Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Amerika Latine po punon drejt njohjes së punës së kujdesit

QIKA 24.7.2025

Një ndryshim rrënjësor në raport me punën e papaguar të grave, i cili po kërkon nga qeveritë dhe punëdhënësit të marrin parasysh, ta njohin dhe të paguajnë për punën e kujdesit, konsiderohet të ketë filluar në Amerikën Latine.

Gratë vazhdojnë të kryejnë dyfishin e punës së papaguar të kujdesit krahasuar me burrat, dhe për të kryer këtë punë zakonisht ato heqin dorë nga punësimi formal dhe nga pagat mujore.

Sipas të dhënave të fundit nga Forumi Politik i OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm, barazia gjinore është objektivi më i vonuar nga të gjithë objektivet drejt vitit 2030.

Amerika Latine përjetoi një krizë të kujdesit gjatë pandemisë COVID-19, sipas María Noel Vaeza nga UN Women. Nuk kishte mjaftueshëm shërbime kujdesi jashtë shtëpisë për të sëmurët, çka e detyroi shoqërinë të kuptojë se kujdesi për të tjerët është punë.

“Puna e papaguar e kujdesit është ajo që e mban ekonominë gjallë, por është e padrejtë sepse është e padukshme, e nënvlerësuar dhe e pa papguar. Duhet ta njohim,” tha Vaeza.

Në Amerikën Latine, një sërë vendesh po punojnë aktivisht për të rindërtuar ekonomitë e kujdesit, duke siguruar më shumë mbrojtje dhe të ardhura për gratë që e kryejnë këtë punë. “Ndryshimi më i madh ka qenë vendosja e kujdesit në qendër të politikave publike, jo vetëm në debatin akademik,” tha Virginia Gontijo, drejtore e programeve të UN Women në Brazil.

Shtete si Kili, Brazili, Meksika dhe Peruja tashmë kanë ndërmarrë hapa konkretë. Në Kili, sistemi i ri i kujdesit po zbatohet në 151 komuna. Në Brazil, punëtoret e kujdesit po trajnohen për të drejtat në punë. Meksika dhe Peruja kanë kodifikuar kujdesin si të drejtë themelore njerëzore.

Në Kili dhe Kolumbi, sistemet e reja të kujdesit pritet të kontribuojnë përkatësisht me 25.6% dhe 19.6% në PBB-të kombëtare, sipas UN Women.