Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Çka thotë Raporti i Progresit për barazinë gjinore në Kosovë?

QIKA 5.11.2025

Më 4 nëntor 2025, Komisioni Evropian publikoi Raportin vjetor të Progresit për Kosovën, dokument që analizon performancën e institucioneve dhe hapat që vendi ka ndërmarrë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky raport publikohet çdo vit dhe vlerëson progresin në fusha si demokracia, sundimi i ligjit, qeverisja, të drejtat e njeriut, zhvillimi ekonomik dhe përafrimi me standardet e BE-së.

Ashtu si në vitet e mëparshme, raporti i kushton vëmendje të konsiderueshme barazisë gjinore dhe të drejtave të grave, duke vlerësuar nëse angazhimet ligjore dhe institucionale po përkthehen në ndryshime reale. Çështjet gjinore shfaqen në disa kapituj, nga të drejtat themelore dhe punësimi, te arsimi, performanca e gjyqësorit dhe menaxhimi i financave publike, duke reflektuar pritjen e BE-së që barazia gjinore të integrohet në të gjitha reformat, e jo të trajtohet si një temë e veçuar.

Megjithëse raporti njeh disa hapa përpara, progresi mbetet i pjesshëm dhe larg ndikimit real në jetën e grave. Ndër të gjeturat kryesore të raportit, përfshihen:

– Kuadri ligjor dhe institucional për barazi gjinore ekziston, por zbatimi dhe mbikëqyrja mbeten të dobëta.

– Gratë vazhdojnë të përjetojnë forma të shumta diskriminimi. Kosova nuk ka më Program për Barazi Gjinore, pasi ai paraprak ka skaduar në vitin 2024 dhe nuk është miratuar program i ri.

– Integrimi i perspektivës gjinore në ligje dhe politika nuk zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe mungojnë tregues të matshëm ose të dhëna të ndara sipas gjinisë nëpër sektorë.

– Gratë e komuniteteve rome, ashkalinj dhe egjiptiane vazhdojnë të jenë të prekura në mënyrë disproporcionale nga përjashtimi dhe diskriminimi.

– Kosova ende nuk ka një Plan të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, pavarësisht zotimeve politike për këtë agjendë.

– Dhuna me bazë gjinore mbetet e përhapur dhe periudha raportuese ka përfshirë tre raste të femicidit që shkaktuan reagim të gjerë publik. Sistemi për trajtimin e dhunës me bazë gjinore nuk është efektiv në parandalim, mbrojtje të viktimave apo mbajtje përgjegjëse të kryerësve.

– Qëndrimet patriarkale dhe stereotipet gjinore të rrënjosura thellë vazhdojnë të pengojnë përparimin drejt barazisë.

– Ekziston një diferencë e madhe gjinore në punësim. Pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore mbetet e ulët dhe diskriminimi në punësim, avancim dhe pagë vazhdon.

– Inspektorët e punës dhe gjyqtarët kanë mungesë njohurish për identifikimin dhe trajtimin e diskriminimit me bazë gjinore.

– Kujdesi për fëmijët, të moshuarit dhe shërbimet e tjera të kujdesit mbeten të pamjaftueshme, duke kufizuar mundësitë e grave për punësim dhe pavarësi ekonomike.

– Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor nuk është i integruar në menaxhimin e financave publike, që nënkupton se buxhetet planifikohen dhe zbatohen pa vlerësuar ndikimin që kanë tek gratë dhe burrat.

– Personat me aftësi të kufizuara, përfshirë gratë dhe vajzat, përballen me zbatim joefektiv të të drejtave dhe qasje të kufizuar në shërbime dhe institucione.

– Personat LGBTIQ+ vazhdojnë të përballen me nivele të larta diskriminimi, dhe Kosova nuk ka strategji apo plan veprimi për mbrojtjen e tyre.

Numri i madh i kritikave dhe problemeve të ngritura ne raport tregon se mbetet shumë punë për t’u bërë. Barazia gjinore nuk është çështje e izoluar, ajo është parakusht për çdo zhvillim politik dhe ekonomik, përfshirë integrimin evropian. Pa adresuar pabarazinë gjinore dhe pa garantuar zbatimin e ligjeve në praktikë, Kosova nuk mund të avancojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.