Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

16 Ditët e Aktivizmit bëjnë thirrje për të luftuar dhunën digjitale

QIKA 26.11.2025

Fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” ka nisur më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe do të zgjasë deri më 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut. Që nga lansimi i saj në vitin 1991, kjo fushatë mobilizon organizata, institucione dhe komunitete në mbarë botën për të kërkuar fundin e dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave.

Këtë vit, UN Women ka vendosur temën “Të bashkuar për t’i dhënë fund dhunës digjitale ndaj të gjitha vajzave dhe grave”, duke e vendosur dhunën digjitale në qendër të vëmendjes globale. Sipas materialeve të UN Women dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë, dhuna digjitale përfshin forma të ndryshme të abuzimit përmes teknologjisë nga ngacmimet online dhe kërcënimet, te shpërndarja e pamjeve pa pëlqim, përndjekja digjitale, manipulimet si deepfakes apo përdorimi i mjeteve të teknologjisë për kontroll, izolim dhe manipulim. Me rritjen e përdorimit të platformave digjitale, sidomos mes të rinjve, këto forma dhune po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, por shpesh mbeten të padukshme ose të nënvlerësuara.

Përmes fushatës 16 Ditët e Aktivizmit, UN Women nxit shtetet, platformat teknologjike, mediat, shoqërinë civile dhe komunitetet të marrin masa të qarta për të parandaluar dhe adresuar dhunën në hapësirat online, duke theksuar se dhuna digjitale ka pasoja reale dhe ndikon drejtpërdrejt në sigurinë, pjesëmarrjen dhe mirëqenien e grave dhe vajzave. Fushata gjithashtu synon të rrisë ndërgjegjësimin publik, të forcojë mbështetjen për të mbijetuarat, të nxisë përgjegjësi institucionale dhe të sigurojë që hapësirat digjitale të jenë të sigurta për të gjitha gratë e vajzat, pa përjashtim.

Në një kohë kur hapësirat online po bëhen pjesë e pandashme e jetës shoqërore dhe politike, tema e sivjetme e fushatës rikujton se mbrojtja e të drejtave të grave dhe vajzave duhet të shtrihet edhe në botën virtuale. 16 Ditët e Aktivizmit këtë vit sjellin një thirrje të qartë se dhuna digjitale është dhunë reale dhe ajo duhet të marrë fund.