Që nga fillimi i tetorit, në mes sulmeve izraelite në Liban, rreth 520,000 gra dhe vajza janë zhvendosur dhe në nevojë urgjente për strehim dhe siguri. UN Women vlerëson se 12,000 familje të zhvendosura drejtohen nga gratë.
Kampet e refugjatëve si Kampi Rashidieh, i cili mbante më shumë se 36,000 njerëz, dhe kampet e tjera të refugjatëve palestinezë, duke përfshirë Ein al-Hilweh, janë vënë nën zjarr që kur forcat izraelite përshkallëzuan sulmet e tyre në Liban në fund të shtatorit. Shumë prej tyre kanë ikur në pjesë të tjera të vendit; por Salamieh tha se nuk kishte mundësi të largohej.
“Ne jemi vetëm këtu dhe nuk mund të zhvendosemi për shkak të situatës sonë financiare,” tha Salamieh. “Nuk jam në gjendje të blej bukë. Fëmijët e mi nuk hëngrën mëngjes dhe ne nuk kemi ku të shkojmë,” shton ajo.
Kurse Houssein, një grua tjetër, tregon se edhe pas shpërnguljes nga kampet që u sulmuan, përsëri nuk mund të gjejnë siguri në vende tjera.
“Isha e pushtuar nga paniku dhe shoku,” tha ajo. Kur më në fund arriti në Saida, në jug të Bejrutit, Houssein tha se “pa njerëz që flinin në rrugë sepse nuk kishin strehë dhe ndjeva pikëllim dhe trishtim të thellë. Arrita në një shtëpi të papërshtatshme për të jetuar.”
Pra edhe në Saida gratë nuk janë jashtë rrezikut. Huda Farhat, një 32-vjeçare e cila iku nga kampi Rashidieh më 29 shtator, tha se Saida ishte gjithashtu nën zjarr, duke e vënë familjen e saj përsëri në rrezik.
Rikujtojmë se armiqësia e intensifikuar mes Libanit dhe Izraelit kishte filluar nga tetori 2023, e sulmet janë përshkallëzuar që nga 23 shtatori 2024. Sipas alarmit gjinor të fundit nga UN Women, sulmet e vazhdueshme ua kanë ndërprerë jetën grave në Liban duke e rritur edhe më shumë nevojën e tyre për siguri, mbrojtje, ushqim, strehim dhe shëndetësi.
UN Women raporton se ka rreth 11,600 gra shtatzëna në Liban, rreth 4,000 prej të cilave pritet të lindin në tre muajt e ardhshëm. Ato kanë nevoja urgjente dhe unike ushqimore dhe shëndetësore, si dhe nevojë më të madhe për siguri, mbrojtje dhe mbështetje psikosociale. Kriza ka çuar gjithashtu në rritje të çmimeve, duke shtuar një sfidë të mëtejshme për gratë e zhvendosura që kërkojnë siguri.
UN Women po punon për të ofruar ndihmë dhe shërbime për shpëtimin e jetës për gratë dhe vajzat e prekura nga konflikti. UN Women po punon drejtpërdrejt me gratë dhe vajzat në nevojë dhe po bashkëpunon me organizatat lokale të udhëhequra nga gratë dhe të drejtat e grave për të siguruar që ndihma humanitare të përmbushë nevojat dhe prioritetet e grave, vajzave dhe familjeve të tyre në mënyrë të barabartë.