Pamjet dhe videot intime që janë publikuar dhe shpërndarë ditët e fundit, ku shfaqet kompozitori Adrian Hila në momente intime me gra të ndryshme artiste e këngëtare, nuk janë spektakël, argëtim e as material për klikime. Fakti që personat e përfshirë janë figura publike nuk e anulon në asnjë mënyrë të drejtën e tyre për privatësi, dinjitet dhe mbrojtje nga ekspozimi i paautorizuar i jetës së tyre intime.
Në asnjë rrethanë, këto pamje, videot intime dhe informacionet e tjera që lidhen me jetën private të grave të përfshira nuk përbëjnë interes publik.
I vetmi interes publik në këtë çështje mund të jetë reagimi i institucioneve: nëse po hetohet incizimi pa pëlqim, dhe a po identifikohen e arrestohen personat përgjegjës. Andaj, kërkojmë nga autoritetet përgjegjëse në Shqipëri që ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet dhe prioritet, duke identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat përgjegjës për incizimin e paautorizuar dhe shpërndarjen e materialeve në platforma të ndryshme, përfshirë platformat pornografike.
Përtej shkeljes së privatësisë, incizimi dhe shpërndarja pa pëlqim e materialeve intime përbën edhe një formë të dhunës me bazë gjinore në hapësirën digjitale, andaj viktimave duhet t’u ofrohet qasje e menjëhershme në mbrojtje juridike, mbështetje psikologjike dhe mbrojtje nga çdo ekspozim i mëtejshëm.
Publikimi dhe ripublikimi i videove, fotografive, pamjeve të shkëputura, emrave apo çfarëdo informacioni tjetër lidhur me viktimat është abuzim me lirinë e shprehjes dhe në kundërshtim me parimet etike të raportimit dhe gazetarisë. I bëjmë thirrje mediave në Kosovë dhe Shqipëri që të mos e trajtojnë këtë rast si burim për klikime, shikueshmëri dhe përfitim përmes sensacionalizimit të temës.
Ky rast na rikthen edhe një herë në një diskutim thelbësor për lirinë seksuale të grave dhe autonominë e tyre mbi trupin. Seksualiteti i grave është trajtuar historikisht si çështje mbi të cilën familja, komuniteti, media dhe institucionet pretendojnë të kenë të drejtë kontrolli, duke ndërtuar hierarki mes grave që konsiderohen “të respektueshme” dhe atyre që dënohen për shkak se dalin jashtë normave të imponuara gjinore. Pikërisht për këtë arsye, ekspozimi i jetës intime të gruas ushqen kulturën ku seksualiteti i saj shndërrohet në dëshmi karakteri, ndërsa intimiteti në instrument turpërimi dhe ndëshkimi publik.
E drejta e grave për të vendosur mbi trupin, seksualitetin dhe jetën e tyre intime, pa pasur nevojë të justifikojnë zgjedhjet e tyre dhe pa u gjykuar për to, është e pandashme nga liria, dinjiteti dhe barazia. Ne refuzojmë një shoqëri që kërkon të kontrollojë seksualitetin e grave e t’i ndëshkojë për mënyrën se si jetojnë.