Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Pandemia përforcoi idenë e grave në shtëpi; pako e ringjalljes ekonomike nuk ofroi zgjidhje

Riola Morina 10.1.2022

Pandemia COVID-19 dhe pasojat e saj fshinë progresin e grave që u zhvillua ndër vite. Mbi gati dy vite pas pandemisë, barazia gjinore në rrafshin e punësimit vetëm se është përkeqësuar, kështu duke bërë që gratë të pësojnë dëme disproporcionale. Dëme të tilla vinë si pasojë e strukturave e normave shoqërore të pranishme edhe para kësaj pandemie. Rikthimi i grave në sferën private u bë kryesisht për dy shkaqe: bllokimet që iu imponuan sektorëve të prodhimit dhe shërbimeve ku gratë janë të mbi-përfaqësuara e ku ato shpesh punojnë me marrëveshje pune joformale, si dhe për shkak të mbylljes së çerdheve për fëmijë që detyruan gratë, në shumicën e rasteve, të lënë punën e të kujdesen për fëmijët. Përkundër gjithë kësaj, pakoja e ringjalljes ekonomike nuk ofroi ndihmesa të bazuara në politika të mirëfillta gjinore.

Në nivel global, midis viteve 2019 dhe 2020, punësimi i grave ra me 4.2%, duke shkaktuar një humbje të 54 milionë vendeve të punës. Në anën tjetër punësimi i burrave ra me 3%.[1] Në Kosovë ndodhi i njëjti fenomen, vetëm se mori përmasa shumë më të mëdha. Punët me një përqendrim të lartë të punëtoreve gra në Kosovë karakterizohen nga faktorë si paga e ulët, orari i gjatë i punës, mundësia e kufizuar për ngritje në karrierë si dhe dhuna e ngacmimi. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e punësimit në mesin e grave në moshë pune është vetëm 14.1%, krahasuar me 44% për burrat. Kur goditi pandemia, shuarja e shumë vendeve të punës vendosi gratë punonjëse në rrezikun e rikthimit në sferën private. Që nga periudhat e para kur pandemia mori hov, 8% e grave kosovare kanë humbur vendin e punës.[2] Por edhe tek fuqia punëtore e grave ekziston pabarazia. Si çdo rënie ekonomike tjetër edhe pandemia e COVID-19 ka goditur më së shumti ato gra që qëndrojnë në fund të shkallës së pagave. Ky fakt nuk është marrë parasysh në pakon e ringjalljes ekonomike të publikuar në qershor të vitit 2021. Masa 1.3. nga kjo pako thotë se për secilën grua që nuk ka qenë e punësuar në 3 muajt e fundit që nga publikimi i pakos, e që punësohet më pas, do bëhet subvencionimi i 50% të pagës për 3 muajt e parë, deri në maksimumin prej 150 euro në muaj. Kjo masë mund të shihet si inkurajim për gratë që t’i bashkohen fuqisë punëtore, megjithatë ajo dështon të shërbejë si mjet konkret për arritjen e këtij qëllimi duke ditur se gjetja e një vendi të punës për gratë vazhdon të jetë sfidë kyçe për to.

Arsyeja tjetër e dukshme që gratë mbesin jashtë tregut të punës është sepse ato janë subjekt i mbingarkesës me punën e papaguar. Gratë humbën vendet e punës në mënyrë disproporcionale, por forca kryesore që i tërhoqi ato në mbylljen në sferën private është rritja e orëve të tyre të punës së papaguar. Kjo punë përfshinë kujdesin për fëmijët, shkollimin e tyre në shtëpi, kujdesin për të moshuarit e shumë aktivitete tjera. Gjatë kohës së pandemisë rreth 42% e grave raportuan se i kushtojnë kohë të madhe punëve të papaguara, krahasuar me 19% të burrave.[3] Duke ditur se në rastet më të shumta ishin gratë ato që morën përsipër kujdesin për fëmijët, mbyllja e çerdheve publike e private, në mënyrë të drejtpërdrejt ndikoi në rritjen e barrës së kujdesit të fëmijëve për to. Në vend se të kundërpërgjigjet me masa barazuese, qeveria e Kosovës prezantoi masën 3.5 për pagesat për lehonat. Kjo masë paraqet regresion, sidomos për perspektivën feministe që parasheh pushimin prindëror si thelbësor në kritikën ndaj punës së papaguar që bie mbi gratë.

Faktorët e lartpërmendur theksojnë nevojën për një rikuperim të përgjegjshëm gjinor për të shërbyer si përgjigje ndaj dëmeve disproporcionale që pandemia e COVID-19 solli mbi gratë. Hamendësimi se vetëm gratë janë përgjegjëse për kujdesin e familjarëve dhe punët e shtëpisë ka sjellë politika që shohin natalitetin si fuqizim e pavarësim. Injorimi i grave që qëndrojnë në fund të shkallës së pagave ka sjellë politika që nuk e shohin integrimin gjithëpërfshirës si të domosdoshëm. Ligji për Barazi Gjinore në Kosovë obligon qeverinë e Kosovës që të përfshijë perspektivën gjinore gjatë hartimit të politikave. Megjithatë një obligim të tillë qeveria nuk duket se e ka zbatuar gjatë hartimit të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Për një rikthim të grave në tregun e punës si dhe për pavarësimin e mirëfilltë të tyre nevojitet një plan afatgjatë që përkon me sfidat që ka sjellë pandemia e COVID-19.


[1] Organizata Ndërkombëtare e Punës , Përmbledhje Politikash: Building Forward Fairer: Women’s rights to Work and at work at the core of the COVID-19 recovery, Korrik 2021

[2] Agjencia e Statistikave të Kosovës, Anketa e Fuqisë Punëtore, 2020

[3] UNDP, Vlerësim i Shpejtë i Ndikimit Socio-Ekonomik të COVID-19 në Kosovë, Qershor 2020. 

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë

Pse kaq pak burra punojnë si mësimdhënës në nivelin parashkollor?

16.1.2024

Rolet gjinore janë të ushtruara sistematikisht në shoqëri, duke e shtrirë pushtetin përmes stereotip

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren Kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për n

Punë n’punë e punë n’shpi

8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që

Pse vajzat nuk po zgjedhin shkollat profesionale?

6.12.2023

Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drej

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nëpër prokuroritë e Kosovës

31.10.2023

Për të arritur një shoqëri të lirë nga dhuna në familje, është thelbësore që Kosova të vazhdojë përp