Alb Eng
Për QIKA 1≠1

38 burra

Leonida Molliqaj 19.3.2021

Asnjë komunë në Kosovë nuk drejtohet nga gratë. Ndërkohë burrat kanë pushtetin në 38 komuna, aq sa edhe numëron shteti ynë.

Të dhënat për përfshirjen e grave në zgjedhjet lokale janë alarmante. Nga 208 persona sa i kishin kandiduar subjektet politike për udhëheqjen e komunave në zgjedhjet lokale të vitit 2017, vetëm 8 ishin gra, pra më pak se 4% e garuesve. Edhe kur partitë politike vendosën gra kandidate për pozitën e kryetares së komunës, zakonisht ato garuan në rajone ku kishin pak gjasa që të fitonin, ndërkaq bastionet partiake përgjithësisht u rezervuan për burrat.

Përbërja e listave zgjedhore për këshilltarë komunalë është një tregues i qartë se si ndahet pushteti brenda një subjekti politik: 70% e listës u takon burrave dhe vetëm 30% përfshin gratë, dhe kjo ekskluzivisht për shkak të detyrimeve ligjore. Të gjitha subjektet politike deri më tani e kanë shkelur Ligjin për Barazi Gjinore që parasheh përfaqësim 50/50 të burrave dhe grave në të gjitha institucionet publike.

Partitë politike nuk kanë një angazhim të përhershëm për të ndihmuar gratë që të bashkohen dhe përfshihen politikisht. Zakonisht vërehen tek angazhohen në kërkim të emrave të grave vetëm kur vjen koha e fushatave zgjedhore. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, nga 6.887 kandidatë për këshilltarë komunalë në përgjithësi, vetëm 34% prej tyre ishin gra. Nga gjitha anëtaret e kuvendeve komunale, 65% kanë arritur aty falë kuotës gjinore.

Gara në zgjedhjet lokale është e pabarabartë për burrat dhe gratë në të gjitha drejtimet. Gratë kandidate për këshilltare komunale, sidomos ato në zonat rurale, kanë kushte të pafavorshme për të bërë fushatë. Të dhënat nga Demokracia në Veprim tregojnë se pjesëmarrja e grave në tubimet elektorale të vitit 2017 ka qenë në mesataren 10%, ndërsa sa i përket pjesëmarrjes së grave si folëse ka qenë 21%. Zakonisht partitë politike grumbullojnë burra nëpër oda dhe hapësira tjera tradicionale që historikisht kanë qenë përjashtuese për gratë, kësisoj vetëm burrave kandidatë u mundësohet të diskutojnë për politikë dhe t’i përfaqësojnë subjektet e tyre. Për sa kohë të kemi këtë lloj të segregimit në baza gjinore, nuk mund të flitet për sfidim normash tradicionale.

Gratë kandidate nuk janë të barabarta as ekonomikisht me burrat kandidatë. Fondet për shpenzime të fushatës zgjedhore nuk ndahen në mënyrë të drejtë mes kandidatëve dhe kjo më së miri vërehet kur analizohen materialet promovuese si bilbordët, reklamat apo spotet televizive, ku gratë rrallë vërehen.

Në anën tjetër, edhe pas zgjedhjeve partitë fituese përgjithësisht i kanë vendosur burrat në pozita udhëheqëse brenda komunave. Një raport nga Democracy Plus ka gjetur se nga 364 drejtori komunale sa janë identifikuar në 37 komuna, vetëm 75 drejtori udhëhiqen prej grave. Shembull të mirë në këtë mandat kanë dhënë Komuna e Kamenicës, ajo e Drenasit dhe e Kllokotit, që kanë balancë të plotë gjinore në poste udhëheqëse të drejtorive.

Kemi të bëjmë me një dominim jashtëzakonisht të madh të burrave në të gjitha institucionet politike dhe ekonomike. Këtë nuk po e problematizoj vetëm në rrafshin e shifrave të përfaqësimit. Është fjala për ndarje të padrejtë të pushtetit dhe riprodhim të pabarazive.

Kuvendet lokale janë hapësira të rëndësishme politike. Aty propozohen dhe vendosen politika që prekin drejtpërdrejt jetën e komunitetit. Dëshmitë sugjerojnë që rritja e përfshirjes së grave në hartimin e politikave publike mund të ndihmojë në përpilimin e politikave më gjithëpërfshirëse. Ne kemi nevojë për politika tejet konkrete, por edhe të guximshme që shkundin rendin ekzistues diskriminues në Kosovë. Angazhimi politik i grave është një mundësi për të problematizuar shumë çështje që nuk kanë qenë pjesë e diskutimeve publike edhe për fatin e keq sepse kanë prekur vetëm gratë. Vetëm kur gratë ndërhyjnë në sferën publike mund të hapen mundësi të reja për artikulim dhe adresim të shtypjes e diskriminimit.

Ka pak gra që punojnë e edhe më pak gra që angazhohen politikisht. Ky duhet të jetë shqetësim i të gjithëve. Në vend të diskutimit të shtruar gabimisht, që i fajëson gratë për mungesë vullneti e gatishmërie për t’u përfshirë në sferën publike, duhet të flitet shumë e shpesh për vështirësitë e tyre për ta bërë këtë hap, e që shpesh lidhen drejtpërdrejt me punën e papaguar brenda shtëpisë. Pabarazitë gjinore janë thellësisht politike andaj edhe lufta ndaj tyre duhet të jetë politike.

Teksti është publikuar fillimisht në Koha për gratë.

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë

Pse kaq pak burra punojnë si mësimdhënës në nivelin parashkollor?

16.1.2024

Rolet gjinore janë të ushtruara sistematikisht në shoqëri, duke e shtrirë pushtetin përmes stereotip

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren Kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për n

Punë n’punë e punë n’shpi

8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që

Pse vajzat nuk po zgjedhin shkollat profesionale?

6.12.2023

Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drej

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nëpër prokuroritë e Kosovës

31.10.2023

Për të arritur një shoqëri të lirë nga dhuna në familje, është thelbësore që Kosova të vazhdojë përp