Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Mos e ktheni dhimbjen në spektakël!

QIKA 26.3.2026

Sot gjatë ditës, pothuajse të gjitha mediat vendore kanë publikuar fotografi që u shfaqën si prova gjatë seancës gjyqësore për rastin e Liridona Ademaj. QIKA fton të gjitha mediat që të ushtrojnë përgjegjësi të plotë gjatë raportimit për rastin Ademaj-t dhe rastet e tjera të dhunës ndaj grave. Ne kërkojmë që të mos publikohen pamje të ndjeshme të paraqitura gjatë seancave gjyqësore dhe të mos shpërndahen këto materiale jashtë procesit ligjor.

Publikimi i këtyre pamjeve nuk përbën interes publik, përkundrazi, përbën një akt të rivikitmizimit duke u ruajtur përgjithmonë në arkivat digjitale dhe rikthen traumat tek familjarët dhe mbarë komuniteti. Mediat duhet të praktikojnë raportim të ndjeshëm gjinor, duke respektuar privatësinë dhe dinjitetin e viktimave. Mediat që tashmë i kanë publikuar materialet duhet t’i fshijnë menjëherë.

Gjithashtu, bëjmë thirrje që gjykata të marrë masat e nevojshme që në seancat e ardhshme materialet e ndjeshme të përdoren vetëm brenda procesit gjyqësor dhe të mos bëhen publike.

Sensacioni përmes shkeljes së dinjitetit të viktimave nuk guxon të normalizohet në emër te interesit publik!