Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Politika është punë për gra!

QIKA 6.10.2021

Konstatimi se “politika është punë për burra”, është përjashtues ndaj grave. Duke parë sferën publike si hapësirë për veprim vetëm të burrave, gratë në Kosovë nuk po arrijnë as ta shohin si mundësi angazhimin për çështje publike. Në këtë drejtim, subjektet politike janë treguar mjaft të ngurta duke mos punuar fare në programe gjithëpërfshirëse. Shifrat e larta të papunësisë dhe jo-aktivitetit në tregun e punës, pamundësitë për të trashëguar pronë, kujdesi ndaj të tjerëve dhe punët e papaguara janë ndër arsyet kryesore që gratë vazhdojnë të mbesin të pa përfshira në jetën politike.

Kur flitet për gruan dhe angazhimin politik të saj, me apo pa vetëdije ekziston një tendencë që të diskutohen si dy kategori të ndryshme, të ndara. Zakonisht temës së tillë i referohemi si “Gratë dhe Politika”, ndonëse nuk veprojmë në të njëjtën mënyrë kur flasim për burrat politikanë. Aq u vlerësohet angazhimi, sa jo rrallë herë edhe në diskutime publike quhen “burrështetas”.

Megjithëse diskutimi për përfshirjen e grave në jetën publike është shumë më i gjerë dhe nuk ngecë tek shifrat e përfaqësimit, statistikat në nivel vendor dhe global tregojnë shumë për pabarazinë.

Parlamenti Evropian aktualisht përbëhet 63% prej burrave. Kjo nënkupton pothuajse 200 anëtarë më shumë burra sesa gra brenda Parlamentit Evropian. Në 10 shtetet anëtare të BE-së, siç janë Bullgaria, Republika Çeke, Qiproja, Irlanda, Letonia, Hungaria, Malta, Rumania dhe Sllovakia, burrat përbëjnë të paktën 80% të parlamenteve kombëtare. Në të gjithë BE-në, 85% e kryetarëve të bashkive janë burra.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në qershor të këtij viti në Kosovë sollën rritje të numrit të grave deputete. Nga 120 ulëse sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës, 36.6% e tyre tani u takojnë grave deputete. Lëvizja Vetëvendosje përfaqësohet me 23 deputete, Partia Demokratike e Kosovës ka gjashtë deputete, Lidhja Demokratike e Kosovës pesë deputete, nga tre gra deputete kanë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe si dhe katër deputete janë nga komunitetet tjera.

Në anën tjetër të gjitha komunat e Kosovës vazhdojnë të drejtohen nga burrat si dhe një numër shumë i madh i pozitave me rëndësi shtetërore, përfshirë zëvendësministrat dhe nënkryetarët e komunave.

QIKA ka analizuar nga perspektiva feministe fushatën e fundit të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në shkurt të këtij viti, ku përmes monitorimit e analizës ka argumentuar se gratë përgjithësisht ishin të nën-përfaqësura në lista zgjedhore, debate televizive e tubime publike si dhe çështjet gjinore ishin të pa përfshira në programet zgjedhore të subjekteve politike. Të dhënat e mbledhura janë analizuar dhe komentuar përmes intervistave me gra politikane të subjekteve më të mëdha në Kosovë. Në mënyrë që kjo analizë të jetë sa më e plotë, QIKA ka tentuar të realizoj intervista edhe me shefat e shtabeve të partive politike në zgjedhjet e fundit parlamentare por përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk i janë përgjigjur ftesës sonë.

Kujdesi ndaj familjes dhe mungesa e të ardhurave po izolon gratë në sferën private

Para se flasim për mungesën e grave në pozita drejtuese, apo numrit të vogël të aktivisteve politike, ne duhet të shtrojmë diskutimin në atë mënyrë që t’i përgjigjemi pyetjes: Pse është aq e vështirë dhe sfiduese përfshirja e vajzave dhe grave në aktivitete politike dhe përgjithësisht në sferën publike?

Në një raport të publikuar nga National Democratic Institute dëshmohet se ka përmirësim në perceptimin e udhëheqjes nga gratë dhe në të kuptuarit e barrierave me të cilat përballen gratë. “Shumica e publikut beson se përgjegjësitë familjare janë arsyeja pse nuk ka më shumë gra në udhëheqësi. Një shumicë gjithashtu vëren se ngurrimi nga burrat për të parë gratë që përparojnë dhe format më të gjera të diskriminimit gjinor ishin shkaqet kryesore të pabarazive gjinore në udhëheqje”, thuhet në raport.

Në Kosovë 32.3% e grave janë të papuna, ndërkohë 79.2% e grave janë jo aktive në tregun e punës (që nënkupton që as nuk janë duke kërkuar vend pune). Duke qenë të varura financiarisht nga burrat e familjes, gratë obligohen që të marrin përsipër të gjitha punët e shtëpisë e kujdesin ndaj fëmijëve dhe të moshuarve, e duke pasur barrën kryesore për punët e papaguara ato nuk po arrijnë as të kërkojnë vende pune. Edhe ato pak gra që janë të punësuara, kryejnë poashtu punët e shtëpisë, kjo për shkak të ndarjes tradicionale të roleve gjinore.

Gratë në politikë shpesh përballen me mungesën e mbështetjes nga familjet e tyre dhe kjo jo rrallëherë dekurajon ato që të synojnë pozita udhëheqëse.

Sibel Halimi, zëdhënëse politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpjegon se botëkuptimet e krijuara për vajzat gjatë procesit të socializmit i pengojnë ato për përfshirje në politikë.

“Vajzat rriten me idenë që më shumë janë të përshtatshme për sferën private dhe këto stereotipe e  paragjykime pastaj pengojnë gratë që në moshë madhore të angazhohen politikisht. Historikisht politika është konsideruar si terren i burrave. Një terren i cili duket sikur është pronësuar nga kjo gjini dhe në këtë mënyrë ky dimension i rëndësishëm i shoqërisë ka krijuar një ambient shoqëror maskilinist ku gratë ndihen të pafuqishme për t’u përfshirë”, thotë Halimi.

Duke pasur parasysh të gjitha këto vështirësi, duke ditur kohën dhe përkushtimin që kërkon angazhimi në parti politike dhe gara zgjedhore, gratë shpesh e kanë thuajse të pamundur të bëjnë jetë aktive në politikë. Sipas raportit të Demokracisë në Veprim (DNV), sa i përket pjesëmarrjes së grave në fushatë zgjedhore dhe pjesëmarrjes së tyre si folëse nga subjektet politike që ato kanë përfaqësuar, vërehet një diskrepancë e theksuar në raport me burrat.

Pjesëmarrja e grave në fushatë si dhe pjesëmarrja e tyre si folëse ka qenë tejet e ulët, respektivisht nën 30%-shin e ngjarjeve të monitoruara nga DNV. Gratë kanë qenë prezente në ngjarje të fushatës zgjedhore vetëm 24% në raport me burrat.

“Vërejmë një rritje të lehtë të numrit të grave të cilat kanë qenë folëse gjatë fushatës zgjedhore, mirëpo kjo rritje është tejet e vogël në raport me pjesëmarrjen e përgjithshme të grave në ngjarjet e vëzhguara, ku gratë folëse të subjekteve politike kanë qenë vetëm 5% më lartë, apo 27% në raport me burrat”, thuhet në raport.

Numrat ishin relativisht të njëjtë edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019. Sipas DNV, në të gjitha aktivitetet e organizuara nga subjektet politike, vetëm 25.3% e folësve kanë qenë gra, derisa numri i pjesëmarrësve gra në fushatë zgjedhore ishte vetëm rreth 25%.

Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se sfidat e përfshirjes së grave në gara zgjedhore janë dukshëm më të shumta se sa të burrave. Ndër të tjera Nagavci përmend si vështirësi për gratë politikane presionin dhe sulmet që ndodhin në rrjete sociale apo në media. Sipas një hulumtimi të publikuar në Balkan Insight, dhuna online ndaj grave në Kosovë po e dëmton gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në jetën politike dhe publike.

“Shumë herë gjatë fushatave zgjedhore ku kërkohet të lëvizet nga një qytet në tjetrin, gratë kanë më shumë pengesa të përfshirjes për shkak të obligimeve familjare sepse dihet që ato në përgjithësi shpenzojnë më shumë kohë për familjen. Poashtu ekonomikisht gratë janë në pozitë më të pafavorshme se burrat, ku një pjesë e konsiderueshme e grave kanë vështirësi në aspektin logjistik, disa prej tyre nuk kanë leje të vozitjes, disa nuk kanë veturë të veten, disa kanë problem të udhëtojnë me të tjerët etj.”, shpjegon Nagavci.

Paratë kanë një ndikim jashtëzakonisht të madh në garat zgjedhore. Në këtë drejtim, gratë kandidate janë gjithmonë më pak të përfshira në materialet elektorale. Kjo për faktin se fondet shpesh menaxhohen nga burrat brenda partive por edhe në ato raste kur ndahen barabartë, ato janë të pamjaftueshme për realizimin e një fushate serioze, duke pasur parasysh situatën ekonomike të grave.

Gratë në Kosovë përgjithësisht kanë më pak të ardhura financiare andaj arrijnë të “blejnë” më pak hapësirë për veten, e si rezultat përfshihen në garë të pabarabartë zgjedhore me burrat. Billbordat, spotet televizive apo reklamat në portale ishin të dominuara dukshëm nga burrat edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Përveç fotografive që janë realizuar për të gjithë kandidatët, të tjerat është dashur të mbulohen vet varësisht sa e ke buxhetin. Ju e dini se në Kosovë ata që kanë pare janë burra dhe ata që shkojnë nëpër emisione janë kryesisht burra. Domëthënë aq sa ke pas pare, aq ke me pas billborda”, shpjegon Valdete Idrizi deputete e Partisë Demokratike të Kosovës.

Time Kadrijaj, deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e konsideron si vendim personal shumën e kostos që shpenzon një kandidat për fushatë zgjedhore.

“Secili deputet e mendon veç e veç qysh e bon fushatën zgjedhore, a don me bo reklama ma shumë, a don me bo billborda më shumë apo si intereson hiç, është vendim personal. Unë nuk jam ithtare e billbordave se nuk besoj që billbordi ka me m’sjellë votë”, thotë ajo.

Demokraci për Zhvillim (D4D) ka publikuar këtë vit një raport mbi financimin e fushatës zgjedhore nga gratë kandidatë ku ka gjetur se asnjëra nga subjektet politike nuk kanë rregullore të brendshme për fonde të veçanta që mbështesin gratë kandidate në fushatë zgjedhore. Sipas këtij raporti 75% e të anketuarave ndjehen të diskriminuara brenda subjekteve politike në procesin e ndarjes së resurseve humane dhe financiare gjatë fushatës zgjedhore.

Në një hulumtim të publikuar nga Preportr mbi zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 vërehet se burrat kandidatë kanë investuar dukshëm më shumë në materiale promovuese se sa gratë kandidate.

“Preportr ka gjetur se nga 746 reklama në portalet informative, 82.31% reklamonin kandidatët burra dhe vetëm 17.69% gratë. Rezultate të ngjashme kanë dalur edhe nga monitorimi i reklamave në gazetat ditore. Nga 218 reklama të monitoruara për nëntë ditë fushatë (me 4 qershor nuk ka pasur gazeta), vetëm 19.27% promovonin gratë kandidate ndërsa 80.73% burrat. Përveç kostos së prodhimit të një spoti reklamues, kandidatët kanë paguar shumë edhe për hapësirën në televizione. Meqë reklamat e tilla kanë kushtuar shumë, gratë kandidate kanë arritur të jenë shumë pak prezente në televizione. Nga 40559 sekonda reklama të monitoruar, Preportr ka gjetur se 88.36% e tyre promovonin burrat kurse 11.64% gratë”, thuhet në këtë hulumtim.

Gratë jashtë listave zgjedhore

Trembëdhjetë vite pas konsolidimit të institucioneve të Republikës së Kosovës janë mbajtur 5 palë zgjedhje parlamentare, e 8 sosh nga paslufta deri më tash. Pa marrë parasysh presionin e organizatave joqeveritare dhe bashkësisë ndërkombëtare, partitë politike kanë vazhduar të kandidojnë gra në lista zgjedhore vetëm sa për ta përmbushur obligimet ligjore. Gjatë kësaj periudhe gratë kandidate për deputete e kanë dëshmuar shumë herë cilësinë por edhe mbështetjen që e gëzojnë nga elektorati. Mirëpo, kjo asnjëherë nuk ka mjaftuar që partitë politike të arrijnë përfaqësim të barabartë gjinor në listat zgjedhore.

Edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare të gjitha subjektet kanë shkelur Ligjin për Barazi Gjinore që parasheh përfaqësim 50/50 të burrave dhe të grave. Në anën tjetër renditja në lista zgjedhore ka vazhduar me trendin thuajse të njëjtë tek të gjitha partitë ku çdo e treta është grua, ndërkohë që burrat kishin numra kyç e më të vrejtshëm.

Zëdhënësi për media në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Lulzim Blaka, tregon se partia të cilës i përket zakonisht ka problem për përfaqësim të barabartë në nivelin e degëve më shumë se sa në qendër. Sipas tij në tubime të kësaj partie pjesëmarrja e grave nuk është e ulët, por kur vie puna tek kandidimi gjërat ndryshojnë.

“Sa i përket angazhimit të grave direkt në politikë është goxha problem, rrallëherë kalohet pragu 30%. Na në zgjedhjet e kalume e kemi kalu pragun për një kandidate, kena dashtë ma shumë por nuk ka pasë interesim. Jo që nuk është jep mundësia por nuk ka pasë interesim”, thotë Blaka. Sipas tij është urgjente që të bëhet harmonizimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe atij për Barazi Gjinore në mënyrë që partitë ta kenë me të qartë obligimin ligjor.

Të njëjtin mendim ndan edhe Time Kadrijaj. “Ndonjëherë gratë hezitojnë me qenë pjesë aktive e politikës pasi që mjaftohen me një punë dhe me iu kthy aktivitetit familjar, shtëpiak dhe ndonjëherë hezitojnë me qenë pjesë aktive e politikës”, deklaron ajo.

Edhe Nagavci fajin për mospërfaqësim të barabartë ia lë edhe hezitimit të grave për tu përfshirë në lista zgjedhore. “Ne kemi insistuar mjaftueshëm që me pas numër më të madh të grave kandidate, por këtu ka qenë shumë shpesh hezitimi nga ana e grave”, thotë ajo.

Por Vlora Dumoshi, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se është shumë dekurajuese mungesa e përfshirjes së grave në lista zgjedhore si dhe renditja e pa drejtë brenda listave.

Edhe në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në 17 tetor të këtij viti, gratë ngelën të nënpërfaqësuara në lista zgjedhore për këshilltare komunale, ndërkohë nga mbi 160 kandidatë për kryetar të Komunave, partitë politike shqiptare ua kanë besuar kandidaturën vetëm 9 grave për të udhëhequr me komunat e Kosovës.

Para zgjedhjeve qendrore të vitit 2019, përmes një deklarate publike, Avokati i Popullit ka theksuar zëshëm që dispozitat e Ligjit për Barazi Gjinore kanë përparësi ndaj dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo vlen për dy arsye kryesore: 1. Ligji për Barazi Gjinore është ligj i veçantë sa i përket garantimit, mbrojtjes dhe promovimit të barazisë gjinore, dhe ligjet e veçanta kanë përparësi mbi ligjet e përgjithshme, dhe 2. Ligji për Barazi Gjinore është i miratuar më vonë (2015) krahas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe detyrimisht kërkon zbatim.

Sipas raportit të publikuar nga NDI për pjesëmarrjen e grave në politikë, partive në Kosovë shpesh u mungojnë proceset e qarta e të formalizuara për identifikimin, propozimin, përzgjedhjen dhe vendosjen e kandidatëve në listat e tyre, duke e bërë veçanërisht të vështirë për gratë që të navigojnë nëpër procese joformale, të dominuara nga burrat.

“Kur u pyetën për këtë gjatë intervistave dhe grupeve të fokusit, shumica e përfaqësuesve të partive politike nuk ishin në gjendje të tregonin për procedurat e zyrtarizuara, të zbatuara në mënyrë të qëndrueshme. Ishte e qartë nga hulumtimi cilësor se për të përmbushur kërkesën minimale për kuotën zgjedhore, shumë parti përzgjedhin gratë kandidate në minutën e fundit dhe kështu duke i kushtuar kohë dhe burime të pamjaftueshme për t’u mundësuar atyre të drejtojnë fushata efektive. Përpjekjet për përfshirjen e grave përtej kërkesave të kuotës duket se burojnë nga motivimet personale dhe jo institucionale, me një të intervistuar burrë që sugjeron se “ende nuk jemi në një vend ku gratë do të ngrihen dhe do të zënë vende”, thuhet në raport.

Duke pasur parasysh ritmin e ngadaltë me të cilin në të kaluarën rritej numri i grave në pozita vendimmarrëse, janë shtuar thirrjet për metoda më efikase për të arritur një ekuilibër gjinor në institucionet politike. Kuotat paraqesin një mekanizëm të tillë. Futja e sistemit të kuotave për gratë përfaqëson një kapërcim cilësor në rrafshin e përfaqësimit më të barabartë. Edhe pse rëndësia e kuotës gjinore shpesh ishte kritikuar dhe kundërshtuar, ndikimi i saj në përfshirjen e më shumë grave në Kuvendin e Kosovës është shumë i vrejtshëm. Në zgjedhjet e fundit parlamentare numri i grave deputete që fituan pa ndihmën e kuotës u rrit dukshëm për dallim prej viteve të tjera. Zbatimi i legjislacionit për kuotën gjinore ka hapur rrugë për më shumë gra politikane. Në disa raste gratë të cilat herën e parë e kanë fituar mandatin e deputetes përmes kuotës, në zgjedhjet e tjera janë radhitur ndër deputetët më të votuar.

Debatet e burrave

Pjesëmarrja e grave në debatet televizive është një dëshmi tjetër për garën e pabarabartë mes grave e burrave në proceset zgjedhore. Kjo formë e pabarabartë e përfaqësimit tregon se si partitë politike gjatë fushatës zgjedhore u kanë dhënë hapësirë burrave më shumë se sa grave që të prezantojnë qëndrimet e tyre politike dhe përforcon paragjykimin se mendimet e grave për çështje politike kanë pak rëndësi.

Para fillimit të fushatës QIKA u ka dërguar një letër të hapur partive politike duke kërkuar që gratë politikane të kenë sa më shumë paraqitje publike gjatë fushatës. Megjithatë, edhe pas kërkesës tonë, gjatë fazës së monitorimit kemi hasur në shpërputhje të përfaqësimit të grave kandidate krahasuar me burrat kandidatë. QIKA ka monitoruar debatet televizive për pesë kanale televizive të cilat kanë organizuar më së shumti debate gjatë fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë. Periudha e monitorimit pasqyron komplet ditët e fushatës zgjedhore nga data 3 shkurt deri më datën 12 shkurt dhe të dhënat përfshijnë vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike që ishin garuese në këto zgjedhje.Sipas të dhënave të nxjerra, në tërësi partitë politike në këto emisione janë përfaqësuar me 57 burra dhe vetëm 10 gra.

Nita Luci, profesore në Fakultetin Filozofik, thotë se shpeshherë producentëve ose gazetareve nuk iu bien ndërmend gratë të cilat mund të ftohen në debate televizive por në anën tjetër Luci thotë se kjo tregon edhe për injorim dhe mungesë besimi për mendimet e grave.

“Ne në përgjithësi si shoqëri kemi ende problem me iu besu grave për çka ato thonë, me iu besu se ato kanë dije, kanë njohuri edhe munden me artikulu ide”, thotë ajo.

Luci argumenton se veshi jonë është shumë pak i trajnuar në përgjithësi për të dëgjuar një zë dhe tingull femëror, kjo për shkak se hapësira publike e mediatike sipas saj është e dominuar prej një zëri dhe një perspektive shumë më mashkullore. Sipas saj kjo ndikon tek gratë, çofshin ato analiste apo politikane që të pyesin veten sa herë që ftohen në debate televizive “Me cilin zë kam me folë unë? Qysh kam me e artikulu veten? A kam me ju nënshtru në njëfarë mënyre diskursit ekzistues apo ndoshta kam me synu me e thy pak qatë strukturë për me ofru një formë tjetër të të folurit, argumentimit apo logjikës”.

Demokracia në Veprim, ka bërë matjen për kronika zgjedhore, me ç’rast të gjeturat tregojnë se minutat që kanë pasur gratë kandidate në kronika janë vetëm 7% në krahasim me 93% për burra. Në debatet televizive të monitoruara nga data 13 janar deri me datë 12 shkurt, përqindja e grave kandidate në këto debate është vetëm 20 %, ndërkaq në spote reklamuese përqindja e tyre është 16 %.

Arbërie Nagavci nga LVV thekson se faktor tjetër që ndikon në nën-përfaqësimin e grave në debatet politike është edhe pritshmëria e shoqërisë mbi dukjen e tyre. Sipas saj kjo krijon një presion mbi to dhe mund të jetë faktor që ndikon në hezitimin e tyre për të pasur paraqitje mediatike.

“Besoj që në shumicën e rasteve edhe gratë vetë presin të jenë të përgatitura për një paraqitje në emision televiziv, por në anën tjetër edhe pritshmëritë e të tjerëve në raport me gratë edhe gjykimi dhe vlerësimi i tyre për gratë është në kritere më të larta, gjë që për burrat nuk ekziston. Mund të jetë edhe çështja e paraqitjes, pritshmëritë për aspektin fizik apo për pamjen e gruas janë më të larta”, shton ajo.

Sipas Valdete Idrizit, gratë asnjëherë nuk hezitojnë të marrin pjesë në debate televizive, mirëpo problemi qëndron se ato në të shumtën e rasteve nuk njoftohen me kohë dhe kështu tentohet që faji tu lihet atyre. “Unë mendoj që nuk iu është dhënë besimi sa duhet grave në përfaqësim”, deklaron ajo.

Në pyetjen se pse është vërejtur dukshëm diskrepanca mes burrave dhe grave në paraqitjet në debatet televizive, Lulëzim Blaka nga AAK i cili njëherit ka qenë edhe përgjegjës për pjesën e marrëdhënieve me publikun në zgjedhjet e fundit, shprehet se AAK si subjekt nuk ka bërë ndonjë diskriminim me bazë gjinore. Ai thotë se dërgimi i deputetëve në debatet televizive është bërë në bazë të temës së emisionit, me ç’rast janë dërguar profesionistët e fushës.

“Na s’kemi bo diskriminim absolutisht, por vetëm jemi shku me listë. Po kërkojnë ekonomist, kemi këqyrë për ekonomistë. Jena mundu me zgjedhë dikon që nuk ka qenë në debate të mëhershme me e dërgu. Nëse ka qëllu ndonjë grua ekonomiste në listë mundësinë ja kena jep, e kemi thirrë, tjetër është se a ka pranu apo nuk ka pranu.”- pohon Blaka. Të njëjtën gjë e pohojnë edhe deputetet Vlora Dumoshi nga LDK dhe Time Kadrijaj nga AAK, duke thënë se paraqitjet në debatet politike bëhen në bazë të kualifikimit profesional dhe temës së përcaktuar për diskutim.

Ndërsa Sibel Halimi ndërlidhë perceptimet tradicionale të shoqërisë me politikën dhe median. “Media shpërfaqë një realitet i cili është i krijuar nga shoqëria por në anën tjetër nuk është e pafajshme në krijimin e kësaj gjendje që ekziston”, u shpreh ajo, duke shtuar se mediat duhet të kërkojnë nga partitë që të ftuar të jenë specifikisht gratë politikane. Megjithatë, ajo pohon se LDK gjatë periudhës së fundit i ka kushtuar rëndësi tejet të madhe përfaqësimit të gruas, jo vetëm në kuptimin simbolik, por si aktere që ndihmon në zhvillimin e partisë.

Për Time Kadrijaj, takimet me elektoratin e saj janë shumë më të rëndësishme sesa pjesëmarrja në debatet televizive. Ajo pohon se ka qenë e ftuar por nuk ka pranuar ftesën për shkak të agjendave elektorale të saj. “Meqenëse unë kom qenë deputete, kom qenë aktive, kom qenë nëpër debate televizive, kom thon jepnju hapësirë grave të reja që jon kah Prishtina se n’fund t’fundit mu publiku m’njeh që është i pesti mandate që jom deputete”, tha ajo.

Sipas një studimi të realizuar nga Global Media Monitoring Project përgjatë 20 viteve në nivel global gratë përbëjnë vetëm 24% të njerëzve për të cilët lexojmë në gazeta, i shohim në media apo dëgjojmë në radio. Sipas Global Media Monitoring Project, që bën matjen e përfaqësimit të grave në media për çdo 5 vjet, gratë paraqiten në lajmet në internet dhe media të tjera dixhitale me 26%, ndërsa sa i përket kategorisë së lajmeve për politikën, gratë përbëjnë vetëm 16% të njerëzve që paraqiten në storiet mediatike.

Ndërlidhja mes grave politikane dhe përfaqësimit të tyre mediatik është prekur si çështje nga studiues të ndryshëm. Pavarësisht rritjes së konsiderueshme të numrit të grave politikane, ato mbeten të nën-përfaqësuara në botën e medias. Kjo dukuri ndodhë edhe në vendet si Norvegjia, që konsiderohet të ketë zhvillimin më të lartë sa i përket barazisë gjinore. Një studim i bërë në Norvegji tregon se vetëm 29% e politikanëve që paraqiten në lajme janë gra, pra 10% më pak sesa numri aktual i tyre që janë zgjedhur qoftë si përfaqësuese të qarkut, kryetare të bashkisë apo përfaqësuese parlamentare. Ndërsa, në Irlandë gjatë zgjedhjeve të vitit 2011 gratë përbënin rreth një të tretën e paraqitjeve në panelet e diskutimit dhe kishin pasur  në dispozicion vetëm 10% të kohës mediatike për të diskutuar mbi planet dhe strategjitë politike.

Nën-përfaqësimi i grave në media vërehet edhe në vendet jo perëndimore, siç janë Afrika Sub-Sahariane, Gana e Nigeria. Gratë politikane në këto vende praktikisht luftonin për të marrë vëmendjen mediatike dhe kur e arrinin një gjë të tillë nuk merreshin parasysh arritjet e tyre, por diskutohej mbi benefitet që i kishte sjellë familjes pozita e tyre.

Programet e partive politike adresojnë sipërfaqësisht pabarazitë gjinore

Pabarazia gjinore dhe diskriminimi ndaj grave janë ndër problemet kryesore zhvillimore të Kosovës. Si të tilla, ato duhet të jenë pjesë thelbësore e programeve politike të partive politike që synojnë qeverisjen. Mirëpo, ndonjëherë për të ruajtur fuqinë dhe kontrollin, elita politike krijon tendenca për t’i mbajtur çështjet thelbësore jashtë rendit të ditës, në rastin tonë, çështjet gjinore. Ata që janë më afër procesit të politikave kanë kontrollin më të madh mbi çështjet që arrijnë të zënë vend në programin politik, e zakonisht ata janë burrat. Kësisoj shpesh ata përcaktojnë se si çështjet debatohen, në aspektin e rendit, kornizës dhe përmbajtjes. Kjo ka ndikuar që shpesh politikat që përmirësojnë drejtpërdrejtë jetën e grave të mbesin jashtë agjendave politike.

“Pjesëmarrja e barabartë e grave në jetën politike luan një rol kryesor në procesin e përgjithshëm të përparimit të grave. Pjesëmarrja e barabartë e grave në vendimmarrje nuk është vetëm një kërkesë për drejtësi të thjeshtë ose demokraci, por gjithashtu mund të shihet si një kusht i domosdoshëm që interesat e grave të merren parasysh…”, thuhet në Deklaratën e Pekinit dhe Platformën për Veprim.

QIKA ka zhvilluar një analizë të shpejtë të programeve qeverisëse të partive politike nga perspektiva gjinore. Pavarësisht se vërehet një përmirësim në mënyrën e trajtimit të këtyre çështjeve, shumica e objektivave të programeve kanë vetëm fuqi deklarative, kështu duke pasur mungesë thuajse absolute të planeve konkrete se si këto objektiva do të adresohen. Ato parti të cilat përmendin dhunën në bazë gjinore apo dhunën në familje, fokusohen më shumë në trajtim të rasteve apo trajtim të të mbijetuarave të dhunës, por jo në parandalim. Në anën tjetër, ndihmesat e parapara financiare për gratë të cilat kanë fëmijë, nuk është se sjellin një përmirësim të gjendjes ekonomike të grave në të ardhmen. Tendenca për të mbështetur gratë vetëm përbrenda rolit të amësisë ka rrezik të ngujoj ato edhe më tutje në shtëpi me përgjegjësitë mbi punët e papaguara. Përkundër gjithë këtyre shtjellimeve, aspekti tejet shqetësues që vlen për të gjitha subjektet politike është fakti që asnjëra nga partitë politike nuk ka përmendur diskriminimin dhe margjinalizimin e personave LGBTIQ+ në programet e tyre. Me këtë mospërfshirje, partitë politike kanë treguar se nuk janë gati të flasin për këtë çështje publikisht, e aq më pak të propozojnë politika konkrete që do të avanconin pozitën e tyre në shoqëri.

Vlora Dumoshi thotë se në subjektin ku ajo bën pjesë ka nivel të lartë të rregullimit sa i përket aspektit gjinor. “LDK ka brenda vetes forumin e gruas, ku trajtohet çështja e grave dhe pjesëmarrja e tyre sa më e madhe në politikë. Në programet qeverisëse, kemi qenë një ndër qeveritë, rasti i qeverisë Mustafa, që kemi filluar aplikimin e ndarjes së pasurisë në familje dhe poashtu kemi ndërmarrë shumë iniciativa tjera që janë bërë nën ombrellën e zyrës për barazi gjinore”, shton ajo.

Sibel Halimi nga po i njëjti subjekt, thotë se në përgjithësi kur flitet për çështjet e grave në programe politike gjithmonë ka pasur stereotipe. “Ka ekzistuar një harmoni perfekte mes shoqërisë patriarkale dhe programeve politike”, thotë ajo.

Për të shtjelluar më tutje se pse kjo harmoni është ekzistente, Halimi merr shembuj të ndryshëm nga programe politike që në shikim te parë duken si të dobishme për gratë, por që faktikisht e dobësojnë pozitën e saj në shoqëri.

“Konsiderimi që vetëm grave u takon pushimi i lehonisë, shtesat për fëmijë, janë elemente të cilat në pamje të parë duken sikur po i kontribuojnë gruas por në fakt nuk e bëjnë këtë. Domethënë në mënyrë indirekte e promovojnë vlerën e gruas vetëm brenda shtëpisë. Në anën tjetër kemi shembullin e  sigurimit të transportit për vajzat të cilat po e braktisin shkollën për shkak të mungesës së transportit. Sidomos tani që kam punë në terren kam parë që shumë vajza e kanë braktisur shkollën vetëm sepse nuk ekziston një autobus për t’i dërguar në shkollë. Këtu mundeni me pa se sa pak janë te ndjeshme partitë politike karshi vajzave dhe grave”, shton Halimi.

Në anën tjetër Lulzim Blaka thekson se programi politik i AAK-së, si parti e djathtë e deri diku edhe konservatore, asnjëherë nuk niset prej dallimeve gjinore. “Për këtë arsye një kohë gratë në AAK kanë funksionuar si një departament bashkë me të tjerët e jo si diçka e ndarë, por e kanë kërkuar prap riaktivizimin e Aleancës së Gruas edhe partia ua ka mundësuar këtë, mirëpo asnjëherë nuk është bërë dallim i tillë”, shton Blaka.

Nita Luci tregon se arsyeja pse është i rëndësishëm angazhimi politik i grave është se ato mund të ndikojnë në politika institucionale. Sipas saj mungesa e gjithëpërfshirjes prodhon politika që nuk kanë parasysh grupet e margjinalizuara në shoqëri. “Këtë e shohim edhe në arsim, e kemi pa qysh prej ngacmimeve seksuale dhe abuzimeve me pushtetin. Në anën tjetër vërehet mungesa e përkrahjes për vajzat dhe gratë qoftë në shkollim apo avancim në rrafshin profesional të tyre”, thotë Luci.

Gazetën mund ta gjeni në: https://qika.org/wp-content/uploads/2021/10/01-Qika-Magazine-ALB08-WEB.pdf