Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

56 vjeçarja që po udhëton e vetme rreth e rrotull Kinës, është shndërruar në ikonë feministe

QIKA 30.4.2021

Su Min, 56 vjeçarja ka gjashtë muaj që po udhëton e vetme duke sfiduar kështu normat gjinore të rrënjosura në Kinë. E lodhur nga punët e shtëpisë dhe martesa e palumtur ajo ka vendosur që kësaj radhe të bëjë diçka për vete. Gjatë kësaj periudhe ajo ka takuar vajzën dhe nipërit e saj vetëm një herë, ndërsa burrin e saj asnjëherë.

Për gjashtë muaj Su Min ka udhëtuar e vetme me makinën e saj nëpër Kinë, duke dokumentuar udhëtimin e saj në rrjetet sociale ku ka më shumë se 1.35 milion ndjekës. Mesazhi i saj kryesor nuk janë vendet të cilat ajo po viziton, mirëpo rrëfimet e saj lidhur me martesën e saj abuzive, pakënaqësinë me jetën në familje dhe lirinë që po e përjeton tani, raporton The New York Times.

Gratë e tjera që e ndjekin Su Min e përkrahin zgjedhjen e saj dhe inspirohen nga ajo. Popullariteti i saj i papritur flet për përplasjen e dy forcave kryesore në shoqërinë kineze: përhapja e shpejtë e internetit dhe ngritja e vetëdijes në një vend ku rolet tradicionale gjinore janë ende të rrënjosura thellë, veçanërisht midis brezave të vjetër.

Su Min është e vendosur se do të largohet nëse burri i saj vazhdon ta trajtojë keq, por megjithatë ajo nuk po merret me këtë çështje tani, pasi që plani i saj është të udhëtojë nëpër të gjithë Kinën. Një udhëtim i tillë mund të zgjasë me vite.