Hendeku gjinor i pagave është ende shumë i dukshëm në Evropë. Shumë faktorë tregojnë pabarazinë midis grave dhe burrave në shumë fusha, por jeta ekonomike është një nga fushat kryesore që prek më shumë gratë.
Pavarësisht disa përmirësimeve në Evropë, gratë ende preken nga hendeku gjinor i pagave, pjesëmarrjen në fuqinë punëtore, punësim, dhe pozicionet hierarkike në vende të punës, raporton Euronews Next.
Pabarazia gjinore në paga është debatuar gjithnjë e më shumë vitet e fundit. Hendeku gjinor i parregulluar i pagave tregon diferencën midis burrave dhe grave të të ardhurave mesatare bruto të shpenzuara për orë. Këtu nuk përfshihet edukimi, mosha, orët e punuara apo lloji i punës.
Kjo pastaj në thelb zbulon se sa më pak fitojnë gratë sesa burrat. Në vitin 2022, hendeku gjinor ishte 12.7% në vendet e BE, apo për dallim nga burrat, gratë fituan 12.7% më pak në orë. Kjo tregon se gratë përfitojnë mesatarisht €87.3 për çdo €100 të fituar nga burrat. Rrjedhimisht, gratë do të duhet të punojnë 1.5 muaj shtesë për të barazuar këtë dallim.
Hendeku gjinor i pagave dallon në BE dhe në bllokun e European Free Trade Association (Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA). Në vitin 2022, ishte mbi 17% në shumicën e vendeve.
Estonia doli të kishte hendekun më të madh gjinor të pagave gjinore me 21.3%, pastaj Austria me 18.4%, Zvicra dhe Çekia me 17.9%. Kurse, Luksemburgu ishte i vetmi shtet ku gratë fitonin pak më shumë sesa burrat, me -0.7%.
Arsyeja mbrapa hendekut gjinor të pagave është më e madhe se vetëm çështja e pagës së barabartë për punë të barabartë. “Përfshinë një numër të madh të pabarazive me të cilat ballafaqohen gratë si qasja në punë, progres dhe shpërblime”, thekson Komisioni Europian.
Sipas Komisionit, arsyeja kryesore është ndarja sektoriale, ku 24% e hendekut gjinor të pagave është e lidhur me mbipërfaqësimin e grave në sektorët me pagesë të ulët, siç është kujdesi, shëndetësia, dhe edukimi.
Në vitin 2022, përqindja e grave me arsimim terciar (universitet apo trajnime teknike) ishte më i lartë (37.1%) sesa i burrave (31.4%). Sidoqoftë, punësimi i grave (83.6%) ishte më i ulët sesa i burrave (88.9%). Kjo tregon se edhe pse gratë janë më të arsimuara ato janë më pak të punësuara.
Në vitin 2023, midis moshës 15 deri në 64, shkalla e punësimit në vendet e BE-së për burrat ishte 74.7%, duke tejkaluar me 9.8% atë të grave, 64.9%.
Në dy dekadat e fundit, vendet si Spanja, Malta dhe Luksemburgu kanë regjistruar përmirësime të konsiderueshme në zvogëlimin e hendekut gjinor në pjesëmarrjen e fuqisë punëtore.