Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata në Indi vendos se trans gratë janë gra dhe kanë të drejtë ligjore për t’u njohur

QIKA 11.7.2025

Gjykata e Lartë e Andhra Pradesh, në Indi, hodhi poshtë pretendimet se identiteti gjinor grua u takon vetëm grave që mund të lindin fëmijë dhe vendosi se gratë transgjinore janë gra andaj kanë të drejtë ligjore të njihen si gra.

Duke kryesuar çështjen, gjyqtarja Venkata Jyothirmai Pratapa vendosi që lidhja e përkufizimit të grave me shtatzëninë ishte ligjërisht e paqëndrueshme dhe binte ndesh me kushtetutën e Indisë, e cila thekson barazinë para ligjit.

Duke cituar një vendim të Gjykatës Supreme të vitit 2014, i cili njohu ligjërisht të drejtat e individëve të “gjinisë së tretë”, Pratapa tha se ndalimi i të drejtës së grave transgjinore për t’u identifikuar si gra përbënte diskriminim.

Çështja u paraqit në gjykatën e lartë në vitin 2022 pasi transgjinorja Pokala Shabana kërkoi që përmes kodit penal të Indisë të mund të kërkonte mbrojtje nga prindërit e burrit të saj, të cilët kishin qenë abuzivë ndaj saj.

Prindërit e burrit të saj i kërkuan gjykatës të mohonte përdorimin e Seksionit 498A nga ajo, i cili mbron gratë nga mizoria nga një bashkëshort ose të afërm, duke argumentuar se ai zbatohej vetëm për gratë cisgjinore. Ata pretenduan se gratë transgjinore nuk plotësojnë përkufizimin ligjor të grave sipas ligjit indian sepse nuk mund të mbeten shtatzënë dhe thanë se akuzat e Shabanës për ngacmim nuk kishin prova.

Qeveria indiane ka qenë nën presion të vazhdueshëm për të modernizuar ligjet dhe politikat e saj mbi të drejtat LGBTIQ+. Megjithatë, martesa e të njëjtit seks është ende e paligjshme, shkruan Pink News.