Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

GJNP lëshon urdhër-arrest për udhëheqësit talibanë mbi dyshimet për persekutim të grave

QIKA 15.7.2025

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar urdhër-arreste për dy udhëheqësit më të lartë talibanë në Afganistan nën akuzat për abuzim ndaj grave dhe vajzave.

Gjyqtarët e GJNP-së thanë të martën se kishte baza të arsyeshme për të dyshuar udhëheqësin suprem të talibanëve, Haibatullah Akhunzada, dhe kryetarin e gjykatës, Abdul Hakim Haqqani, për kryerjen e persekutimit me bazë gjinore, raporton AlJazeera.

“Ndonëse talibanët kanë vendosur rregulla dhe ndalime të caktuara mbi popullsinë në tërësi, ata kanë synuar posaçërisht vajzat dhe gratë për shkak të gjinisë së tyre, duke i privuar ato nga të drejtat dhe liritë themelore”, tha gjykata në një deklaratë.

Talibanët i kanë “privuar rëndë” vajzat dhe gratë nga të drejtat për arsim, privatësi, jetë familjare dhe liritë e lëvizjes, shprehjes, mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, thanë gjyqtarët e GJNP-së.

“Përveç kësaj, persona të tjerë u shënjestruan për shkak shprehjeve të caktuara të seksualitetit dhe/ose identitetit gjinor që u konsideruan si të papajtueshme me politikën e talibanëve mbi gjininë”, shtoi gjykata.

Talibanët kritikuan urdhër-arrestin si retorikë të pabazë, duke thënë se nuk e njeh autoritetin e GJNP-së dhe duke u thirrur në dështimin e gjykatës për të mbrojtur “qindra gra dhe fëmijë që vriten çdo ditë” në Gaza.

Grupet e të drejtave Amnesty International dhe Human Rights Watch mirëpritën urdhër-arrestet e GJNP-së të martën.

“Njoftimi është një zhvillim i rëndësishëm që u jep shpresë, brenda dhe jashtë vendit, grave dhe vajzave afgane, si dhe atyre që persekutohen në bazë të identitetit ose shprehjes gjinore”, tha në një deklaratë shefja e Amnesty International, Agnes Callamard.