Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Partitë politike shkelin Ligjin për Barazi Gjinore

QIKA 17.12.2024

Partitë politike në Kosovë kanë shkelur Ligjin për Barazi Gjinore me listat zgjedhore për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Të gjitha partitë politike janë mjaftuar me respektimin e kuotës gjinore për përfaqësimin e grave prej 30% sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme , por asnjëra prej listave nuk ka përfaqësim të barabartë gjinor ashtu siç e përcakton Ligji për Barazi Gjinore.

Bilanci i përfaqësimit gjinor në listat zgjedhore është si vijon:

Lëvizja Vetëvendosje nga 110 kandidatë ka 41 gra kandidate për deputete, që i bie 37%.

Partia Demokratike e Kosovës ka 38 gra në listën e kandidatëve për deputetë apo 34%.

Njëjtë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës këto zgjedhje ka kandiduar 38 gra për deputete, apo 34% të listës.

Kurse koalicioni ‘AAK-Nisma-Konservatorët dhe E-30’, kanë propozuar 36 gra si kandidate për deputete apo 32%.

Koalicioni ‘Lista për familjen’ e ka respektuar kuotën gjinore me 31% apo 23 gra kandidate prej 72 kandidatëve sa ka propozuar gjithsej.

Si listat, ashtu edhe shumica e numrave në dhjetëshet e para të të gjitha partive politike janë rezervuar për burra.

Aktivistët për të drejta të njeriut në Kosovë kanë avokuar vazhdimisht që Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme të harmonizohet për Ligjin për Barazi Gjinore.

Aktualisht, Neni 28 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës thotë se “në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30 %) % janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30 %) % janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë”.

Ky nen ishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese në janar të vitit 2024 nga Avokati i Popullit, duke kërkuar që përfaqësimi gjinor të jetë minimumi 50%, megjithatë ndryshimet e fundit në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk përfshijnë kuotimin prej 50%.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës. “Një tjetër fakt që ngre shqetësim është se gjatë fushatave dhe debateve të tyre publike, të gjithë kandidatët për kryetarë të partive politike kanë premtuar përqindje të lartë të grave në listat dhe strukturat e tyre drejtuese. Por realiteti i tanishëm tregon të kundërtën, duke dëshmuar një mospërputhje midis premtimeve dhe praktikës”, thuhet në komunikatën e RrGK.

Përfaqësimi i pabarabartë në listat zgjedhore është dëshmi e mungesës së vullnetit politik për avancimin e barazisë gjinore në Kosovë.