Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Një e treta e vendeve të punës në Kosovë nuk është inspektuar kurrë për respektimin e barazisë gjinore

QIKA 7.2.2025

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) kanë publikuar dje “Studimin Bazë mbi Diskriminimin Gjinor në Vendin e Punës”, i cili identifikon sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen gratë – nga paragjykimet në punësimit dhe kontratat e pabarabarta, deri te ngacmimi në vendin e punës dhe moszbatimi i ligjeve të punës.

Gjetjet kryesore të raportit:

– Gratë kanë më shumë gjasa të punojnë me kontrata afatshkurtra ose joformale.

– Një e treta e vendeve të punës nuk është inspektuar kurrë për respektimin e barazisë gjinore.

– Shumë gra pyeten për planet e tyre për martesë dhe familje gjatë intervistave të punës.

– Ngacmimi në vendin e punës mbetet i nën-raportuar për shkak të stigmës dhe mungesës së mekanizmave mbështetës.

Sipas raportit, pavarësisht përparimeve në promovimin e barazisë gjinore, sfida të rëndësishme vazhdojnë të ekzistojnë, veçanërisht në sektorin privat. Pabarazitë gjinore në kontratat e punës zbulojnë se gratë kanë më shumë gjasa sesa burrat të kenë kontrata me afat të caktuar ose joformale, gjë që minon sigurinë e tyre në punë dhe mundësitë për avancim në karrierë.

Raporti thekson gjithashtu çështjen e përhapur por të nën-raportuar të ngacmimit seksual në vendin e punës. “Kultura e heshtjes, e nxitur nga frika e stigmatizimit, hakmarrjes dhe mbështetjes së pamjaftueshme institucionale, i pengon viktimat të kërkojnë drejtësi. Në mënyrë të ngjashme, ndërsa shumë vende pune pretendojnë se ofrojnë trajtim të barabartë dhe një mjedis të sigurt, stereotipet gjinore, trajtimi i ndryshëm dhe paragjykimet sistemike vazhdojnë.

“Nga një perspektivë institucionale, sfidat përfshijnë mungesën e ndjekjes së duhur të të dhënave mbi rastet e diskriminimit dhe bashkëpunimin e pakoordinuar midis agjencive kryesore, si Inspektorati i Punës, Avokati i Popullit dhe Zyra për Qeverisje të Mirë. Procedurat e gjata gjyqësore dhe vonesat në zbatim dekurajojnë viktimat nga kërkimi i drejtësisë, ndërsa mbikëqyrja e kufizuar e sektorit privat thellon boshllëqet në zbatim”, thuhet në raport.

Raporti e plotë e gjeni këtu.