Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

1 në 3 gra në botë ka përjetuar dhunë nga partneri ose dhunë seksuale

QIKA 20.11.2025

1 në 3 gra, apo rreth 840 milionë gra globalisht, kanë përjetuar dhunë nga partneri intim ose dhunë seksuale gjatë jetës së tyre. Kjo shifër ka mbetur pothuajse e pandryshuar që nga viti 2000, meqë përparimi në uljen e dhunës ka qenë shumë i ngadaltë me vetëm 0.2% rënie vjetore gjatë 20 viteve të fundit, sipas një raporti të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh).

Vetëm në 12 muajt e fundit, 316 milionë gra kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale nga partneri intim.

Raporti thekson se dhuna ndaj grave fillon herët dhe rreziqet vazhdojnë gjatë gjithë jetës. Në 12 muajt e fundit, 12.5 milionë vajza adoleshente të moshës 15-19 vjeç ose 16%  kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim.

Raporti i cili u publikua dje, disa ditë para Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave analizoi të dhënat nga 168 vende nga viti 2000 deri në 2023, dhe për të parën herë ky raport përfshin edhe të dhëna ku ushtruesit e dhunës janë personat e tjerë përveç partnerit intim.

Raporti ka gjetur se 263 milionë gra kanë përjetuar dhunë seksuale nga persona të tjerë (jo partneri i tyre) që nga mosha 15 vjeç, shifër që sipas ekspertëve është ndjeshëm nën nivelin real për shkak të stigmës dhe frikës së raportimit.

“Dhuna ndaj grave është një nga padrejtësitë më të vjetra dhe më të përhapura të njerëzimit, por ende mbetet ndër më të paadresuarat,” tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i OBSh-së, derisa shtoi se: “Asnjë shoqëri nuk mund të quhet e drejtë, e sigurt apo e shëndetshme derisa gjysma e popullsisë jeton në frikë.”

Pavarësisht këtyre gjetjeve tepër shqetësuese OBSh paralajmëroi se dhuna ndaj grave mbetet krizë thellësisht e neglizhuar dhe se përpjekjet për të adresuar këtë problem mbeten tejet të nënfinancuara. Sipas raportit, vetëm 0.2% e ndihmave globale janë ndarë për programe të fokusuara në parandalimin e dhunës ndaj grave në vitin 2022.

Edhe pse dhuna ndodh në çdo vend, gratë në vendet më pak të zhvilluara, në zona të konfliktit dhe në zona të prekura nga krizat klimatike ose që jetojnë në situata të tjera të cenueshme janë veçanërisht të rrezikuara nga dhuna e partnerit intim dhe dhuna seksuale, thuhet në raport. Për shembull, Oqeania (përjashtuar Australinë dhe Zelandën e Re) raporton prevalencë prej 38% të dhunës nga partneri intim në vitin e fundit – më shumë se trefishi i mesatares globale prej 11%.

Lexoni raportin e plotë këtu.