Gjetjet nga raporti kryesor i UN Women tregojnë se ka një rritje të hendekut gjinor në mbrojtjen sociale, përfshirë përfitimet në para, mbrojtjen nga papunësia, pensionet dhe kujdesin shëndetësor – duke i bërë kështu vajzat dhe gratë më të cenueshme ndaj varfërisë.
Raporti tregon edhe gjendjen e mjerueshme të mbrojtjes së grave gjatë maternitetit në mbarë botën. Pavarësisht disa përmirësimeve, më shumë se 63% e grave globalisht ende lindin pa pasur përfitime të lehonisë, dhe kjo shifër rritet në 94% në Afrikën Sub-Sahariane.
Veç kësaj, gratë dhe vajzat janë të nënpërfaqësuara në çdo fazë të jetës, sidomos gjatë periudhës së shtatzënisë. Gratë e moshës 25 deri në 34 vjeçare kanë 25% më shumë gjasa të jetojnë në varfëri ekstreme, për dallim me burrat e të njejtës moshë.
Gratë në mjedise të brishta kanë 7.7 herë më shumë gjasa të jetojnë në varfëri ekstreme në krahasim me ato në mjedise jo të brishta.
“Potenciali i mbrojtjes sociale për barazi gjinore, qëndrueshmëri dhe transformim është shumë i madh. Për ta bërë këtë, duhet të vendosim në qendër dinjitetin, lirinë dhe fuqizimin e grave dhe vajzave në çdo fazë të procesit”, tha Sarah Hendriks, Drejtore e Divizionit të Politikave, Programit dhe Ndërqeveritar të UN Women.
Raporti i UN Women i bën thirrje qeverive t’iu ofrojnë vajzave dhe grave rrugë të qëndrueshme për të dalë nga varfëria, duke u dhënë përparësi nevojave të tyre.