Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur fajtor tre persona për tri vepra penale të kryera me motiv urrejtjeje në bazë të orientimit seksual. Të akuzuarit janë dënuar me gjithsej 9.5 vite burgim për veprat penale të rrëmbimit, lëndimit të lehtë trupor dhe mbajtjes së paautorizuar të armëve.
Ngjarja kishte ndodhur 18 muaj më parë, kur një person që identifikohet si gej kishte planifikuar të takonte dikë në një vend të caktuar. Por në momentin kur kishte arritur në vendin e takimit, ishte përballur me atë person dhe dy të tjerë që e kishin orkestruar këtë takim me qëllim të ushtrimit të dhunës dhe poshtërimit të tij. Viktima kishte tentuar të rezistonte, por ishte detyruar me forcë të futej në një automjet dhe ishte transportuar në një shtëpi të pabanuar, ku i ishte shkelur privatësia, ishte torturuar fizikisht, dhe është trajtuar në mënyrë poshtëruese, raporton Dylberizm.
Lajmin për këtë e ka bërë të ditur CSGD, të cilët vendimin e cilësuan si fitore për mbarë komunitetin LGBTIQ+.
“Kjo nuk është vetëm një fitore për viktimën. Kjo është një precedent i fuqishëm për të gjithë komunitetin LGBTI+ në Kosovë. Sot po shkruajmë një kapitull të ri në historinë e drejtësisë, ku urrejtja nuk kalon më pa ndëshkim. Për komunitetin tonë LGBTQ+: kjo është prova që edhe në Kosovë, drejtësia është e mundur. Rruga nuk është e lehtë, por ky rast na dëshmon se nuk jemi vetëm. Nuk jemi të padukshëm. Dhe sigurisht, nuk jemi të pambrojtur.”, shkruan CSGD.