Sipas Anketës së Sigurisë Personale 2021-22 të publikuar nga Zyrja Australiane e Statistikave, rreth 2.2 milionë gra në Australi kanë përjetuar dhunë seksuale që nga mosha 15 vjeçare. Në Anketë, dhuna seksuale përkufizohet si çdo incident që përfshin shfaqjen, tentativën ose kërcënimin e sulmit seksual.
Anketa zbuloi se 22% e grave kanë përjetuar dhunë seksuale nga burrat dhe më pak se 1% nga gratë. Poashtu gratë kishin mbi tre herë më shumë gjasa të kishin përjetuar dhunë seksuale nga një burrë që njihnin sesa dikush i huaj.
“Statistikat tregojnë se rreth dy milionë gra kanë përjetuar dhunë seksuale nga një burrë që e njihnin dhe rreth 600,000 nga burrat e panjohur”, tha Will Milne, kreu i statistikave mbi krimin dhe drejtësinë.
Anketa poashtu gjeti se në sulmet seksuale ndaj grave, më së shpeshti kryesi ishte partner intim (53%).
Të dhënat zbuluan edhe ndikimet e sulmeve seksuale tek gratë. “Në 12 muajt pas përjetimit të sulmeve, dy të tretat e grave përjetuan ankth ose frikë për sigurinë e tyre personale dhe një në nëntë prej tyre u detyruan të merrnin pushim nga puna”, deklaroi Milne.
“Ne mirëpresim kur njerëzit ndajnë përvojat e tyre me dhunën seksuale dhe falënderojmë ata që morën pjesë në sondazh. Kontributet e tyre kanë shtuar njohuri të vlefshme për informimin e qeverisë dhe ofrimin e ndihmës” shtoi ai.