Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Presidenti i Iranit premton se Policia e Moralit “nuk do t’i shqetësoj më gratë”

QIKA 14.10.2024

Presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka premtuar se Policia e Moralit nuk do t’i shqetësojë më gratë për mbajtjen e hixhabit të detyrueshëm, vetëm disa ditë pasi OKB-ja njoftoi se gratë në Iran ende po ndëshkohen dhunshëm për shkeljen e kodit të rreptë të veshjes.

Këto komente Pezeshkian i ka bërë në përvjetorin e dytë të vdekjes në paraburgim policor të 22-vjeçares Mahsa Amini pasi ajo u arrestua për dyshimin se nuk mbante hixhabin siç duhet – çka pati shkaktuar protesta të mëdha mbarëkombëtare.

Pezeshkian, i cili u bë president pasi paraardhësi i tij ultrakonservator Ebrahim Raisi  vdiq në një aksident helikopteri, po shihet si një udhëheqës potencialisht reformator, shkruan BBC News.

Në konferencën e tij të parë për shtyp që kur mori detyrën në korrik, ai po i përgjigjej pyetjeve të një gazetareje grua e cila i tregoi se u detyrua të përdorte rrugë alternative gjatë rrugës për në konferencë për të shmangur furgonat e policisë. Ajo kishte vendosur shaminë e saj lirshëm dhe i shiheshin pak flokët. Kur u përgjigj ai tha “Policia e moralit nuk do të duhej të përballej me gratë. Unë do të angazhohem që ata të mos i shqetësojnë më gratë”.

BBC Monitoring e konsideroi si qëndrim potencialisht më të relaksuar ndaj kodit të rreptë të veshjes faktin që gazetaret gra të pranishme në konferencë mbanin mbulesa më të lira në kokë krahasuar me eventet e mëhershme zyrtare ku gazetareve gra u kërkohej të paraqiteshin me hixhab.

Edhe gjatë fushatës zgjedhore ai u zotua të kundërshtojë patrullat e policisë që zbatojnë mbajtjen e detyrueshme të hixhabit dhe se do të lehtësojë disa nga format e kontrollit të internetit në vend.

Komentet e tij u transmetuan drejtpërdrejt në kanalet kryesore televizive shtetërore, duke përfshirë kanalin aktual të lajmeve IRINN.

Megjithatë, javën e kaluar misioni i OKB-së për mbledhjen e fakteve tha se gratë ende jetojnë në një sistem që i transferon ato në qytetare të klasit të dytë, dhe në raportin e publikuar thuhet se “Autoritetet shtetërore kanë zgjeruar masat dhe politikat represive për t’i privuar më tej gratë dhe vajzat nga të drejtat e tyre themelore”.

Raporti theksoi se qeveria kishte përmirësuar mbikëqyrjen e respektimit të hixhabit si në mjediset publike ashtu edhe në ato private, duke miratuar gjithashtu një përshkallëzim të dhunës në ndëshkimin e grave dhe vajzave që shkelin rregullat. “Forcat e sigurisë kanë përshkallëzuar më tej modelet para-ekzistuese të dhunës fizike, duke përfshirë rrahjen, shkelmimin dhe shuplakën e grave dhe vajzave që perceptohen se nuk respektojnë ligjet dhe rregulloret e detyrueshme të hixhabit,” tha OKB.

Raporti po ashtu thekson se autoritetet gjithnjë e më shumë po shqiptojnë dënimin me vdekje për gratë aktiviste dhe po ekzekutojnë ata/ato që ishin solidarizuar protestat e vitit 2022 të njohura si lëvizja “Grua, Jetë, Liri”, teksa paralajmëron se një projektligj i cili përcakton dënime më të ashpra për gratë që nuk mbajnë hixhabin e detyrueshëm, duke përfshirë gjoba të ekazgjeruara financiare, dënime më të gjata me burg, kufizime në punë dhe mundësi arsimimi dhe ndalime të udhëtimit, është në fazat përfundimtare të miratimit përpara Këshillit Gardian të Iranit dhe mund të finalizohet menjëherë.