Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Nën qiellin që ndryshon, gratë bartin mbi supe ndryshimet klimatike në bujqësi

Bubulina Peni 28.1.2025

Përveç sfidave të ndryshme, gratë që merren me fushën e bujqësisë në Kosovë sfidohen edhe me ndryshimet klimatike, të cilat kanë një ndikim në veprimtarinë e tyre prodhuese. Ndryshimet klimatike, si reshjet e pandërprera dhe thatësirat, ndikojnë në cilësinë e produkteve dhe rritjen e kostos së prodhimit. Pavarësisht sfidave, gratë si Kimete Hoti dhe Havushe Bunjaku, janë shembuj të forcës dhe përkushtimit në mes të sfidave të përditshme që kërkojnë shumë angazhim dhe menaxhim të punëve.

Për Kimete Hotin nga Krusha e Madhe, tash e 25 vite ditët e pranverës fillojnë ende pa zbardhur agimi dhe përfundojnë në mesnatë. Ora katër e mëngjesit atë e gjen në këmbë duke përfytyruar listën e gjatë të punëve që e presin në kuadër të veprimtarisë që ajo kryen me bletarinë dhe përgatitjen e ajvarit.

Nën ritmin e ngjeshur të punëve, të cilin e përcjellin gumëzhimat e bletëve dhe aroma e specave të pjekur, ardhja e verës rritë ngarkesën e ditëve të zgjatura dhe angazhimit që kërkon përkujdesja ndaj bletëve, mbledhja e mjaltit dhe përgatitja e ajvarit si një proces që kërkon kohë, kujdes dhe vëmendje të vazhdueshme.

Me kalimin e stinëve, kur sezoni i vjeshtës troket dhe ftohtësia e ajrit fillon të ndjehet, punët arrijnë kulmin. Muaji nëntor shënon fundin e sezonit, duke lënë pas një periudhë të gjatë e të lodhshme angazhimi për Kimeten.

“Me të tregu ndoshta edhe nuk beson. Zgjohem në ora katër të mëngjesit, nganjëherë them a u bonë 24 orë apo u bonë 30 orë? E kam vetëm pauzën e ushqimit dhe të kafes se sezoni është shumë i shkurtër”, shprehet Kimetja, teksa përshkruan rutinën e saj gjatë sezonit nëntë mujor mars-nëntor.

“Për shembull, specat deri sa të piqen, mandej të qërohen, nuk mund t’i lësh shumë gjatë. Pastaj duhet të kullohen, të vlohen, të bëhet zierja, të përfundojnë të gjitha këto. Koha nuk të pret. Shtatë-tetë orë deri sa të zihet, deri sa të piqet, shkojnë orë të tëra.”

Ndonëse këto aktivitete Kimetja i kryen me shumë pasion dhe sot ka krijuar biznesin ‘Mjaltë dhe Ajvar i Krushës’, të cilin ajo e udhëheq,  25 vjet më parë bletaria, konservimi i turshive dhe përgatitja e ajvarit kishin nisur si një opsion mbijetese për Kimeten, e cila në atë kohë në moshën 27 vjeçare kishte mbetur nënë vetushqyese e dy fëmijëve të saj, pasi bashkëshorti i Kimetes ishte vrarë në luftë nga forcat serbe.

“Në vitin 1999, shtëpia ka qenë krejtësisht e djegur, burri dhe kunati im ishin vrarë në luftë. Një herë, derisa i kemi gjetur (trupat), kemi mbetë duke i kërku të zhdukurit. Nuk e shihnim jetën si do të mund të vazhdonim, por derisa t’i gjenim, ka qenë shumë e vështirë”, përshkruan Kimetja.

“Në vitin 2008 burrin dhe kunatin i kemi gjetë dhe i kemi varrosë. Deri atëherë, gjithë koha ka kalu duke shku për të kërku në varrezat masive, mandej shkojshim në shtëpi dhe punojshim,”- shton ajo.

Sfidat e ndryshimeve klimatike

Edhe pse Kimetja pohon se hovi i punëve dhe lista e përgjegjësive vazhdojnë të shtohen ndër vite, pasioni me të cilin ajo i kryen këto detyra shpesh e venit lodhjen që shkaktojnë orët e tëra të punës. Megjithatë, në mesin e pengesave që ngadalësojnë ose pengojnë procesin e punës shpesh janë edhe kushtet klimatike, pavarësisht nga fakti se Krusha e Madhe ofron një terren dhe reliev të përshtatshëm për zhvillimin e bletarisë dhe kultivimin e specave.

Për Kimeten, reshjet e vazhdueshme të shiut shpesh mund të jenë shkaktarë që puna të sjellë më pak rezultate në mbledhjen e mjaltit krahasuar me atë se sa pritet.

“Në mars ose në prill që qel bagremi ndodhë që të reshurat atmosferike nuk kanë të ndalur. Në këtë rast problemi është se numër një bleta e ka bagremin, polenin që e merr. Ndodh për shembull ndonjëherë që mundet edhe me dështu, nuk mundesh me marrë mjaltë aq sa mendon për shkak të të reshurave”, shpjegon ajo.

Mes problemeve të tjera që mund të shkaktojnë ndryshimet klimatike, 57-vjeçarja përmend edhe rastet kur gjatë dimrit bletët mund të mos mbijetojnë për shkak të motit të ftohtë. Poashtu, ajo thekson rrezikun e infektimit të një blete me sëmundje që mund ta përhapë më pas atë te bletët tjera.

Si një zgjidhje që do t’i lehtësonte shumë punën dhe do t’i minimizonte këto rreziqe, Kimetja shpreh nevojën për një punëtori që do t’ia mundësonte asaj kryerjen e punëve në një objekt të mbyllur e të mbrojtur nga shiu dhe temperaturat ekstreme.

“Nevoja kryesore që mundem me cek është punëtoria. Për shembull, kur bie shi gjatë kohës së konservimit të turshive ose përgatitjes së ajvarit, në shi është pak problem se kur e qet për shembull tavën, ti specat i pjek e i qëron, e kur e qet me e zi në shi nuk ke qysh, është sfidë edhe pse ne mundohemi me tonën”, thotë ajo.

Në mungesë të kësaj punëtorie dhe për shkak të nevojës për blerjen e produkteve të punës, kryerja e punëve në kushte shtëpie i sjell Kimetes kosto të larta financiare.

“Shpenzime ka mjaft sa nganjëherë thu qysh do t’i nxjerrë këto shpenzime. Nisur së pari nga bletaria. Bleta për shembull, kosherja, fundi, sandeku, rrobat, teli, dylli, pastaj kutia, mandej kapaku, mos të flas tjera e tjera sene”, numëron Kimetja, e cila me të njëjtat shpenzime përballet edhe kur bie fjala te përgatitja e ajvarit.

“Blije specin, blej drurin, blej vajin, blej të gjitha, krejt po kushtojnë. Sfidë kryesore është mungesa e një punëtorie sepse prapë për ndonjë pajisje ne mund t’ia dalim”, u shpreh ajo.

Çfarë mund të bëjnë institucionet shtetërore për përmirësimin e kushteve për gratë që merren me bujqësi?

Organizata joqeveritare “Gruaja Fermere” nga Rahoveci, e themeluar në vitin 2006, merret me sfidat që hasin gratë dhe me organizimin e trajnimeve dhe projekteve që synojnë avancimin e rolit të gruas dhe lehtësimin e barrierave që ato përballojnë.

Muradije Shehu nga kjo organizatë e konsideron si pengesë kryesore për gratë mungesën e marketingut, importin, mungesën e agronomëve që të jenë të pranishëm në terren si dhe nevojën për trajnime të specializuara, veçanërisht në përgatitjen e planeve të biznesit dhe kultivimin cilësor të produkteve.

“Për sfidat që sjellin ndryshimet klimatike, gratë që punojnë në sektorin e bujqësisë duhet të bashkëpunojnë me një agronom në komunë dhe të informohen si duhet t’i përshtaten kultivimit të prodhimeve në ndryshimet klimatike”, thotë Shehu.

Ajo përmend edhe pengesat me të cilat përballen gratë në qasjen dhe përfitimin e subvencioneve dhe mbështetjes financiare për bujqësinë, duke theksuar se këto sfida lidhen ngushtë me mungesën e regjistrimit të pronësisë së tokës në emër të grave.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2014, në sektorin e ekonomive bujqësore, ndarja sipas gjinive është si vijon: Pronarët e ekonomive bujqësore janë 6 mijë e 388 gra, që përbëjnë vetëm 5% të pronarëve, ndërsa 124 mijë e 48 burra, që përbëjnë 95% të pronarëve. Ndërkaq, anëtarët e familjeve të ekonomive bujqësore figurojnë të jenë 92 mijë e 630 gra dhe 66 mijë e 471 burra. Sidoqoftë, numri i përgjithshëm i anëtarëve të familjeve të ekonomive bujqësore është 99 mijë e 18 gra dhe 190 mijë e 519 burra.

“Mungesa e vetëbesimit te gratë për të negociuar duket të jetë një nga shkaqet kryesore për mospjesëmarrjen në tregje, si dhe mungesa e njohurive për planifikimin e biznes-planit”, shprehet Shehu, e cila thekson si problem edhe mungesën e grave nga vendet rurale në procesin e planifikimit të buxhetit në komunë.

Si hapa kryesorë për lehtësimin e sfidave me të cilat përballen gratë në bujqësi, Shehu sugjeron rritjen e lobimit të komunave për të përmirësuar qasjen e grave në trashëgimi, shtimin e buxhetit për gratë që punojnë në bujqësi, dhe krijimin e një zyre këshillimore brenda komunave për të mbështetur gratë në këtë sektor.

Në botën e mbushur me kimikate, “99 Lule” sjell natyrën në shishe

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2014, numri i personave që merren me bujqësi në Kosovë është 130 mijë e 436, prej të cilëve 124 mijë e 48 burra merren me këtë veprimtari, kurse numri i grave në sektorin e bujqësisë është 6 mijë e 388.

Në mesin e këtyre grave është edhe biologia Havushe Bunjaku, e cila 12 vite më parë ka themeluar Kompaninë “99 Lule”. Kjo kompani është e specializuar për grumbullim, kultivimin e bimëve medicinale e aromatike dhe prodhimin e çajrave organik, vajrave esenciale dhe produkteve për kujdesin e lëkurës nga bimët.

Nën udhëheqjen e zonjës Bunjaku, kjo kompani grumbullon mbi 47 lloje të bimëve medicinale dhe aromatike në një zonë të certifikuar organike me më shumë se tre hektarë në Gollak dhe njëkohësisht kultivon nëntë lloje të tjera bimësh në fusha të hapura, të ndara dhe të certifikuara organike.

“Shumica e bimëve mjekësore që përdorim janë të mbledhura nga fushat tona të kultivuara organikisht, por ne gjithashtu bashkëpunojmë me fermerë të tjerë, të cilët ndihmojnë në mbledhjen e bimëve të tjera”, shpjegon ajo.

Kësisoj, Bunjaku, për këto 12 vite, ka bërë që linja e produkteve të “99 Lule” të përfshijë mbi 36 lloje çajra organik të certifikuar, vajra esenciale, uthull molle të egër dhe kremra për lëkurën, të gjitha të prodhuara nga bimët. Sipas saj, këto produkte kanë fituar popullaritet si në tregun vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar, duke u mbështetur në partneritete të forta shitjesh me pakicë në Kosovë dhe duke shtrirë ndikimin e tyre deri në eksportet në tregun zviceran.

“Motivimi ynë ka qenë gjithmonë të krijojmë një ndërmarrje që mbështet zhvillimin e mjedisit dhe rritjen e grupeve të margjinalizuara, duke ofruar mundësi punësimi dhe edukimi për gratë nga zonat rurale”, thotë Bunjaku, duke shtuar se në këtë kompani përkujdesen që bimët të rriten në kushte natyrore, pa përdorimin e pesticideve apo kimikateve të dëmshme.

Përkundër angazhimit të “99 Lule” në grumbullimin, tharjen, përpunimin dhe paketimin e produkteve bimore, ndryshimet klimatike si reshjet e shiut dhe thatësirat janë ato qe jo rrallë herë ndikojnë negativisht në këtë proces, duke penguar realizimin e procesit të zakonshëm të punës.

Biologia Bunjaku shpjegon se për shkak të ndryshimeve klimatike, bimët mund të kenë një përmbajtje më të ulët të substancave aktive, si vajrat esenciale dhe përbërësit e tjerë të dobishëm për shëndetin. Kjo gjë më pas ndikon në cilësinë e produkteve përfundimtare dhe mund të kërkojë më shumë përpjekje për të ruajtur standardet e cilësisë.

“Bimët mjekësore, si mentë, rozmarinë, levander dhe kamomil, kanë nevojë për kushte të caktuara klimatike për të rritur cilësinë e tyre”, na shpjegon Bunjaku.

Ajo thotë se ndryshimet e temperaturës mund të ngadalësojnë rritjen e bimëve dhe në prodhimin e substancave të rëndësishme, duke ndikuar negativisht në cilësinë e produktit përfundimtar.

Një tjetër ndikim i madh, sipas Bunjakut, është edhe ndryshimi i modeleve të reshjeve dhe periudhat e thatësirës për të cilat ajo thotë se mund të shkaktojnë mungesë uji për bimët, duke kufizuar zhvillimin e tyre dhe duke reduktuar rendimentin e përmbajtjes së vajrave esenciale dhe substancave mjekësore.

“Në disa raste, përmbytjet ose reshjet e shpeshta mund të dëmtojnë bimët dhe të përkeqësojnë cilësinë e tyre”, shprehet ajo.

Rritja e madhe e temperaturës është një tjetër faktor që sjell sfida përgjatë punës që bën Bunjaku, ngaqë shkakton shpërndarje të sëmundjeve dhe dëmtuesve që ndikojnë në bimët mjekësore.

Sipas saj, sëmundjet që ndodhin në kushte të lagështa ose të nxehta mund të jenë më të zakonshme, duke kërkuar që të përdorim më shumë masa mbrojtëse. Ajo thotë se kjo gjë mund të rrisë koston e prodhimit dhe mund të ndikojë në cilësinë e bimëve.

Për t’u përshtatur me këto ndryshime, “99 Lule” ka filluar investimin në teknika të qëndrueshme të menaxhimit të tokës dhe përdorimin e praktikave të bujqësisë që janë më të përshtatshme për kushte të ndryshuara klimatike.

“Kjo përfshin përdorimin e teknikave të ujitjes efikase, mbjelljen e varieteteve që janë më të qëndrueshme ndaj kushteve klimatike dhe ruajtjen e biodiversitetit për të mbrojtur bimët nga faktorët negativë të klimës, investimi në energji të ripërtërishme në pikën e përpunimit”, shpjegon Bunjaku.

Vështirësitë në punën e përditshme dhe dëmtimi i bimëve nuk janë sfidat e vetme që ndryshimet klimatike sjellin për Havushe Bunjakun, pasi përballimi i tyre shpesh kërkon shpenzime shtesë.

“Periudhat e thatësirës kanë kërkuar më shumë investime në sistemin e ujitjes, ndërsa reshjet e shumta kanë rritur nevojën për mbrojtje nga sëmundjet dhe dëmtuesit, duke rritur përdorimin e substancave natyrale për mbrojtje, që janë shpesh më të shtrenjta”, theksoi Havushja.

Përgjatë punës së saj, shpërndarja e reshjeve, periudhat e thatësirës, dhe variacionet e temperaturës kanë shkaktuar vonesa në ciklin e rritjes së bimëve dhe një prodhim më të ulët të përbërësve aktivë, si vajra esenciale dhe substanca mjekësore.

Ajo thotë se kjo ka ndikuar në sasinë e përgjithshme të produktit që mund të ofrojnë, duke rezultuar në mundësi më të kufizuara për shitje dhe një rritje të tensioneve për të plotësuar kërkesën e konsumatorëve.

Gjithashtu, për shkak të ndryshimeve klimatike, “99 Lule” është detyruar të përdorë varietete të reja bimësh që përshtaten më mirë me kushtet e reja, gjë që shkakton një kosto shtesë.

“Ndryshimet klimatike gjithashtu kanë ndikuar në kërkesën për disa lloje produktesh. Për shembull, çmimet e disa produkteve të bimëve mjekësore mund të kenë pësuar variacione për shkak të ndryshimeve në rendimentin dhe cilësinë e tyre”, shpjegon ajo, duke shtuar se kjo gjë ka ndikuar në mundësinë për të planifikuar dhe menaxhuar furnizimin dhe ka krijuar pasiguri sa i përket shitjeve.

Ndikimi i ndryshimeve klimatike në punën e grave në bujqësi

Besim Aliu, Koordinator dhe Parashikues i Motit në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës – IHMK, shpjegon se deri para një dekade, fermerët në Kosovë kishin sukses në rendimentet e dy kulturave kryesore, misrit dhe grurit. Mirëpo, sipas Aliut, vitet e fundit fermerët po hasin vështirësi pasi, sipas tij, po bëhet gjithnjë më e vështirë të arrihet rendimenti optimal për të dyja kulturat për shkak të ndryshimeve klimatike.

“Disa bimë nuk mund të përballojnë temperaturat e larta dhe mungesën e reshjeve gjatë periudhave kritike të pranverës dhe verës. Kjo përfshin bimët leguminoze të familjes Fabaceae, si fasulja, bizelja, soja dhe disa perime të tjera”, shpjegon Aliu.

Ai përmend edhe temperaturën si një tjetër element kyç që ka një ndikim të madh në këtë aspekt.

“Për shembull, është regjistruar që temperatura mesatare e muajit mars të jetë më e lartë se ajo e prillit ose e muajve të tjerë, gjë që ndikon negativisht te bimët”, shpjegon Aliu i cili si një tjetër dukuri  meteorologjike të dëmshme e sheh edhe rënien e brymës në fillim të shtatorit, për të cilën thotë se i dëmton rëndë kulturat perimore të mbjella në fusha të hapura, duke shkaktuar humbje të mëdha për fermerët.

Për këtë Aliu vlerëson se ekspertët duhet të merren seriozisht me këto ndryshime dhe të reflektojnë në identifikimin dhe importimin e varieteteve më të përshtatshme për klimën e Kosovës, sidomos në pemëtari.

“Kohëve të fundit, në Kosovë kanë filluar të kultivohen disa bimë bregdetare, të cilat po përshtaten për shkak të klimës që po ndryshon në rajonin tonë”, shton ai.

Lidhur me ndryshimet klimatike, Aliu shpjegon se variabiliteti i klimës ndikon negativisht në bujqësi përmes uljes së produktivitetit, dëmtimit të kulturave, dhe rritjes së kostove të prodhimit. Ai shton se reshjet e tepërta mund të shkaktojnë përmbytje dhe erozion, ndërsa thatësirat ndalojnë prodhimin dhe furnizimin me ujë, duke rritur varësinë nga inputet bujqësore si sistemi i ujitjes.

Duke i marrë parasysh këto zhvillime, Aliu thotë se gratë në Kosovë mund të kenë më shumë sfida në përballimin dhe menaxhimin e ndryshimeve klimatike.

“Gratë në sektorin bujqësor, të cilat shpesh merren me kultivime të vogla dhe ndihmojnë në menaxhimin e ekonomive familjare, janë më të prekura për shkak të mungesës së burimeve financiare dhe qasjes në teknologji moderne”, sqaron ai.

Aliu numëron humbjen e të korrave dhe dëmtimin e infrastrukturës bujqësore si serrat dhe kanalet e ujitjes, mungesën e ujit dhe zvogëlimin e rendimenteve gjatë thatësirave, shtimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve bujqësorë për shkak të klimës së ngrohtë si dhe rritjen e kostove për riparime dhe masat parandaluese si pasojat më të dukshme të fenomeneve ekstreme klimatike si stuhitë, reshjet e mëdha, apo thatësira për fermerët në zonat rurale.

Për përballim më të lehtë dhe përgatitje ndaj këtyre sfidave, Aliu veçon parashikimin meteorologjik, duke u shprehur se ai është jetik për planifikimin e aktiviteteve bujqësore si mbjellja dhe korrja, marrjen e masave paraprake ndaj fenomeneve ekstreme si stuhitë ose ngricat dhe gjithashtu edhe përmirësimin e përdorimit të burimeve ujore dhe energjisë.

“Megjithatë, qasja në informacionin meteorologjik në kohë dhe në mënyrë të kuptueshme mbetet një sfidë, veçanërisht për gratë që kanë më pak mundësi për qasje në teknologji dhe trajnime”, sqaron Aliu.

Sipas tij, në tri vitet e fundit, fermerët në Kosovë kanë raportuar humbje të mëdha për shkak të reshjeve të stuhishme dhe periudhave të thata të zgjatura dhe nëse trendet aktuale vazhdojnë, Aliu parashikon se Kosova mund të përjetojë thatësira më të shpeshta dhe reshje të papritura.

Për këtë ai shpjegon se masat për përshtatje përfshijnë investime në sisteme të avancuara ujitjeje dhe menaxhim të ujit, mbjellje të kulturave rezistente ndaj thatësirës dhe zhvillimi i diversitetit kulturor bujqësor. Ai thotë se janë të domosdoshme trajnimet për fermerët, veçanërisht për gratë si në teknologji dhe praktika të qëndrueshme, përmirësim të kapaciteteve të monitorimit dhe parashikimit të fenomeneve klimatike.

Aliu veçon edhe dorën që duhet t’iu jap shteti fermerëve që t’i përballojnë më lehtë ndryshimet klimatike.

“Mbështetja nga shteti ka një ndikim të rëndësishëm në financimin e projekteve të infrastrukturës si ndërtimi i digave ose kanaleve të ujitjes, sigurimin e subvencioneve për blerjen e farërave rezistente dhe pesticideve ekologjike, promovimin e programeve të sigurimit bujqësor për mbrojtjen nga humbjet klimatike”, shpjegon Aliu, duke shtuar se nëse kjo mbështetje rritet dhe menaxhohet më mirë, fermerët do të jenë më të aftë për t’u përballur me sfidat klimatike.

Si një tjetër problematikë Aliu sheh qasjen e kufizuar në shërbimet për përdorimin e informacionit meteorologjik për të cilin thotë se dhe nuk arrin të mbulojë të gjitha zonat rurale, përkundër se organizatat joqeveritare dhe disa institucione qeveritare kanë organizuar projekte pilot në këtë drejtim. Ai thotë se trajnimet duhet të mbahen nga profesionistët dhe se më së miri do të ishte që në këtë proces të përfshihet Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Rëndësinë strategjike të bujqësisë si një shtyllë kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit e vlerëson Imer Rusinovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës.

Ai thekson nevojën për të vendosur në prioritet programe të përshtatshme dhe të mirëplanifikuara për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë, duke theksuar se sigurimi i ushqimit për konsumatorët është detyrë parësore për vendin dhe se ulja e importit duhet të jetë objektivë kryesore.

“Pra, vendit i nevojiten programe konkrete e jo të ashtuquajtura strategji të shumta që janë bërë nga OJQ të ndryshme të cilat janë pothuajse të karakterit deskriptiv”, shprehet Rusinovci.

Profesori Rusinovci mendon se përshtatshmëria e llojeve bimore dhe racave shtëpiake në zonat prodhuese duhet të jetë parim themelor në përputhje me lartësitë mbidetare të tyre, konform ndërrimeve klimatike që tanimë janë evidente.

Çfarë hapa ka ndërmarrë MBPZhR për të mbështetur gratë në sektorin e bujqësisë?

Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) thonë se në kuadër të programeve vjetore mbështetëse kanë aplikuar masa afirmative për veprimtaritë e grave fermere.

Sipas MBPZhR-së, në masën 1 “Investime në asete fizike të ekonomive bujqësore” secila grua që i plotëson kriteret e pranueshmërisë, merr 2-5 pikë shtesë. Ndërtesa në Masën 7 “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve” ka një mbështetje më të madhe për gratë fermere, numri i pikëve shtesë për gratë fermere është nga 5-10, varësisht nga sektorët/nënmasat.

Sipas kësaj ministrie, sektorët ku dominojnë gratë si përftuese janë sektori i serrave; sektori i pemëve; sektori i zhvillimit dhe promovimit të turizmit rural; sektori i rritjes së pulave të fshatit; sektori i përpunimit të produkteve në nivel ferme.

Lidhur me dëmet që sjellin ndryshimet klimatike në Kosovë, nga MBPZhR kanë konfirmuar se nuk posedojnë të dhëna të sakta lidhur me ndikimin e ndryshimeve klimatike në kultivimin dhe produktivitetin e kulturave bujqësore, të cilat kultivohen.

“Duhet theksuar se tashmë është e njohur si për MBPZhR-në dhe të gjithë fermerët se ndryshimet klimatike viteve të fundit po e shprehin ndikimin e tyre negative në sektorin e bujqësisë”, është përgjigjur ministria.

Ky institucion tutje ka bërë të ditur se janë disa iniciativa të filluara nga projekte të ndryshme në bashkëpunim me MBPZhR-në që kjo çështje të trajtohet me seriozitet, duke filluar aplikimin e disa prej masave me qëllim të përshtatshmërisë së kultivimit të kulturave bujqësore ndaj efektit të ndryshimeve klimatike.