Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

“8 Marsi” – qendra sociale në Kamëz që ka bashkuar gratë punëtore

QIKA 21.4.2021

Në ditën ndërkombëtare të gruas, më 8 mars të këtij viti u hap Qendra Sociale “8 Marsi” në Kamëz të Shqipërisë. Kjo qendër është produkt i një pune dhe organizimi të palodhshëm të vajzave dhe grave aktiviste që luftojnë për barazinë gjinore.

Qendra Sociale “8 Marsi” ofron falas mbështetje për të drejtat në punë për punëtoret dhe punëtorët, këshillim ligjor e psikologjik, informim mbi të drejtat civile, orientim në shëndetin publik, kurse të gjuhëve të huaja, si dhe aktivitete kulturore.

Kjo qendër u hap në Kamëz sepse njihet si një ndër qytetet ku mbizotëron puna e palodhshme, mirëpo edhe diskriminimi, shkelja e të drejtave të punëtorëve si dhe varfëria.

“Kamza është qyteti i madh i njerëzve që përmes punës së tij të përditshme mban në këmbë Tiranën, fabrikat e tekstilit, industrinë e ndërtimit etj, por në këmbim merr vetëm varfëri, shkelje të së drejtave dhe diskriminim. Gratë, të rejat dhe punëtorët janë pjesa më e shtypur e këtij qyteti, kontributi i të cilave është i pazëvendësueshëm”, thuhet në njoftimin e hapjes së qendrës.

Duke u gjendur në këto rrethana “8 Marsi” synon të jetë qendër e rezistencës dhe zë për të drejtat e qytetarëve në mënyrë që përmes aktivizmit dhe adresimit të padrejtësive tu sigurojë atyre një jetë më të mirë.

Qendra Sociale “8 Marsi” ndodhet në rrugën “Murat Paci” pranë tregut të institutit Kodër në Kamëz.