Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Dallimi mes seksit dhe gjinisë

Edona Shala 13.4.2021

Fjala seks dhe gjini shpeshherë përdoren si sinonime, mirëpo ato nuk mbartin kuptim të njëjtë. Nuk janë ekuivalente. Megjithatë për shkaqe të ndryshme e njëra ndër to është edhe çështja gjuhësore, këto dy fjalë përdorën në mënyrë të ndërsjellë në shoqërinë tonë. Pra, shpesh seksi dhe gjinia ngatërrohen me njëra-tjetrën, e kjo nganjëherë rrjedh edhe si një tendencë e përkthimit të fjalës seks si gjini. Duke u munduar t’i shmangen përdorimit të fjalës seks nga frika që mund të keqkuptohet, shumë njerëz përdorin fjalën gjini edhe kur i referohen vetëm karakteristikave biologjike.

Aspektet e seksit nuk ndryshojnë nga shoqëria në shoqëri, ndërsa aspektet e gjinisë mund të ndryshojnë mjaft shumë. Kjo duke qenë se seksi nënkupton karakteristikat biologjike dhe fiziologjike të cilat përcaktojnë meshkujt dhe femrat ndërsa gjinia është kombinim shoqëror i identitetit, shprehjes, dhe elementeve shoqërore në lidhje me maskulinitetin dhe feminitetin. Përfshin identitetin gjinor (vetë-identifikimin), shprehjen gjinore (vetë-shprehjen), gjininë sociale (pritjet shoqërore), rolet gjinore (veprimet e socializuara), dhe atribuimin gjinor (perceptimin social). Edhe pse duhet të theksojmë se kjo çështje nuk është aq e thjeshtë sa duket, marrë parasysh faktin se jo të gjithë individët janë qartë të klasifikuar si ‘mashkull’ ose ‘femër’ edhe në baza strikte biologjike të përmendur këtu. Organet gjenitale mashkullore dhe femërore, të brendshme dhe të jashtme janë të ndryshme. Në mënyrë të ngjashme, nivelet dhe llojet e hormoneve të pranishme në trupat mashkull dhe femër janë të ndryshme. Faktorët gjenetik janë ata që e definojnë seksin e një individi. Mirëpo edhe pse ndarja mashkull/femër shpesh shihet si binare (binary), kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Në disa raste, një fëmijë lind me një përzierje midis organit gjenital femëror dhe mashkullor. Këta persona quhen interseks. Prandaj edhe seksi nuk mund të konsiderohet si dy kategori reciproke, ekskluzive, të ndara por është një vazhdimësi (continuum).

A munden njerëzit të kenë një gjini të ndryshme me seksin e tyre biologjik? A ka vetëm dy lloje të gjinisë? Cila është marrëdhënia midis trupit tonë dhe gjinisë sonë – nëse ka një?

Gjinia është një spektër i gjerë, përkundër faktit se edhe gjinia konsiderohet si kategori specifike. Përmes gjinisë tentohet të tregohet roli shoqëror dhe kulturor i secilit seks, e kjo varion në forma të ndryshme nga shoqëria në shoqëri. Shumica e njerëzve i zhvillojnë rolet e tyre gjinore si përgjigje ndaj ambientit në të cilin jetojnë, duke përfshirë këtu ndërveprimet familjare, ato me bashkëmoshatarë, ndikimin e mediave dhe të arsimit. Kjo pastaj ndikon edhe në krijimin e stereotipave gjinore.

Pikëpamja dikotomike e gjinisë është specifike në shumë kultura të caktuara, mirëpo nuk është universale. Në disa kultura gjinia pranohet si fluide, e rrjedhshme. Kjo megjithatë nuk vlen në Kosovë (deri më tani). Në Ligjin për Barazi Gjinore, seksi dhe gjinia në vendin tonë konsiderohen binare. E nga aspekti gjuhësor termi mashkull dhe femër përdoren për të dhënë shpjegime për gjininë. Madje, në fjalorin e gjuhës shqipe fjala grua përdoret për të definuar një person të gjinisë femërore, që është më në moshë, është e martuar ose ka fëmijë. Ndërsa fjala femër tek në shihet si term gjithëpërfshirës për gratë dhe vajzat, pa dallim moshe, prandaj edhe përdorët më shumë.

Në shumë gjuhë, nuk ka një ndarje ekuivalente midis seksit dhe gjinisë. Ky ndryshim i vazhdueshëm nga një term në tjetrin mund të jetë një tregues i disa prej konfuzioneve të përfshira në diskutimin e gjinisë në shoqëritë tona. Megjithatë në gjuhën shqipe ekzistojnë të dy fjalët dhe kuptimet e tyre janë mjaftë qartë të përkufizuara. Fjala seks dhe gjini nënkuptojnë dy gjëra të ndryshme. Në përgjithësi ne e caktojmë seksin e një të porsalinduri si mashkull apo femër bazuar në organet gjenitale të foshnjës. Pas përcaktimit të seksit ne gjininë vetëm e presupozojmë. Sidoqoftë, edhe pse gjinia mund të fillojë me caktimin e seksit ajo nuk përfundon aty. Dikush që ka lindur si femër nuk vendos të jetojë domosdo si grua. Njëjtë është edhe për meshkuj. Dikush që ka lindur mashkull mund të vendosë të jetojë si grua, dhe anasjelltas. Fjala transgjinor është një term ombrellë i cili i referohet personave identiteti gjinor i të cilëve është i ndryshëm nga seksi i cili u është caktuar në lindje. Personat transgjinorë e kanë të drejtën të zgjedhin identitetin e tyre gjinor dhe nuk duhet të detyrohen të jetojnë me trupa ose identitete me të cilat nuk ndihen rehat, edhe pse një gjë e tillë ka qenë dhe vazhdon të jetë mjaft sfiduese në vendin tonë.

Prandaj kufizimi i përdorimit të seksit në vend të gjinisë, mund t’i kufizon individët në mënyrën se si mund të shprehen dhe të jetësojnë aspiratat e tyre. Për individët të cilët nuk duan të identifikohen si burra apo gra në gjuhën angleze ekzistojnë për shembull përemra neutral si They/Them, të cilët përdoren në raste të tilla. Ndërsa në gjuhën shqipe ende nuk kemi terma të tillë neutral. Prandaj është shumë e rëndësishme që të rishikohet dhe të plotësohen standardet gjuhësore për të akomoduar shprehjet te ndryshme që reflektojnë në gjithëpërfshirje.

Është shumë me rëndësi të jemi të kujdesshëm me përdorimin e fjalëve të duhura. E sidomos në rastin e fjalës seks dhe gjini, sepse kjo pastaj shkakton konfuzion edhe në përdorimin e fjalës femër/mashkull dhe grua/burrë. Siç e thamë edhe më herët fjala femër/mashkull definon tiparet biologjike. Në anën tjetër termet grua dhe burrë përdorën vetëm për specien njerëzore, duke vendosur kështu theksin mbi anën sociale e kulturore të gjinisë.

“Grua nuk lind, po bëhesh”, thotë Simone de Beavuoir te “Seksi i Dytë” (Botimet Çabej, Tiranë 2002). Sot ne nuk do duhej të flisnim për emancipimin e femrave, se kjo fillimisht nuk është e logjikshme, se seksi biologjik nuk emancipohet as zhvillohet, po për emancipimin e gruas dhe rolin e saj në shoqërinë tonë. E trajtimi i të gjithë njerëzve në mënyrë të barabartë duhet të jetë me rëndësi për secilin prej nesh, në fund të fundit të gjithë jemi konstrukte sociale, e dallimet e vetme janë ato biologjike.

Edhe pse një fjalë mund të duket jo aq e rëndësishme, në këtë rast përbëjnë një rol shumë me rëndësi në zhvillimin e idealeve tona për barazi gjinore dhe jo vetëm. Po pra, pikërisht barazi gjinore. Askush nuk kërkon barazi biologjike pasi që një gjë e tillë do të ishte jo logjike dhe e paarritshme. Mirëpo mund të kërkojmë barazi shoqërore. Mund të fillojmë duke ndarë këto dy koncepte. T’i kuptojmë ato, t’i trajtojmë njerëzit fillimisht si qenie njerëzore dhe sipas identitetit gjinor/social që ata/ato zgjedhin për veten e tyre.

Ky shkrim fillimisht është publikuar te “Pikëpamja”

Pikëpamjet e autores nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e QIKA

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë

Pse kaq pak burra punojnë si mësimdhënës në nivelin parashkollor?

16.1.2024

Rolet gjinore janë të ushtruara sistematikisht në shoqëri, duke e shtrirë pushtetin përmes stereotip

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren Kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për n

Punë n’punë e punë n’shpi

8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që

Pse vajzat nuk po zgjedhin shkollat profesionale?

6.12.2023

Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drej

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nëpër prokuroritë e Kosovës

31.10.2023

Për të arritur një shoqëri të lirë nga dhuna në familje, është thelbësore që Kosova të vazhdojë përp