Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Lektyrat shkollore përmbajnë gjuhë seksiste dhe stereotipe gjinore

QIKA 28.4.2025

Hulumtimi i “ETEA”-s ka evidentuar mangësi në lektyrat dhe në tekstet shkollore që i kanë në planprogram nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë, përfshirë këtu përmbajtjen e gjuhës seksiste, stereotipizuese dhe diskriminuese.

Gjetjet lidhur me rolet gjinore dhe përdorimin e gjuhës ndaj grave/vajzave në këto tekste pasqyrojnë perceptime të ngushta dhe kufizuese mbi rolin e grave në shoqëri. Diskursi dominues mbi gratë/vajzat shfaqet përmes përdorimit të gjuhës seksiste, nënshtrimit të gruas/vajzës dhe stereotipeve të tjera gjinore.

“Fokusi në virtytin dhe moralin e gruas/vajzës si tipare përcaktuese të të qenurit grua ideale, përsëritet në mënyrë të vazhdueshme në tekstet letrare.”, thuhet në raport.

Nëpër këto tekste është vërejtur ndërtimi i përsëritur  i personazheve gra/vajza si figura të nënshtruara, të përcaktuara kryesisht nga bindja e tyre ndaj baballarëve dhe bashkëshortëve.

Shumë lektyra shkollore sygjerojnë mirëmbajtjen e stereotipeve gjinore dhe pritshmërive shoqërore të vendosura mbi gratë/vajzat, si ideja e rivalitetit mes grave/ vajzave, xhelozisë dhe ligësisë së përbrendësuar ndaj grave/vajzave të tjera.

Po ashtu, shumë lektyra i paraqesin ngjarjet traumatike, sidomos të grave/vajzave dhe fëmijëve si pjesë të strukturës narrative brenda një rendi shoqëror të natyralizuar. Kjo është veçanërisht e theksuar në paraqitjen narrative të martesës së fëmijëve.

“Lektyrat e shqyrtuara ndërtojnë trauma të përjetuara nga gratë/vajzat dhe fëmijët si një siguri narrative të domosdoshme për zhvillimin e rrëfimit të synuar. Në pothuajse të gjitha lektyrat, këndvështrimet paraqiten ashtu që format e dhunës të shihen përmes prizmit të traditës, zakoneve ose patriarkalizmit shqiptar. Lektyrat shkollore të caktuara në arsimin e mesëm të ulët në Kosovë paraqesin gratë/vajzat përmes normave gjinore dhe hierarkive tepër kufizuese. Këto vepra, në të cilat vuajtja e gruas normalizohet për shkak se është e traditë, rrezikojnë të riprodhojnë norma të dëmshme në vend që të nxisin reflektim domethënës”, thuhet në raport.

Raporti hulumtues “Shqyrtim kritik i lektyrave shkollore”, thekson nevojën për përditësimin e teksteve shkollore dhe të lektyrave, si dhe një rivlerësimi kritik të romaneve të përfshira në listat e rekomanduara të leximit.

Sipas hulumtuesve, këta libra janë të vjetruar dhe nuk i pasqyrojnë realitetin apo nevojat e shoqërisë bashkëkohore.

“Përfshirja e këtyre lektyrave, pa një kornizë kuptimore domethënëse apo pa perspektiva alternative ndërmjet veprave më bashkëkohore, nuk pasqyron vlerat e një sistemi arsimor të ndjeshëm ndaj çështjeve gjinore”, thuhet në raport.

Hulumtimin e plotë e gjeni këtu.