26.7% e 383 nxënësve, të cilët i janë përgjigjur një pyetësori të Institutit për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNJ) për perceptimin mbi dhunës dhe ngacmimet seksuale, kanë deklaruan të jenë ndier viktima të ngacmimeve seksuale.
Në raportin “Perceptimet e të rinjve mbi dhunën seksuale dhe ngacmimet seksuale”, i cili është lansuar të martën, është theksuar gjithashtu se nxënësit nuk janë të informuar se kur është e ligjshme kryerja e marrëdhënieve seksuale. Raporti ka gjetur se 91.2% e nxënësve nuk janë të informuar se marrëdhëniet me personat nën moshën e lejuar, edhe në rast se janë me pëlqim të individëve, janë të jashtëligjshme, raporton Koha.Net.
Në lansimin e raportit, janë paraqitur po ashtu rrëfimet e disa prej respondentëve të dhëna gjatë diskutimeve të mbyllura mes tyre dhe përpiluesve të raportit.
“…më detyroi të bëja gjëra dhe më bëri të shikoj pornografi në atë moshë, gjë që nuk është e mirë për një fëmijë tetë vjeç…”, është rrëfimi i një prej vajzave, i cili është paraqitur në raport.
Një tjetër vajzë e ka treguar përvojën e saj të ngacmimit seksual prej disa bashkëmoshatarëve.
“Dhe sa herë i kam thënë që të mos më prekë, e ai nuk e kuptonte dhe vazhdonte me komente seksuale, ose kur jam ulur me një djalë të klasës me një bankë, sepse arsimtarja ia ka ndërruar vendin, ai më shikonte vazhdimisht dhe jo në fytyrë, dhe e ka vendosur dorën e tij te kofsha ime. Unë ia hoqa dhe ai u ofendua dhe ma bëri pse e hoqe dorën, me nervozitet”, është rrëfimi i vajzës, i paraqitur në raportin e IHDNj-së.
Të gjitha këto gjetje të raportit, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, i ka kualifikuar si shqetësuese.
“Ky raport zbulon të vërtetën e hidhur të asaj që shumë e durojnë në heshtje. Më lejoni ta përsëris edhe një herë këtë, kjo zbulon një të vërtetë të vështirë të asaj që shumë e durojnë në heshtje. Kjo është një thirrje për ndryshim”, ka thënë Westerlund, i cili ka marrë pjesë në prezantimin e raportit.
E Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka theksuar se krahas nxënësve, mungesë të informimit mbi perceptimin e ngacmimeve seksuale ka edhe në mesin e stafit nëpër shkolla.
“Për shumë vite që jam në detyra të ndryshme në fushën e arsimit, duke iu referuar edhe më shumë ndoshta kohës sa kam qenë drejtoreshë e arsimit në Komunë të Prishtinës, jam përballur me situata, ku për fat të keq kam vërejtur se edhe ata që kanë qenë në krye të institucioneve, shumë shpesh nuk kanë qenë në njohuri jo vetëm të legjislacionit në fuqi, por edhe të njohjes së veprimeve që mund të konsiderohen si ngacmime seksuale”, ka theksuar Nagavci.
Tek ka folur mbi gjetjet e prezantuara në raportin e IHDNJ-së, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka kualifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional si elementin kyç për parandalimin e ngacmimit dhe të sulmit seksual.
“Nuk mjafton vetëm puna e policisë, por prokuroria dhe gjykata janë tepër të rëndësishme, pasi nëse kemi raste që nuk ka veprim institucional, sigurisht që kjo pastaj i inkurajon të tjerët që të përfshihen në veprime të tilla”, ka thënë ajo.
Bazuar në të dhënat e raportit, në tre vjetët e fundit në Polici janë raportuar 218 viktima të dhunimit e të cilat janë të moshës nën 18-vjeçare. Përpiluesit e raportit kanë rekomanduar organizimin e fushatave vetëdijesuese për rritjen e nivelit të informimit te nxënësit mbi dhunën seksuale dhe ngacmimet seksuale, si dhe formimit të kanaleve të ndryshme të raportimit të rasteve.