Nëse ndonjëherë je përballur me thirrje apo komente ngacmuese në rrugë, veçanërisht natën vonë, me gjasë ke përjetuar stresin që ato shkaktojnë. Instinkti mbrojtës aktivizohet dhe kjo përvojë mund të të lërë të tronditur dhe të pambrojtur fizikisht.
Të gjitha mikeshat e mia kanë pasur përvoja të tilla, dhe secila prej nesh, në një moment apo tjetër, ka ecur natën për në shtëpi duke mbajtur çelësat në dorë. Unë madje iu bashkova një klubi karateje gjatë universitetit, në rast se do të ndodhte më e keqja, dhe përmes ushtrimeve të përsëritura mësova si ta rrëzoj një sulmues dhe të godas pikën e duhur të presionit për t’i shkaktuar dhimbje.
Megjithatë, kur vëmendja seksuale e padëshiruar nuk është menjëherë kërcënuese, ajo shpesh injorohet ose minimizohet. Por kjo nuk do të thotë se nuk lë pasoja afatgjata psikologjike. Hulumtimet tani tregojnë se edhe aktet e përditshme të seksizmit mund të kenë pasoja në të gjithë trupin dhe jetën e njerëzve.
Lëvizjet për të drejtat e grave kanë shënuar shumë suksese gjatë shekullit të fundit. Në shumë vende, paga e barabartë është tashmë një kërkesë ligjore dhe diskriminimi gjinor është i paligjshëm. Në Mbretërinë e Bashkuar kemi pasur tre kryeministre gra, dhe gratë në pozita udhëheqëse po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.
Megjithatë, shqetësuese mbetet fakti se barazia gjinore në Mbretërinë e Bashkuar dhe në botë ka mbetur pezull ose madje po shkon prapa. Statistikat për hendekun gjinor në paga vazhdojnë të mbeten të pandryshuara, dhe dhuna ndaj grave dhe vajzave po rritet.
Në nivel global, shifrat janë alarmante, thuhet se pothuajse 1 në 3 gra kanë qenë subjekt i dhunës fizike ose seksuale, ose të dyjave. Pastaj janë format më të fshehta të seksizmit që mund të depërtojnë në jetën e përditshme, si trajtimi me përçmim apo nënvlerësim. Ose seksizmi “dashamirës” që bëhet duke dhënë komplimente që duken pozitive të bazuara në gjini, të cilat nënkuptojnë se gratë janë natyrshëm më të mira apo më emocionale, ndërsa burrat më racionalë ose dominues. Këto supozime rrënjosen në stereotipe gjinore që mund të dëmtojnë fuqizimin e grave dhe të “përforcojnë statusin e tyre të nënshtruar”.
Ndërkohë, në SHBA, informacionet mbi shëndetin e grave janë shlyer dhe ndryshuar së fundmi nga një faqe qeveritare, sipas një raporti të botuar në The Lancet nga sociologia Patricia Homan e Universitetit Shtetëror të Floridës dhe kolegët e saj. “Informacioni që është shtuar përforcon esencializmin biologjik të seksit, duke i paraqitur trupat e grave si të dobët dhe në nevojë për mbrojtje, ndërsa personat trans si kërcënim”, thuhet në përmbledhjen e raportit.
Përmbajtja e hequr nga faqja lidhej me kujdesin shëndetësor për nënat dhe shëndetin riprodhues. Kjo përfshinte edhe një lidhje drejt faqes tashmë joaktive “reproductiverights.gov”, e cila ofronte informacion mbi qasjen në medikamente, kontracepsion, kujdes emergjent dhe shërbime të abortit.
Të marra së bashku, të gjitha këto janë shembuj të asaj që quhet “seksizëm strukturor”, të cilin Homan e përkufizon si pabarazi sistematike gjinore në pushtet, e ngulitur brenda institucioneve tona shoqërore. “Në thelb bëhet fjalë për mënyrat se si pushteti, statusi dhe burimet janë të pabalancuara mes burrave dhe grave”, shpjegon ajo.
Një “plagë” në tru
Ndikimet në shëndetin e grave, siç pritej, mund të jenë të thella dhe jo gjithmonë menjëherë të dukshme. Një studim që analizoi mbi 7800 skanime të trurit në 29 vende zbuloi se pabarazitë shoqërore gjinore e ndryshojnë fizikisht trurin e grave. Hulumtimi tregoi se gratë që jetojnë në vende me pabarazi më të lartë gjinore kishin trashësi më të madhe kortikale në zona të trurit që lidhen me kontrollin emocional, reziliencën dhe çrregullimet e lidhura me stresin, si depresioni dhe çrregullimi i stresit post traumatik.
Nicolas Crossley, psikiatër në universitetin katolik papnor të Kilit, më tha vitin e kaluar gjatë kërkimit për librin tim Breadwinners, se ajo që ndodhë është sikur pabarazia që përjetojnë gratë të “lë një plagë në trurin e tyre”. Arsyeja pse truri mund të ndryshojë si rezultat i stresit të pabarazisë lidhet me një proces të quajtur plasticitet, mënyra se si truri përshtatet në varësi të asaj që përjetojmë ose mësojmë. Kështu, nëse një aftësi si xhoglimi shkakton ndryshime të dukshme në tru, shpjegon Crossley, atëherë është e logjikshme që një përvojë e thellë dhe e përhershme e të jetuarit në një shoqëri që të nënvlerëson të ketë një efekt afatgjatë, pasi stresi kronik pengon aftësinë natyrore të trurit për t’u përshtatur.
Në mënyrë thelbësore, këto dallime në tru rezultuan të ishin më të vogla në vendet me barazi më të madhe gjinore dhe nuk u vërejtën në të njëjtëstn masë te burrat, ndonëse edhe burrat përjetuan më shumë ndryshime në tru në vendet më të pabarabarta. “Pra, nëse përmirëson barazinë gjinore, do të përmirësosh shëndetin e grave dhe kjo do t’u kushtojë më pak të gjithëve”, thotë Crossley.
Ndikimet e diskriminimit gjinor në shëndetin mendor janë vërejtur edhe në studime të tjera. Një studim në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se gratë që kishin përjetuar diskriminim për shkak të seksit kishin shëndet mendor më të dobët katër vjet më vonë. Në studimin me gati 3000 gra, 1 në 5 raportoi se kishte përjetuar seksizëm, duke filluar nga ndjenja e pasigurisë në hapësira publike, deri te fyerjet apo sulmet fizike. Këto gra kishin tri herë më shumë gjasa të raportonin shqetësim psikologjik dhe të përjetonin kënaqësi më të ulët nga jeta.
“Ekspozimi i përsëritur ndaj përvojave stresuese me kalimin e kohës mund të çojë në konsumim dhe dëmtim të trupit, dhe këto ndryshime biologjike të dëmshme mund të lidhen më pas me mirëqenie të dobët mendore”, thotë Ruth Hackett, psikologe shëndetësore në King’s College London dhe autore kryesore e studimit. “Kjo thjesht i konsumon njerëzit”.
Disa vite më vonë, Hackett udhëhoqi hulumtime të tjera dhe gjeti rezultate të ngjashme te gratë mbi moshën 52 vjeç. Ato që raportuan diskriminim të bazuar në gjini, si ngacmimi apo trajtimi me më pak respekt, shfaqën përkeqësim të shëndetit mendor gjashtë vjet më vonë, si dhe ndjenjë më të madhe vetmie dhe kënaqësi më të ulët nga jeta dhe cilësia e jetës. Të marra së bashku, këto rezultate tregojnë se diskriminimi gjinor shkakton dëme afatgjata.
Në kontrast, studime të tjera kanë treguar se gratë që jetojnë në shoqëri me barazi më të madhe gjinore kanë shkallë më të ulëta të depresionit, ashtu si edhe gratë në marrëdhënie më të barabarta.
Përtej ndikimeve në shëndetin mendor, ekziston edhe një problem më i gjerë i trajtimit të pabarabartë mjekësor kur bëhet fjalë për shëndetin e grave.
Në literaturën shkencore është dokumentuar gjerësisht se shqetësimet e shëndetit fizik të grave merren më pak seriozisht në mjediset mjekësore. Një studim zbuloi se gratë në shërbimet e urgjencës kanë më pak gjasa t’u jepen qetësues të dhimbjes si opioidë sesa burrave. Ato gjithashtu kanë më pak gjasa të përshkruhen me qetësues të tjerë, edhe kur simptomat e dhimbjes janë të njëjta, sipas një studimi të vitit 2024. Autorët e studimit theksojnë se “Puna jonë zbulon një pabarazi sistematike të lidhur me seksin në menaxhimin e dhimbjeve: një paciente grua e liruar nga urgjenca ka dukshëm më pak gjasa të marrë trajtim për një ankesë dhimbjeje, krahasuar me një pacient burrë”.
Dëmet e seksizmit strukturor
Ka shumë arsye të ndërthurura shtesë pse seksizmi strukturor është kaq i dëmshëm. Patricia Homan shpjegon se ai kufizon qasjen e grave në burime thelbësore që promovojnë mirëqenien, si paga e drejtë dhe autonomia. Seksizmi gjithashtu mund të rrisë ekspozimin e tyre ndaj përvojave të dëmshme, si dhuna në familje, mjediset e pasigurta të punës dhe stresi kronik.
Përveç kësaj, ka pasoja edhe për burrat. Në pamje të parë, ata mund të përfitojnë nga paga më e lartë në përgjithësi, si dhe në shtëpi, duke bërë më pak punë të papaguar, por siç shpjegon Homan, seksizmi strukturor mund të ushqejë norma të dëmshme të maskulinitetit që inkurajojnë përfshirjen e burrave në rreziqe, dhunë, abuzim me substanca dhe mungesë vullneti për të kërkuar kujdes shëndetësor.
Në marrëdhëniet personale, përshtatja me normat tradicionale të maskulinitetit ka pasoja negative edhe për burrat. Një analizë e gjerë, që përfshiu mbi 19,000 pjesëmarrës, zbuloi se burrat që kanë tipare të tilla si dominimi ndaj grave, ndjekja e statusit dhe sjellje seksuale me shumë partnerë, kanë më shumë gjasa të përjetojnë probleme të shëndetit mendor. Siç e shprehin autorët e studimit, “seksizmi nuk është thjesht një padrejtësi shoqërore, por ka edhe pasoja të dëmshme për shëndetin mendor për ata që kanë qëndrime të tilla”.
Me fjalë të tjera, kur burrat i internalizojnë normat e ngurta gjinore, kjo mund të ndikojë në shëndetin e tyre në mënyrë afatgjatë. Vetë sistemi që u jep atyre privilegj mund t’i bëjë burrat të ndihen sikur duhet t’i përshtaten një versioni jorealist të maskulinitetit, dhe nëse kjo pritshmëri nuk përmbushet, mund të kontribuojë në përkeqësimin e shëndetit mendor.
Për më tepër, kur burrat ndihen të pafuqishëm, kjo mund të ndikojë negativisht edhe te gratë. Dëshira për pushtet dhe status, e cila shpesh pritet nga burrat, është treguar se çon drejtpërdrejt në rritjen e ngacmimeve seksuale. Një seri eksperimentesh zbuloi se burrat me histori të të ndjerit të pafuqishëm ishin më të prirur të përfshiheshin në sjellje ngacmuese seksuale kur u jepet pushtet i përkohshëm mbi të tjerët.
Si të inkurajohet ndryshimi
Kur bëhet fjalë për zgjidhjet, ekzistojnë ndryshime personale dhe shoqërore që të gjithë mund të ndërmarrim.
Prindërit mund të flasin me fëmijët që në moshë të re për sjelljen e duhur dhe të jenë të kujdesshëm ndaj stereotipeve gjinore dhe supozimeve seksiste, veçanërisht duke pasur parasysh se stereotipet mund të fillojnë të imponohen që në moshën tre mujore. Prindërit gjithashtu mund të jenë më të qëllimshëm në sfidimin e supozimeve seksiste në shtëpi. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse kur burrat shfaqin armiqësi ndaj grave, e cila njihet si “maskuliniteti armiqësor”, kjo lidhet me rritjen e rasteve të dhunës ndaj grave.
Në një nivel shoqëror, masat politike mund të ndihmojnë në adresimin e këtyre pabarazive, si ofrimi i pushimeve të paguara për familjen për të gjithë punonjësit, burrat dhe gratë njësoj. Kjo është zbatuar me sukses në disa vende nordike, ku qasja e paguar “përdore atë ose e humb atë” ka rritur numrin e burrave që marrin pushim prindëror. Kjo normalizon dhe vlerëson kujdesin ndaj familjes dhe, me më shumë mbështetje në shtëpi, ndihmon që gratë të mbeten më afër tregut të punës, duke kufizuar dëmin ekonomik. Kur burrat marrin më shumë përgjegjësi për kujdesin në shtëpi, ideja e asaj që do të thotë të jesh burrë mund të ndryshojë dhe të evoluojë me kohën, duke përfshirë kujdesin dhe mbështetjen më të mirë për gratë, madje duke zhvilluar një koncept të ri të “maskulinitetit kujdesës” (caring masculinities)”.
Kur gratë fuqizohen, përfiton e gjithë shoqëria, shpjegon Homan, sepse gratë në pushtet zakonisht investojnë më shumë në shëndetësi, shëndet publik, arsim, mirëqenie dhe programe të sigurisë sociale që mund të përmirësojnë shëndetin e popullsisë në tërësi. “Në të kundërt, seksizmi më i madh strukturor çon në ulje të investimeve publike në këto fusha, duke dëmtuar të gjithë, përfshirë burrat”.
Dhe së fundi, diskutimi i hapur mbi pasojat e seksizmit mund të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit për dëmet e përfshira. Ekzistojnë edhe prova që të flasësh për diskriminimin e padëshiruar është i dobishëm për shëndetin mendor, pasi mund të çojë në më shumë mbështetje. Megjithatë, duhet të pranojmë edhe përhapjen strukturore të çështjes dhe se veprimet individuale nuk janë të mjaftueshme.
Melissa Hogenboom
Përktheu: Anita Vllahiu
Shkrimin origjinal e gjeni këtu.