Gjashtë nga dhjetë gra që punojnë në industrinë e filmit dhe audiovizuale në Spanjë kanë përjetuar një formë dhune seksuale në hapësira të lidhura me industrinë, thuhet në një raport të ri të publikuar nga Shoqata e Grave Regjisore dhe të Medias Audiovizuale.
49.5% e anketueseve thanë se kishin përjetuar sulm fizik dhe 81.4% thanë se ngacmimet kishin qenë verbale. Ndërsa një e katërta e grave (22.3%) thanë se kishin përjetuar dhunë në formën e abuzimit seksual virtual.
Edhe pse dhuna seksuale ishte e përhapur nga përzgjedhja e kastit deri në festivale, raporti spanjoll detajoi një kulturë heshtjeje, turpi dhe pandëshkueshmërie, me 92% të viktimave që nuk raportonin se çfarë u kishte ndodhur.
“Frika nga hakmarrja, turpi, riviktimizimi, mungesa e njohurive rreth mekanizmave të raportimit si dhe barra e përgjegjësia që u vihet grave, në vend të abuzuesve brenda industrisë, hap rrugën për heshtje dhe pandëshkueshmëri”, thuhet në raport.
Duke folur në prezantimin e raportit në Madrid të enjten, një nga autoret, shkencëtarja politike dhe studiuesja feministe Nerea Barjola Ramos, tha se natyralizimi dhe normalizimi i një dhune të tillë kishte krijuar një ndjenjë pandëshkueshmërie.
“Kjo ndodh sepse ekziston një strukturë që gjeneron dhe mbron këtë dhunë, nga shkollat e aktrimit deri te zyrat e prodhimit”, tha Ramos teksa shtoi se gratë e reja, përjetojnë dhunë të dyfishtë për shkak të moshës së tyre, por edhe për shkak të pozicionit të tyre të pasigurt ekonomik.
Regjisoret përmes këtij publikimi bëjnë thirrje që të ofrohen trajnime të posaçme mbi dhunën seksuale në të gjithë sektorin, të organizohen fushata ndërgjegjësimi publik si dhe kërkuan forcimin e inspektimeve në vendin e punës.
Ngjashëm, një hetim parlamentar në Francë zbuloi këtë muaj se dhuna seksuale, ngacmimi dhe bullizmi ishin sistematikë, endemikë dhe të vazhdueshëm në industritë e kulturës dhe argëtimit në vend, shkruan The Guardian.
Raportin “After the Silence: the Impact of Sexual Violence and Abuse Against Women in the Film and Audiovisual Industry” e gjeni këtu.