Lajme
Raporti i Progresit për barazinë gjinore, gratë dhe personat LGBTIQ+
Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovë për vitin 2024, sipas së cilit rekomandimet e raportit të vitit të kaluar janë zbatuar pjesërisht. Pas analizimit të raportit QIKA ka përmbledhur gjetjet dhe rekomandimet kryesore të raportit sa i përket barazisë gjinore, të drejtave të grave dhe të drejtave të personave LGBTIQ+.
Raporti thekson nevojën për të forcuar parandalimin dhe luftën kundër dhunës në familje, si dhe mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave. Sipas raportit ndonëse kuadri ligjor kundër dhunës dhe ai për barazinë gjinore në Kosovë përputhet përgjithësisht me standardet ndërkombëtare dhe ato të BE-së, zbatimi i tij mbetet i mangët. Raporti po ashtu thekson edhe rëndësinë e mbledhjes dhe përpilimit të të dhënave të ndara sipas gjinisë.
Sipas Raportit të Progresit për vitin 2024, në Kosovë:
- nuk ka pasur progres në përfshirjen e perspektivës gjinore në të gjitha politikat dhe ligjet;
- Kosova ka bërë progres në përmirësimin e barazisë gjinore në nivel lokal, me 16 komuna që kanë zhvilluar analiza specifike gjinore dhe kanë operacionalizuar një kornizë buxhetore afatmesme gjithëpërfshirëse dhe 16 plane veprimi;
- kuadri ligjor për barazinë gjinore në Kosovë përputhet përgjithësisht me standardet ndërkombëtare dhe ato të BE-së, por sfidë mbetet mos emërimi i një drejtuesi/e për Agjencinë për Barazi Gjinore që nga prilli 2023. Kapaciteti i Agjencisë për të miratuar dhe monitoruar politikat është i pamjaftueshëm dhe nuk është miratuar asnjë plan veprimi për periudhën 2023-2024;
- koordinimi ndërmjet Agjencisë për Barazi Gjinore dhe zyrtarëve të barazisë gjinore është përmirësuar, por kapacitetet e tyre për të ndikuar politikat mbeten të kufizuara;
- organizatat e shoqërisë civile vazhdojnë të luajnë një rol kritik në avancimin e barazisë gjinore;
- gratë nga minoritetet, veçanërisht komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, përballen me diskriminim të shumëfishtë në arsim, punësim dhe qasje në shëndetësi. Martesat e hershme prekin kryesisht vajzat nga këto komunitete;
- dhuna në familje mbetet forma më e përhapur e dhunës me bazë gjinore. Kuadri ligjor dhe institucional është në përputhje me standardet evropiane, por zbatimi i tij mbetet i mangët.
- Kosova nuk ka miratuar ende legjislacionin përkatës për zbatimin e Ligjit kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore;
- pavarësisht përpjekjeve institucionale, sistemi ende nuk arrin të ofrojë parandalimin e nevojshëm dhe luftimin e dhunës në familje, si dhe mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave;
- raportimi i rasteve të dhunës në familje ka rënë në vitin 2023, dhe gjyqtarët e prokurorët shpesh dështojnë në zbatimin e plotë të ligjit;
- gjuha diskriminuese dhe sulmet verbale kanë vazhduar ndaj grave në jetën publike;
- hendeku gjinor në punësim është zgjeruar (53.4% burra dhe 19.8% gra);
- statistikat e arsimit janë në përputhje me klasifikimin ndërkombëtar, por statistikat e shëndetit publik dhe të krimit nuk janë ende në përputhje me standardet e BE-së;
- Kosova ende nuk ka Indeks të Barazisë Gjinore;
- personat lezbike, homoseksualë, biseksualë, trans, jobinarë, interseks dhe queer (LGBTIQ) vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe kanë qasje të kufizuar në shërbime, duke përfshirë shëndetin, shërbimet psiko-sociale dhe juridike. Kosova nuk ka miratuar një strategji apo plan veprimi për të drejtat e personave LGBTIQ dhe nuk ka organizuar fushata ndërgjegjësimi.
- debatet parlamentare rreth Kodit Civil kanë përfshirë gjuhë diskriminuese dhe të urrejtjes;
- nuk është bërë asnjë përparim në krijimin e strehës së planifikuar për viktimat LGBTIQ të dhunës në familje.
Rekomandimet kryesore:
- duhet të sigurohen hetime të forta penale, të përmirësohet cilësia e aktakuzave dhe të sigurohet efektiviteti i procedurave penale, përfshirë rastet e dhunës me bazë gjinore. Për këtë qëllim, është thelbësore forcimi i bashkëpunimit ndërmjet prokurorëve dhe policisë, si dhe roli drejtues i prokurorëve në hetime;
- forcimi i zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore dhe Strategjisë mbi dhunën me bazë gjinore;
- emërimi i një drejtuesi/e të ri të Agjencisë për Barazi Gjinore;
- përmirësimi i integrimit të perspektivës gjinore në legjislacion, rregullore dhe politika;
- Kosova duhet të hartojë dhe të zbatojë një strategji gjinore për hulumtime në nivel kombëtar, si dhe për integrimin dhe promovimin e grave dhe vajzave në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë;
- Kosova duhet gjithashtu të miratojë një program dhe plan veprimi të ri për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë;
- duhet përmirësuar parandalimi dhe luftimi i dhunës në familje, si dhe mbrojtja dhe riintegrimi i viktimave;
- Agjencia e Statistikave të Kosovës duhet të përmirësojë mbledhjen dhe përpilimin e të dhënave të ndara sipas gjinisë;
- gjyqtarët dhe prokurorët duhet të trajtojnë rastet më me kujdes dhe të zbatojnë ligjin në mënyrë të duhur.
Raportin e Progresit e gjeni këtu
Lidhur me raportin Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore kanë hartuar komentarin “Një Lexim Gjinor i Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2024”, të cilin e kanë ndarë me Zyrën e Bashkimit Evropian. Komentari shqyrton masën në të cilën raporti i kushton vëmendje barazisë gjinore dhe përfshin rekomandime të ofruara nga organizatat e shoqërisë civile për të drejtat e grave.
Komentari thekson se raporti i vitit 2024 përfshin më pak perspektivë gjinore krahasuar me vitet e kaluara. Përderisa kjo mund të jetë pjesërisht për shkak të formatit të ri dhe më të shkurtër të Raportit, ekzistonin disa mundësi për të integruar më mirë barazinë gjinore në kapitujt e Raportit.
Komentarin e plotë e gjeni këtu