbrapa një vend me luftë.

Mirëpo kthimi në vend gjithmonë ka qenë aty, në një xhep të mendjes së saj. Kështu pas disa aktiviteteve me të rinjtë e Pejës, ajo themeloi organizatën Sustainability Leadership Kosova (SLK) në vitin 2018, duke nisur një rrugëtim të ri për të mbështetur të rinjtë dhe për të adresuar sfidat klimatike në Kosovë. Projekt pas projekti, duke aplikuar një qasje kreative në aktivizëm, kishte nisur bashkë me ekipin e saj të punojnë për të luftuar shpyllëzimin.

“Mes viteve 2000 dhe 2022, Kosova humbi gati 16 mijë hektarë pyje. Me ekipin tim dhe teknologji atraktive, filluam një fushatë krijuese kundër shpyllëzimit. E quajtëm ‘Mos e Merr Malin’ dhe tani është një platformë që ndërgjegjëson dhe aktivizon komunitetet”, thotë ajo, që përmend një moment kur Faruk Foniqit, kolegut të saj i kishte thënë që në fund të projektit do të mbjellin pyjet me dron.

“Aiii Indire larg është ajo prej neve”, i kishte thënë Faruku, që sot bashkë me Indirën, po bëjnë gati 50,000 toptha me rreth 800,000 fara të bimëve të ndryshme që po i hedhin me dron nëpër hapësira të shpyllëzuara. Katër vjet punë e pandalshme në këtë projekt sot i jep një ndenjë të papërshkrueshme Indirës, pasi pritja ka qenë e vështirë.

E hasur në sfida, sidomos me skepticizmin fillestar të disa njerëzve në Kosovë. “Kam kuptuar se nuk mund të vij me një mendësi perëndimore, por si kosovare që ndan të njëjtat probleme me ta”, thotë ajo. Megjithatë, mbështetja që ka marrë nga të rinjtë e ka mbushur me optimizëm.

“Ata thjesht janë pjesë e zgjidhjes dhe jep shpresë për të ardhmen, reagimet janë shumë të mira. Unë personalisht çdo ditë kam qenë e emocionuar. Kemi pasë thirrje dhe vullnetarë prej gjithkah, jo vetëm rini, por edhe sektori privat që i sillte punëtorët me punu me neve”, thotë ajo, që rrugën Londër-Prishtinë e ka bërë të shpeshtë tashmë.

Më të shpeshtë po e bën edhe përshtypja se ka nisur ndryshimi në mendësi për t’ju bashkuar luftës për të ndalur hovin e shpyllëzimit, e që kontribuon direkt në lirimin më të madh të karbonit, pasi me mungesën e pyjeve, karbonin s’ka kush e thithë.

E vetmja grua që udhëheq kompani të energjisë së ripërtëritshme

Karboni më së shumti në vendin tonë lirohet nga termocentralet Kosova A dhe Kosova B. Këto termocentrale mund të zëvendësohen me prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Në Kosovë tashmë ka një numër të madh të kompanive që dizajnojnë dhe implementojnë projekte të tilla, por që është një industri e dominuar nga burrat. Megjithatë, është një dhe e vetme, Gentiana Alija Shala qëndron si një shembull frymëzues në Kosovë me kompaninë e saj “Alfa Solar Energy”. Ajo ka ndërtuar një karrierë që është më shumë sesa një arritje personale, është shndërruar në një person që pothuajse të gjitha inxhinierët e reja e pyesin për të kryer praktikën të kompania e saj.

Foto: Gentiana Alija Shala

Gentiana nuk ëndërronte të bëhej inxhiniere. Synimi i saj ishte mjekësia, por një kthesë e papritur e çoi drejt një udhe tjetër.

“Nuk u pranova në fakultetin e mjekësisë dhe pa shumë mendim, e pashë Fakultetin Teknik duke u kthy rrugës, shkova e pashë ku ka më shumë vende të lira për studentë dhe aplikova në degën e elektroenergjetikës industriale. Ishte një zgjedhje e rastësishme, por u bë fillimi i një udhëtimi që nuk e kisha imagjinuar”, thotë ajo.

Pavarësisht nga sfidat fillestare dhe mospërgatitja në matematikë dhe fizikë, ajo nuk u dorëzua.

“Babai më tha se nuk di matematikë dhe fizikë, por iu përgjigja se do t’i mësoj. Ai më angazhoi kurs privat dhe arrita të pranohem”, tregon ajo.

Përkushtimi i saj për energjinë e ripërtëritshme lindi në mënyrë po aq spontane sa dhe zgjedhja e studimeve. Një bisedë rastësore me një koleg e frymëzoi të hulumtojë fuqinë e energjisë solare.

“Në Kosovë ka një potencial të jashtëzakonshëm për energjinë e ripërtëritshme. Nuk kemi ku të shkojmë tjetër, është e ardhmja, shihe ajrin si e kemi tash dimrit”, thotë Alija-Shala.

Pas diplomimit, ajo nisi praktikën në një kompani vendore. Më pas ambiciet në rritje e shtynë atë që të themelonte kompaninë e saj së bashku me një punëdhënës të mëparshëm në industri tjetër.

“Unë pata punuar në industri të IT-së. E thirra ish-shefin edhe i thash, ti i ke paret, unë di çka me ba, hajde t’ia nisim”, kështu nisi gjithçka në vitin 2020.

“Gjithmonë kam dashur të jem pjesë e një ndryshimi më të madh. Kur përballesh me ndryshimet klimatike, nuk ke luksin të presësh”, thotë ajo.

Përmes projekteve të saj, Gentiana ndihmon në zvogëlimin e ndotjes dhe promovimin e burimeve të qëndrueshme të energjisë. Kështu u rrit kompania fillimisht te projektet e vogla në sektorin e bujqësisë. Kështu hap pas hapi, Gentiana me një karakter shpërthyes dhe asnjëherë e mjaftueshme për atë që ka arritur, arriti tregun ndërkombëtar.

“Kam hy në LinkedIn edhe ju kam shkru gjithë CEO-ve (udhëheqësve) të kompanive në Gjermani. Tri përgjigje i kam marr dhe me të tri ato kompani vazhdoj të punoj në gjithë Evropën”, thotë ajo, teksa qeshet dhe thotë se të qenit grua nuk e ka ndaluar në asnjë hap. Ajo madje thotë se komuniteti i industrisë së kompanive të energjisë që punojnë në energjinë e ripërtëritshme, e kishin pritur shumë mirë.

“Në Kosovë, përkrahja ka qenë e jashtëzakonshme. Kam pasur kolegë që gjithmonë më kanë ndihmuar kur kam pasur nevojë,” thotë ajo, që e gjen veten shpesh duke shërbyer si një zë frymëzues për gratë e tjera që dëshirojnë të ndjekin këtë rrugë. Profesionalizmi i saj kalon kufijtë, ngaqë Gentiana në vitin 2024 është zgjedhur në 100 gratë më të suksesshme në botë në fushën e energjisë së ripërtëritshme.

Në përballje me krizën klimatike, edhe Gentiana ka përshtypjen se vendosmëria dhe vizioni i gruas din të lulëzojë sukses të sigurtë.

“Unë besoj se gratë kanë potencial të jashtëzakonshëm për të udhëhequr ndryshime pozitive në çdo sektor. Kam dëshirë të shoh më shumë gra në këtë industri, sepse energjia e ripërtëritshme nuk është vetëm teknologji, është e ardhmja jonë,” përfundon ajo.

Megjithëse punët në Kosovë i ka me kapacitet jo shumë të madh, krahasuar me ato jashtë vendit, ajo dëshirën nuk e fsheh që Kosova duhet të hapë dyert edhe më shumë për projekte të mëdha, si zgjidhje për të hequr dorë nga karboni.

___________________________________________________________

Ky artikull mbështetet nga qeveria gjermane dhe zbatohet përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2024 – “Skema e Mbështetjes së Shoqërisë Civile (CSS)” organizuar nga Zyra e Presidentës së Republikës së Kosovës. Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit. Ato nuk synojnë të pasqyrojnë opinionet apo pikëpamjet e GIZ-it dhe Zyrës së Presidentës së Republikës së Kosovës.